Ja ku erdhi edhe edicioni i 21-të i Botimit Kombëtar “Biznesi Shqiptar: Më të mirët 2024”. Cdo botim i ri është një përforcim edhe më i madh i traditës që ka krijuar tashmë ky botim unik në median shqiptare. Një traditë që ka nisur në vitin 2003 e që ka vazhduar për 21 vite me radhë. Më një historik prej 30 vitesh biznesi shqiptar paraqitet sot i strukturuar, i konsoliduar dhe me konkurencë të fortë në cdo sektor të tij. Gara që nis në 1 janar të cdo viti ka sigurisht fituesit e saj. Ata që kanë realizuar performancë të mirë gjykuar nga volume i aktivitetit, nga përfitueshmëria, nga sasia e investimeve të realizuara, nga natyra e aktivitetit, nga impakti social dhe ekonomik etj etj. Pikërisht biznese dhe biznesmenë të tillë janë në fokusin e botimit tonë. Pra ata që prodhojnë sukses real. Pra atë lloj suksesi, i cili nuk matet vetëm nga fitimi, por edhe nga ndikimi dhe vlera që i shtojnë jetës së të tjerëve. Sepse në të vërtetë suksesin e ëndërrojnë të gjithë, por jo shumë prej tyre vrapojnë, punojnë dhe e sigurojnë atë. E pra, nëpërmjet këtyre personazheve ne dëshirojmë të tregojmë mënyrën se si arrihet suksesi. Ky ka qenë motivi kryesor e nisjes së këtij botimi, ky ka qenë qëllimi kryesor i vazhdimit ndër vite të këtij botimi. Fakti që jetëgjatësia e botimit rritet vecse konfirmon cdo vit se ai ka qenë, është dhe besoj se edhe në të ardhmen, do jetë i mirëpritur.
Nga ana tjetër “Biznesi Shqiptar: Më të Mirët” ka arritur të krijojë një model mendimi, perceptimi, arsyetimi dhe gjykimi karshi biznesmenëve shqiptarë. Ata nuk janë ashtu sikurse i paraqet politika për qëllime të përfitimeve të castit. Nuk janë ashtu sikundër i “vizatojnë” negativisht persona të tjerë publikë, por janë motor zhvillimi për vendin. Janë themeli i këtij sistemi që bazohet në iniciativën e lirë. Janë persona që guxuan që në fillimet e sistemit kapitalist dhe bënë diferencimin e tyre në saj të punës dhe përpjekjeve madhështore, për të mbërritur tek ky status që kanë sot.
Të 200 kompanitë më të mëdha të Shqipërisë për vitin 2023 (ky vit merret në shqyrtim dhe analizë) mundën të sigurojnë një total xhiroje prej rreth 13 miliardë euro. Një shifër pak a shumë e njëjtë me atë të një viti më parë. Kurse 200 kompanitë më të suksesshme të Shqipërisë siguruan një fitim total prej 1.3 milionë euro. Nga analiza e të dhënave ekonomiko-financiare të kompanive më të mëdha ë më fitimprurëse në vend duket se viti 2023 ka qenë vecanarisht i mirë për bankat, të cilat ia dolën të sigurojnë fitime në shifra impresionuese. Po ashtu, i mbarë ka qenë viti 2023 edhe për kompanitë që merren me prodhim të energjisë elektrike, pra për hidrocentralet privatë në vend. Masivizimi i dëshirës për të investuar në drejtim të ngritjes së hidrocentraleve privatë duket se ka qenë e justifikuar, përderisa shumë prej tyre kanë janë shpërblyer nëpërmjet fitimeve të mëdha të siguruara. Përmirësim kanë njohur krahasuar me një vit më parë edhe kompanitë e karburanteve, të cilat nëpërmjet këtij përmirësimi tregojnë edhe efektin dërrmues që ka patur në veprimtarinë e tyre ish Bordi i Transparencës, i ngritur nga qeveria me qëllim kontrollin e cmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimi me cmimet, por që në të vërtetë, ky bord abuzoi me bizneset e karburanteve.
Edhe kompanitë që operojnë me fonde publike, sikurse janë atë të punimeve në infrastructure, kanë patur performancë të mira, e po kështu edhe mjaft kompani ndërtimi apo prodhimi materialesh ndërtimi.
Sigurisht, ne do të ishim të lumtur, nëse do të fillonim të konkretizonim një pjesë të vizionit tonë e që lidhet edhe me integrimin e biznesit të Kosovës në këtë botim, por ky objektiv nuk është bërë akoma i mundur. Për arsyen e thjeshtë sepse institucionet e Kosovës janë disi hermetikë në sigurimin e transparencës për biznesin Kosovar, c’ka do të mund të na krijonte neve mundësinë për të analizuar, arsyetuar e gjykuar sic duhet në mënyrë profesionale.
U përpoqëm sivjet edhe për të sjellë risi në botim, duke identifikuar personazhe realisht të suksesshëm në biznes nga shqiptarët që kanë emigruar nëpër botë, por për arsye të disa vështirësive kjo detyrë mbetet të realizohet në Botimin e ardhshëm.
Në këtë Botim gjenden edhe të dhëna rreth performancës së biznesit në vende kryesore të Ballkanit si Sllovenia, Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina etj.
Si gjithmonë, një falenderim të përzemërt për të gjithë ata që ndihmuan dhe kontribuan për këtë Botim.