Kë gëzon e kë hidhëron superleku?

 

 

Shpëtim Luku

Edhe pse ka shastisur analistë, specialistë dhe ekonomiste,   tashmë është një fakt  i vërtetë dhe i konfirmuar: leku ka marrë pozitën e  superlekut.  Në raport me valutat kryesore ai është forcuar nga 12-14 për qind brenda një periudhe të shkurtër kohe, aq sa tashmë Shqipëria të kujton vendet e ndryshme që dikur, para se të futeshin në zonën Euro, kishin monedhë kombëtare të fortë. Pavarësisht shkaqeve që kanë sjellë këtë situatë, pavarësisht  opinioneve të ndryshme që janë të pranishme në shpjegimin e kësaj situate, dukuria është e tillë që  shumë i gëzon  dhe të tjerë i hidhëron.  Por kë konkretisht?

Në grupin e personave që kanë arsye të mjaftueshme ti gëzohen këtij fakti janë të gjithë ata që paguhen në lekë. Pra rreth 1.3 milionë punonjësit e Shqipërisë. Qoftë të sektorit public e qoftë ata të sektorit privat që pagat e tyre i marrin në lekë. Natyrisht, të flasësh për fuqi të rritur blerëse të pagave, ndërkohë që ato nuk kanë qenë e nuk janë në nivelin e kënaqshëm e ku mbi 40 për qind e saj përdoret për ushqim, duket si një humor i hidhur. Por e keqja do të ishte edhe më e madhe, nëse leku nuk do të ishte në këto raporte që është me valutat, e kryesisht me euron. Sepse, përvec inflacionit në Shqipëri, cmimet e produkteve të ndryshme do të ishin ngarkuar  edhe me inflacionin e vendeve, nga sigurohen importet e shumta për Shqipërinë. Vetëm në vendet e eurozonës inflacioni deri në muajin prill ka qenë rreth 7.1 për qind, kurse në Itali që është edhe një nga parmerët kryesor tregtar të Shqipërisë inflacioni ka qenë 8.1 për qind. Pronari i një rrjeti të mirënjohur supermarketesh, Luan Leka thotë se cmimet e produkteve, jo vetëm tek supermarketet e tij, por edhe tek rrjetet e tjera nuk janë që nga fillimi i vitit. Dhe as që kanë arsye të ndryshojnë nëse situata vazhdon kështu sikurse është. Ndërkohë që, po qe se leku do të rrinte në të njëjtin kurs me euron sa c’ka qene, atëhere cmimet do të rriteshin në mënyrë të pashmangshme edhe tepër.  Në këtë mënyrë, edhe importuesit e produkteve të ndryshme kategorizohen tek përfituesit e tij. Pasi, edhe për ta janë krijuar kushte e përshtatshme për të rritur shitjet e produkteve të tyre, pa qenë nevoja të improvizojnë situata ku iu duhet të rrisin cmimet, pa ditur më pas reagimin e konsumatorit.

Ai që ferkon duart nga superleku është edhe shteti shqiptar. Nëse më parë borxhi public i marrë nga shteti kishte kaluar tek niveli i 75 për qind, tashmë ky borxh ka zbritur në 68 për qind të PBB-së. Por jo më tepër për arsye mirëadministrimi të ardhurash, të adresuara më pas për shlyerje borxhi, por edhe si efekt  i rënies së euros përballë lekut. Statistikat flasin se rreth 70 për qind e borxhit të jashtëm të Shqipërisë është marrë në monedhën euro, cka bën që qeveria të përjetojë një periudhë të artë me euron e dobësuar në raport me lekun.

Por edhe kredimarrësit e tjerë në euro, qofshin këta individë apo kompani, po ndjejnë tju ketë trokitur fati në derë. Edhe ata vjelin frutet e situatës, përderisa për pagimin e kësteve të kredisë që kanë marrë iu duhen më pak lekë, për të blerë eurot që duhet ti japing institucioneve të kredisë.

Po ata që po hidhëron superleku kush janë?

Së pari, janë eksportuesit. Ata që kanë ndërtuar një aktivitet të tillë që bazohet në eksporte. Ata, që për të siguruar perspektivë më të mirë për bizneset dhe kompanitë e tyre e kanë zgjeruar tregun, duke dërguar produktet e tyre edhe në tregje jashtë Shqipërisë. Krienko Memo ka një kompani të prodhimit të veshjeve për eksport, me anë të së cilës ka shlruar një histori suksesi 30 vjecare. Mirëpo pronarit të Krienko Jeans kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend, se zhvlerësimi i euro kundrejt lekut deri në këtë pikë sa c’është sot, do të bëhej faktor kaq i rëndësishëm ndikimi negative. Atij, sikurse edhe eksportuesve të tjerë, për të paguar detyrimet për aktivitetin e tyre, si pagat, taksat etj  i duhen lekë. Mirëpo sasinë e lekëve që i nevojitet do ta sigurojë nëpërmjet një shumë më të madhe eurosh se sa zakonisht. Ndërkohë që kontratat me partnerët e huaj i kanë të fiksuara. Nisur nga ky realitet, Krienko Memo  parashikon se në radhët e kompanive eksportuese do të ketë falimentime në masë, nëse kjo situatë zgjat. I të njëjtit mendim, apo të njëjtin hall po provon edhe Julian Bërxulli, i kompanisë AMBRA. “Zakonisht këmbej në muaj rreth 400 mijë euro dhe vetëm diferenca nga kursi i këmbimit është një shumë rreth 4-5 milionë lekë, thotë ai.

Edhe tek kompanitë e tjera, që kanë në aktivitetin e tyre eksportin, krahas tregut të brendshëm, bilancet e vitit 2022 tregojnë se fitimi i tyre është tkurrur disi, ku faktori kryesor ka qenë luhatja e kursit deri në atë periudhë. Pasi për vitin 2023, ndikimi do të jetë edhe më i madh.

Të humburit e mëdhenj janë edhe pronarët e depozitave në euro. Nëse më parë, një depozitë bie fjala 10 euroshe e kishte ekuivalencën  afërsisht 1,2 milionë lekë, sot kjo depozitë e ka ekuivalencën rreth 1 milionë lekë. Dhe kjo humbje bëhet reale, në momentin kur pjesë nga kjo depozitë tërhiqen, për tu kthyer në lekë për të paguar fatura të ndryshme. Cka do të thotë edhe pranim real dhe faktik i humbjes.

Të pakënaqur nga zhvillimet e fundit në fushën e këmbimit janë edhe operatorët turistikë shqiptarë, të cilët parashikojnë vështirësi, si rrjedhojë e shtrenjtimit të pushimeve për turistët e huaj. Por, kjo mbetet të verifikohet në të ardhmen, po qe se situata do të jetë kjo që është sot, pasi edhe sivjet, duket se numri i turistvëve të huaj ka rritje të ndjeshme nga ai i një viti më parë.

 

 

A i dërrmoi apo favorizoi Bordi i Transparencës kompanitë e karburanteve?

 

Shpëtim Luku

Sektori i karburanteve është ndoshta më i keqkuptuari nga të gjithë. Së pari nga konsumatorët e thjeshtë shqiptar, keqkuptimi i të cilëve nis tek pompat e karburantit teksa furnizojnë makinat e tyre dhe ballafaqohen me cmimin e lartë të produktit. Jo pak prej tyre bëjnë krahasime me vendet rreth e qark rajonit, e meqënëse cmimet në tregun shqiptar janë më të larta i përkthejnë këto automatikisht në fitime për kompanitë.  Por gabojnë dhe harrojnë se përpara se të pretendosh për cmime të përafërta apo të njëjta me vendet përreth duhet të pranosh se edhe taksat me të cilat ngarkohet karburanti duhet të jenë të barabarta. Kur në të vërtetë nuk janë, pasi ngarkesa fiskale për karburantet në Shqipëri është më e lartë se sa në vendet me të cilat krahasohemi

Grupi i dytë i të keqkuptuarve, e që në të vërtetë është grupi i keqinterpretuesve, është ai i “analistëve”, “intelektualëve” dhe hazërxhevapëve,  por edhe spekulantëve që kanë axhenda politike. Ky tip sillet dhe konkludon në një mënyrë të tillë sikur atij nuk ia hedh dot njeri. Por që këta  s bëjnë gjë tjetër vecse e shtojnë edhe më shumë paqartësinë e qytetarëve të thjeshtë. Pasi edhe kjo kategori nuk e kupton se si del kostoja e karburantit. Keqkuptimet u trashën më tej kur në skenë u fut Bordi i Transparencës nga Qeveria në kuadrin e krizës që provokoi lufta në Ukrainë. Edhe pse qëllimi kryesor i tij ishte transparenca me cmimet, pasi ato kapërcyen në nivele të paimagjinueshme, kjo nuk mjaftoi, por shumë shpejt ai u perceptua si një organizëm në funksion të kompanive të karburantit. Ndërkohë që nga ana tjetër, në biseda informale, shumë nga drejtuesit e kompanive kryesore ankoheshin se Bordi po i dërrmonte.

“Nëse vazhdon edhe për ca kohë Bordi, duhet me e mbyll biznesin” , tha para disa kohëve Paulin Gega, kreu i GEGA OIL Group. Tani që Bordi është shkrirë, por mbi të gjitha, tani që egzistojnë të dhënat për të gjykuar mbi bazë faktesh se si është e vërteta, nëse qëndrojnë pretendimet apo që edhe perceptimet kanë baza reale apo jo, le të  hedhim një vështrim mbi situatën. Në analizën tonë kemi marrë për bazë treguesit e performancës së 4-5 kompanive kryesore, që i kanë dorëzuar bilancet e tyre.  Dhe cfarë rezulton?

GEGA  OIL Group ka patur volum aktiviteti të ndjeshëm nga ana sasiore. Pra ka shitur product, duke regjistruar një xhiro aktiviteti prej 44 miliardë lekës(të reja). Por kur vjen puna tek treguesi i fitimit, pra tek ai tregues që tregon përfitueshmërinë e kompanisë dhe që është një ndër treguesit më ktyesor të performancës, ai rezulton në nivele modeste. Vetëm 179 milionë lekë të reja ka fituar kompania, edhe pse ka qarkulluar pra rreth 44 miliardë lekë, që i takon një normë fitimi prej 0.3 për qind.

Europetrol Durrës është një tjetër kompani e rëndësishme e tregut të karburanteve. Ka qarkulluar në vitin 2022 18 miliardë lekë, për të fituar 55 milionë lekë. Edhe kjo kompani me normë fitimi më pak se 0.3 për qind.

BOLV Group bën pjesë tek protagonistët e rëndësishëm të hidrokarbureve. Me një historik veprimtarie të gjatë në këtë sektor. Por në vitin 2022 edhe pse ka qarkulluar mbi 12 miliardë lekë produkte, jo vetëm nuk ka siguruar fitim, por përkundrazi, ka dalë me humbje prej 173 milionë lekësh.

Dukurinë e përforcojnë edhe rezultatet e dy kompanive të tjera: Everest Oil dhe Krasniqi sa. E para, pra Everesti ka realizuar një xhiro prej 4.6 miliardë lekësh dhe ka siguruar një fitim prej 68 milionë lekë, Kurse Krasniqi sa ka realizuar një aktivitet në vlerën e 2.5 miliardë lekëve për të siguruar një fitim të papërfillshëm prej 1.3 milionë lekësh.

Nga kjo panoramë treguesish ekonomiko financiarë duke qartë pra, që sektori i karburanteve jo vetëm që nuk ka bërë namin me fitime spekulative në kurriz të konsumatorëve, sikurse është iluzioni dhe opinion i shumicës, por ajo ka perjetuar ndoshta vitin më të keq në historinë e saj. Vetë ky sektor radhitet tek ata me konkurencën më të fortë si rezultat i investimeve të kryera në masën 2-3 herë më shumë se nevojat, cka i jep këtij kompanive të këtyre sektori fizionominë e atyre që qarkullojnë miliarda për të fituar qindarka. Dhe një rol jo të vogël në rezultatin financiar të kompanive kryesore të hidrokarbureve  duket se ka luajtur edhe ish-Bordi i Transparencës.  Sepse, sic thonë specialistë të sektorit të hidrokarbureve, duke mos njohur shpenzime të tilla si interesat e kredive bankare(ndërkohë që këto kompani punojnë me overdraft bankarë), duke mos njohur firot ligjore apo edhe amortizimin e paisjeve, shpenzime këto që zenë deri në 5.5 lekë për litër, kompanitë janë gërryer nga fitimet e ligjshme të tyre.  Duke regjistruar kështu në historikun e tyre një vit kur kanë punuar kot dhe janë paragjykuar dhe akuzuar gjithashtu kot.

 

 

Julian Bërxulli/ Pasuria e vërtetë e kompanisë janë punonjësit

 

Shpetim Luku

Qëkurse mori në duar “timonin” e kompanisë AMBRA, Julian Bërxulli është shndërruar në një biznesmen që vepron pareshtur. Që nuk ndalon kurrë e që nuk pajtohet me aktivitet rutinë. Që cdo vit e shoqëron me risi aktivitetin, të cilat e përmirësojnë edhe më tej kompaninë, i rrisin asaj aftësinë vepruese, e për rrjedhojë edhe perspektiva e saj sa vjen e forcohet. Risia më e fundit e AMBRA-s është zgjerimi me një ambient pune në një kompleks magazinash industriale, me sipërfaqe të konsiderueshme. Jo pa plan e pa qëllim. Është një veprim i studiuar mirë, që bën të mundur zhvendosjen e repartit të prestarisë nga ambientet historike të AMBRA-s në këto ambiente të reja. Për ti rritur kështu hapësirën reparteve të tjera të kompanisë, me qëllim që proceset të realizohen në kushte më të mira, por edhe kapaciteti prodhues i kompanisë të rritet më tej. Është një proces zhvillues për të, por me impact edhe sa i takon rritjes së mëtejshme të impaktiti social të kompanisë në favor të komunitetit durrsak. Cka e tregojnë edhe njoftimet e kompanisë për 150 punonjës të tjerë shtesë, cka e con numrin e përgjithshëm të të punësuarve nga ana e saj në afro 600 punonjës.

Nisur nga problematika me të cilën po has biznesi shqiptar në përgjithësi, sa i takon vështirësisë së gjetjes së punëtorëve, duket se gjetje e 150 vetëve për të punuar normalisht duhet të jetë një hall i madh edhe për AMBRA-n. Por është një përshtypje e gabuar. Julian Bërxulli nuk tregon fare shqetësim për përmbushjen e një nevoje të re që ka biznesi i tij, pasi nuk e ka patur asnjëherë një problem të tillë. Ai dhe babai i tij, Xhemal Bërxulli si themelues dhe drejtues i kompanisë deri në ndarjen nga jeta kanë kuptuar shumë herët që pasuria e vërtetë e një kompanie me një fizionimi të tillë aktiviteti, sikurse është AMBRA, janë punonjësit. Ndaj dhe kanë ndërtuar raporte të tilla me ta, ku respekti, mirësjellja dhe vlerësimi kanë qenë lajtmotivi e drejtimit dhe komunikimit. Një fakt është i rëndësishëm dhe ia vlen të përmendet. Vetëm brenda një viti, drejtuesi i AMBRA-s, Julian Bërxulli ka rishikuar e ka rritur 4 herë rrogat e punonjësve. Dhe një sjellje e tillë, e ushtruar në mënyrë sistematike, ka krijuar atë që quhet reputacion i shkëlqyer i  kompanisë. Për pasojë, kur vjen puna për të pranuar një vend pune të ofruar nga AMBRA, kandidadët nuk mendohen shumë e nuk kanë dyshime apo rezerva. Sepse e dijnë mirë, në bazë të historikut të kompanisë dhe asaj që kanë përjetuar të tjerët, që janë të mirëpritur e mirëtrajtuar.

Nëse shumica e biznesmenëve ankohen për mungesë njerëzish dhe iu fillojnë dhimbjet e kokës kur iu duhet ti gjejnë ata, Julian Bërxulli shprehet me qetësinë më të madhe se “nuk e ka problem fare gjetjen e punonjësve shtesë”.

Duke realizuar investime të reja, duke futur teknologji të reja, Julian Bërxulli vazhdon strategjinë e përmbushjes së vizionit të tij për të qenë një bashkëpunëtor i shkëlqyer i kompanive të mëdha e të mirënjohura në Europë. I SAINT LAURENT, i GIVENCHY, i MAJE, i SANDRO, I CLAUDIE, I LACOSTE në Francë. I BURRBERY, BELSTAFF, STELA MC CARTNEY në Angli. Apo Max Mara dhe Miroglio Fashion në Itali. Janë që të gjitha kompani shumë prestigjoze në industrinë e veshjeve e aksesorëve.  Se kush është Burberry e dijnë thuajse të gjithë. E themeluar mbi 151 vite më parë, kjo kompani ka një aktivitet vjetor prej 2.3 miliardë Pound.

Lacoste gjithashtu është një kompani e mirënjohur në të gjithë botën, por edhe për konsumatorin shqiptar. E themeluar në vitin 1933 ka një xhiro biznesi prej 2.5 miliardë.

Kurse e mirënjohura tjetër franceze, SAINT LAURENT, e themeluar në vitin 1962 Ka një aktivitet vjetor prej 5.6 miliardësh.

Pa përmendur të mirënjohurat italiane Max Mara dhe Miroglion Fashion, me të cilat AMBRA ka një histori të gjatë partneriteti.

AMBRA vazhdon  rrugën e vetëpërmirësimit, rrugën e vetëpërsosjes nëpërmjet realizimit të investimeve të duhura në teknologji, duke qenë padyshim kompania më e mirë e llojit të saj në mjedisin e biznesit shqiptar. Edhe përgjatë vitit 2022 tregoi një performancë shumë të mirë, me një xhiro mbi 4.5 milionë euro.

Pasi, ndryshe nga kompanitë e tjera shqiptare të fushës, Julian Bërxulli ka vendosur të ecë në drejtim të kundërt, duke i dhënë kompanisë së tij statusin unik të të qënit partner i kompanive të veshjeve luksoze. Sipas kësaj filozofie pune, nuk është shumë e rëndësishme sasia e produkteve të prodhuara këtu, por vlera e tyre. Qëllimi është që edhe pjesa financiare për copë që i mbetet kompanisë të jetë sa më e lartë. Kjo mënyrë pune jo vetëm e forcon shumë kompaninë nga ana financiare, por i zgjeron së tepërmi perspektivën asaj. Por që të konkretizohej një qëllim i tillë duheshin kryer investimet përkatëse, të cilat rrisin aftësinë profesionale të kompanisë. Duhej përmirësuar organizimi i punës e një sërë veprimesh të tjera. Dhe fakti që kontratat me partnerë cilësore sa vijnë e shtohen tregon se Julian Bërxulli po e realizon me sukses strategjinë e tij dhe tashmë po vjel edhe rezultatet përkatëse

SHPETIM LUKU/ “Bingo” e KURUM-it në vitin 2022

Ajo cfarë ndodhi gjatë vitit 2022, ishte e pazakontë. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës shkaktoi një tronditje të madhe cmimesh, sidomos të energjisë, duke i rritur ato e duke i cuar në qiell. Por ndërsa shumë biznese filluan të bëjnë llogaritë në kushtet e një situate të re, duke shqyrtuar e monitoruar realitetin e ri me gjithë problematikën e tij plot ankth e pasiguri, drejtuesit e “Kurum International”  ishin shumë më të qetë se të tjerët. Pasi  Kurumi, duke qenë një  konsumator i madh energjie, por nga ana tjetër, duke qenë edhe vetë prodhues energjie, ata e dinin që nuk do të kishin problemet me të cilat duhet të përballeshin të tjerët. Pra, nuk do kishin problemet që parashikohej të kishin  ata që iu duhet ta sigurojnë atë nëpërmjet të tretëve. E gjithë dilema e drejtuesve të kompanisë Kurum gjatë vitit 2022 ishte nëse duhet ta përdornin energjinë e tyre për fabrikën e prodhimit të celiqeve në Elbasan apo duhet ta shisnin në treg të lirë, duke reduktuar prodhimin e celikut. Dhe ndoqën një taktikë të tillë ku nga 359 milionë KW energji elektrike e prodhuar, 195 milionë KW u përdorën për të prodhuar rreth 225 mijë ton prokate celiku, 243 mijë ton shufra celiku, kurse pjesa tjetër u shit. Dhe ajo cfarë rezultoi në fund të vitit ishte thuajse një “bingo” për kompaninë.  Pasi kompania siguroi një xhiro prej 404 milionë euro, me një rritje prej 15 për qind krahasuar me një vit më parë. Pra, edhe pse u prodhua dhe u shit me pak produkt fizik se një vit më parë, aktiviteti në vlerë i kompanisë u rrit, pikërisht sepse edhe cmimi në bursë i produktit kryesor që kompania shet, pra, shufrat e celikut u rrit ndjeshëm. Por ajo që është më e rëndësishme dhe e bën aktivitetin e kompanisë gjatë vitit të kaluar të ngjashëm me atë të kapjes së një bingoje është fitimi i siguruar prej saj.

Janë plot 9.1 miliardë lekë të reja fitim para tatimit, cka do të thotë rreth 1.4 miliardë lekë tatim fitimi i paguar për buxhetin e shtetit dhe 7.7 miliardë lekë fitim neto i kompanisë. Në vitin paraardhës KURUM realizoi një fitim të pazakontë për të  prej afro 36 milionë euro dhe ne thamë se ai ishte një fitim i përmasave të tilla sa që vështirë se do arrihet ndonjëherë tjetër. Por ja që erdhi viti 2022 dhe kompania e dyfishoi atë, duke thyer edhe rekordin e këtij treguesi përgjatë gjithë historisë së saj pothuaj 25 vjecare në Shqipëri.  Nisur nga historiku i Kurum International, një rezultat i tillë financiar nuk mbahet mend, dhe ndoshta nuk është parashikuar as nga më optimistët dhe euforikët në kompaninë turke. Por kur zhvillimet vijnë në një formë të tillë, atëhere është zotësi shfrytëzimi dhe manovrimi në atë mënyrë që sjell edhe rezultatin më të mirë të mundshëm. Drejtuesit e “KURUM INTERNATIONAL” e kanë bërë këtë gjatë vitit të shkuar.

Kur kompania shpalli falimentin në institucionet gjyqësore shqiptare shumë mbetën të habitur. Pasi, të mësuar me performancat e suksesshme vit pas viti të saj, shpallja e falimentit ishte për këto një rrufe në qiell të hapur. Ndonëse nuk ishte faliment klasik, nga ato falimente që dëshmon humbje sistematike. Por ishte një pranim i paaftësisë së kompanisë për të paguar kreditë dhe detyrimet e saj, si rrjedhojë e rënies së ndjeshme atë kohë të cmimit të produkteve të celikut në bursën ndërkombëtare. Por ishte gjithashtu një akt që u shoqërua edhe me fat dhe mbarësi për Kurumin. Pasi që nga viti 2017, kur u hartua plani i Ristrukturimit të kompanisë e deri tani, performanca e saj është përmirësuar aq shumë, saqë përgjatë këtyre viteve ajo ka arritur të shlyejë më shumë se 75 milionë euro kredi ndaj institucioneve bankare.

Ndërkohë edhe  770 punonjësit e “Kurum International” patën gjithashtu një vend të sigurtë pune, të pacënuar nga zhvillimet negative si rrjedhojë e luftës në Ukrainë, por duke qenë pjesë e suksesit të kompanisë.

 

Edhe  gjatë vitit 2022 Kurum  tregoi një fizionomi të tillë aktiviteti ku spikat gërshetimi mes tregut vendas dhe eksportit.. Me afro 55 për qind të totalit të aktivitetit të destinuar në eksport, Kurum ishte kompania që zuri vendin e parë në listën e kompanive eksportuese më të mëdha të vendit. Ka vite që tregu i vendit është mjaft i vogël për Kurum-in, ndaj drejtuesit e saj i kanë përqëndruar energjitë e tyre konkuruese në tregje përtej Shqipërisë. Në tregun e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë, Turqisë e në mjaft vende të tjera. E ndihmon në këtë aspekt cilësia e padiskutueshme e produkteve dhe mundësia për të operuar me cmime të leverdisshme. Është një filozofi pune  që ka dhënë frytet e saj, pasi duke prodhuar produkte që përdoren kryesisht nga industria e ndërtimit, Kurum nuk mund të rri në varësi të “humorit” të këtij sektori. Pavarësisht se vitet e fundit si rrjedhojë e lejeve të shumta të dhëna, sektori i ndërtimit në Shqipëri ka një rigjallërim dhe duket se kështu do të vazhdojë edhe për disa vite.

E rëndësishme është që ky prodhues i madh i produkteve të hekurit dhe celikut në vend vazhdon aktivitetin e tij, me të gjithë impaktin pozitiv në ekonominë shqiptare.