Shpëtim Luku
Kur sektori i ndërtimit pësoi një tkurrje të ndjeshme para disa vitesh, si rezultat i faktorëve të ndryshëm, industria shqiptare e qeramikës e gjeti shpëtimin në eksport. Në vendet e rajonit, ku më kryesori ishte pa dyshim Kosova. Puna arriti deri atje sa sasia e produktit shqiptar të tullave që shkonte në Kosovë përbënte edhe 40 për qind të totalit të prodhimit vjetor të tyre. Prodhuesit kosovarë të këtij produkti u gjendën në vështirësi të madhe nga vërshimi i tullës “made in Albania” në territorin e tyre, ndaj dhe filluan ankesat e shumta në qeverinë e kohës, duke kërkuar në mënyrë disi absurde edhe për politikë proteksioniste ndaj produktit të Shqipërisë. Në një takim të zhvilluar atë kohë ndërmjet disa prodhuesve vendas dhe ministres së atëhershme mori pjesë edhe njëri prej prodhuesve më të mëdhenj shqiptar të qeramikës, pronari i kompanisë “Kid-Alb”, Asllan Baraj. Ai iu shpjegoi situatën kolegëve të tij kosovarë, duke bërë një retrospektivë që edhe industria shqiptare e qeramikës e kishte kaluar këtë kohë të vështirë, shkaktuar nga produkti i importit i ardhur kryesisht nga Greqia. “Mirëpo biznesmenët shqiptarë të këtij sektori investuan në teknologji bashkëkohore, optimizuan kostot, rritën aftësitë konkuruese dhe për rrjedhojë importi i produkteve të kësaj natyre tashmë është zero”, iu tha ai biznesmenëve kosovarë të këtij sektori.
“Ndaj edhe ju, investoni, ulni kostot, konkuroni e mos u ankoni e kërkoni proteksion nga ana e shtetit tuaj”, iu tregoi ai “recetën” për të patur sukses.
Kjo histori ka ndodhur vite më parë, mirëpo tani është e vërtetë që tulla e Shqipërisë është “zbuar” nga Kosova. Jo sepse prodhuesit kosovarë vepruan, ashtu sikurse iu sugjeroi homologu i tyre nga Shqipëria. Pra, jo se realizuan investime bashkëkohore në teknologji, jo se rritën produktivitetin. Asgjë nuk ka ndryshuar për prodhuesit kosovarë, por për këtë realitet të ri ka ndikuar sjellja në sense të ndryshme e qeverive përkatëse. Prodhuesit kosovarë e kanë fituar “luftën e tullave” me ata të Shqipërisë pasi shumë prej komponentëve që përbëjnë koston në realizimin e këtjj produkti janë në vlera më të ulta se sa në vendin tonë. Fabrikat e prodhimit të tullave janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike dhe në Kosovë ajo është 6 cent për Kilovat/orë, kurse në Shqipëri 9 cent për kilovat/orë.
Më lirë është edhe qymyri që përdoret në këtë industri. Edhe pagat janë disi më të ulta në Kosovë se sa në Shqipëri. Paga mësatare bruto në Kosovë është 530 euro, kurse në Shqipëri 580 euro. Diferenca të mëdha ka në cmimin e karburantit. Në kosovë rreth 1.6 euro litri, kurse në Shqipëri 1.9 euro litri.
Nga ana tjetër prodhuesit shqiptarë nëse duan të eksportojnë kanë edhe disa kosto shtesë sikurse janë ato të skanimit të doganë, cka e rëndon më tej koston e dërgimit të produktit në tregun ku eksportohet. Dhe si për ti vënë kapak është edhe kursi i këmbimit të euros, më saktë zhvlerësimi i euros. Nëse prodhuesit shqiptarë të tullave do të cojnë produktin e tyre në Kosovë, atëhere duhet ta reflektojnë këtë ndryshim kursi. Por ky mbetet thjesht një reagim teorik, pasi e vërteta e fundit është se me gjithë këta faktorë kundër, ata e kanë të pamundur të dërgojnë tashmë produktet e tyre në tregun Kosovar. Pavarësisht se statistikat e INSTAT tregojnë për një rritje orej 13 për qind të eksporteve në Kosovë, ku dominojnë matërialet e ndërtimit, tullat kanë kohë që e kanë humbur kontributin e tyre në këtë rritje, pasi prania e tyre në atë treg është zero. “Luftën e tullave” e fitoi pra Kosova. Ose më saktë, qeveria e Kosovës ndaj asaj të Shqipërisë.