Shpetim Luku
Kompania e sigurimeve “Sigal” kishte marrë para pak kohësh inciativën e një spoti të ri publicitar, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve mbi nevojën e sigurimit të pronës e të pasurisë së tyre. Spoti ishte informativ dhe bazohej në disa të dhëna e statistika rreth dëmeve që shkaktuan termetet e vitit të kaluar në Shqipëri. Të përpiqesh të edukosh publikun me kulturën dhe dobine e sigurimeve është jo vetëm një sjellje profesionale e kompanisë, por njëkohësisht edhe një veprim i dobishëm për të gjithë. Pikësëpari për vetë ata që duhet të sigurojnë pronat dhe pasurinë e tyre. Sepse jeta është plot të papritura të hidhura. Jeta rezervon surpriza të pakëndshme për këdo. Natyra mund të “shkrijë” brenda minutit gjithcka ke krijuar, duke të detyruar të nisësh gjithcka nga zero nëse ke akoma energji dhe vullnet. Nje sipërmarrësi të njohur shqiptar i ndodhi para pak kohësh një fatkeqësi e tillë, pasi iu dodj nga zjarri një fabrikë e tërë, me një dëm kolosal prej afro 2 milionë eurosh. Por dëmi ishte edhe më i madh, pasi një fabrikë e tillë, e ngritur në një qytet të vogël të shqipërisë punësonte një numur të konsiderueshëm grash dhe vajzash të atij qyteti. Mospërfillja e një sigurimi të pronës dhe pasurisë, pikërisht nga rreziqe të tilla I hoqi mundësinë biznesmenit të rikuperonte fabrikën dhe të siguronte vazhdimësinë e punës.
Të sigurohesh është një veprim racional, një veprim që dëshmon për largpamësi, për moslënie të fateve të jetës në duart e fatkeqësive natyrore dhe ngjarjeve madhore. Ndonëse pra është një përpjekje e lavdërueshme e kompanisë tentative për të “trokitur” në arsyen e gjithkujt që ka një pronë për të siguruar, gjasat janë që nisma të tilla të mos kenë sukses. Ashtu sikundër nuk kanë patur sukses edhe në të shkuarën. Janë vetë statistikat që dëshmojnë ecurinë e tregut të sigurimeve, ato që tregojnë se tërmeti nuk i trembi shqiptarët prej vërteti. Fizikisht dhe psikologjikisht po, i trembi sa ska më. Mjafton të kujtojmë ankthin dhe terrorizimin e popullatës nga tërmeti i nëntorit dhe mijëra paslëkundje që e shoqëruan atë. Mjafton të kujtojmë vargun biblik të makinave për të ikur nga Tirana pas një lajmi idiot, sipas të cilit në orën 22 pritej një tërmet tjetër. Mjafton të kujtojmë viktimat në njerëz dhe mbetjen pa shtëpi të shumë e shumë familjeve. Mirëpo duket që fatkeqësi të tilla nuk shërbejnë si një sinjal alarmi për të korigjuar sjelljen tonë. Mënyrën e organizimit të jetës tonë. Parashikimin së gjëra të tilla nuk janë rreziqe teorike, por fatkeqësi që kanë ndodhur e do të ndodhin sërish. Sepse shifrat e buletinit statistikor të Autoritetit të Mbikqyerjes Financiare tregojnë se totali i primeve për periudhën janar shtator në llojin e sigurimin pasurisë nga zjarret dhe fatkeqësitë natyrore jo vetëm që nuk është rritur, por përkundrazi është ulur me afro 5 për qind. Kështu, nga 1.35 miliardë lekë që ka qenë ky zë në 9-mujorin e vitit 2019, për të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky sigurim ka qenë në shumën e 1 miliardë e 278 milionë lekëve. Sikurse shihet qartë, mungon tërësisht reflektimi e qytetarëve me arsye dhe racionalitet. Të thuash se kjo është rrjedhojë e mungesës së besimit se kompanitë e sigurimit nuk paguajnë, këtë nuk mund ta thuash, pasi ato kane qenë aktive, duke iu përmbajtur detyrimeve të tyre sa I takon dëmshpërblimit për ata që kanë patur largpamësinë të sigurohen. Nga 628 milionë lekë dëme të paguara për periudhën janar shtator 2019 për sigurimin e pronas nga zjarri dhe fatkeqësitë e tjera të natyrës, ky dëmshpërblim për 9 mujorin e vitit 2010 u rrot me 324 për qind, duke shkuar 2 miliardë e 668 milionë lekë. Tradita e keqe e të mossiguruarit vazhdon të jetë e fortë ndër shqiptarë. Kultura e sigurimit mbetet në nivele të dobëta, ndërkohë që kompanitë e sigurimeve duhet të bëjnë akoma më shumë për të edukuar dhe ngulitur më nedjen e klientëve potenciale mendimin dhe idenë se të sigurohesh është investimi më I mirë që mund të bësh.