“Artinel 95”, partneritet me të mirënjohurën kineze DFSK

 

Po qe se do të bëhet ndonjë klasifikim mbi bazën e treguesit të jetëgjatësisë në biznes, Ariana Berberi do të jetë padyshim në vendet e para të renditjes. Me aktivitet privat  të nisur që në vitet e para pas ndryshimit të sistemit, me kompaninë “Artinel 95”, të themeluar pikërisht në atë periudhë, presidentja e saj ka në CV-në e saj të biznesit mbi 30 vite punë dhe aktivitet. Dhe kolonat i ka ndërtuar të tilla që kompania të vazhdojë edhe për shumë e shumë vite të tjera. Cdo gjë pra nisi mbi bazën e një vizioni afatgjatë, i bazuar në parashikimin që automjeti, ai nga i cili shqiptarët e zakonshëm ishin privuar gjatë periudhës së komunizmit, do të bëhej pjesë e pandarë e jetës së tij. Jo thjesht dhe vetëm si mjet transporti, por si një instrument që do të ndikonte në mënyrën se si shqiptarët  do të jetonin, punonin dhe ndërvepronin me botën rreth tyre nga ajo kohë e më pas. Është ky vision pra që i jepte aktivitetit të “Artinel 95” fizionominë e një aktiviteti afatgjatë që në kohën kur nisi veprimtarinë. Sot kjo jetëgjatësi dhe garancia për të vazhduar akoma më tej, janë edhe njësia më e mirë e e matjes së suksesit për Ariana Berberin. Pasi, si pak të tjerë, ajo nuk pati dhe nuk ka si qëllim primar, si qëllim në vetëvete pasurinë. Nuk e pati dhe nuk e ka pasurinë e akumuluar si treguesin më domethënës të suksesit. Sepse, nëse do të ishte ky qëllimi kryesor i saj, atëhere ajo do të rendte pas aktiviteteve të tjera, më fitimprurëse e më pak telashsjellëse. Ashtu sikundër kanë vepruar shumë persona të tjerë, të cilët janë hedhur nga dega në degë në biznesin shqiptar, në emër të diversifikimit të aktiviteteve. Por ajo të gjitha energjitë e saj krijuese dhe menaxhuese i ka adresuar dhe përqëndruar tek “Artinel 95”. Për ta bërë atë një kompani bashkëkohore, një kompani të qëndrueshme në treg, të aftë për tiu përgjigjur kërkesave të ndryshme të klientëve për mjete motorike, si dhe për mirëmbajtjen e tyre. Vizioni që pati atëhere kur përcaktoi llojin e aktivitetit me të cilin do merrej u shoqërua me një strategji për realizimin e tij.


Dhe në këtë strategji, Presidentes së “Artinel 95” iu desh të shpalosë disa prej vlerave kryesore si integriteti, lidershipi, komunikimi efektiv, vetëbesimi dhe besimi tek të tjerët, dëshira për të mësuar e për tu përditësuar me të rejat e teknolologjisë së makinave që ndryshon për ditë, por krijimi i mundësive të tilla edhe për punonjësit e saj etj.

Përgjatë gjithë këtyre viteve “Artinel 95” ka qenë partnere lokale e mjaft kompanive të njohura në industrinë automotive. Së fundmi, ajo ka lidhur partneritet me të mironjohurën kineze DFSK International.

DFSK International është një markë automjetesh kineze e krijuar në vitin 2003 pas një experience të gjatë të themeluesit të saj në këtë fushë, si një bashkëpunim midis Dongfeng Motor Corporation dhe Sokon Group. DFSK prodhon automjete komerciale, SUV dhe makina elektrike, dhe është e njohur për zhvillimin dhe eksportimin e automjeteve të saj në tregje ndërkombëtare. Në vitin 2005 filloi eksportimin .

DFSK është ndër të parët prodhues automjetesh kineze që ka marrë certifikatën Europiane duke hyrë në këtë treg qysh prej vitit 2008..

Tashme rrjeti i saj i distribucionit  është i shtrirë në mbi 70 vende të botës, përfshirë dhe SHBA, ndërsa në Europë pothuajse në të gjitha shtetet: Gjermani, France, Itali, Spanje, Belgjike, Hollande, Norvegji, Finlande, Angli,Zvicer, Hungari, Ceki, Sllovaki, Bullgari, Kroaci, Maqedoni, Turqi, Poloni,etj.

Kompania ka 5 fabrika prodhimi   në Kinë, por gjithashtu ka zgjeruar kapacitetin e saj prodhues në Indonezi dhe SHBA për të mbështetur shitjet globale. DFSK gjithashtu investon në teknologji të përparuara dhe zhvillon automjete inteligjente dhe elektrike nën markën Seres, të cilat kanë hyrë në tregun evropian prej disa vitesh.

Për të siguruar  kualitetin e lartë të prodhimeve të tyre DFSK ka në dispozicion 6 qendra kërkimore & zhvillimi (R&D)  në katër vende të botës: Kine, SHBA, JAPONI dhe GJERMANI.

Automjetet e DFSK, si Seres 3 dhe të gjitha modelet e tjera  kanë fituar popullaritet në Evropë dhe rajone të tjera për shkak të kualitetit te larte dhe përputhjes me standardet me te larta  ndërkombëtare.

Për shkak të kualitetit të lartë dhe sigurisë që ofrojne automjetet e tyre, DFSK  ofron një garanci prej 7 vitesh .

Partneriteti i një kompanie si “Artinel 95” me DFSK (Dongfeng Sokon), një prej prodhuesve më të mëdhenj kinezë të automjeteve, paraqet një hap strategjik për të. Sepse së pari krijohet mundësia e diversifikimit të portofolit të automjeteve. Automjetet e DFSK, që zakonisht përfshijnë SUV, furgonë dhe automjete komerciale, rrisin ofertën së kompanisë “Artinel 95”, duke shtuar kështu mundësitë për klientin.

Nga ana tjetër, nëpërmjet partneritetit me DFSK-në, kompania shqiptare rrit qasjen e saj në teknologjinë kineze. Sepse DFSK njihet për zhvillimin e automjeteve elektrike dhe me çmim të përballueshëm, çka mund t’i japë kompanisë “Artinel 95” një avantazh në tregun e makinave të gjelbra.

Por  kompania kineze mund të ofrojë trajnime për stafin lokal, materiale promocionale dhe pjesë këmbimi. Pra, megjithëse makinat kineze po shtohen në tregun shqiptar nga gjithfarë  shitësish, “Artinel 95” mund të bëhet kompania e parë që është e aftë ti përgjigjet kërkesave të klientëve të saj me shërbime të specializuara pas shitjes.

Sigurisht që të jesh partner i një kompanie të mirënjohur të tregtimit të makinave në botë është një status që duhet merituar, pasi edhe sfidat nuk janë të pakta. Duke filluar që tek perceptimi i disa klientëve potencialë për cilësinë e makinave kineze, cka detyron “Artinel 95” të punojë për të ndërtuar besimin për markën DFSK. E duke vazhduar më tej me garancitë dhë shërbimin që duhet të jenë në niveli të lartë për të mbajtur kënaqësinë e klientëve apo edhe konkurencën me markat e tjera kineze dhe ato tradicionale.

Mirëpo, nëse i referohemi edhe njëherë fillimit, pra jetëgjatësisë se “Artinel 95” në këtë lloj biznes, ajo ka ndodhur pikërisht sepse kjo kompani ka punuar me atë vullnet dhe filozofi për të qenë partner i denjë i atyre që i kanë dhënë besim. I atyre shtëpive automobilistike që i kanë kërkuar dhe ofruar partneritet. Dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe edhe me bashkëpunimin me kompaninë kineze DFSK.

   

Proletari i kapitalizmit shqiptar

Po qe se puna të obligon për të bërë vizita periodike në kompaninë “Albsteel” gjëja që do të të bjerë më lehtë në sy është se kompania asnjëherë nuk është ashtu sikurse e le në vizitën paraardhëse. Pasi zhvillime të reja e shoqërojnë atë në vazhdimësi, zhvillime këto që janë fryt i investimeve sistematike. Dhe këto investime janë në funksion të realizimit të një vizioni afatgjatë të themeluesit të kompanisë, Proletar Hasani, i cili, që në momentin kur braktisi emigrimin, u kthye në atdhe me një ide të qartë: krijimin dhe zhvillimin e  një kompanie për prodhimin e profileve të hekurit dhe ato të llamarinës. Qartësia në ide dhe përkushtimi në përmbushjen e saj dëshmon për ambicien, vendosmërinë dhe ndjenjën e fortë të qëllimit të tij. I pajisur me një perspektivë të fituar jashtë vendit, me përvojë të re dhe një kuptim më të thellë të mënyrës së të bërit biznes, Proletar Hasani filloi ndërtimin e kryeveprës së tij këtu e 20 vite më parë, për të arritur në atë nivel ku gjendet aktualisht Albsteel. Një kompani me një xhiro vjetore rreth 40 milionë euro. Dhe nëse realizon investime në mënyrë të vazhdueshme kjo ndodh sepse ato janë të nevojshme, së pari për të përmbushur vizionin e tij dhe së dyti për ta bërë kompaninë më konkuruese dhe të aftë për të përballuar sfidat e reja që I shfaqen përpara. Sepse, sikurse thotë vetë ai, ‘është vetë realiteti i biznesit në tërësi, ai që I imponon këto investime, në mënyrë që kompania të ketë perspektiva akoma më të mira”. Në fakt investimet janë tërësisht të kësaj natyre dhe të këtij qëllimi. Sepse ato synojnë të rrisin gamën e produkteve të ndryshme. Në “Albsteel” prodhohen profil tubolar rrethor, profil tubolar katror, profil tubular drejtkëndor, profile tubolare special, llamarinë tabak, llamarinë e riguar pikë loti, llamarinë e riguar baklava, profil celiku katror, profil celiku lama, profil celiku rrethor, profil celiku ele barabrinjase, profil celiku T, trarë celiku UPN, trarë celiku IPE, trarë celiku HEA, trarë celiku HEB, trarë celiku IPN. Në “Albsteel” kryhen procese të larjes së profileve të hekurit me rërë. Por si rezultat pra I investimeve që konsistojnë në shtimin e linjave të prodhimit, pjesë e paketës së produkteve të prodhuara nga  kjo kompani është janë edhe panelet sandëich, të cilat tashmë gjenden të gatshme për tju ofruar tregut shqiptar. Dhe së afërmi do të jenë edhe bazamentet e paneleve fotovoltaikë, cka do ti hap kompanisë një front të ri në treg. E gjithë kjo gamë produktesh dhe sasitë që prodhohen e tregtohen në vit nga ato, me cilësinë dhe standartet e Bashkimit Europian e kanë kthyer Albsteel & Papmetal  grupin më të madh në rajon në prodhimin e profileve tubolare prej llamarine çeliku të prodhuar në të ftohtë, të ngrohtë & të galvanizuar.

Por investimet nuk synojnë vetëm shtimin e gamës së produkteve. Pjesë e strategjisë së kompanisë është edhe rritja e kapaciteteve të saj. Dhe ky proces është mëse i nevojshëm, sidomos kur “Albsteel” synon që në një të ardhme të afërt të ketë një ndarje portofolit t veprimtarisë së saj, ku 40 për qind e saj të realizohet nga shitjet në eksport, kurse pjesa tjetër nga shitjet brenda vendit. Dinamika e veprimtarisë së kësaj kompanie sa i takon eksportit është mjaft interesante dhe ajo e bën objektivin e kompanisë tërësisht të përligjur. Deri para pak viteve “Albsteel” ishte i përqëndruar tërësisht në tregun e brendshëm, kur përcaktoi si burim të rëndësishëm të rritjes së saj edhe eksportin. Dhe që prej castit kur ajo e filloi atë rritja ka qenë me ritme impresionuese nga viti në vit. Perspektiva e mirë në eksport, duke mos u mjaftuar vetëm me tregun grek, por duke u haour edhe në tregje të tjera të BE-së, ka bërë që kompania ti paraprijë situatës nëpërmjet rritjes së kapaciteteve prodhuese të saj. Cka do ta bëjë atë të aftë të përmbushë kërkesat e mundshme nga këto tregje.

Kjo ka qenë dhe është edhe qasja e Proletar Hasanit: të ndërtojë dicka me vlerë të qëndrueshme, jo vetëm për veten, por edhe për ekonominë dhe komunitetin ku operon. Është pikërisht kjo qasje ajo që i ka dhënë atij një avantazh të rëndësishëm, duke e ndihmuar të përshtatet dhe të punojë për përmirësim të vazhdueshëm, duke reflektuar sfidat dhe mundësitë locale mbi bazën e përvojës ndërkombëtare që ai ka sjellë me vete, që kur vendosi të rikthehet në atdhe.

Proletar Hasani i është dedikuar tërësisht zhvillimit dhe modernizimit të “Albsteel”-it. Edhe pse ka vite në biznes, ai nuk e njeh diversifikimin e portofolit të veprimtarisë, duke u marrë edhe me aktivitete të tjera në fusha të tjera. Po të kishte pasurinë personale si qëllim në vetëvete, edhe mund ta bënte, pasi mundësitë i ka patur. Por sikurse thamë edhe më lart, në vizionin e tij, ka qenë vetëm zhvillimi i “Albsteel”, bërja e saj një kompani e fortë në treg. Dhe ajo cfarë është edhe më e rëndësishme, ka të bëjë me faktin, se edhe pse është një biznesmen i madh, edhe pse ka arritur një sukses të madh ai mbetet modest, i përulur, punëtor, duke përfaqësuar kështu një figurë të vecantë. Ai e vlerëson punën e tij, jo për luksin dhe statusin, por për kontributin që i sjell komunitetit dhe njerëzve përreth. Ky njeri i mban këmbët në tokë, duke mos harruar rrugën që ka kaluar dhe sakrificat që e kanë formësuar. Ai e sheh suksesin e tij si një mundësi për të ndihmuar të tjerët dhe për të krijuar vlera, jo vetëm për përfitime personale dhe sillet me përulësi ndaj cdo njeriu, pavarësisht pozicionit apo statusit të tyre.

Arritja e sukseseve të mëdha si biznesmen dhe përjetimi i tyre si Proletar përbën një nga vlerat kryesore të themeluesit dhe drejtuesit të kompnisë “Albsteel”.

Nesti Tarusha, një person “FIX” për biznesin e sallameve

Karakteristika kryesore e biznesit shqiptar përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë zhvendosja e tij nga qytetet e tjera të Shqipërisë në zonën Tiranë Durrës. Dhe jo pa qëllim. Kjo zonë është tregu kryesor i Shqipërisë, ndaj dhe përqëndrimi në këtë treg është konsideruar nga bizneset e rretheve të Shqipërisë si një mënyrë për të garantuar rritjen e tyre. Kurse në qytetet apo zonat e tjera jashtë aksit Tiranë Durrës ka përgjithësisht pak biznese, por që nuk arrijnë dot të ngjiten në nivelin e kompanive kombëtare. Përjashtim bën ndonjë kompani e mirënjohur si ajo e prodhimit të sallameve, FIX PRO. Edhe pse  ndodhet  me zyra qëndrore dhe ambiente të kompanisë në Korcë, sërish ajo ia ka dalë mbanë që ta kalojë cakun e një ekonomie locale apo e rajonit juglindor, duke qenë e pranishme  në të gjitha tregjet e Shqipërisë. Madje, e ka lehtësuar këtë prani, duke krijuar edhe një filial të sajin në Tiranë, duke e theksuar akoma më shumë protagonizmin në treg.

FIX PRO sh.p.k nisi të ushtrojë aktivitetin në fushën e sallamerisë prej vitit 2003. Ndërsa themeluesi i saj që nga viti 1992, filloi aktivitet si distributor ekskluziv i markave ndërkombëtare të erëzave, aromave dhe aditivëve për sallameritë e ndryshme.

Sipërmarrja me erëzat, aromat dhe aditivët e ndryshëm bëri të mundur që themeluesi z.Nesti Tarusha të krijonte dhe shpërndante anembanë Shqipërisë receta të shumëllojshme sallamrash në sallameri të ndryshme të mirënjohura të kohës.

Eksperienca e akumuluar në vitet e para pas 1990-tës me lëndët e para si dhe me artin e krijimit të recetave solli si rrjedhojë momentin e ndërmarrjes së një iniciative të guximshme për z.Tarusha në vitin 2003 duke themeluar sallamerinë “FIX” në qytetin e tij të lindjes, Korçë. Tregu i sallamerive në atë kohë kishte 3-4 sallameri të tjera të cilat kishin konsoliduar pozitat në këtë sektor. Megjithatë për z.Tarusha ky fakt nuk përbënte pengesë për të iniciuar biznesin e tij, pasi baza dhe elementët kryesor si njohja dhe aktiviteti më lëndën e parë, arti i krijimit të recetave si dhe guximi për të penetruar në treg ishin pikat më të forta. humë llojshmëria e produkteve me të cilat “FIX” hyri në treg dhe evoluimi i shpejtë brenda pak viteve dhe në shpërndarjen gjeografike të produkteve shoqëruar me recetat unike në shije dhe aroma të sallameve, bën të mundur që brenda një kohe relativisht të shkurtër sallameri “FIX” të renditej në kompanitë kryesorë në këtë industri.

Inovacioni ishte hapi i rradhës për tu konsoliduar drejt standardeve europiane përmes aplikimit të teknologjive më të fundit gjermane në këtë sektor si dhe imazhi i ri i kompanisë i zbatuar në të gjithë linjën e produkteve.

Ndonëse e themeluar si një kompani tregtare erëzash dhe aditivësh ushqimorë, nga viti 1992 deri në 2002, FIX PRO u transformua në një kompani të përpunimit të mishit dhe prodhimit të sallameve nën markën FIX në 2003. Qëllimi i kompanisë është të jetë lider në industrinë e përpunimit të mishit dhe prodhimit të sallameve, duke ofruar produkte me cilësi të lartë, të aksesueshme për të gjitha grupet sociale. Me kalimin e viteve, kompania ka zgjeruar ambientet e saj nga 1,000 m² në 2008 në 5,000 m² në 2023 me tipar kryesor qëndrueshmërinë, duke krijuar mundësi punësimi me kushte të mira pune (SDG 8). Duke i dhënë përparësi mirëqenies së fuqisë punëtore, kompania kontribuon në një mjedis pune pozitiv dhe nxit një ndjenjë përkushtimi dhe besnikërie midis punonjësve të saj.

Si pjesë e angazhimit për të ndihmuar njerëzit në nevojë, FIX PRO mbështet familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët me sindromën Doën, familjet vendase, të moshuarit e vetmuar dhe ata që jetojnë në varfëri. Kompania ofron pajisje shkollore falas për fëmijët e punonjësve dhe 100 g sallam në ditë falas për punonjësit e saj.

FIX- gjithashtu, ofroi ndihmë të shtuar shëndetësore gjatë pandemisë dhe kujdeset që të sigurojë rritje të rregullta vjetore të pagave, për të siguruar (të paktën) një pagë jetese për punonjësit e saj. Ndikimi i iniciativave të FIX-it është i dukshëm në fusha të ndryshme, duke i dhënë përparësi shëndetit dhe mirëqenies së punonjësve.

Për sa i përket strategjisë, kompania fokusohet në prodhimin e produkteve me cilësi të lartë duke respektuar politikat e mbrojtjes së mjedisit, menaxhimin e mbetjeve dhe trajtimin e ujit. FIX-i ka investuar në një impiant për trajtimin e ujit dhe planifikon të dyfishojë kapacitetin e tij. Ai gjithashtu i  përdor mbetjet e kartonit nga lëndët e para, për t’i ricikluar për ngrohje. Këto investime dhe veprime demonstrojnë përkushtimin e kompanisë ndaj parimeve të ekonomisë qarkulluese dhe qëndrueshmërisë mjedisore. Për inovacionin, FIX-i ka një departament të Kërkimit dhe Zhvillimit që mbështet inovacionet teknologjive dhe zhvillimin e produkteve të reja. Kompania ka investuar në një laborator të kontrollit të cilësisë së produktit. Aktualisht, ajo po synon certifikim CE, që tregon përputhshmërinë me standardet evropiane.

Për më tepër, FIX PRO po forcon imazhin e vet pozitiv, si brenda vendit ashtu edhe në të gjithë rajonin. Ka bërë investime në burimet njerëzore, duke përfshirë një rrjet teknologësh që ofrojnë ekspertizë, dhe gjithashtu ka anëtarë të stafit të specializuar në përdorimin e sistemit gjerman të gjurmueshmërisë, i cili gjurmon produktet nga origjina deri në shitje. FIX-i është angazhuar në furnizimin me dhi, për të siguruar një zinxhir të sigurt furnizimi. Ndryshe nga shumë përpunues të mëdhenj që mbështeten vetëm tek mishi i importuar për operacione e tyre, FIX-i merr një qasje proaktive duke i siguruar furnizimet e tij edhe brenda vendit. Kjo tregon përkushtimin e fortë të kompanisë për zhvillimin e sektorit të prodhuesve të vegjël brenda Shqipërisë. Duke mbështetur dhe promovuar prodhuesit vendas, kompania jo vetëm që forcon ekonominë vendase bujqësore, por gjithashtu kontribuon në qëndrueshmërinë e prodhuesve të vegjël.

 Për ta përmbledhur, qëllimi i FIX-it është të jetë një kompani lider në përpunimin e mishit dhe prodhimit të sallamit, ndërsa strategjia e saj fokusohet në produkte me cilësi të lartë, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve. Kompania demonstron inovacion përmes kërkimit dhe zhvillimit dhe investimeve në sisteme dhe laboratorë. Ndikimi i FIX-it vërehet në kontributin e tij në punësim, uljen e varfërisë midis punonjësve dhe angazhimin për mirëqenien e punonjësve. Së fundmi, FIX-i përpiqet të projektojë një imazh pozitiv përmes investimeve të tij në burimet njerëzore dhe menaxhimin e zinxhirit të furnizimit.