SHPETIM LUKU/ “Albsteel” i shton shportës së produkteve të tij edhe panelet sanduic

 

Kompania e prodhimit të profileve të celikut, “Albsteel” është një kompani që akoma nuk e ka gjetur “rehatinë” përfundimtare. Kjo sepse, ajo vazhdon zhvillimin e pandërprerë nëpërmjet investimeve të ndryshme që drejtuesit dhe ekipi menaxhues i saj projektojnë, aprovojnë dhe zbatojnë në kohë të ndryshme. Cdo vit ta vizitosh këtë kompani, asnjëherë nuk do e gjesh atë sikurse e ke lënë  gjatë vizitës paraardhëse. Pasi zhvillimet e saj, si rrjedhojë e investimeve të njëpasnjëshme janë të qenësishme. Investime këto që konsistojnë në zgjerimin e kapacitetit depozitues dhe prodhues të fabrikës si dhe në blerjen e makinerive shtesë për produkte të reja. Së fundmi,  “Albsteel” i shtoi shportës së produkteve të saj edhe atë më të riun, panelet sanduic. Një produkt ky që përdoret për zyra, ndërtime provizore, banjo, banesa, kioska etj. Një produkt ky që do ti japë edhe më shumë peshë në treg “Albsteel”, duke i zgjeruar ofertën përballë klientëve të saj. Po pse kjo tendencë e vazhdueshmë për investime nga ana e kompanisë? Cfarë dëshmon ajo?

Fakti që kompania “Albsteel” është një proces të vazhdueshëm investimi nuk dëshmon për përpjekje për përshtatjeje apo modifike të kompanisë hap pas hapi, në raport me nevojat apo kushtëzimet  e tregut, por është plotësim i vizionit të krijuesit dhe menaxhuesit kryesor të saj, Proletar Hasanit. Që në momentin kur “Albsteel” është ideuar si projekt biznesi, në mendjen e Proletar Hasanit ky lloj biznesi i përmbante të gjitha këto komponentë  që ka sot, e përmbante këtë fizionomi dhe ishte i plotësuar me të gjitha “gjymtyrët” që ka aktualisht ky gjigand i prodhimeve të hekurit e celikut. Që në castin kur Proletar Hasani ka vendosur të merret me këtë lloj biznesi ai e ka patur të “vizatuar” në kokë, trajtën përfundimtare të veprës së tij, që tani është thuajse tashmë e përfunduar. Panelet sandëich janë produkti më i fundit i prodhuar dhe i ofruar në treg nga kompania, por me siguri që nuk do jetë i fundit. Sepse përgjatë gjithë këtyre viteve, fillimisht Pap Metal e më pas, “Albsteel” na kanë mësuar me produkte të reja, duke e shtuar shumë gamën e tyre. Kjo filozofi të vepruari, kjo mënyrë të punuari nuk është se i ka dalë keq kompanisë, e cila nga viti në vit performon shumë mirë, si dhe konsolidon rolin e saj si lider i sektorit ku operon.  Edhe viti 2021 e konfirmoi këtë fakt e këtë trend. Realizoi një volum aktiviteti prej 26.5 milionë euro, pa përfshirë TVSH-në, cka do të thotë rritje krahasuar me një vit më parë. Por përmirësimin më të madh e bëri në treguesin e fitimit. Duke qenë se stafi menaxhues i saj u tregua fleksibël në tregun e  lëndëve të para, ajo i siguroi ato me një cmim, i cili më pas pësoi rritje duke u shndërruar kështu në një factor kryesor që shpjegon rritjen e ndjeshme të rentabilitetit të kompanisë.

Por ajo që është e më e rëndësishme në rastin e “Albsteel”-it është dinamika gjithnjë e në përmirësim, gjithnjë e në rritje e kuotave të prodhimit të destinuara për eksport. Përpara pak viteve, kur kjo kompani e ktheu “fytyrën” edhe nga tregjet e huaja, sasitë dhe vlerat e fillimit ishin minimale. Kurse tani, kur kanë kaluar jo shumë vite, vlera e eksportit të kompanisë ka arritur në mbi 2.5 milionë euro.

Ndërsa rri në zyrën e tij në krye të kompanisë, në telefonin e Proletar Hasanit vijnë thirrje e mesazhe të shumta nga jashtë. Janë telefonata porosie apo konfirmimi porosie për produktet e “Albsteel”-it. Por edhe telefonata kënaqësie, që i japin atij mesazhin e një aktiviteti të konsoliduar e me perspektivë.

SHPETIM LUKU/Premtimi i biznesmenit për revolucionarizimin e tregut nënprodukteve të qumështit.

 

 

Produktet e konsumit të përditshëm në përgjithësi dhe ato vendit në vecanti ballafaqohen në cdo kohe me skepticizmin dhe dyshimin e konsumatorit shqiptar. Dhe jo pa të drejtë.  Jo pa arsye. Jo pa shkak. Gjatë gjithë këtyre viteve të ashtuquajtur të tranzicionit, në mungesë të rolit të shtetit si kontrollues dhe ndëshkues i rreptë, manovrat mashtruese në kurriz të konsumatorit kanë qenë të panumurta dhe të larmishme. Hilet në sasi, në cilësi, imitimet, falsifikimett apo spekulimet dhe abuzimet me procesin e prodhimit të shumë prej këtyre produkteve e kanë cuar nivelin e mosbesimit aq lart, sa duket se më të thatin digjet edhe i njomi. Pra, krahas produkteve që vërtetë calojnë nga cilësia dhe për më keq, janë edhe kërcënues për shëndetin e qytetarëve, dyshimin e mbartin padrejtësisht edhe kompani që prodhojnë konform rregullave, procedurave e standarteve. Në këtë treg xhungël, konsumatorit shqiptar i është dashur të orientohet mbi bazën e intuitës, duke iu besuar më shumë produkteve të prodhuara nga kompani serioze. Nga kompani që tashmë kanë krijuar një reputacion në tregun shqiptar dhe që nuk mund ta hedhin këtë reputacion në erë nëpërmjet manovrimeve spekulative. Mirëpo, sado që këto kompani kanë kryer investime të rëndësishme për të përsosur procesin teknologjik, duke futur teknologjitë më të fundit, edhe ndaj tyre egziston prirja e konsumatorit për tu vënë në dilemë sapo hidhet në treg  një hipotezë, një aludim apo më keq akoma, një akuzë. Le të marrim si shembull kompanitë e prodhimit të nënprodukteve të qumështit. Sado që tregu ka disa kompani serioze, edhe karshi atyre “mbijnë” dyshime, kur është fjala për cilësinë e produkteve të tyre. Dikush thotë në media që përdorin qumësht pluhur, dikush tjetër thotë që përdorin  vaj palme, që përdoren konservantë etj etj. Në mungesë të sqarimeve kompetente dhe të transparencës, dyshimet marrin vrull, bëhen gjithë përfshirëse. Ato vijnë duke u përforcuar dhe konsumatori shqiptar gjendet në pozitën  e një personi me gotën e qumështit, të kosit apo copën e djathit përpara tavolinës në dilemë: ta pi, mos ta pi, ta ha, mos ta ha. Sepse është e vërtetë që edhe nëse nënproduktet e qumështit, kosi, djathi dhalla etj prodhohen me qumësht pluhur, kjo nuk është e dëmshme, por ama nuk janë ato produkte që qytetari kujton se është duke blerë.La perla

Mirëpo duket se tashmë ka lëvizje pozitive në këtë treg. Petrit Ago është një biznesmen pasionant, i cili i ka dedikuar gjithë jetën dhe mundin e tij kësaj fushe. Fillimisht ka ndërtuar një fermë blegtorale me lopë, dele e dhi me një numër të konsiderueshëm krerësh, me qëllim sigurimin e më shumë se gjysmës së sasisë së lëndës së parë për fabrikën e tij të përpunimit të qumështit. I ka mbarështruar ato me kritere shkencore që nga ushqimi, strehimi, kujdesi shëndetësor e sanitar. Pra, ndërsa të tjerët e kanë nisur nga ndërtimi i fabrikës, duke bashkëpunuar me fermerët dhe duke qenë në varësi të klimës së bashkëpunimit me ta, Petrit Ago e ka nisur sigurimi i lëndës së parë cilësore. Ndërsa në dukje mund të ketë dizavantazh faktin se fabrika e tij, La Perla Impuls, nis punë relativisht vonë, kur të tjerat kanë vite në treg, në të vërtetë ka avantazhin e reduktimit të ndjeshëm të varësisë nga lënda e parë. Ka gjithashtu avantazh, se duke qenë se lëndën e parë e siguron në masë të madhe  nga fermat e veta, i ka mundësitë të ofrojë në treg produkte me cilësi të padiskutueshme e të padyshueshme. Dhe nëse teorikisht kjo vlen për të gjithë, ai ka menduar edhe strategjinë se si kdo të kultivojë tek konsumatorët besimin që në ditët e para. Shumë nga produktet e fabrikës së tij kanë dalë dhe do të dalin në treg me premtimin publik, të sanksionuar në ambalazhet e produkteve përkatëse: zero vaj palme, zero konservantë. Por ky është një zhvillim i rëndësishëm edhe për të gjithë tregun dhe sektorin, pasi parashikohet të kthehet në një katalizator zhvillimesh. Këtij “provokimi” në treg do të përpiqen ti përgjigjen edhe kompani të tjera, sigurisht nëse i kanë mundësitë për të qenë korrekt. Por jo në mënyrë të rreme. Jo në mënyrë mashtruese. Pasi duke “salduar” një premtim në etiketën e produktit, cdo prodhues është  dhe do të jetë iekspozuar edhe përballë nxjerrjes blof, kërkesës së llogarisë e më pas denoncimit publik për mashtrim të konsumatorëve. Ja pra pse La Perla Impuls dhe Petrit Ago do ti japin një shtytje të re tregut të prodhimit të produkteve të bulmetit. Do ti japin pika referimi dhe doza qartësimi konsumatorëve. Por do të bëjnë edhe diferencime reale në treg.

SHPETIM LUKU/Emrat që u bënë brande të famshme

 

 

Biznesmeni vlonjat, tashmë i ndjerë, Agron Haxhiraj, cuditi shumë njerëz kur vendosi të prodhojë birrën NORGA. Jo për shkak se iu fut investimit për ngritjen e një fabrike të re, ndërkohë që punët edhe pa këtë fabrikë i ecnin mirë. Jo pse vendosi të bëhet prodhues, ndërkohë që aktiviteti si importues i birrave dhe pijeve të tjera freskuese i funksiononte shkëlqyeshëm. Në fund të fundit kalimi nga importues në prodhues ishte një metamorfozë e shumëdëshiruar për një biznesmen në funksion të zhvillimit të biznesit vetjak dhe ekonomisë kombëtare. Por shumë persona u cuditën me emrin e birrës dhe akoma më shumë kur u mësua se emri i fabrikës dhe i birrës që do të prodhohej ishte thjesht emri i biznesmenit i lexuar mbrapsht.

“Përse i vure këtë emër fabrikës dhe birrës”-e pyeta njëherë gjatë një interviste në kuadër të një shkrimi. Dhe Agron Haxhiraj, duke dalluar edhe tek unë një farë habie u përgjigj: ia vura për të prodhuar një realitet dhe një traditë si Moretti, Dreheri etj.

Luigi Moretti është themeluesi dhe prodhuesi italian i birrës me të njëjtin emër, e po kështu edhe austriaku Anton Dreher. I krijuan fabrikat e tyre rreth viteve 1850 dhe ato tashmë vijojnë traditën mbi 170 vjecare. Kurse biznesmeni vlonjat, Agron Haxhiraj nuk e pati këtë fat. Ndarja nga jeta e tij ndërpreu edhe një endërr që ai e pati, e që duket se  familjarë të tjerë pas tij nuk po dëshmojnë aftësi për ta vazhduar atë.Birra Norga 2

Por nëse ai ishte i qartë shumë në atë cfarë synonte dhe rrugën se si do ta arrinte, por i pafat, të tjerë emra kanë arritur të kthehen në brande të famshme tashmë në tregun shqiptar. Ndoshta, në fillimet e aktivitetit, ato kanë qenë thjesht emra identifikues kompanish, por më pas, me kalimin e kohës ata janë kthyer në brande për të cilat konsumatori shfaq cdo ditë vlerësimin e tij. Cilët janë disa nga ato?

“Lufra” është kompania e prodhimit të qumështit dhe nënproduktet e tij. Kur Arben Ndreka u ndodh para nevojës për ti gjetur një emër biznesit që ai filloi, nuk u mendua gjatë. I nxitur nga dashuria e prindit për fëmijët ai e formoi emrin e kompanisë nga bashkimi i emrave të dy djemve të tij, Luisit dhe Francit.  Kështu lindi “Lufra”. Me shumë gjasa ai nuk e dinte  dhe nuk e parashikonte që Lufra do shkonte kaq larg. Që ajo do të shndërrohej në një nga brandet kryesore në sektorin e bulmetit, duke qenë kështu garanci për cilësinë e tyre tek konsumatorët shqiptarë.

Pothuajse e njëjta histori, në njëjtat rrethana janë edhe për kompaninë tjetër të rëndësishme të këtij sektori, kompaninë “Erzeni”. Cdokush që nuk ka dijeni kujton se emri i kompanisë mund të ketë marrë shtytje nga lumi i njohur. Këtë perceptim e nxisin akoma më shumë disa reklama të kompanisë ku bëhet analogji me lumen Erzen. Por e vërteta është se kur Isuf Begaj duhet të bënte një emërtim të kompanisë, ai zgjodhi me konsensus familjar ti vendoste emrin e njërit prej djemve të tij, Erzenit. Kanë kaluar shumë kohë dhe kompania “Erzeni” ka ardhur duke e zhvilluar vazhdimisht aktivitetin e saj, nëpërmjet nxjerrjes në treg të një morie produktesh, por që të gjitha nën brandin “Erzeni”. Qytetarët konsumojnë përditë produkte të kësaj kompanie, nën garancinë e brandit, tashmë të famshëm.

Lufra foto 1

Një tjetër sektor që përfshin kompani me emërtime emra të vecantë, por që janë kthyer më pas brande të njohur është edhe ai i prodhimit të nënprodukteve të mishit. “Tona”, “Hako, “Arani” janë tre sallameri, që mbajnë për titullim kompanie mbiemrat e pronarëve të tyre. Duke u rritur gradualisht në treg, produktet e këtyre kompanive tashmë përfaqësojnë brande të njohura të sektorit.  Një gjë të tillë mund të themi edhe për kompaninë e ndërtimit “Kika”, e cila produktin e saj e shet si komplekset e ndërtimit Kika(Kika 1, Kika 2).

Ashtu sikurse edhe brandet e tjerë të përmendur më lart rruga se si këto brande janë bërë të njohur është e gjatë. Investimet e realizuara ndër vite në kompani kanë bërë të mundur përmirësimin e cilësisë së produkteve, e cila, e shoqëruar edhe me një marketing agresiv, ka bërë të mundur familjarizimin e konsumatorit me to. Por edhe nëse konsumatori nuk është tifoz i këtyre brandeve, sërish, ajo që mund të thuhet është se nuk mund të ketë asnjë të tillë që të mos i njohë këto brande. Ndaj dhe sadisfaksioni i krijuesve të tyre është i madh. Pasi, përvec një biznesi të suksesshëm, ata ia kanë dalë të krijojnë edhe brande “made in Albania”