“Më të Mirët” rrisin performancën

 

Shpetim Luku

Të dashur lexues!

E kemi nisur takimin tonë në vitin 2004, jemi takuar cdo vit që prej asaj kohe dhe ja ku po takohemi sërish, për herë të 16-të, nëpërmjet botimit Kombëtar, “Biznesi Shqiptar: Më të Mirët 2019”. Kur ideuam këtë projekt dhe filluam konkretizimin e tij, e kishim parashikuar se ecuria e tij do të ishte shume e mire. E se do të bënim një rrugë të gjatë me të. Jo vetëm prej faktit se ai është konceptuar si një botim unik, i paimitueshëm-imitimi i idesë është një dukuri që ndodh rëndom në realitetin shqiptar e më gjërë-, por sepse ishim zotuar që, duke ndjekur një metodikë profesionale pune, do ti garantonim Botimit objektivitetin e tij. Fakti që tashme ky Botim mbushi 16 vite që realizohet, vërteton më së miri respektimin prej nesh të “vijave të bardha” të profesionit.

Nga ajo cfarë kemi parë e kemi analizuar me treguesit e vitit 2018, konstatojmë me kënaqësi se performanca e “ më të mirëve” është përmirësuar, krahasuar me një vit më parë. Kështu, 200 kompanitë më të mëdha shqiptare realizuan gjatë vitit një total xhiroje biznesi prej 8.5 miliardë euro dhe ky tregues paraqitet i rritur ndjeshëm, krahasuar me një vit më parë, kur xhiro ishte 7 miliardë euro. Po kështu, 200 kompanitë më të suksesshme realizuan një fitim total prej rreth 890 milionë euro, ndërkohë që ky tregues një vit më parë ishte 735 milionë euro. Shumë domethënës është edhe përmirësimi i treguesit të eksportit. 100 kompanitë më të mëdha eksportuese shqiptare realizuan një total eksporti prej 1.3 miliardë euro, ndërkohë që vitin paraardhës kontributi i tyre në eksport ishte 726 milionë euro.

Jemi gjithashtu të lumtur, teksa konstatojmë se mjaft subjekte, të cilat ishin në mënyrë sistematike pjesëtare të listës së më të mëdhenjve, ose më të suksesshmëve janë larguar prej saj, si rrjedhojë e vendimit që mori qeveria shqiptare për mbylljen e tyre. E kemi fjalën pra, për kompanitë që kishin si natyrë aktiviteti organizimin e lojërave të fatit, por që suksesi i tyre nuk krijonte një ndjesi të mirë kur bëje një bilanc të kostove sociale me të cilat, shoqërohej suksesi i tyre. Ashtu sikurse jemi të lumtur edhe për mjaft hyrje të reja që janë biznese me vlerë dhe me impact në eknominë dhe shoqërinë shqiptare.

Libri vazhdon ti përmbahet traditës së krijuar sa i takon formës dhe përmbajtjes së tij. Në të do të gjeni të dhëna të detajuara për mjaft kompani shqiptare e të huaja, do të keni mundësinë të krijoni një ide më të qartë për fizionominë e biznesit shqiptar në tërësi, nëpërmjet të dhënave krijohet mundësia e gjykimit për mjaft subjekte ekonomikë, mund të krahasohen ato edhe me subjekte të rajonit që kanë të njëjtën natyrë aktiviteti etj.

Në Botimin e sivjetëm kemi sërish të dhëna krahasuese nga vendet e rajonit, si nga Serbia, Slovenia, Kroacia, Bosje Hercegovina, Maqedonia, të dhëna këto që shërbejnë për të krijuar një ide mbi nivelin ku ndodhet biznesi shqiptar në raport me analogët e tij. Sikurse cdo vit, kemi bërë përpjekje për të siguruar të dhëna edhe nga Kosova, cka do ta bënte akoma më të plotë tablonë. Mirëpo për shkak të një ligji absurd, që i konsideron të dhëna të tilla si mbrojtje e koefidencialitetit të kompanive, nuk eshtë bërë e mundur bërë të mundur. Sidoqoftë, e rëndësishme është që performance e më të mirëve ka ardhur në përmirësim.

E shfrytëzojmë sërish rastin për tiu drejtuar një falenderim të përzemërt të gjitha institucioneve shtetërore bashkëpunuese, të cilët ndihmuan në realizimin e këtij botimi

Magjistari i fitimit

 

Shpetim Luku

E ka patur dhe e ka idhull e model frymëzimi, por tashmë ai fare mirë mund të konsiderohet si një Warren Buffet shqiptar. Është një investitor i fuqishëm, është një folës i mirë në public, ndonëse nuk preferon të dalë shumë, e po kështu ka filluar të hedhë edhe hapat e para në filantropi. Për shumë kënd ai është një njeri që ka prekur qiellin, një person që ka korrur suksesin e jashtëzakonshëm në kuptimin më të mirëfilltë e më preciz të fjalës. Për shumë e shumë shqiptare ai është personi që ka bërë realitet një endërr të pamundur për tu realizuar, një njeri që ka pësuar transformimin e jashtëzakonshëm, nga një student i dikurshëm me studime të lëna në mes, për të marrë rrugën e emigrimit, në një biznesmen i përmasave shumë të mëdha. Por si për të vërtetuar se pluralizmi përmban e përmbledh cdo lloj ideje e opinion, për dikë ai është edhe sinonimi i oligarkut, pavarësisht nëse është i vërtetë ky përcaktim për të apo jo. Mirëpo ajo që duhet pranuar pa asnjë diskutim, ajo që konfirmojnë shifrat përtej cdo lloj interpretimi është se Samir Mane përfaqëson një “magjistar” të vërtetë te menaxhimit e fitimit. Grupi “Balfin” që ai ka themeluar e drejton, e ushtron aktivitetin e tij në një mori sektorësh. E ushtron aktivitetin gjithashtu edhe në vende të tjera, përvec Shqipërisë. Po të rrijmë e të numurojmë aktivitetet e tij, do të duhen disa minuta. Aktivitetet e tij shtrihen në sektorin minerar, në ndërtimin e fshatrave rezidencialë e turistikë, ndërtimin dhe menaxhimin e qendrave tregtare, tregtinë e elektroshtëpiakeve, tregtinë e produkteve të ndryshme, bujqësinë etj etj. Vetë Samir Mane dikur shprehej se në Shqipëri kishte provuar gjithcka dhe tashmë i mbetej sfida e zhvillimit përtej “mureve” të vendit tonë. Kur flitet për Samir Manen, shumë persona e perceptojnë atë thjesht njeriun më të pasur të Shqipëri. Kjo edhe mund të jetë  e vërtetë, por ajo që është absolutisht e vërtetë, lidhet me faktin se Samir Mane është aktualisht personi që fiton më shumë përgjatë një viti në Shqipëri.  Nga shumë e shumë kompani që ka në përbërje të “Balfin Group”, 6 prej tyre i ka ndër 200 kompanitë më të mëdha të Shqipërisë. Këtë status kanë kompania e përpunimit dhe pasurimit të mineralit të kromit, Albchrome, e cila gjatë vitit 2018 regjistroi një aktivitet në kuotën e 8 miliarde lekëve të reja. Performancë të shkëlqyer kishte edhe Neptun, e cila regjistroi një volum aktiviteti në kuotën e 7.4 miliardë lekëve. Pastaj vjen zinxhiri i supermarketeve Spar me një aktivitet në kuotën e 6.7 miliardë lekëve. E ndjek Mane TCI me 6.3 miliardë lekë Kontribut të rëndësishëm në rezultatin e përgjithshëm të grupit japin edhe BFI Trade dhe Kid Zonë me respektivisht 4 miliardë dhe 2.1 miliardë lekë aktivitet. Dhe po ti shtojmë kësaj shifre edhe ato të TEG-ut dhe QTU-së, që gjithsesi nuk arrijnë ta kapërcejnë pragun, që lejon renditjen tek 200 më të mëdhenjtë, bëhet një total prej afro 36 miliardë lekë vetëm brenda për brenda territorit shqiptar. Mirëpo, sikurse thamë edhe pak më lart, për Samir Manen ka kohë që ka filluar sfida e rritjes jashtë Shqipërisë, cka është konkretizuar me nisma e investime serioze si në uzinën e ferronikelit në Kosovë, në Shkup etj, cka bën që aktiviteti i tij të jetë shumë herë më i madh se sa ai brenda territorit shqiptar.

Por madhësia e biznesit të grupit nuk është ndonjë tregues aq i rëndësishëm e domethënës, krahasuar edhe me të tjerët. Treguesi ku ai ka bërë diferencën reale me biznesmenët shqiptarë e është bërë i krahasueshëm me ata rajonale është fitimi i realizuar nga kompanitë e tij. Nëqoftëse në renditjen e 200 kompanive më të mëdha ai kishte të listuara 6 kompani, tek 200 kompanitë më të suksesshme shqiptare mbi bazën e fitimit të realizuar ai ka të klasifikuara 8 kompani. Le të fillojmë paraqitjen e tyre sipas radhës. Albchrome mbetet edhe sipas këtij treguesi kompania kryesore e Samir Manes me rreth 1.4 miliardë lekë fitim. Dhe nuk duhet harruar se kemi të bëjmë me një kompani të blerë më statusin e një kompanie të falimentuar, por që në saj të një menaxhimi të mirë e investimeve të kryera në të, ajo ka arritur të kthehet kompania më rentabël e tij, cka verifikon edhe saktësinë dhe nuhatjen e tij prej biznesmeni të sprovuar, kur vendosi ta blejë atë nga Decometali.

Mane Tci është kompania e dytë më fitimprurëse e tij. Shumëkush mund habitet me të drejtë e të impresionohet nga reklamat që tregojnë fshatra të bukur turistikë të ndërtuar në Palacë apo në Hamallaj, apo rezidencat “Ambasador”, por statistikat e vërtetojnë akoma më mirë përfilljen e bukurisë së tyre nga blerësit. Sepse ManeTci pra, vetëm gjatë vitit 2018, ka arritur të sigurojë një fitim  prej 1.1 miliardë lekësh.

Por edhe Spar duket se ka arritur të krijojë familjaritet me konsumatorët shqiptarë, përderisa ka arritur të sigurojë një fitim prej 800 milionë lekësh. Tre kompani të tjera, si BFI Trade, TEG dhe KID Zonë kanë siguruar thuajse një fitim të barabartë prej 700 milionë lekësh. Kurse Neptun 500 milionë lekë, për ta mbyllur listën QTU me një fitim modest, krahasuar me “motrat” e saj brenda grupit. Në total vetëm nga këto kompani, Balfin Group ka arritur të fitojë afro 5.5 miliardë lekë gjatë vitit 2018. Ky është një fitim i pazakontë, ndoshta edhe rekord, i parritur kurrë më parë nga ndonjë biznesmen apo grup biznesi nëpërpmet veprimtarisë operative të kompanive që drejton.

Kur e intervistojnë, Mane shpeshherë thotë se në stadin ku ka arritur nuk i bën përshtypje pasuria. Dhe kjo duket plotësisht e vërtetë. Sepse në këtë fazë ku ndodhet ai, me këto rezultate qe ka arritur, ky duket një problem tashmë i tejkaluar. Sfida të vërteta në këto momente për të është zgjerimi dhe rritja e mëtejshme, krijimi i perspektivave të reja, duke eksploruar e konkuruar në tregje të tjera, si dhe përmirësimi i rezultateve të atyre kompanive që ai mendon se nuk i ka brenda objektivave. Dhe nuk do të jetë e largët dita, kur të gjitha kompanitë e tij, të gjitha, të dalin me fitim. Sepse Samir Mane e ka dëshmuar me bollëk që e ka këtë aftësi.