Një kryetar i një shoqate pensionistësh ishte njëherë i ftuar në një auditor të rinjsh. “Sikur të ishe edhe një herë i ri, cfarë do bëje më mirë”, e pyeti moderatori i bisedës, duke tentuar kështu të krijojë mundësinë e një mesazhi për ata që ndiqnin bisedën. I ftuari, pasi u mendua pak sekonda u përgjigj: “sikur të isha edhe një herë i ri, do mendoja më shumë për pleqëri”.
Në fakt, pjesa më e madhe e atyre që sot kanë statusin e pensionistit bëjnë një jetë më shumë se të varfër. Pensionet që ata marrin nuk arrijnë të përmbushin nevojat më bazike të tyre. Mirëpo kur themi që për pleqëri duhet menduar sa më herët, mundësisht që në rininë e hershme, nuk e kemi fjalën vetëm për të mbetur në dorë të pensionit shtetëror. I cili, sado të dalë do të jetë në atë masë, që nuk do të garantojë një jetë me standart, nëse gjatë kohës active je mësuar të bësh jetë me standart. Të kujdesesh për një pension të rehatshëm do të thotë të mos e jetosh kohën aktive sipas lajtmotivit “një jetë kemi, ndaj të bëjmë qejf”, por të konsiderosh jetën e pensionistit si një fazë reale të ciklit jetësor, e cila ka edhe ajo kostot e saj, sfidat e saj. Pra, për të planifikuar një pension të rehatshëm e për të mos patur telashet që kanë pensionistët e shumtë të sotëm, duhet patur parasysh se edhe pensionisti ka nevoja për ushqim, shëndetësi, strehim, transport, argëtim. Por ka edhe kosto të papritura që sic janë trajtimet mjekësore apo kujdesi afatgjatë. Pensionistët e sotëm shqiptarë kanë mundur të përballojnë disa nga këto shpenzime me ndihmën e fëmijëve që kanë jashtë sepse po të ishte për pensionin e tyre ata nuk kishin asnjë mundësi për to. Për të siguruar një standart mujor prej 1000 eurosh, për shembull, për një periudhë jetese si pensionist prej 20 vitesh, duke përfshirë edhe inflacionin, duhet një fond total tek afro 300 mijë euro. Por në rastin më të mirë pensioni shtetëror arrin të sigurojë një fond total prej afro 100 mijë euro për periudhën 20 vjecare për të cilën po bëjmë kalkulimet. Pikërisht diferenca mes asaj që nevojitet dhe asaj që të mundëson pensioni shtetëror përfaqëson edhe hendekun dhe sfidën për të mbushur me largpamësi në vitet e kohës në aktivitet. Kjo mund të mbushet po qe se ke menduar për të kursyer. Pra kur ke bërë një jetë me shpenzime të planifikuara, duke ndërtuar një standart jete realist për një kohë të gjatë. Kur ke përdorur fondet e pensioneve privatë, i cili të ka mundësuar të heqësh dicka menjanë në mënyrë sistematike, për të ta kthyer atëhere kur ke më shumë nevojë për të.
Kur je treguar i zgjuar gjatë jetës aktive dhe ke arritur të blesh ndonjë pronë të patundshme, për likujdimin e së cilës vërtet ke vuajtur në rini, por që të ndihmon aq shumë në kohën e pensionit nëpërmjet qerasë që ajo të sjell.
Kur ke akumuluar disa kursime në bankë, por nuk i ke lënë ato të fjetura, por ke blerë obligacione të shumta apo letra të tjera me vlerë, pasi fitimet që vijnë nga interesat e tyre mund të rezultojnë shumë të dobishme në një moshë më të madhe.
Apo akoma më mirë, kur ke mundur të bësh ndonjë investim duke blerë aksione diku, të cilat më pas, të shpërblejnë me dividend që ta rregullojnë humorin e pensionistit.
Por ka edhe hapa të tjerë plan veprimi në funksion të një pensioni të rehatshëm. Duke qenë një moshë ku problemet shëndetësore shpeshtohen, atëhere marrja e një sigurimi shëndetësor krijon mundësinë e mbulimit të kostove pa qenë nevoja për të shpenzuar paratë e kursyera me aq mundim. Sepse ato para që janë grumbulluar në formë kursimi nuk duhen tërhequr duke i mbaruar sa më parë, por si rregull apo sic thonë manualet e ndryshme, mund të tërhiqet deri në 4 për qind e sasisë cdo vit.
Dhe së fundmi, duke qenë pra një moshë me probleme shëndetësore e fizike, është e nevojshme aplikimi i një mënyre jetese për ti reduktuar sa më shumë këto sfida. Duke investuar pra në cilësinë e jetës nëpërmjet hobit dhe udhëtimeve, duke u kujdesur për shëndetin fizik dhe mendor, duke ndërtuar një rrjet social të fortë për të shmangur izolimin dhe vetminë etj. Sepse, sic thotë David A. Sinclair jeta e gjatë në kufijtë 90-100 vjec sot është dicka e zakonshme, por sfida qëndron në të jetuarit në mënyrë të shëndetshme deri në fund. Pra, sa më herët të nisin kursimet dhe investimet, aq më komode do jetë edhe jeta si pensionist.