Egziston një rregull i pashkruar sipas të cilit kurrë nuk duhet shpenzuar aq sa fiton, por më pak. Sigurisht, këtij rregulli nuk mund ti nënshtrohen persona apo familje që bëjnë pjesë tek kategoria e të vërfërve, pasi të ardhurat e tyre,nuk mjaftojnë as për të plotësuar nevojat bazike të tyre. Por për persona e familje të tjera që nuk kategorizohen tek të varfërit kursimi është thuajse detyrim. Në emër të ndërtimit të një standarti jete realist, të qëndrueshëm dhe afagjatë. Po sa duhet kursyer? Nuk ka ndonjë manual apo “urdhëresë” të posacme për këtë qëllim, por zakonisht thuhet se buxheti familjar , sipas një modeli të zakonshëm duhet shpërndarë sipas formulës 50/30/20. Pra 50 për qind përfaqëson nevojat bazike për strehim, ushqim, transport. 30 për qind përfaqëson shpenzimet që duhen për transport, kurse 20 për qind sasinë që duhet kursyer ose të nevojshme për të shlyer borxhe që mund të jenë marrë. Dhe nuk është se shqiptarët nuk kursejnë sepse depozitat qoftë në lekë e qoftë në valutë vetëm janë rritur. Mirëpo, ndërsa logjika e menaxhimit të jetës i bën ata të kursejnë, të administrojnë të ardhurat e tyre në mënyrë racionale, problemi është se paratë e kursyera e të depozituara nëpër banka atyre iu janë kthyer në stress. Në dramë. Në pamundësi reagimi. Zhvillimet ekonomike të vendit ku zhvleftësimi i euros në raport me lekun iu zhvleftësoi shqiptarëve edhe depozitat, inflacioni i brendshëm dhe ai i importuar ulën edhe vlerën reale të depozitave. Pasi interesat që paguajnë bankat për depozitat është i papërfillshëm. Kështu, në muajin dhjetor indeksi i cmimeve të konsumit arriti në nivelin e 117 për qind krahasuar me muajin dhjetor 2020. Cka do të thotë se edhe depozitat kanë humbur thuajse 12-17 për qind vlerën e tyre krahasuar me 4 vite më parë. Por nuk ndikon vetëm kaq dhe vetëm në këtë aspect. Edhe po qe se një depozitues ka bërë ndonjë investim në formën e blerjes së letrave me vlerë, sërish inflacioni zvogëlon fitimet e tyre reale që vijnë prej këtij investimi. Por drama kthehet në fakeqësi, kur, sikurse thamë edhe pak më lart nuk ke mundësi reagimi. Pra, edhe pse je i bindur që duhet të lëvizësh, që duhet të bësh dicka për të mbrojtur kursimet e tua, shikon që mundësitë reale për të reaguar e manovruar janë thuajse zero.
Po cilat janë format klasike të një reagimi për të mbrojtur kursimet e tij depozituesi nga inflacioni?
Mënyra më e zakonshme është investimi në aksione. Mirëpo kjo mënyrë investimi është teorike dhe thjesht jo mundësi konkrete në Shqipëri. Ekonomia shqiptare, edhe pse ka zyrtarisht mbi 32 vite që thuhet se është sistem kapitalist, nuk ka akoma bursë ku të listohen kompani të ndryshme për shitje-blerje aksionesh. Shumica e kompanive shqiptare madje janë me një pronar individ.
Një formë tjetër e ruajtjes së kursimeve nga inflacioni është blerja e bonove të indeksuara me inflacionin. Por edhe kjo është një metodë teorike, e cila nuk zbatohet në Shqipëri. Bonot e borxhit qeveritar shqiptar janë me interesa fiks dhe se si shkon më tej ecuria e inflacionit është cështje risku për blerësin e këtij borxhi. Aq më tepër që borxhi qeveritar është edhe një nga fushat e investimit të vetë bankave. Të cilat janë të privilegjuara, pasi nga njëra anë nuk paguajnë interesa për depozituesit, nga ana tjetër fitimin e siguruar e kanë neto sepse inflacioni bie mbi supet e depozituesit.
Alternativa e tretë e mbrojtjes së depozitave prej kursmeve është blerja e pasurive të paluajtshme. Këto pasuri e ruajnë mirë vlerën gjatë periudhave inflacioniste, por edhe gjatë kohërave normale. Mirëpo edhe kjo mënyrë mbrojtjeje sërish është e pazbatueshme për kursimtarin dhe depozituesin e zakonshëm. E para se nuk mund të blihen një pasuri e patundshme me kursime klasike të 20 për qind të buxhetit mujor familjar. Dhe e dyta, për arsye të realitetit shqiptar. Tregu i pasurive të paluajtshme ka njohur kërcime të mëdha cmimesh për efekt faktorësh specifikë, të cilët e kanë bërë një shtëpi apo një dyqan modest një ëndërr të parealizueshme për qytetarin e ndershëm. Dhe kështu prishet e gjithë skema racionale e të jetuarit me llogari, me planifikime e kursime.
.