“Drejtor dogane apo pronar terminali privat doganor”?!

 

Drejtuesit e 8 kompanive kosovare i drejtohet me nje leter kreut te Doganes se Kosoves, Agron Sadiku

 

Drejtuesit e 8 kompanive kosovare që merren me importin dhe tregtimin e produkteve shqiptare në territorin kosovar i kanë dërguar një letër proteste kreut të Doganës kosovare, Agron Sadiku. “A jeni drejtor dogane apo pronar i terminalit doganor të Prizrenit”- e pyesin nëpërmjet letrës së tyre Presidentët e kompanive.  Duket se kemi të bëjmë me reagimin e disa biznesmenëve të revoltuar, të mërzitur, të dëshpëruar e lodhur nga improvizimet pa fund që bën Dogana e Kosovës për produktet që vijnë nga Shqipëria. Duke krijuar kështu pengesa të panumurta, duke krijuar barrier, të cilat kanë efektin që e kthejnë distancën e afërt të tregut Kosovar nga avantazh në dizavantazh. Sepse ti detyrosh kompanitë që të dërgojnë cdo kamion të tyre në terminalin doganor privat të Prizrenit do të thotë që tiu rrisësh atyre jo vetëm kostot financiare por edhe ato kohore. Dhe pastaj ndodh që mallrat serbe e arrijnë tregun e Kosovës më shpejt se sa ata nga Shqipëria, pavarësisht se distanca e Beogradit nga Kosova është rreth 500 km, kurse ajo e Shqipërisë vetëm 200 km. Sipas drejtuesve të kompanive Besimi Commerce, Korabi shpk, Capital Invest sh.p.k, Ronex NSHT, Dalmat NSHT, Jusuj Metal, Ndertimi dhe Ardi Com, situata është bërë aq e paqartë dhe konfuze sa protestave të herëpashershme të tyre drejtuesit e doganës iu përgjigjen cdo herë në mënyrë të ndryshme. Të penalizuar në të drejtën e të bërit biznes drejtuesit e këtyre kompanive e quajnë jo vetëm të pakuptimtë, por një veprimtari me logjikën e zhvatjes së bizneseve mënyrën e të vepruarit të doganës. Aq sa me të drejtë ata dyshojnë nëse drejtuesi actual i doganës është kreu i një institucion shtetëror apo punon për llogari të një terminali privat doganor.

Biznesi kosovar, Ramës: Ja c’na shqetëson

 

Ndërsa kamionët e “Besimi Comerc” ngarkoheshin me tullat e Kid Alb, drejtuesit e saj “ngarkonin” kokën e kryeminstrit shqiptar me problematikë. Që për hir të së vërtetës nuk është e pakët.

Shpëtim Luku

Besim Gashi është një biznesmen nga Kosova, president i kompanisë Besimi Comerc. Thelbi i aktivitetit të kompanisë së tij është distribuimi i produkteve të ndryshme që shërbejnë si lëndë të para për ndërtimin, sikurse janë tullat, cimento, hekuri etj. Për dy gjëra është tejet krenar Besim Gashi. Së pari, sepse kompania e tij ka arritur që nëpërmjet tregtimit të produkteve që I importon nga Shqipëria të jetë një nga kompanitë kryesore të këtij lloji në Kosovë. Nga ana tjetër, duke shpërndarë e tregtuar artikuj të importuar nga Shqipëria si tullat e Kid-Alb-it, cimenton e Kruja Cement apo hekurin e Kurumit,  “Besimi Comerc” ia ka dalë mbanë ti ngushtojë së tepërmi terrenin produkteve analoge, por që vijnë kufiri tjetër i Merdares, pra nga Serbia.

“Edhe ne kemi punuar fort, por ama na ka nderuar edhe cilësia e produkteve”-shpjegon Besim Gashi duke dhënë në një farë mënyre edhe recetën e suksesit të deritanishëm të kompanisë së tij, por edhe kompanive shqiptare me të cilat bashkëpunon. Dhe ne fakt statistikat janë kokëfortë. Kid Alba ka mbi 40 për qind të tregut të saj eksportin në Kosovë, Fabrika e Cimentos po kështu. Por edhe Kurum është një eksportues i fuqishëm dhe të tre këto kompani apo edhe të tjerat kanë gjetur tek “Besimi Comerc” një partner të mirë, korrekt, serioz, e të besueshëm.

Mirëpo si shpjegohet që produktet serbe vazhdojnë të tregtohen në Kosovë ndonse produktet shqiptare kanë avantazhin edhe sa i takon cilësisë edhe sa i takon kostove të transportit?! Pasi një kamion i ardhur nga Serbia duhet të bëjë një distancë vajtje ardhje 1000 km, kurse ai nga Shqipëria rreth 400 km? Arsyet janë tërësisht subjektive, Kryesisht arsye që lidhen me praktika korruptive, praktika zhvatëse për biznesin, që në analizë të fundit cojnë në rritjet e kostove të tij. Duke ia zbehur së teprmi produkteve shqiptare avantazget konkuruese. Pikërsht për të gritur një problematikë të tillë, Besimi Gashi, së bashku me drejtuesit e tjerë të kompanisë së tij shfrytëzuan rastin e një vizite të kryeministrit shqiptar Edi Rama në një nga fabrikat partnere të “Besimi Comerc” në Shqipëri. E ndërsa kamionët e kompanisë kosovare ngarkoheshin me tullat e Kid Alb-it, drejtuesit e “Besimi Comerc”  në një bashkëbisedim me kryeministrin shqiptar po shpalosnin problematikën me të cilën hasnin dhe që i pengon ata të tërheqin akoma më shumë produkte “ Made in Albania”. Tre janë arsyet që do të krijonin kushtet për një eksport edhe më të madh.

Së pari është heqja e tarifës së terminalit doganor në Prizren. Kjo është një praktikë tërësisht e panevojshme dhe e dëmshme për biznesin, e cila përvec kostos financiare ka edhe kosto kohore. Sepse pastaj i bie që 500 km rrugë nga Serbia për në tregun kosovar të bëhen me shpejt se sa 200 km rruge nga Shqipëria vetëm prej pengesave kohore.

Së dyti, heqja e tarifave të skanimit për cdo kamion që shkon në Kosovë. Kur praktika e koncensionit të skanimit të mallrave ishte në process e sipër pak vetë e imagjinonin dhe perceptonin ndikimin real negative të saj. Tani që ajo ka filluar zbatimin e saj, është dëshmuar si një barrierë reale për biznesin, pikërisht sepse I rrit kostot.

Nga ana tjetër edhe përfundimi i rrugës së Arbrit do ta shkurtonte akoma më shumë distancën për në tregun e Kosovës, do ulte kostot e për rrjedhojë do tiu rriste fuqinë përballëse produkteve shqiptare me ato serbe.

Teknika qe po rrit domate bio në Shqipëri

Dalëngadalë domatja po kthehet produkti i parë i garantuar për konsumatorin shqiptar. Në saj të një teknike të re që bazohet në pjalmimin me bletë po kryhet zëvëndësimi i përdorimit të hormonit në lulet e domates. Ajo që po e realizon këtë process është kompania Agrokoni  nëpërmjet species Bombus Terretris dhe me mbështetjen e USAID-it. Në[ërmjet përdorimit në shkallë të gjërë të pjalimimit me bletë në domate, cilësia e produktit përmirësihet ndjeshëm. Në këtë mënyrë është fare e qartë të kuptohet se kur rritet cilësia e produkt atëhere edhe përdorimi i tij në vend rritet akoma më shumë e po kështu edhe tregjet e eksportit janë më të hapura. Fermerët shqiptarë e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj teknike përderisa sipërfaqet e mbjella me domate dhe që përdorin pjalmimin me bletë kanë ardhur duke u rritur në mënyrë të ndjeshme. Në këtë mënyrë, nuk është e largët dita, kur domatja e prodhuar në Shqipëri do të jetë tërësisht një produkt bio, një produkt që do të konsumohet nga konsumatorët pa asnjë frikë rreth manovrave speculative që mund të kenë bërë në të fermerët në emër të rritjes së sasive të prodhimit.

Të punosh për ZARA-n dhe GEOX-in

 

 

Dy kompanitë e mirënjohura në botë, ZARA dhe GEOX një pjesë të produkteve të tyre i prodhojnë në Shqipëri. Bëhet fjalë për këpucët e këtyre markave, për të cilat kompania e mirënjohur shqiptare Alba Shoes Group ka marrë porositë, ka lidhur kontrata përkatëse dhe ka filluar prej muajsh prodhimin e tyre. Janë dy kontrata për 250 mijë palë këpucë në vit për secilën kompani që Alba Shoes Group duhet të përmbushë. Sigurimi i kontrtave të tilla është një lajm i mirë për kompaninë sepse i siguron asaj vazhdimësi pune, cka pastaj bën të mundur që vetë kompania të ruajë numrin e punonjësve të saj, duke qenë kështu një ndër punësueset më të mëdhaja në vend. Por më tepër se sa ndikim në aspektin sasior të veprimtarisë, besimi i të mirënjohurave ZARA dhe GEOX karshi kësaj kompanie shqiptare tregon standartin e lartë në të cilin është ngritur veprimtaria e Alba Shoes Group. Të jesh partner i kompanive më të mirënjohura në botë nuk është gjë tjetër vecse vulë dhe dëshmi e një kompanie ku punohet me seriozitet, pergjegjshmëri,cilësi, standarte etj.