Keqkuptimi i madh me cmimet e supermarketeve!

Perceptimi se cmimet e produkteve të ndryshme në supermarketet e Shqipërisë janë më të larta se sa në vende si Italia, Kosova, Maqedonia apo Serbia ka një përhapje jo të pakët tek konsumatorët shqiptarë.. Ai është bërë i mundur, së pari në saj të “studimeve” krahasuese që kanë bërë persona të ndryshëm, duke iu referuar cmimeve të një kategorie produktesh në supermarketet përkatëse të vendeve që krahasohen dhe së dyti, edhe nga eksperiencat konkrete që kanë persona të ndryshëm, të cilëve iu është dhënë mundësia të bëjnë blerje produktesh në vendet që përmendëm më lart. Dhe nuk është se nuk ka bazë pretendimi se shumë produkte që tregtohen nëpër supermarketet shqiptare- kryesisht ata që vijnë nga importi-tregtohen me cmime disi më të larta se sa nëpër supermarketet italiane, kosovare apo maqedonase. Pyetja që ka kuptim në këtë rast është ajo që tenton të nxjerrë shkakun e një realiteti të tillë. Pra, a janë cmimet më të larta sepse vetë tregu i retailit është i organizuar në një mënyrë të tillë që nuk garanton konkurencë, ndaj i “ngop” pronarët e rrjeteve zinxhir të supermarketeve dhe hipermarketeve me fitime të mëdha? Sigurisht që jo. Sepse në tregun përkatës bëjnë pjesë dhjetra kompani të mëdha e të vogla, të njohura e më pak të njohura, shumë të përhapura e më pak të përhapura, të cilët e zhvillojnë luftën e tyre në treg në kushtet e një konkurence të fortë. Biznesmenët nuk ndahen në njerëz të mirë apo të këqinj. Ata veprojnë sipas hapësirave që iu mundëson tregu. Janë të paktën 7 kompani të mëdha e rreth 30-40 të tjera më të vogla. Dhe sikurse kemi thënë edhe në një shkrim tjetër rreth kësaj teme, norma e fitimit që siguron kjo mënyrë funksionimi për aktorët e saj, varion nga 1-5 për qind që është një normë fitimi shumë modeste. Edhe historia e biznesit në këtë sektor nuk është inkurajuese. Mercator, rrjeti më i mirë i supermarketeve në Ballkan e mbylli aktivitetin në Shqipëri me humbje.

I madhi Carrefour e mbylli gjithashtu aktivitetin në Shqipëri, duke lenë pas 17 milionë euro borxhe. Del Haise, një nga ekselencat në Europë e mbylli me humbje dhe iku.

Conad, më i madhi në Itali punoi me humbje vjetore 2-2.5 milionë euro nga viti 2006 deri në vitin 2014. Dhe nuk është e tepër të kujtohet edhe fakti tjetër që ky treg është i formalizuar 100 për qind, formalizim ky që konkretizohet që nga dokumentimi i sasive të mallrave që hyjnë në doganë e deri tek shitja me pakicë në supermarket,  që bëhet me faturat përkatëse. Problemi është se me cmimet e produkteve të ndryshme, të shitura në rrjetet e supermarketeve është i njëjti keqkuptim si ai me karburantet. Shumë vetë nisen e bëjnë krahasime përkatëse me cmimet e karburanteve në Shqipëri dhe vende të tjera dhe e adresojnë shkakun gabim. Nëse cmimi i karburanteve në tregun shqiptar është aq sa është, kjo vjen si rrjedhojë e taksave që i ngarkohen karburantit dhe që i kthen kompanitë tregtuese të tij mbledhëse e taksave të qeverisë. Edhe në rastin e produkteve të ndryshme nëpër supermarkete, ajo që e bën diferencën kryesisht, është TVSH-ja, që në rastin e Shqipërisë është 20 për qind. Kurse vende të tjera e kanë shumë më poshtë.  Italia psh, një nga vendet nga ku importohen një sasi e madhe produktesh, për artikujt bazë ka një tatim 4-6 për qind, ndërsa për një kategori tjetër ushqimesh, 10 për qind.

Kosova, për ushqimet bazë norma e TVSH-së është 8 për qind. Në Maqedoninë e Veriut ushqimet bazë tatohen me një normë shumë të ulët, 5 për qind. Kurse Serbia e ka tatimin e ushqimeve bazë 10 për qind. Në të tilla kushte, me diferenca të mëdha në tatimet e ushqimeve bazë është e natyrshme që edhe cmimi fundor i tyre të jetë më i lartë në tregun shqiptar se sa  në ato të vendeve të tjera. Është gjithashtu e lehtë të merret me mend se përafrimi i cmimeve  dhe ulja e kostove për konsumatorët nuk është as cështje vullneti dhe as detyrë e biznesmenëve të këtij sektori. Pasi edhe kështu sic po funksionojnë, ata nuk është se po korrin ndonjë fitim kushedi se cfarë. Tregu e garanton konkurencën me kaq operatorë që janë në treg. Mjafton ti referohemi asaj tabloje që paraqesin në këtë konkurencë Spar dhe Conad si dy nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve. Në 1458 artikuj të krahasuar tek 944 artikuj cmimet janë të njëjta, në 271 prej tyre Conad ka cmime më të ulëta se sa Spar, kurse në 243 artikuj të tjerë, Conad ka cmime më të larta se sa Spar. Ndaj, ka vetëm një rrugë se si mund të ulen cmimet me të cilat përballen konsumatorët në supermarkete: ulja e tvsh-së, aplikimi i politikave tatimore për këtë sektor, të njëjta sikurse ajo që zbatojnë vendet që iu referuam më sipër. Nuk është e vështirë të kuptohen të vërteta kaq të thjeshta, përvec rasteve ku mbizotëron dashakeqësia. Ose interesi.