SHPETIM LUKU/Katër doktorë milionerë

 

 

 

 

Ata janë 4 doktorë, që ashtu sikundër e gjithë armata e doktorëve  shqiptare kanë mbaruar Fakultetin e endrrave, kanë bërë një specializim dhe kanë ndërtuar një karrierë në sistemin shëndetësor.

Ata janë 4 doktorë që përgjatë disa viteve kanë përjetuar emocione pozitive që kanë buruar  nga ushtrimi i një profesioni të nderuar në shërbim të jetës së njeriut.

Ata janë 4 doktorë, që ashtu sikundër edhe të tjerët, janë përballur edhe me problemet dhe vështirësitë që ka kaluar sistemi shëndetësor shqiptar ndër vite.

Por tashmë ata janë 4 doktorë, që ndryshe nga shumica e doktorëve të tjerë që punojnë në system, janë zyrtarisht milionerë. Sepse në një moment të caktuar kanë guxuar, kanë kërkuar më shumë, kanë ndërtuar një ëndërr dhe kanë punuar për konkretizimin e saj. Ndërsa  dikur, diplomimi në Fakultetin e Mjekësisë ishte një endërr e përmbushur për ta, tani ata kanë  kaluar në një etapë tjetër. Në etapën kur përgjithësisht i kanë lënë menjanë bluzat e bardha të ushtrimit të profesionit në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe janë shndërruar në administrator dhe menaxherë të kompanive që kanë krijuar. Po kush janë këta doktorë, që tashmë menaxhojnë miliona?

Vasil Llajo, pronari i “Intermedica Center” është ndër të parët që iu fut rrugës së biznesit në sistemin shëndetësor. Por jo si qëllim në vetëvete. Thjesht në mënyrë spontane. Pas disa vitesh punë si mjek anestezist, në sistemin shëndetësor shqiptar, mjeku Vasil Llajo u zhvendos në Greqi. Kjo përvojë i mundësoi atij të “hapë sytë” e të shikojë aparatura moderne me të cilat ishte pajisur shëndetësia e vendit fqinj. Pikërisht ky kontakt me teknologjinë e avancuar i stimuloi idenë e futjes së një skaneri në Shqipëri, si nevojë për një diagnostifikim të sigurtë. Dhe ideja iu kthye në bindje dhe qëllim, kur në një vizitë në ambientet e kompanisë së njohur gjermane “Siemens” vuri re që në hartën që tregonte praninë e saj në Europë, Shqipëria ishte i vetmi vend që e kishte llambushkën të fikur. Pra që tregonte që mungesë pranie. Mjeku Vasil Llajo kthehet me mëndjen e ndarë tashmë për të futur skanerin nga Siemens  në Shqipëri. Formulon një plan biznesi dhe me të në dorë i drejtohet bankës së Kursimeve të asaj kohe për të gjetur support financiar. Mirëpo i ashtuquajturi plan biznesi kishte difekte të mëdha, të cilat po qe se do të shqyrtoheshin me skrupulozitet të madh, sigurisht që nuk mund të përkrahej nga ana e bankës. Mirëpo drejtuesi i atëhershëm i saj, Edvin Libohova, i besoi më tepër dëshirës së mirë  së doktorit, por edhe intuitës së tij si bankier dhe e ofroi mbështetjen e bankës. Kështu edhe llampa e Siemens-it në territorin shqiptar u ndez, kurse Intermedica Centër startoi aktivitetin e saj si një klinikë diagnostifikuese e bazuar në teknologjinë e përparuar. Gjatë vitit 2022, kjo kompani regjistroi një performancë të zakonshme, me një xhiro në nivelin e 8.5 milionë eurove, me një fitim para tatimit prej 1.3 milionë euro. Por dy vitet e pandemisë ishin ato që shënuan kulmin e saj. Në vitin 2021 kompania regjistroi mbi 7 milionë euro fitim, dhe dyfishin e xhiros së vitit 2022. Është e qartë pra që mjeku Vasil Llajo është tashmë pronar dhe administrator i një strukture milionere, por sadisfaksionin kryesor e ka kur arrin të investojë, duke futur tek “Intermedica”, pajisjet që janë fjala e fundit e shkencës mjekësore.

Pandemia, një llotari milionere për “Genius Lab” dhe Besnik Cullhaj

Besnik Cullhaj është një mjek laboratori. Por prej pak vitesh  është edhe krijuesi dhe themeluesi i “Genius Lab”. Rezervat që ka cdokush që ndërmerr një iniciativë biznesi ia shuajti të gjitha periudha e Covid-it, pasi gjatë këtyre dy viteve regjistroi fitime të paimagjinueshme. Vetëm gjatë vitit 2021 siguroi një fitim 1.37 miliardë lekë të reja, në kuadrin e një xhiroje aktiviteti prej 2 miliardë lekë. Pra, afro 70 për qind normë fitimi. Pandemia u kthye pra për këtë kompani në një lloj bingoje apo llotarije, pasi ajo ishte një nga kompanitë e pakta që u licensuan për kryerjen e testeve të covid. Kurse gjatë vitit 2022, “Genius Lab” pati një aktivitet të “zakonshëm”, duke siguruar një fitim prej 250 milion lekësh, por që vazhdon tia përforcojë mjekut Besnik Cullhaj statusin e doktorit milioner.

“Brianza Dent” nxjerr dhëmbët

Luan Mavriqi është një mjek dentar, i cili, nga videot publicitare që shfaq në rrjetet sociale vazhdon ta ushtrojë  profesionin e dentistit. Por përvec kësaj ai është edhe një milioner. Një mjek, i cili ka arritur që të tranformojë një klinike dentare në një strukturë gjigande biznesi. Një kompani që realizon një total të ardhurash prej afro 1,3 miliardë lekë në vit, prej të cilit, rreth 490 milionë lekë janë fitim para tatimit. Duket pra se mjeku biznesmen nga Fushë Kruja ia ka dalë mbanë që ta kthejë “Brianza Dent”-in në derën kryesore ku trokasin ata që duan të rregullojnë dhëmbët e tyre. Qoftë nga vendi, e qoftë të huajt që vijnë në Shqiëri për “turizëm dentar”. Duke qenë kështu ndoshta kompania më e suksesshme private  në fushën e shëndetësisë për vitin 2022.

 

Në strehën e SOMBRERO-s

Personazhi tjetër nga sektori i shëndetësisë që është futur në rrugën e menaxhimit dhe fitimit të milionave është Skerdilajd Faria. Pas një përvoje punë si mjek në Institutin e Shëndetit Publik, pas specializimit për mjek anestezist, pas krijimit të një përvoje pune në spitalet e Italisë, pas njohjes së disa specialiteteve që nuk ishin zhvilluar akoma shumë në Shqipëri, sikurse ishte kirurgjia estetike, Doktor Faria krijoi kompaninë Sombrero ose sikurse njihet me akronimin KEIT(Kirurgjia Estetike Italiane Tirana). Viti 2022 ishte edhe viti më i mirë i performancës së kësaj kompanie, teksa bëri një volum aktiviteti në nivelin e 900 milionë lekëve, pra afro 8 milionë euro, duke siguruar një fitim prej 430 milionë lekë. Duke qenë kështu kompania private me efektivitetin më të madh në shërbimin shëndetësor.

Duket pra se shumica e atyre personave që shikohen nëpër rrugët e Tiranës me hundë të fashuar, vendas apo të huaj që vijnë nga vende të ndryshme kanë dalë nga sallat kirurgjikale të Sombrero-s.

Shpetim Luku/Një Sombrero shqiptare

Doktor Skerdi, sikurse e thërrasin të gjithë Skerdilajd Farinë, është një persona interesant dhe shumë komunikues. Na pret në zyrën e tij me ciltërsinë dhe natyrshmërinë e një personi që të bën të ndjehesh sikur ke kohë që njihesh me të. Dy portrete të mëdha, njëra e filozofit gjerman Nice dhe tjetra e biznesmenit të famshëm Steve Jobs  janë gjëja e parë  ku të shkojnë sytë sapo futesh në zyrën e doktorit.

“Janë mentorët e mi”, nis të shpjegojë ai teksa ka parë drejtimin ku është ngulur shikimi im. “Nices ia kam lexuar pothuajse të gjitha librat, kurse biografinë e Jobs-it  e kam lexuar 5 herë”,  vijon doktori, si për të shpjeguar më tej se pse ata janë mentorët e tij. Dëshiroj të vazhdoj eksplorimin e arsyeve se pse i quan dhe i konsideron  ai ata mentor, por kujtohem se shkaku i takimit tonë me të është tjetër. Ai lidhet me ecurinë fantastike të kompanisë Sombrero ose sikurse njihet ndryshe me emrin tregtar KEIT gjatë vitit 2022. Me rreth 9 milionë euro aktivitet, me afro 4 milionë euro fitim dhe me një ritëm rritjeje mbi 100 për qind krahasuar me një vit më parë, Sombrero paraqitet gjatë vitit 2022 ndër kompanitë më të suksesshme që veprojnë në sektorin shëndetësor. Pa asnjë dyshim, viti 2022 ishte viti më i mirë për këtë kompani gjatë jetës së saj 10 vjecare, ishte viti i shpërthimit të saj, ishte viti ku kompania bëri një kapërcim cilësor në aktivitetin e saj, krahasuar me vitet paraardhëse. Klinika e kirurgjisë estetike KEIT është investuar gradualisht ndër vite, por performance e vitit 2022 ka bërë të mundur që në të tashmë të investohet më tej për zgjerime kapaciteti, duke rritur numrin e sallave të operacionit, teknologjinë. Sepse Skerdilajd Faria ka “dobësinë”, që kanë pothuaj të gjithë biznesmenët e suksesshëm, për investimin e të gjitha parave që fiton kompania. Duke krijuar kështu të gjitha premisat për të përmirësuar akoma më tej perspektivën e kompanisë. Është e qartë pra se në rastin e kompanisë Sombrero kemi të bëjmë me një histori të suksesshme biznesi, kapitulli më i bukur i të cilit është shkruar gjatë vitit 2022, por që edhe më të bukur parashikohet të jenë ata që do të shkruhen në vitet e ardhshme. Pasi numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbimet e saj sa vijnë dhe shtohen nga vende të ndryshme të botës. Por edhe kapacitetet e këtij spitali të vetëm ditor në vend janë rritur.

Për cdo biznesmen, ndërtimi i një biznesi efektiv është një arsye krenarie, por janë disa biznese, të cilat përfaqësojnë njëkohësisht edhe kulmin dhe mishërimin e një karriere profesionale. Ose e thënë ndryshe, kur profesioni bazë i tyre është materializuar edhe në një shërbim për publikun nëpërmjet një sipërmarrjeje private atëhere krenaria kthehet dhe përjetohet me të drejtë edhe në trajtë lumturie. Skerdilajd Faria është një shembull i shkëlqyer ilustrues i këtij kontigjenti biznesmenësh. Në vitin 1989, pak para se të fillonin lëvizjet për ndryshimin e sistemit, ai nisi Fakultetin e Mjekësisë, si rrjedhojë e të drejtës për të përzgjedhur, pasi kishte përfunduar me medalje ari gjimnazin.  Gjatë kohës së Fakultetit, krahas kohës që i dedikonte studimit, nuk nguronte të ndërmerrte edhe nisma të vogla biznesi, në përpjekje për të siguruar ndonjë të ardhur shtesë. Duke shitur verë, lule, duke hapur një restorant të thjeshtë, duke shërbyer edhe vetë si guzhinier e kamarier. Më pas, duke shitur edhe lubrifikantë për makina, mqs ato filluan të shtohen. Dhe me këtë sfond nismash e iniciativash u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë, për tu emëruar mjek në Institutin e Shëndetit Publik. Kanë kaluar afro 30 vite, por Skerdilajd Faria e mban mend mirë, sikur të kishte ndodhur dje, atë cfarë i tha Eduard Kakarriqi pas mbarimit të intervistës së punës.

“Këtu bëhesh shkencëtar, por mbetesh i varfër”.  Profesionin e mjekut e donte, por edhe i varfër nuk dëshironte të ishte. Cila ishte zgjidhja ideale në mënyrë që të realizoheshin të dy dëshirat e tij? Thonë dhe është e provuar që edhe fati ka një ndikim shumë të madh në jetën e njeriut. Doktor Faria njohu gjatë punës në ISHP disa mjekë italianë, në kuadër të bashkëpunimit që ata kishin me këtë institucion, pasi në atë kohë në Shqipëri kishte rënë edhe poliomeliti. Dhe e gjeti mundësinë nëpërmjet tyre për të shkuar në Romë për një specializim për higjenën dhe Mjekësinë Preventive. Specializim ky që më vonë u shoqërua me një tjetër në fushën e anestezisë dhe reanimacionit.  Me cilësinë e mjekut anestezist dhe reanimator ai punoi me kirurgë të famshëm ortopedë italianë, madje duke asistuar edhe në operacionet e futbollistëve të njohur italianë si Francesko Toti apo Mateo Ferrari. Pikërisht kjo përvojë pune i krijoi edhe shkëndijën për një sipërmarrje private në Shqipëri. Siguroi gadishmërinë dhe bashkëpunimin e një mjeku ortoped Italian dhe hapi në vendin tonë një klinikë modeste, por që realizoi disa operacione të futbollistëve të rëndësishëm shqiptarë si Odise Roshi, Bekim Balaj, Ilion Lika etj. Por sërish dukej se akoma nuk kishte goditur në shenjë. Akoma nuk kishte dizejnuar përfundimisht Klinikën e madhe që ka sot. Sepse për ta bërë këtë do të duheshin rrethana të tjera rastësore që do ta shtynin përfundimisht drejt kësaj natyre biznese që ka kompania aktualisht.. Do të duhej shoqërimi dhe asistimi i dy mikeshave të tij për të kryer operacione plastike në Romë, qytetin ku tashmë ai ishte zhvendosur përfundimisht për të jetuar e punuar për të kristalizuar më në fund se cfarë drejtimi do ti jepte biznesit të tij. “Pse të mos e zhvilloj kirurgjinë estetike në Shqipëri”, i tha vetes doktori dhe nga e thëna në të bërë nuk vonoi shumë. Në fillim duke i kryer operacionet në një nga spitalet e Tiranës, derisa më në fund u arrit të ndërtohej klinika KEIT në fillim të rrugës “Dritan Hoxha” ku është edhe sot. Përgjatë 10 viteve numri i operacionëve të kryera në klinikë i ka kaluar 15 mijë me pacientë, të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Ecuria e mirë e Sombrero-s, ose në KEIT-it e ka një shpjegim dhe doctor Faria nuk nguron ta evidentojë. “Gjithcka lidhet me dashurinë, ne e duam punën që bëjmë, i duam njerëzit me të cilët punojmë, i duam pacienët tanë” thotë ai. Duke  treguar se rritja dhe përmirësimi i vazhdueshëm i pagave, kryerja e një udhëtimi të përbashkët njëherë në vit apo edhe festimi i ditëlindjeve jubilare për anëtarët e stafit prej 170 vetësh janë disa nga ato veprime që synojnë krijimin dhe mbajtjen e një atmosphere të mirë për ekipin e tij. Sombrero është emri i një kapeleje me bazë të gjërë që përdoret në Spanjë, Meksikë apo USA për të mbrojtur fytyrën apo sytë nga dielli. Duket se  edhe filozofia e  kompanisë shqiptare që ka këtë emër  është të qënit një “sombrero”  për pacientët, punonjësit dhe pronarin e saj.