SHPETIM LUKU/
Kompania e tregtimit të makinave, “Albanian Motor Company”, e cila prej 15 vitesh merret me shitjen dhe servisin e Fordit në Shqipëri, e mbylli vitin 2019 me një rezultat fantastik. Arriti në nivelin e afro 12 milionë eurove xhiro biznesi, cka shënon një rezultat historik për kompaninë. Nuk është niveli më i lartë absolut i siguruar gjatë vitit 2019 në sektorin automotive sepse janë dy kompani të tjera që kanë nivel më të lartë xhiroje. Mirëpo këto kompani kanë objekt të shitjes së tyre makina premium, cmimi i të cilave është i lartë. Ndaj, për nga numri i makinave të shitura, duket se performancën më të mirë e ka patur “Albanian Motor Company”. Përgjatë vitit të shkuar ishin 589 makina të markës Ford që iu shtuan flotës së kompanive të ndryshme, publike apo private apo edhe individëve të ndryshëm. Në këtë mënyrë, kompania shqiptare që tregton Fordin në Shqipëri vazhdon me performancat e mira vjetore të saj, vazhdon me protagonizmin e spikatur të saj, duke arritur të renditet për një kohë të gjatë ndër kompanitë kryesore të tregut automotive në Shqipëri. Dhe kjo eshte merite e te gjithe stafit te saj, nen udheheqjen e Drejtorit te Pergjithshem te saj, Gentian Karaj, te cilet, me rezultatet e arritura ne vazhdimesi i kane dhene “Albanian Motor Company” statusin e nje prej operatoreve kryesore ne tregtimin dhe servisin e makinave te reja.
Ndërkohë që vitin 2020 e filloi sërish me një eveniment të rëndësishëm për të. Sepse, tashmë, krahas Fordit dhe Ssang Yong-ut, kjo kompani ka fituar të drejtën të “kujdeset” edhe për markën Hyundai. Kjo e bën “Albanian Motor Company”, tashmë një kompani, së cilës i forcohet akoma më shumë perspektiva dhe protagonizmi në tregun e shitjes së makinave të reja. Jo se ajo nuk ka qene e tillë përgjatë 15 viteve, përkundrazi, nëpërmjet një pune këmbëngulëse të stafit të saj marka Ford ka qenë ndër më të shiturat në tregun shqiptar. Por duke i bashkëngjitur veprimtarisë së saj edhe një marke te njohur, sikurse eshtë Hyundai, shanset janë që “Albanian Motor Company” të ngjitet në majë të tregut automotive në Shqipëri.
Për hir të së vërtetës, Hyundai nuk është një markë e panjohur në Shqipëri, që po hyn dhe po fillon tregtohet për herë të parë në Shqipëri. Ajo e ka një histori në tregun shqiptar dhe natyrisht është një histori suksesi nën menaxhimin e kompanisë tjetër të spikatur të këtij tregu, “Hyundai Auto Albania”. Mirëpo, suprizat nuk kanë munguar asnjëherë në këtë lloj tregu, pasi ai ka qenë në proces të vazhdueshëm ndryshimi dhe ristrukturimi. Psh Mercedes Benz, dikur menaxhohej nga “Auto Star Albania” në pronësi të biznesmenit Basri Rruka, ndërsa tani është pronë e Kastrati Group. Marka e mirënjohur japoneze dikur tregtohej nga Toyota Tirana, kurse tani nga një kompani tjetër. Marka e mirënjohur italiane, Fiat, dikur ishte nën menaxhimin e kompanisë Anas, në pronësi të biznesmenit Ferdinand Ibrahimi, por kjo përfaqësi iu hoq për mungesë rezultatesh dhe iu dha një kompani tjetër shqiptare. Fat të njëjtë pati edhe BMW, e cila kalo nën pronësinë e një grupi kroat dhe tashmë do të tregtohet prej kompanisë TAG Albania. Iu referohemi këtyr rasteve e ndodhive në tregun e shitjes së automjeteve të reja për të treguar që biznesi i këtij sektori është i vështirë. Është një biznes që ka problematika të shumta, një biznes që nuk garanton qëndrueshmëri afatgjatë. Ndaj, “Albanian Motor Company” dhe stafi i saj, me në krye drejtorin e përgjithshëm, Gentian Karaj, meritojnë fjalët më të mira, komplimente të pakursyera pse kanë arritur ta mbajnë kompaninë në 3-4 kompanitë kryesore të sektorit për një kohë kaq të gjatë.
Në përgjithësi, ndryshimet kanë ardhur si rrjedhojë e menaxhimit të dobët dhe e pakënaqësisë së kompanive mëma që kanë dhënë përfaqësinë, kundrejt partnerëve të tyre në Shqipëri. Përjashtim bën vetëm Hyundai, e cila, në tregun shqiptar ka qenë një histori suksesi për ato vite që ishte nën “juridiksionin” e “Hyundai Auto Albania”. Në këtë kuptim, për “Albanian Motor Company”, marrja edhe e Hyundai-t është një gjë pozitive, jo vetëm prej reputacionit të brandit, por edhe si trashëgim i një emri të mirë që ka krijuar kjo markë në tregun shqiptar përgjatë shumë viteve. Duke qenë edhe distributor dhe ofruese e shërbimit të servisit për markën Hyundai në Shqipëri, “Albania Motor Company” synon mbase të dyfishojë aktivitetin e saj dhe kjo si rezultat i performances që ka patur ndër vite Hyundai.