Makinat e reja shtojnë një marsh

 

Tregu i makinave të reja shënoi një rritje thuajse 25 për qind, krahasuar me një vit më parë. Ose e thënë ndryshe, gjatë vitit 2015 numri i automjeteve të reja të shitura ishte rreth 2000 copë, ndërkohë që një vit më parë ai ishte 1500 copë. Ritmi i rritjes duket i mirë, megjithatë duke ditur se në vitin më të mirë të këtij biznesi koncensionaret e makinave të reja kanë arritur të shesin deri në 3500 automjete të reja, atëhere bëhet e qartë se situata nuk është shumë optimiste. Akoma më shumë theksohet ky fakt nëse merr parasysh treguesin tjetër se, sipas DPSHTRR-së, numri i automjeteve gjithsej të regjistruar është mbi 40 mijë.

Sa I takon protagonistëve të këtij tregu, ata që kanë mundur të realizojnë performancën më të mira janë koncensionaret Porsche Albania, me afro 640 makina të shitura, Albania Motor Company me mbi 400 makina të shitura, Classic Tirana me mbi 500 makina të shitura dhe Tendencë Tre-A me rreth 200 automjete te shitura. Sikurse shikohet edhe nga shifrat, 4 koncensionare kanë arritur të shesin mbi 80 për qind të totalit të automjeteve të reja të shitura, ndërkohë që zyrtarisht në këtë treg janë afro 15 subjekte.

Kështu u ndanë 100 milionë eurot e sigurimeve

 

Kush e dominoi tregun? A pati lëvizje në hierarkinë e tregut? Cfarë të rejash u shënuan gjatë vitit 2015?

 

Shpetim Luku

Humori i administratorëve të kompanive të sigurimeve duhet të jetë i mirë. Dhe ky nuk është supozim, por një konkluzion që del vetëvetiu nga shqyrtimi i realitetit të tregut të sigurimeve për vitin 2015. Ka patur disa evenimente ky treg, krahasuar me një vit më parë, cka ka sjellë realizimin e pritshmërive nga ana e drejtuesve të kompanive. Sepse tregu i sigurimeve në vitin 2015 ka patur një rritje prej 21.18 për qind krahasuar me një vit më parë-thotë AMF në raportin e saj vjetor. Rritja është me një ritëm të konsiderueshëm, cka nuk konstatohet në asnjë sektor tjetër të biznesit shqiptar.  Tregu në total i sigurimeve, ku përfshihen sigurimet e jo-jetës dhe jetës arriti në total rreth 14 miliardë e 86 milionë lekë ose afro 100 milionë euro. Rritje pati gjithashu edhe numri i kontratave me afro 6 për qind, ndopnëse rritja sasiore nuk duket aq impresionuese sa rritja në vlerë e këtij tregu. Po si u ndanë këto 100 milionë euro mes operatorëve? Kush e dominoi tregun? A pati lëvizje në hierarkinë e tregut?

Sigal Unica Group Austria bën rutinë vendin e parë

Të dhënat tregojnë se kompania SIGAL Unica Group Austria vazhdon të ruajë e të konsolidojë vendin e parë. Kjo kompani me afro 3.7 miliardë lekë aktivitet të siguruar gjatë vitit 2015 ka një rritje  prej 700 milionë lekësh, krahasuar me një vit më parë dhe zë afërsisht 29 për qind të tregut. Këto tregues janë vetëm për sigurimin e jo-jetës sepse Sigal ushtron aktivitetin edhe në veprimtarinë e jetës, aktivitet i cili, gjatë vitit 2015 ishte rreth 675 milionë lekë. Kështu, pesha specifike e SIGAL në totalin e tregut të sigurimeve arrin në 35-36 për qind. Interesant është fakti se kjo kompani zë vendin e parë në sigurimin e jo jetës, vendin e parë në sigurimin e jetës dhe vendin e parë edhe në totalin e veprimtarisë. Dhe tashmë bëhet fjalë për një rutinë sepse vendi i parë ka shumë kohë që është bërë pronë e kësaj kompanie.

Sigma Interlbanian Insurance Group, rritje 465 për qind!!!

Aspekti më befasues i tregut të sigurimeve gjatë vitit 2015 është rritja e kompanisë Sigma Interalbanian Insurance Group, rritje kjo që është në masën 465 për qind. Ose e thënë ndryshe nga rreth 377 milionë lekë që ka qenë aktiviteti i raportuar në vitit 2014, ai kapërceu në 2.1 miliardë lekë në vitin 2015. Padyshim që një ndikim të madh ka edhe bashkimi i dy kompanive, që dikur ishin të vecanta dhe konkurente me njëra tjetrën: Sigma-s dhe Interalbanian. Ardhja e kompanisë austriake Viena Insurance Group në Shqipëri dhe blerja prej saj, fillimisht të Sigma-s e më vonë të Interalbanian e bëri të nevojshme bashkimin e tyre për të rritur fuqinë konkuruese në treg dhe për të ulur shpenzimet. Faktet tregojnë se ishte një veprim i duhur, përderisa kompania e re e dalë nga bashkimi i tyre renditet në vendin e dytë me rreth 16.3 për qind të tregut

Eurosig një protagonist i tregut

Të gjitha kompanitë kanë rritje, ndaj kësaj tendence nuk kishte si ti shpëtonte edhe Eurosig. Rritja që njeh kjo kompani është e konsiderueshme, afro 47 për qind. Masa e primeve të kësaj kompanie per vitin 2015 ka arritur pak më pak se sa 2 miliardë lekë ndërkohë që një vit më parë niveli i primeve ishte 1.34 milirdë lekë. Me këto shifra dhe me afro 15 për qind të totalit të tregut të sigurimeve të jo-jetës, Eurosig paraqitet si një protagonist i tregut.

Intersig Viena Isurance Group me aktivitet të konsoliduar

Ndërsa dy kompanitë e tjera të blera nga Viena Insurance Group janë bashkuar, Intersig ka preferuar të qëndrojë e konkurojë vetëm. Dhe nuk është se ka ecur keq me këtë mënyrë konkurimi. Me afro 1.57 miliadë lekë prime ajo  ka patur një ritëm rritje prej 16 për qind. Kurse pjesa e tregut ka mbetur thuajse në të njëjtën kuotë me vitin e kaluar: 12 për qind.

Albsig dhe Atlantik, rritje primesh, por jo peshe specifike në treg

Dy kompanitë e tjera të sigurimeve, Albsig dhe Atlantik kanë një rritje aktiviteti, respektivisht  26 dhe 16 per qind, porse pesha specifike e tyre në treg ka mbetur e njëjta. Albsig posedon 9.9 për qind të tregut kurse Atlantik 6.3 për qind.

INSIG i humburi i madh

Nëse gjykon dinamikën e kompanisë publike INSIG në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014, ajo ka të njëjtin sens me kompanitë e tjera të sigurimeve. Rritja pra ka karakterizuar edhe këtë kompani. Mirëpo ndonëse aktiviteti është rritur me afro 15 për qind, sërish INSIG duhet konsideruar si i humburi i madh në betejën për miliardat e këtij tregu. Sepse kjo kompani, deri në vitin 1008, vit kur trgu i sigurimeve u liberalizua ishte e vetme në treg. Më pas, kur lindën kompanitë e para private të sigurimeve, INSIG përfaqësonte një kompani që avantazhin kryesor kishte eksperiencën dhe egzistencën për disa kohë në treg, asetet, rrjetin e agjentëve, shtrirjen në të gjithë territorin e vendit e kështu me radhe.  Vlera e kësaj kompanie llogaritej vite më parë në afro 40 milionë euro. Mirëpo kompania erdhi duke humbur terren në mënyrë sistematike, derisa në vitin 2015 renditet në vendin e parafundit me vetëm 5.8 për qind të tregut të sigurimit të jo-jetës.

Për të patur pas vetes vetëm kompaninë ANSIG, por kjo kompani është relativisht e re në treg dhe e ka të justifikuar  performancën që ka aktualisht.

Keqkuptimi i madh me karburantet

 

Ndërsa cmimi në bursat ndërkombëtare ka kapur minimumin historik, në Shqipëri ato janë relativisht të larta. Është faji i tregtarëve të karburanteve? Apo problemi qëndron diku tjetër?

Shpëtim Luku

Rënia e cmimit tëkarburanteve në tregjet ndërkombëtare thuajse në minimumin historic si dhe qëndrimi i tij në nivele relativisht të larta ka prodhuar një reagim e hutim të madh. Si shpjegohet që ndërsa cmimi në bursë ulet, e cmimi në Shqipëri nuk e ndjek atë kurbë- është pyetja më e shpeshtë që bëhet. Kjo hutesë dhe keqkuptimi sa vjen e shtohen kur situates i bashkangjiten edhe fakte të tjera, sikurse është cmimi i karburanteve në vendet fqinjë, si Maqedonia, Mali i Zi apo qooftë edhe Kosova. Problemi komplikohet më shumë kur në skenë futet edhe opozita, duke i dhënë karakter politik, një situate biznesi. Dhe pa humbur kohe po nisim shpjegimin, duke thënë që në fillim se me këtë strukturë kostoje që imponon ligji, nuk ka asnjë shans e mundësi që cmimi të jetë më poshtë se sa kaq sa është. Ose ndryshe: nëse një litër karburant do të gjendet me cmim më të lirë se sa kaq sa është, atëhere është e sigurtë se një tjetër manovër mashtruese në kurriz të konsumatorit ia ka krijuar tregtarit këtë mundësi. Një litër karburant, me cmimin actual në bursat ndërkombëtare vjen në Shqipëri me një cmim prej 30 lekë për litër. Porsa mbërrin në por i nënshtrohet një sërë taksave dhe konkretisht: akcizës 37 lekë, taksës së qarkullimit 27 lekë për litër, taksës së karbonit 3 lekë për litër dhe taksës së markimit 0.61 lekë për litër. Cmimit të ardhjes në doganë, plus taksave rreth 98 lekë në total iu bashkangjitet 20 për qindëshi i TVSH-së, pra afro 19.6 lekë për litër, cka bën që cmimi i karburantit me të gjitha taksat e përfshira të jetë rreth 117-118 lekë për litër. Mirëpo ky nuk është cmimi final i distributorit me pakicë. Sepse kësaj shumë i duhet shtuar edhe asa e shpenzimeve të vetë distributorit të kompanisë sikurse janë shpenzimet e transportit, shpenzimet për energji, shpenzimet për paga, shpenzimet operative etj. Shpenzime këto që nga distributor në distributor variojnë 20-30 lekë për litër. Kështu që cmimi final varion 137-147 lekë për litër. E thënë me fjalë të tjera, sikur nafta të shitej me këtë cmim, atëhere tregtarët do të mund të përballonin vetëm kostot pa nxjerrë asnjë lekë fitim. Pra pa patur arsye të punonin.

Biznesi i karburanteve duket i lehtë në perceptim, por në të vërtetë nuk është aspak I tillë. Mjafton të shikohet ai në retrospektivë kur në këtë treg kanë hyrë e kanë dalë rej tij një numur i madh kompanish, sikur me emër, sikurse Rira, Taci Oil, Global Petroleum, Elda Petroleum, Alpet, It Oil, Tea Petrol etj. Konkurenca sa i takon cmimit duket e ezauruar, kurse problematike për konsumatorin janë manovrat mashtruese në kurriz të tij sikurse është loja me masën dhe me cilësinë. Mirëpo kjo i takon një teme tjetër.

“Ti nuk mund te jesh edhe partneri, edhe konkurenti im”

Rreth konfliktit te interesit si nje refren i biznesit shqiptar

 

Nga Shpetim Luku

 

Kur biznesmeni  i mirenjohur G. J deklaroi emrin e tij si nje nga aksioneret e kompanisë se katert celulare PLUS, nje prej drejtuesve te nje kompanie tjeter celulare ne treg, me të cilin G.J kryente biznes ,organizoi nje takim ne te cilin i tha: kjo qe ben ti quhet konflikt interesi, pasi ti nuk mund te bashkepunosh me mua, nderkohe qe nga ana tjeter je konkurent me mua. Dhe keshtu perballe dilemes se zgjedhjes, në të cilin e vuri biznesmeni i huaj, te vazhdonte bashkepunimin me te duke i shitur produktet e kompanise se tij e te hiqte dore nga aksionet e kompanise se re celulare, apo te mbante aksionet e te mos bashkepunonte më me kompanine ekzistuese te telefonise celulare, G.J zgjodhi  alternativen e vazhdimit të bashkëpunimit. Ky është një nga ato rastet tipike që na bën të ndjeshëm rreth një fenomeni që është tashmë aq i përhapur, sa mund të quhet si një nga karakteristikat kryesore negative të biznesit shqiptar. Kemi dëgjuar të shkruhet e flitet për konflikt interesi në administratën publike, kemi dëgjuar të shkruhet e flitet për konflikt interesi të deputetëve apo qeveritarëve të ndryshëm, por nuk kemi dëgjuar asgjë për konfliktin e interesit në biznes si një aspekt i rëndësishëm i deformimit të realitetit. E pra, nëse konflikti i interesit në nivelet e ndryshme të administratës prodhon korrupsion, konflikti i interesit në biznes, përvecse një dukurie aspak etike, shoqërohet edhe me denatyrime të rëndësishme të tregut. Cfarë kuptimi ka për një pronar banke, që nga njëra anë kërkon klientë për të kredituar, fjala vjen një tregtar shitjesh makinash të reja, kur nga ana tjetër ai  është vetë operator i këtij tregu?! Cfarë sensi logjik ka që  një bankë e një pronari të mbështesë me kredi një kompani postare( bashkëpunim në këtë rast) ndërkohë që në krahun tjetër, pronari i bankës është edhe pronar i një kompanie tjetër postare në treg(konkuruese me kompaninë e kredituar). Është njësoj sikur një kompani karburantesh që ka një bashkëpunim të fuqishëm me një kompani ajrore të futet vetë në tregun ajror e të shpresojë të vazhdojë sërish bashkepunimin me kompaninë që tashmë konkuron, gjë që është logjikish e pamundur. Raste të tilla për të ilustruar konkluzionin e parashtruar më sipër ka me shumicë dhe mjafton vetëm një “eskursion” në pronësinë reale të kompanive të ndryshme për ta dalluar shkallën e përhapjes së fenomenit. Sot ka një numër biznesmenësh shqiptarë, të cilët kanë me dhjetra aktivitete, cka dëshmon se tashme monopoli nuk shfaqet më në trajtën e zotërimit të masës më të madhe të një tregu të caktuar, por me përqëndrimin e bizneseve në pak duar. Sot ka biznesmenë shqiptarë që merren edhe me karburante, edhe me ndërtime, edhe me sigurime, edhe me udhëtime, edhe me botime, edhe me televizione, edhe me posta, edhe me përpunim bulmeti etj etj. Ashtu sikurse nga ana tjetër, nuk mund të mohohet fakti se në realitetin shqiptar ka edhe mjaft biznesmenë modernë, të cilët kanë eksploruar një fushë të caktuar, pa devijuar kurrë prej saj, cka ka sjellë që këta biznesmenë të mbeten liderë të fushave të tyre, pavarësisht prej konkurencës që shtohet. Duke iu referuar konfliktit të interesit në biznes lind natyrshëm pyetja: një tablo e tillë, pra përqëndrimi i shumë bizneseve në duar të pak njerëzve ka ardhur si rrjedhojë e aftësive të vecanta konkuruese të këtyre  apo prej arsyeve të tjera? Përgjigja e kësaj pyetjeje duhet kërkuar tek mënyra se si ka funksionuar ekonomia dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi. Deri para pak viteve evazioni fiscal në Shqipëri ka qenë një dukuri thuajse e panjohur si term, e jo më një fenomen i luftuar ligjerisht. Deri para pak kohësh qindra milionë euro kanë ndërruar në mënyrë sistematike destinacion nga buxheti i shtetit ne duart e privatit. E gjithë kjo para e fituar në mënyrë të padrejtë dhe që në shumicën e rasteve ka qenë në sasi më e madhe se sa paraja e fituar në mënyrë klasike e të ligjshme ka qenë e gatshme për tu investuar me lehtësi në sektorë të biznesit shqiptar. Aq më tepër që edhe vetë biznesi shqiptar ka qenë në procesin e tij të strukturimit. Duke qenë fryt i  parave të lira për tu investuar, mjaft prej biznesve shqiptare rezultojne të tilla si dëshmi i prepotencës së parave të fituara padrejtësisht. Mirëpo si ide biznesi të bazuara në imitim, ka pak shanse që ato të kënaqin egoizmin e pronarëve të tyre, ndaj vjen një ditë që suksesi nuk bazohet në ligjësi klasike, sikurse është aftësia e konkurimit të ndershëm. Vendin e klasikes e zë specifikja, pra konkurimi klientelist, duke siguruar mbeshtetje politike ose duke përdoruar metoda aspak etike në biznes. Kjo është edhe një prej arsyeve kryesore që shpjegon faktin paradoksal që nga njëra anë GDP-ja rritet, kurse punësimi zbret!

Borxhi i lartë publik si dëshmi keqqeverisjesh

 

Edhe pse ka shkuar në kufijt maksimalë të ezaurimit, niveli  i borxhit publik stimulon një pyetje carmatosëse: cfarë problem është zgjidhur një herë e mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët?

Shpëtim Luku

 

Prej disa kohësh dinamika e borxhit public të Shqipërisë, niveli i lartë në të cilin ai ka arritur-qeveria e kaluar e dorëzoi detyrën me 63 për qind borxh ndaj PBB- ka qenë edhe lajm, por edhe objekt debati në Shqipëri? Duhet të ketë tavan apo jo për të, a është në nivele alarmante apo nuk ka arsye për tu shqetësuar?  A duhet vijuar akoma të merret borxh apo duhet të fillojë procesi i reduktimit të tij?

Këto e të tjera pyetje si këto kanë mbisunduar në debatin. Natyrisht me protagonist pro dhe kundër. Mirëpo ka qenë një debat i cekët, pa asnjë orvatje për të rrokur thelbin e problemit, që në të vërtetë përbën edhe arsyen kryesore pse të gjithë duhet të ndjehen të shqetësuar dhe të trishtuar. Nëse borxhi publik i Shqipërisë nga 40 për qind që duhet të ishte, sipas kalkulimit të specialistëve të huaj, ka shkuar në 72 për qind , atëhere një pyetje është e pashmangshme: cfarë problemi Shqipëria mund të krenohet se e ka zgjidhur njëhere e përgjithmonë?! Dhe që për qytetarët e thjeshtë do të përbënte një argument ngushëllues mbi bazën e të cilit ata do të thonin: “vërtetë do na takojë në të ardhmen të paguajmë fatura të kripura, por ama një apo dy problem i kemi zgjidhur e skemi më nevojë të përqëndrojmë fonde e investime”?!

Është zgjidhur problemi i infrastrukturës, që ka qënë edhe sektori që ka gllabëruar fontet më të mëdha? Realiteti në të cilën ndodhet ajo nuk ta lejon një pohim të tillë. Sepse, në Shqipëri nuk ka akoma asnjë aks rrugor që të jetë i përfunduar nga pika A në pikën B. Nuk mund të shkosh në mënyrë komode as në Gjirokastër e Sarandë, as në Korcë, as në Shkodër, as në Peshkopi, as në Berat e as në Vlorë sepse kudo do të dalin segment rrugorë ndërmjetës që ta kthejnë udhëtimin në një hall të madh. Mbi 3 miliarde euro janë adresuar në këtë sector, ndërkohë që sipas Ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës duhen të paktën edhe rreth 2 miliardë euro të tjera për ta sjellë infrastrukturën në parametra normal.

Është zgjidhur problem i energjisë elektrike? Sigurisht që jo sepse ky sector deri pak më parë ka mbarturt një problematikë tejet të madhe me kontributin e shumë aktorëve dhe faktorëve. Qytetarët kanë patur vazhdimisht probleme me energjinë elektrike, jo më tepër sa i takon furnizimit me të, por shpërndarjes së pabarabartë të faturave, ku korrekti paguan edhe për jokorrektin! Edhe pse vend me kushte tejet të përshtatëshme, Shqipëria vazhdon të jetë akoma vend me deficit energjitik, pa arritur të ndërtojë një vepër të rëndësishme energjitike përgjatë gjithë tranzicionit. Hidrocentrali i Ashtës dhe disa investime për rritjen e kapacitetit transmetues janë shumë pak, përpara problemeve për të konkluduar se sektori energjitik është pranë zgjidhjes së problemeve një herë e mirë. Vetëm me ndërmarrjen e një reforme të thellë të Qeverisë “Rama” në këtë sector duket se disa gjëra po vihen në vijë. Por kujdes. Vetëm tani ka filluar të investohet në infrastrukturën energjitike, si në rrjetin e shpënrdarjes, pas më shumë se 40 vitesh

A mund të thuhet se bujqësia e gëzon këtë status? Pra statusin e të përkëdhelurit me investime apo statusin e sektorin ku janë adresuar një pjesë e mirë e parave të marra borxh? Sërish realiteti sugjeron përgjigjen:jo. Sepse për situatën ku ndodhet bujqësia shqiptare mjaftojnë vetëm disa kronika televizive për pëmbytjet që përsëriten në mënyrë sistematike cdo vit për të kuptuar se ato që janë dëshmi i një bujqësie të përparuar, pra kanalet vaditëse dhe ato të kullimit si dhe hidrovoret janë në më të shumtën e rasteve ose të shkatërruar ose jashtë loje. Për pasojë, fermerit shqiptar do ti duhet edhe mjaft kohë të përballet me problem me të cilat ai duket i ambientuar tashmë, por kurrë smund të flasim për bujqësi në nivele të larta.

A mund ta themi këtë për turizmin? Pra, si rezultat i borxhit të shfrenuar, a është  dizejnuar turizmi në trajtë industrie, në mënyrë që ai më pas të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendit, në përmirësimin e bilancit financiar? A mund të thuhet pra që turizmi shqiptar tashmë ka marrë formë dhe është gati të rikthejë investimet e realizuara në të? Unë personalisht mendoj se jo. Shqipëria akoma nuk ka as bazat fillestare për një turizëm cilësor, një turizëm që do të mund ti sigurojë ekonomisë shqiptare të ardhura shtesë. Madje, edhe pse duhet të ishte një prioritet, Shqipëria rezulton me “deficit turistik”. Me shume para dalin prej qytetarëve që preferojnë të pushojnë jashtë se sa atyre që vijnë nga jashtë për të pushuar në Shqipëri

Dhe kështu mund të vazhdonim arsyetimin edhe për fusha e sektorë të tjerë. Por sado që përpiqemi, sërish, nuk na vjen ndërmend asnjë “punë e mbaruar njëherë e mirë”. Cka do të thotë se borxhi i lartë publik, ezaurimi i tij deri në nivele kritike dhe kompromentuese për të ardhmen është thjesht një dëshmi, një ekspozim i keqqeverisjeve shqiptare. Pse jo, edhe denoncim i korrupsionit në nivele alarmante. Nëse do të shpreheshim në mënyrë figurative, mënyra se si qeveria e kaluar është sjellë me borxhin public i ngjan asaj të një kryefamiljari që ka marrë kredi bankare, por  që nuk ka arritur të zgjidhe nëpërmjet saj as problemin e punësimit, as problemin e strehimit, as problemin e shkollimit të fëmijëve të tij. Shkurt, i ka bërë paratë rrush e kumbulla-thotë populli për të tilla raste.