Doktor Skerdi, sikurse e thërrasin të gjithë Skerdilajd Farinë, është një persona interesant dhe shumë komunikues. Na pret në zyrën e tij me ciltërsinë dhe natyrshmërinë e një personi që të bën të ndjehesh sikur ke kohë që njihesh me të. Dy portrete të mëdha, njëra e filozofit gjerman Nice dhe tjetra e biznesmenit të famshëm Steve Jobs janë gjëja e parë ku të shkojnë sytë sapo futesh në zyrën e doktorit.
“Janë mentorët e mi”, nis të shpjegojë ai teksa ka parë drejtimin ku është ngulur shikimi im. “Nices ia kam lexuar pothuajse të gjitha librat, kurse biografinë e Jobs-it e kam lexuar 5 herë”, vijon doktori, si për të shpjeguar më tej se pse ata janë mentorët e tij. Dëshiroj të vazhdoj eksplorimin e arsyeve se pse i quan dhe i konsideron ai ata mentor, por kujtohem se shkaku i takimit tonë me të është tjetër. Ai lidhet me ecurinë fantastike të kompanisë Sombrero ose sikurse njihet ndryshe me emrin tregtar KEIT gjatë vitit 2022. Me rreth 9 milionë euro aktivitet, me afro 4 milionë euro fitim dhe me një ritëm rritjeje mbi 100 për qind krahasuar me një vit më parë, Sombrero paraqitet gjatë vitit 2022 ndër kompanitë më të suksesshme që veprojnë në sektorin shëndetësor. Pa asnjë dyshim, viti 2022 ishte viti më i mirë për këtë kompani gjatë jetës së saj 10 vjecare, ishte viti i shpërthimit të saj, ishte viti ku kompania bëri një kapërcim cilësor në aktivitetin e saj, krahasuar me vitet paraardhëse. Klinika e kirurgjisë estetike KEIT është investuar gradualisht ndër vite, por performance e vitit 2022 ka bërë të mundur që në të tashmë të investohet më tej për zgjerime kapaciteti, duke rritur numrin e sallave të operacionit, teknologjinë. Sepse Skerdilajd Faria ka “dobësinë”, që kanë pothuaj të gjithë biznesmenët e suksesshëm, për investimin e të gjitha parave që fiton kompania. Duke krijuar kështu të gjitha premisat për të përmirësuar akoma më tej perspektivën e kompanisë. Është e qartë pra se në rastin e kompanisë Sombrero kemi të bëjmë me një histori të suksesshme biznesi, kapitulli më i bukur i të cilit është shkruar gjatë vitit 2022, por që edhe më të bukur parashikohet të jenë ata që do të shkruhen në vitet e ardhshme. Pasi numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbimet e saj sa vijnë dhe shtohen nga vende të ndryshme të botës. Por edhe kapacitetet e këtij spitali të vetëm ditor në vend janë rritur.
Për cdo biznesmen, ndërtimi i një biznesi efektiv është një arsye krenarie, por janë disa biznese, të cilat përfaqësojnë njëkohësisht edhe kulmin dhe mishërimin e një karriere profesionale. Ose e thënë ndryshe, kur profesioni bazë i tyre është materializuar edhe në një shërbim për publikun nëpërmjet një sipërmarrjeje private atëhere krenaria kthehet dhe përjetohet me të drejtë edhe në trajtë lumturie. Skerdilajd Faria është një shembull i shkëlqyer ilustrues i këtij kontigjenti biznesmenësh. Në vitin 1989, pak para se të fillonin lëvizjet për ndryshimin e sistemit, ai nisi Fakultetin e Mjekësisë, si rrjedhojë e të drejtës për të përzgjedhur, pasi kishte përfunduar me medalje ari gjimnazin. Gjatë kohës së Fakultetit, krahas kohës që i dedikonte studimit, nuk nguronte të ndërmerrte edhe nisma të vogla biznesi, në përpjekje për të siguruar ndonjë të ardhur shtesë. Duke shitur verë, lule, duke hapur një restorant të thjeshtë, duke shërbyer edhe vetë si guzhinier e kamarier. Më pas, duke shitur edhe lubrifikantë për makina, mqs ato filluan të shtohen. Dhe me këtë sfond nismash e iniciativash u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë, për tu emëruar mjek në Institutin e Shëndetit Publik. Kanë kaluar afro 30 vite, por Skerdilajd Faria e mban mend mirë, sikur të kishte ndodhur dje, atë cfarë i tha Eduard Kakarriqi pas mbarimit të intervistës së punës.
“Këtu bëhesh shkencëtar, por mbetesh i varfër”. Profesionin e mjekut e donte, por edhe i varfër nuk dëshironte të ishte. Cila ishte zgjidhja ideale në mënyrë që të realizoheshin të dy dëshirat e tij? Thonë dhe është e provuar që edhe fati ka një ndikim shumë të madh në jetën e njeriut. Doktor Faria njohu gjatë punës në ISHP disa mjekë italianë, në kuadër të bashkëpunimit që ata kishin me këtë institucion, pasi në atë kohë në Shqipëri kishte rënë edhe poliomeliti. Dhe e gjeti mundësinë nëpërmjet tyre për të shkuar në Romë për një specializim për higjenën dhe Mjekësinë Preventive. Specializim ky që më vonë u shoqërua me një tjetër në fushën e anestezisë dhe reanimacionit. Me cilësinë e mjekut anestezist dhe reanimator ai punoi me kirurgë të famshëm ortopedë italianë, madje duke asistuar edhe në operacionet e futbollistëve të njohur italianë si Francesko Toti apo Mateo Ferrari. Pikërisht kjo përvojë pune i krijoi edhe shkëndijën për një sipërmarrje private në Shqipëri. Siguroi gadishmërinë dhe bashkëpunimin e një mjeku ortoped Italian dhe hapi në vendin tonë një klinikë modeste, por që realizoi disa operacione të futbollistëve të rëndësishëm shqiptarë si Odise Roshi, Bekim Balaj, Ilion Lika etj. Por sërish dukej se akoma nuk kishte goditur në shenjë. Akoma nuk kishte dizejnuar përfundimisht Klinikën e madhe që ka sot. Sepse për ta bërë këtë do të duheshin rrethana të tjera rastësore që do ta shtynin përfundimisht drejt kësaj natyre biznese që ka kompania aktualisht.. Do të duhej shoqërimi dhe asistimi i dy mikeshave të tij për të kryer operacione plastike në Romë, qytetin ku tashmë ai ishte zhvendosur përfundimisht për të jetuar e punuar për të kristalizuar më në fund se cfarë drejtimi do ti jepte biznesit të tij. “Pse të mos e zhvilloj kirurgjinë estetike në Shqipëri”, i tha vetes doktori dhe nga e thëna në të bërë nuk vonoi shumë. Në fillim duke i kryer operacionet në një nga spitalet e Tiranës, derisa më në fund u arrit të ndërtohej klinika KEIT në fillim të rrugës “Dritan Hoxha” ku është edhe sot. Përgjatë 10 viteve numri i operacionëve të kryera në klinikë i ka kaluar 15 mijë me pacientë, të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Ecuria e mirë e Sombrero-s, ose në KEIT-it e ka një shpjegim dhe doctor Faria nuk nguron ta evidentojë. “Gjithcka lidhet me dashurinë, ne e duam punën që bëjmë, i duam njerëzit me të cilët punojmë, i duam pacienët tanë” thotë ai. Duke treguar se rritja dhe përmirësimi i vazhdueshëm i pagave, kryerja e një udhëtimi të përbashkët njëherë në vit apo edhe festimi i ditëlindjeve jubilare për anëtarët e stafit prej 170 vetësh janë disa nga ato veprime që synojnë krijimin dhe mbajtjen e një atmosphere të mirë për ekipin e tij. Sombrero është emri i një kapeleje me bazë të gjërë që përdoret në Spanjë, Meksikë apo USA për të mbrojtur fytyrën apo sytë nga dielli. Duket se edhe filozofia e kompanisë shqiptare që ka këtë emër është të qënit një “sombrero” për pacientët, punonjësit dhe pronarin e saj.