Pse asnjë profesor shqiptar i ekonomisë nuk është milioner?

Vasil Naci është një prej biznesmenëve më të njohur e më të suksesshëm shqiptar. AGNA Group, Pronar dhe President i të cilit ai është ka aktivitete në disa sektorë të biznesit shqiptar. Mirëpo prej disa vitesh, Vasil Naci ka fituar edhe statusin e lektorit, duke formuluar, duke predikuar e duke ofruar rrugën se si mund të arrihet suksesi në biznes. Sigurisht që një sipërmarrje e tillë, sikurse është aktiviteti “Rruga drejt suksesit” përfaqëson ndërkohë mënyrën se si Vasil Naci ka menduar të bëhet edhe më shumë i dobishëm për të tjerët, duke përcuar tek ta atë cka ai ka mësuar dhe ka jetësuar. AGNA Group me një aktivitet vjetor rreth 350 milionë euro është  kartvizita e duhur për ta bërë Vasil Nacin lektor të mirë. Nga ana tjetër, vetë Vasil Naci është një student i përhershëm dhe i përulur teksa merr pjesë përgjatë cdo viti në trajnime të ndryshme ndërkombëtare, ku lektorë e trajnerë janë guru të biznesit ndërkombëtar. Pra, Vasil Naci ka c’të tregojë, ka c’të sugjerojë, ka c’të rekomandojë, ka c’të ofrojë, ka c’të mësojë. Statusi i lektorit për rrugën që duhet përshkuar për të siguruar sukses përfaqëson përpjekjen e tij për tu përmirësuar vazhdimisht, për tu perfeksionuar e për tu realizuar edhe më shumë. Sepse, sikurse ka thënë vetë dikur, “historinë me paratë unë e kam mbyllur që në vitin 1992”. Atë vit kur filloi biznesin, kur nisi këtë rrugë që e ka cuar sot në krijimin e një grupi biznesi, ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri.

Që një biznesmen kthehet në lektor kjo është kuptimplotë. Por mua më ka intriguar shumë e kundërta këtij fakti. Pra, ajo se si ka mundësi që asnjë nga profesorët shqiptarë të ekonomisë nuk ka mundur të ngrejë një biznes të tijin, për të konkretizuar të gjitha ato njohuri që ata kanë e që i transmetojnë tek studentët në trajtë leksionesh?! Personalisht kam medituar shpesh rreth arsyeve që kanë cuar në këtë realitet, ku në biznesin shqiptar nuk ka asnjë aktivitet të madh, të krijuar nga profesorët e ekonomisë. Dhe kam gjetur disa arsye justifikuese apo më saktë shpjeguese nëpërmjet “monologut” tim. Një nga arsyet lidhet me fokusimin tek teoria dhe jo tek praktika. Profesorët e ekonomisë shpesh specializohen në analizë teorike dhe kërkime akademike, por këto nuk përkthehen gjithmonë në aftësi praktike për të bërë para. Një arsye tjetër mund të jetë përzgjedhja nga ana e profesorëve e një karriere ku dominon pasioni për mësimdhënien dhe kërkimin shkencor dhe jo domosdoshmërisht dëshira për të bërë para.

Nga ana tjetër, shumica e profesorëve mund të preferojnë një pagë fikse, e cila është e pakrahasueshme me fitimet potenciale të sipërmarrësve të suksesshëm.

Por teorikisht mund të ketë edhe një sërë shkaqesh e arsyesh të tjera. Për shembull, profesorëve të ekonomisë nuk iu pëlqen marrja e riskut përsipër, ndaj ata i qëndrojnë rrugës së sigurt dhe të qëndrueshme të të ardhurave. E kundërta ndodh me sipërmarrësit, sikurse e kemi shpjeguar edhe në mjaft profile biznesi që kemi trajtuar në kuadër të botimit kombëtar “Biznesi Shqiptar: Më të Mirët”. Por mund të jenë edhe mungesa e kapitalit fillestar apo fokusimi. Sepse mjaft prej tyre investojnë kohën dhe energjinë në kërkime dhe publikime, por këto nuk I ndihmojnë në zhvillimin e aftësive për të krijuar pasuri të madhe.

E megjithatë, kushdo qoftë arsyeja, fakti është se asnjë nga profesorët shqiptarë të ekonomisë nuk ka mundur të konkretizojë “leksionin” numër 1 të biznesit: identifikimin e një produkti apo shërbimi për të cilin ata të kalkulojnë se ka blerës apo përdorues flet shumë. Por nuk janë vetëm profesorët shqiptarë me këtë “difekt”. Pyetja në titull të këtij shkrimi ka vlerë thuajse për të gjithë profesorët e ekonomisë në botë. Dhe për të kuptuar edhe më mirë arsyet, përvec atyre që rreshtuam teorikisht më lart, po iu ofrojmë një shkrim shumë interesant, botuar nga Telegraf rreth kësaj teme afro 4 vite më parë.

https://telegrafi.com/pse-profesoret-e-ekonomise-nuk-jane-miliardere/

Paradoksi i Kukësit, qarku më i varfër, por me biznesmenët më të mëdhenj

Qarku i Kukësit është më i varfëri në Shqipëri. Dhe kjo nuk është cështje perceptimi. Pasi pasuritë e shumta natyrore që ndodhen në këtë qark si mineralet, pyjet, hidrocentrali, liqeni, Alpet apo edhe pozicioni kufitar i tij me Kosovën nuk favorizojnë pra perceptimin e vërfërisë, por nxisin iluzionin e kundërt. E megjithatë janë tregues të tjerë ato që i japin qarkut verior statusin e padëshiruar. Mbi 5000 familje trajtohen me ndihmë ekonomike vetëm në Bashkinë e Kukësit. Rreth 50 për qind e forcave të afta për punë janë pa punë. Tek të rinjtë kjo përqindje rritet duke shkuar në 60 për qind. Të ardhurat mesatare të një familjeje në qarkun e Kukësit janë pak më shumë se gjysma e mesatares në rang vendi. Numri i bizneseve për 1000 banorë është 42, pra një numër shumë i ulët. Emigracioni nga ana tjetër është i lartë. Këto e tregues të tjerë si këto i japin Kukësit “trofeun” e qarkut  më të varfër. Por  nga ana tjetër, si për paradoks, prej këtij qarku janë edhe disa nga biznesmenët më të mëdhenj në rang vendi.

Nga Kukësi është Shefqet Kastrati, grupi i të cilit e ka kaluar aktivitetin e 1 miliard eurove xhiro. Interesat e biznesit të këtij grupi janë shumë të gjëra. Ato përfshijnë tregtimin e karburanteve, ndërtimin, tregjet financiare, hotelerinë, menaxhimin e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit dhe Kukësit etj etj.

Nga Kukësi është Kadri Morina, një ndër biznesmenët e rëndësishëm në tregun financiar. Me dy kompani sigurimi dhe një bankë në zotërim.

Nga Kukësi është Shyqyri Duraku, i cili, në ditët e tij më të mira si biznesmen ishte ndër biznesmenët kryesorë të Shqipërisë me aktivitet në sektorin e karburanteve, sektorin hotelier, spitale private etj.

Nga Kukësi është Hajri Elezaj, pronari u kompanisë së prodhimit të ujit “Lajthiza”, kompanisë lider në tregun përkatës.

Nga Kukësi janë edhe Dervish Domi, pronar i fabrikës së miellit Atlas e Astrit Dobrushi, një biznesmen që merrt me minerale.

Po nga Kukësi është edhe Shani Peposhi, pronari i kompanisë farmaceutike “Trimed”. Edhe pse tashmë i tërhequr prej biznesit, sërish, kompania që ka krijuar e që menaxhohet tashmë nga fëmijët e tij është kompani e rëndësishme e tregut farmaceutik. Nga Kukësi janë edhe vëllezërit Billa, të cilët kanë krijuar prej vitesh kompaninë me të njëjtin emër dhe që pozicionohet fuqishëm në tregun e shitjes së pajisjeve hidrosanitare.

Nga Kukësi janë vëllezërit Basri e Hysen Rruka. I pari i njohur për tregtinë e elektroshtëpiakeve dikur, me fillimin e sistemit kapitalist në Shqipëri e më pas, si përfqësues për Shqipërinë i Mercedes Benzit. Vazhdoi për një periudhë të gjatë deri në momentin që e quajti të arsyeshme ta shistebiznesit e tij tek Grupi Kastrati. Edhe Hysen Rruka është i njohur për disa përfaqësi të huaja si Siemennsi etj.

Nga Kukësi ishte edhe i ndjeri Arjan Musa, i cili kishte kompaninë e tregtimit të makinave “Noshi” e që tregtonte markën Opel.

Po nga Kukësi është deputeti biznesmen Flamur Hoxha, një nga pionierët e biznesit fason në Shqipëri. E meqë po flasim për qarkun, i cili përfshin Kukësin, Tropojën dhe Hasin nuk mund të lemë pa listuar edhe dy biznesmenët e mirënjohur tropojanë, Avni Ponari dhe Ram Geci, të cilët forcojnë ndjeshëm formacionin e biznesmenëve të mëdhenj me origjinë nga qarku. Janë edhe disa të tjerë, por kaq mjafton për të evidentuar paradoksin. Dhe pyetja e natyrshme është se si është krijuar ky paradoks?

Së pari, këta biznesmenë që përmendëm, por edhe të tjerë janë bërë të tillë, pra i janë futur biznesit dhe janë rritur ndër vite duke dalë jashtë kornizave locale dhe duke thyer kufijtë rajonalë. Pjesa më e madhe e tyre u transferua në Tiranë që në momentet e para të ndërrimit të sistemit, ngritën një aktivitet e mirëmenaxhuan dhe arritën aty ku janë sot. Por është po ky factor, pra zhvillimi I aktivitetit të tyre në Tiranë apo Durrës arsyeja edhe se pse kapitali i investuar në mnyrë sistematike prej tyre ndër vite nuk ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë për zhvillimin e zonës së tyre të origjinës.  Nëse secili nga biznesmenët e mëdhenj të Kukësit do të kishte një aktivitet me qendër në Kukës situata do të ishte më ndryshe. Sa për ilustrim, i vetmi që ka një aktivitet të mirëfilltë biznesi në atë zonë është Hajri Elezaj. Kompania e tij, “Lajthiza Invest” ka një impakt të rëndësishëm social për zonën, por ndërkohë, ai aty po konkretizon edhe investime të tjera, të cila edhe tani, por sidomos kur të përfundojnë do ta rrisin impaktin e kompanisë në zonë. Edhe Avni Ponari nuk i ka shpëtuar “detyrimit” për të investuar në zonën e vendlindjes, teksa ka ngritur në Valbonë resortin me të njëjtin emër.

Megjithatë është e kuptueshme që pasuria e disa individëve nuk përkthehet automatikisht në mirëqenie për gjithë popullsinë, sepse mungesa e investimeve publike, infrastruktura e dobët dhe papunësia mbeten sfida të mëdha në rajon. Kjo ndihmon që Kukësi si qark të jetë ende në nivele të larta varfërie, pavarësisht milionerëve që ka nxjerrë.

Deputetë të dështuar, biznesmenë të parakaluar!

Edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme ku do të votohet për 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. E sigurtë është që në adresë të biznesmenëve të ndryshëm do të shkojnë ftesa nga partitë politike për të garuar nën siglën e tyre. Fundja, kështu ka ndodhur në të kaluarën e kështu pritet të ndodhë edhe në zgjedhjet që po vijnë. Sepse në Kuvendin e Shqipërisë kanë hyrë e kanë dalë me cilësinë e deputetit një aradhë e tërë biznesmenësh. Procesi i rekrutimit të biznesmenëve në politikë filloi me biznesmenin e njohur shijakas, Agron Duka. Duke qenë ndër të parët biznesmenë të suksesshëm në zonën e Shijakut e të Durrësit, por mbi të gjitha, duke qenë se aktivitetet e tij kishin një impakt të rëndësishëm social në atë kohë, nisur nga numri i të punësuarve apo marrëdhëniet e interesit që ato krijonin, ai u përzgjodh nga Fatos Nano për të garuar për PS-në. Ishte koha e sistemit elektoral mazhoritar, ku individët me reputacion ktheheshin në kandidatë të fortë për deputetë. Dhe fakti është se Agron Duka fitoi në atë periudhë mandatin e deputetit në një zonë aq të vështirë ku sic thuhej “edhe nëse kandidat i PD do të ishte një gomar real, ai do të votohej”. Fatos Nano e vazhdoi procesin kapërcimit të biznesmenëve në politikë duke përfshirë më pas biznesmenin shumë të njohur në atë kohë, Shyqyri Duraku. Edhe ky eksperiment rezultoi me sukses për ish-kryeministrin pasi biznesmeni kuksian e fitoi mandatin e tij në qytetin verior. Më pas futja e biznesmenëve në Kuvendin e Shqipërisë u kthye në një dukuri të zakonshme. Aq e zakonshme sa po të rrijmë e të numurojmë ata që kanë hyrë e kanë dalë, do të na duhet të shpenzojmë pak kohë. Sigurisht, kapërcimi nga biznesi në politikë ka disa dimensione që mund të jenë problematike, sidomos në kontekstin shqiptar. Ndërthurja e politikës dhe biznesit sjell përfitime të dyanshme, por po ashtu mund të krijojë konflikte të interesit, veçanërisht në mjedise ku mekanizmat e kontrollit janë të dobët. Ky kalim mund të jetë problematik për disa arsye kryesore:

Së pari prej konfliktit të interesit që krijohet. Biznesmenët shpesh kanë interesa të lidhura ngushtë me vendimet politike dhe kalimi në politikë rrit rrezikun që ata të përdorin pushtetin për të përfituar personalisht ose për të mbrojtur interesat e kompanive të tyre.

Së dyti, prej konkurrencës jo e barabartë: Nëse një politikan ka edhe interesa biznesi, mund të përdorë pozicionin për të favorizuar kompaninë e vet, duke krijuar një terren të pabarabartë për bizneset e tjera dhe duke dëmtuar ekonominë e tregut të lirë.

Së treti, prej korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike: Kapërcimi nga biznesi në politikë mund të shtojë rrezikun e korrupsionit, meqë individë me lidhje të forta në treg kanë më shumë motivim dhe mundësi për të përfituar nga fondet publike ose për të manipuluar procedurat e tenderimit.

Së katërti prej përkeqësimit të besimit publik: Kur biznesmenët përdorin politikën si një mjet për të avancuar interesat e tyre, publiku mund të humbasë besimin te qeveria dhe në procesin demokratik. Kjo, në afat të gjatë, e dëmton shumë stabilitetin politik dhe social.

Por realiteti shqiptar,  duket se nuk sugjeron raste të tilla flagrante ku ata biznesmenë që kanë “braktisur” biznesin për politikën të kenë krijuar konflikt të pastër interesi apo që të ketë kthyer në avantazh të biznesit të tyre të qënit në politikë. E kundërta është e vërtetë. Pjesa më e madhe e biznesmenëve-politikanë kanë paguar një kosto të madhe për bizneset e tyre, teksa ata kanë humbur pozitën që kanë patur në treg përpara kalimit në politikë. Shembulli më imirë ilustrues është ai i Agron Shehaj, ish deputet i PD-së, tashmë kryetar i Partisë “Mundësia”. Përpara se të hynte në politikë, kompania e tij ishte lidere e tregut ku operonte, ndërsa më pas ajo rrëshqiti shumë vende poshtë në hierarkinë e sektorit.  Sami Gjergji, ish deputet i PD-së dhe një nga biznesmenët kryesorë të sektorit të prodhimit të vezëve njohu një dishezë të vërtetë në momentitn kur hyri në politikë. Rakip Suli, ish deputet i PS-së përpara se të hynte në politikë kishte një kompani të fortë në punimet e gipsit. Por pas kapërcimit të tij në politikë emri i Aurora”-s është zhdukur nga qarkullimi. H.G, edhe ky një ish biznesmen i njohur bëri një “stash” 4 vjecar në Kuvendin e Shqipërisë, por humbi përmasat e dikurshme të tij si biznesmen.

Ka pastaj një kategori tjetër deputetësh, të cilëve iu është dashur të paguajnë një harac të madh nga sulmet publike të opozitës si përfitues të parave publike. Pavarësisht se shumat për të cilat akuzohen janë më shumë se qesharake për një biznesmen. Koco Kokëdhimës, sa për ilustrim, iu desh të lërë mandatin e deputetit, vetëm sepse kompania e tij e internetit “Abissnet” kishte lidhur një kontratë modeste shërbimi me një institucion publik. Deputetit tjetër milioner, Vullnet Sinajt  i duhet të durojë etiketimet më të rënda për një akuzë sikur kompania e tij BIG Market ka përfituar padrejtësisht një shumë…. qindramijë lekëshe!

Tkurrja e aktivitetit, kostot morale që kanë paguar e paguajnë deputetët nga akuzat e kundërshtarëve të tyre janë arsye që normalisht duhet të dekurajojnë biznesmenët për tiu përgjigjur pozitivisht ftesës së partive politike për te qënë në lista. E megjithatë shumë prej tyre pranojnë, duke na lënë pa përgjigje logjike dhe racionale rreth arsyes se pse pranojnë.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet që disa biznesmenë të sjellin përvoja të dobishme për vendimmarrjen në ekonomi dhe menaxhimin e burimeve, por do të ishte më e shëndetshme për demokracinë që kalimi i tyre në politikë të shoqërohej me masa të forta kontrolli për të parandaluar abuzimet dhe konfliktet e interesit. Nëse do të bëjmë një retrospektivë për të sjellë një shembull të mirë të deputetit  aktiv të ardhur nga bota e biznesit, njëri prej tyre është Pilo Kerri. I cili mori atributet e një deputeti të mirëfilltë që e “shijonte” postin nëpërmjet iniciativave ligjore, diskutimeve, debateve etj. Por edhe nëpërmjet një mënyre të tillë veprimi ai e vecoi veten nga kategoria e deputetëve të dështuar, edhe biznesi i tij pagoi koston përkatëse duke u tkurrur përsa kohë zgjati statusi i tij si deputet.

Cfarë makine të zgjedh e të blej?

Të blesh një makinë nuk është një vendim i lehtë. Përkundrazi është tejet i vështirë sepse pyetjet që e shoqërojnë këtë process e që iu duhet dhënë përgjigje janë të shumta. Cfarë makine të blej: të re apo të përdorur? Me karburant apo elektrike? Nëse vendos të blej makinë me karburant, të preferoj makinë me motor nafte apo benzine? Po sipas vendit dhe kompanive të prodhimit, të preferoj makinë gjermane, Italiane, franceze, apo makina japoneze, koreane ose kineze? Por këtyre pyetjeve iu jepet përgjigje, pasi më parë kandidat blerësi i makinës iu ka dhënë përgjigje disa pyetjeve të tjera. Të cilat janë pyetje shumë ndihmuese për të gjetur variantin më të mirë dhe për ta bërë vendimin për blerjen e një makinë veprim që nuk shoqërohet më pas me pakënaqësi e pishmane.

Duke qenë se zgjedhja e një makine varet nga nevojat dhe preferencat e individit përgjigja karshi pyetjeve që do të vijojnë ndihmon shumë në sqarimin e situatës.

Së pari, individi duhet ti përgjigjet pyetjes se për cfarë qëllimi  e do makinën. Nëse e do për udhëtime të përditshme në qytet atëhere duhet të preferojë makina të vogla dhe ekonomike. Ka sa sa të duash modele të tillë por sa për shembull ilustrues po përmendim Toyota Yaris, Hyundani i20, Volkswagen Polo etj.

Nëse makina duhet për udhëtime të gjata dhe komode ka lloje të tjera makinash-Sedane. Cdo shtëpi automobilistike ka modelin e vet në këtë kategori.

Po qe se makina duhet për terrene të vështira(off-road) atëhere këtë punë ta zgjidhin makinat SUV.

Nëse makina duhet për përdorim familjar të përshtatshme për këtë qëllim janë Minivans ose SUV.

Një pyetje e rëndësishme të cilin kandidat blerësi duhet tia bëj vetes është edhe ajo që ka lidhje llojin e makinës sa i takon energjisë që ajo përdor. Pra duhet të blejë një makinë me karburant apo makinë elektrike? Këto të fundit jo vetëm që kanë përhapje të shpejtë, por në vende si Norvegjia janë shumicë absolute ku në dhjetë makina të reja që shiten 9 janë elektrike. Dhe akoma më shumë do të vijojnë të përhapen, duke arritur që në një periudhë kohe të zëvëndësojnë tërësisht makinat me djegje të brendshme. Por nëse vendos të blesh makinë elektrike vërtet ke marrë një vendim të mirë sa i takon anës ekologjike dhe ekonomike, por nuk ke llogaritur problemet aktuale që shfaqen në realitetin shqiptar sa i takon infrastrukturës së karikimit.

Nëse zgjedh makinë me benzinë, këto makina kanë një kosto fillestare më të ulët dhe mirëmbajtje më të thjeshtë.

Alternativa e zgjedhjes së makinave me naftë shoqërohet me përfitimet se këto makina janë të përshtatshme për distanca të gjata dhe karakterizohen nga kursimi i karburantit.

Një nga pikëpyetjet e madha që ka një kandidat blerës i një makine është marka e saj. Makinat gjermane karakterizohen nga cilësia dhe luksi(Mercedes-Benz, BMË, Audi). Makinat japoneze si Toyota, Honda, Mazda, karakterizohen nga besueshmëria dhe kostot e ulëta të mirëmbajtjes.

Makinat koreane si Hyundai apo KIA janë të pajisura në mënyrë moderne dhe janë me cmime konkuruese.

Pasi iu ke dhënë përgjigje këtyre lloj pyetjeve cështja e zgjedhjes varet nga buxheti në dispozicion të blerjes së makinës. Sepse jo rrallë, shqiptarët e kanë mëse të zakonshme ti ngatërrojnë gjërat. Tjetër gjë duan e iu pëlqen, por pa patur buxhetin përkatës. Madje, buxheti është limitues dhe kushtëzues në marrjen e një vendimi të mirë. Me një buxhet nën 15 mijë euro mund të marrësh ose një makinë të përdorur në gjendje të mirë ose një model makine të vogël, por të re.

Nëse buxheti është më i madh dhe mund të arrijë deri në 30 mijë euro, atëhere ky buxhet konsiderohet i mjaftueshëm për të bërë tëndin një automjet të ri, të pajisur mirë dhe me performancë të lartë.

Ndërsa, po qe se në dispozicion të blerjes së një makine është një buxhet që i kalon të 30 mijë eurot, atëhere mund të sigurohet një automjet luksoz ose një makinë elektrike e teknologjisë së fundit.

Si konkluzion mund të thuhet se blerja e një makine nuk është një vendim që merret sipas variantit “kokë a pil”, por një vendim që duhet peshuar mirë nga ana logjike.