Ka një sërë shërbimesh për të cilin perceptimi dhe vetëdija e konsumatorit për dobinë e tyre është në nivele minimale. Për rrjedhojë, shërbime të tilla janë pak të preferuara e të kërkuara prej qytetarëve. Njëri prej këtyre shërbimeve është ajo e sigurimit në përgjithësi dhe asaj të jetës në vecanti. Kompanitë e sigurimit të Jetës dhe Jo-Jetës kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme parash në trajtë reklamash, me qëllim rritjen e kulturës siguruese ndër qytetarë, informimin e tyre rreth shërbimeve që ata ofrojnë, dobinë e tyre e megjithatë, kanë ndeshur në skepticimin dhe indiferencën e konsumatorëve. Por se sa kushton kjo indiferencë po e tregojmë nëpërmjet një historie konkrete. Biznesmeni R.Arani as që e kishte cuar ndonjëherë ndërmend të bënte sigurim jete. Por u detyrua ta bënte në mënyrë të detyruar. Atëhere kur i duhej të merrte një kredi në bankë dhe institucioni bankar i tha që duhet të bënte edhe sigurimin e jetës. Për të marrë kredinë dhe për të respektuar procedurën e saj e bëri sigurimin e jetës. Me një prim prej 1200 eurosh. Që iu dukën shumë, ashtu sikurse është e zakonshme për shumicën e qytetarëve që paratë për sigurim i quajnë të hedhura kot. Mirëpo nuk do të kalonte shumë kohë dhe ai sigurimi Gold që kishte ky biznesmen iu kthye në një përfitim të madh. Gjatë një vizite shëndetësore në Austri, doktorët austriakë i thanë që e ke të domosdoshme një operacion sa më shpejt sepse ndryshe perspektiva është tejet e zymtë. Operacioni kushtoi 15 mijë euro, nga të cilat 70 për qind të tij u mbuluan nga kompania siguruese. Duke u ballafaquar me këtë realitet, duke parë vlerën reale të një sigurimi të tillë, R.Arani e bëri veprim të zakonshëm marrjen e kartës siguruese GOLD cdo vit. Përpara disa muajve i hyri në punë sërish. I shtruar në një nga spitalet privatë të kryeqytetit për rreth 10 ditë më Covid 19, shpenzimet ditore ishin afro 160 mijë lekë të reja. Në fund fare, pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve i përballoi sërish kompania siguruese që kishte lëshuar kartën siguruese.
Është e qartë pra se të kesh një sigurim jete është veprimi më i mirë dhe racional që mund të bësh në dobi të vetes e pjesëtarëve të familjes. Mirëpo, duke shikuar statistikat tregojnë se vetëm 83 mijë kontrata në total për sigurim jete lidhen në Shqipëri. Dhe këto kontrata arrijnë të krijojnë një buxhet modest prej pak më shumë se 10 milionë euro. Treguesi kryesor që e ekspozon edhe këtë lloj sigurimi si të “detyrueshëm” është ai i sigurimit të debitorit, që përbën rreth 70 për qind të totalit të sigurimit të Jetës. Pra nga afro 83 mijë kontrata gjithsej, duke hequr 60 mijë kontrata e sigurimit të debitorit mbetet se vetëm 23 mijë kontrata janë të lidhura vullnetarisht. Kuptohet pra, se sigurimi i Jetës si një veprim që rrjedh nga kultura e sigurimit, nga dëshira për tiu paraprirë situatave të vështira me të cilat mund të përballet njeriu është në nivele minimale. Mirëpo këto situata nuk janë teorike. Me to ballafaqohet secili prej nesh herët apo vonë. Po cilat janë shkaqet me të cilat justifikohet marrja e këtij shërbimi në nivele kaq modeste? Shumë mund ta lidhin këtë situatë me gjendjen ekonomike ku ndodhen shqiptarët, me varfërinë e tyre. Dhe nuk është se nuk kanë të drejtë, por deri në një farë mase. Është e vërtetë që niveli ekonomik i shumë qytetarëve shqiptarë është i tillë sa mezi përballojnë shpenzimet bazike të ditës e muajit. Por nga ana tjetër, sigurimi i jetës në nivele fare modeste tregon që edhe ajo pjesë e popullsisë që i ka mundësitë ekonomike, sërish nuk e konsideron si një investim përfitimin e shërbimeve të tilla. Me sa duket shqiptari dëshiron që të “sigurohet” duke kursyer e duke krijuar depozita bankare, ndërkohë që qytetarët e vendeve të zhvilluara sigurimet i kanë në vendin e dytë të listës së shoenzimeve të përgjithshme të tyre. Qytetarët shqiptarë kanë edhe një problem tjetër. Duke se mundësitë e investimeve janë të pakta, pasi mungon tregu i kapitaleve, duke qenë se janë para faktit të kryer pasi bankat nuk japin asnjë interes për depozitat, ata nuk konsiderojnë investim blerjen e sigurisë në situata të paparashikuara. Pra nuk preferojnë të sigurojnë pronën nga fatkeqësitë natyrore, por fillojnë e mendojnë për gjetjen e parave dhe rregullimin e saj atëhere kur fatkeqësia iu zë derën. Nuk dënjojnë të sigurojnë jetën nëpërmjet shërbimit të sigurimit, por kanë qejf të akumulojnë në trajtë depozite. Nuk mendojnë të sigurojnë një shtesë pensioni futjes në skemën e sigurimeve vullnetare, por preferojnë të mbledhin një shumë të caktuar “për ditë të keqe”.
Pavarësisht mënyrës si veprohet, e rëndësishme është të kuptohet sa më parë që blerja e shërbimeve siguruese është një investim i mirëfilltë, një blerje e qetësisës shpirtërore, një përmbushje e atyre qëllimeve, për të cilat organizohet veprimtaria e gjithsecilit nga ne.