Të gjitha bateritë e marketingut të bankave apo institucioneve të tjera financiare janë adresuar tek konsumatori, me qëllim joshjen e tij për tu bërë marrës kredie. Shtëpi, makina, rinovim shtëpie, rinovim mobiljesh e pajisjesh elektroshtëpiake e deri blerje aparatesh telefonikë e pushime me kredi reklamohen në mënyrë intensive, duke tentuar kështu joshjen e qytetarit. Dhe sigurisht, qoftë bankat e qoftë institucionet financiare, janë në të drejtën e vet pasi ky është aktiviteti i tyre. Sepse të ardhurat e krijuara nga interesat përfaqësojnë zërin kryesor të të ardhurave. Thjesht sa për ilustrim, Banka Kombëtare Tregtare(BKT) gjatë vitit 2023, të ardhurat e siguruara nga interesat e kredisë dhe interesat nga investimet e tjera i kishte rreth 190 milionë euro, ndërkohë që shpenzimet për pagim interesash për depozitat i kishte afro 30 milionë euro. Pra të ardhurat neto nga interesat ishin rreth 160 milionë euro.
Tregues edhe më të mirë për veten e saj në këtë aspekt pati Raiffeisen Bank. Siguroi nga të ardhurat për interesat rreth 120 milionë euro, dhe pagoi vetëm 2 milionë euro interesa. Konkluzionin na i forcon edhe Union Bank, ndonëse raporti i të ardhurave të saj nga interesat dhe shpenzimi për interesa është më i moderuar. Kështu, kjo bankë, përgjatë vitit 2023 siguroi rreth 46 milionë euro të ardhura nga interesat, kurse pagoi afro 11 milionë euro për interesat e depozitave. Cka do të thotë se të ardhurat neto nga interesat ishte rreth 35 milionë euro. Edhe po qe se do të vazhdonin me bankat e tjera të nivelit të dytë, e njëjta dukuri është. Pra, sistemi bankar shqiptar del me fitim impresionues ndër vite, pikërisht sepse zëri kryesor i shpenzimit që ka qenë dikur, pagimi i interesave për depozitat, ka kohë që ka shkuar në nivele të papërfillshme. Funksioni kryesor i bankave sot në dobi të klientit depozitues është thjesht strehimi i parave të tij. Por le ti kthehemi temës që kemi lajmëruar në titull të këtij shkrimi: a ia vlen të blejmë me kredi? A ia vlen të joshemi, të tundohemi, të marrim në konsideratë ofertat për kredi të bankave dhe institucioneve të tjera financiare apo duhet të rezistojmë?
Sigurisht që kësaj pyetje nuk mund ti përgjigjesh në mënyrë të prerë, pasi të blesh me kredi është një vendim që varet nga rrethanat individuale që do të marrë vendimin. Që duhet të bëjë një arsyetim. Që duhet të bëjë një planifikim apo peshim të situatës. Sepse të blesh me kredi është një proces, i cili ka edhe avantazhe edhe dizavantazhe. Kredia të mundëson blerjen e mallrave apo shërbimeve, të cillat nuk ke mundësi ti blesh me para në dorë. Gjithashtu, duke përdorur kredinë për blerje, mund ta shpërndash pagesën në një kohë të gjatë, pa i rënë shumë në qafë buxhetit mujor. Pa llogaritur këtu faktin që, nëse ndërton një marrëdhënie korrekte me bankën apo institucionin financiar, atëhere kjo sjellje e mirë prej klienti të ndihmon në raste të tjera të kësaj natyre. Por sikurse thamë edhe pak më lart, duhet të mendohesh mirë. Pasi kreditë zakonisht në Shqipëri kanë patur dhe kanë kosto të larta interesi. Më lart pamë se raporti i të ardhurave të siguruara nga interesat me ato të shpenzimeve për interesa është minimum 4:1 dhe maksimumi 10 me 1. Mosmarrja parasysh e interesit të lartë, bërja gabim e llogarive në raport me të ardhurat e individit kandidat për kredi, mund të prishë ekuilibrat financiarë të tij dhe ta vendosë atë në një situatë të vështirë. Duke e futur në një cikël borxhi në individi ble më shumë me kredi se c’mund të paguajë. Ky ishte thelbi i krizës së fundit amerikane. Qytetarët kishin marrë kredi për konsum më shumë se ckishin mundësi të shlyenin. Por e keqja tjetër e madhe është se bankat dhe institucionet financiare, duke i mëshuar dhënies së kredisë konsumatore në shuma 2 apo 3 milionë lekë “vetëm me kartë identiteti” apo “brenda 7 minutave” krijojnë tek kandidat klientët perceptimin e “parasë së lehtë”. Cka mund ti nxisë këta klientë në shpenzime të pakontrolluara, qoftë edhe duke blerë mallrat të panevojshëm. Pse duhet të marrë kredi psh një qytetar i zakonshëm, një i ri apo e re me të ardhura modeste për të blerë një iphonë të fundit?! Pse duhet marrë kredi për pushime? Që të të dalim pushimet nga hundët? Sepse, kur nuk arrin të kursesh një fond të caktuar për pushime nga të ardhurat vjetore, si do ta bësh këtë për të likujduar kredinë+interesat?! Me fjalë të tjera, mund të marrësh kredi, por duke i bërë mirë llogaritë nëse keni mundësi ta shlyeni brenda afatit, ndryshe rritja e kostos së kredisë me penalitetet që aplikohen në raste të tilla, mund të sjellë situata fare të pakëndshmë për personin e kredituar. Marrja e kredisë nuk është një vendim i lehtë, ndaj, nëse duhet marrë një kredi, mirë është të krahasohen normat e interesit për të zgjedhur kushtet më të favorshme. Një biznesmen i mirënjohur nuk kishte marrë kurrë kredi në jetën e tij. Mirëpo iu desha të marrë një shumë të konsiderueshme për të përfunduar një investim të madh. Trokiti në të gjitha bankat e Shqipërisë, iu tregoj shumën që kishte nevojë, mori ofertat e tyre dhe pastaj filloi një proces analize, me qëllim që të merrte vendimin më të mirë.
Mbajtja e një buxheti të strukturuar mirë për pagesat dhe borxhet është gjithashtu një kusht i vlefshëm në rast se vendoset të blihet me kredi.