Edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme ku do të votohet për 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. E sigurtë është që në adresë të biznesmenëve të ndryshëm do të shkojnë ftesa nga partitë politike për të garuar nën siglën e tyre. Fundja, kështu ka ndodhur në të kaluarën e kështu pritet të ndodhë edhe në zgjedhjet që po vijnë. Sepse në Kuvendin e Shqipërisë kanë hyrë e kanë dalë me cilësinë e deputetit një aradhë e tërë biznesmenësh. Procesi i rekrutimit të biznesmenëve në politikë filloi me biznesmenin e njohur shijakas, Agron Duka. Duke qenë ndër të parët biznesmenë të suksesshëm në zonën e Shijakut e të Durrësit, por mbi të gjitha, duke qenë se aktivitetet e tij kishin një impakt të rëndësishëm social në atë kohë, nisur nga numri i të punësuarve apo marrëdhëniet e interesit që ato krijonin, ai u përzgjodh nga Fatos Nano për të garuar për PS-në. Ishte koha e sistemit elektoral mazhoritar, ku individët me reputacion ktheheshin në kandidatë të fortë për deputetë. Dhe fakti është se Agron Duka fitoi në atë periudhë mandatin e deputetit në një zonë aq të vështirë ku sic thuhej “edhe nëse kandidat i PD do të ishte një gomar real, ai do të votohej”. Fatos Nano e vazhdoi procesin kapërcimit të biznesmenëve në politikë duke përfshirë më pas biznesmenin shumë të njohur në atë kohë, Shyqyri Duraku. Edhe ky eksperiment rezultoi me sukses për ish-kryeministrin pasi biznesmeni kuksian e fitoi mandatin e tij në qytetin verior. Më pas futja e biznesmenëve në Kuvendin e Shqipërisë u kthye në një dukuri të zakonshme. Aq e zakonshme sa po të rrijmë e të numurojmë ata që kanë hyrë e kanë dalë, do të na duhet të shpenzojmë pak kohë. Sigurisht, kapërcimi nga biznesi në politikë ka disa dimensione që mund të jenë problematike, sidomos në kontekstin shqiptar. Ndërthurja e politikës dhe biznesit sjell përfitime të dyanshme, por po ashtu mund të krijojë konflikte të interesit, veçanërisht në mjedise ku mekanizmat e kontrollit janë të dobët. Ky kalim mund të jetë problematik për disa arsye kryesore:
Së pari prej konfliktit të interesit që krijohet. Biznesmenët shpesh kanë interesa të lidhura ngushtë me vendimet politike dhe kalimi në politikë rrit rrezikun që ata të përdorin pushtetin për të përfituar personalisht ose për të mbrojtur interesat e kompanive të tyre.
Së dyti, prej konkurrencës jo e barabartë: Nëse një politikan ka edhe interesa biznesi, mund të përdorë pozicionin për të favorizuar kompaninë e vet, duke krijuar një terren të pabarabartë për bizneset e tjera dhe duke dëmtuar ekonominë e tregut të lirë.
Së treti, prej korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike: Kapërcimi nga biznesi në politikë mund të shtojë rrezikun e korrupsionit, meqë individë me lidhje të forta në treg kanë më shumë motivim dhe mundësi për të përfituar nga fondet publike ose për të manipuluar procedurat e tenderimit.
Së katërti prej përkeqësimit të besimit publik: Kur biznesmenët përdorin politikën si një mjet për të avancuar interesat e tyre, publiku mund të humbasë besimin te qeveria dhe në procesin demokratik. Kjo, në afat të gjatë, e dëmton shumë stabilitetin politik dhe social.
Por realiteti shqiptar, duket se nuk sugjeron raste të tilla flagrante ku ata biznesmenë që kanë “braktisur” biznesin për politikën të kenë krijuar konflikt të pastër interesi apo që të ketë kthyer në avantazh të biznesit të tyre të qënit në politikë. E kundërta është e vërtetë. Pjesa më e madhe e biznesmenëve-politikanë kanë paguar një kosto të madhe për bizneset e tyre, teksa ata kanë humbur pozitën që kanë patur në treg përpara kalimit në politikë. Shembulli më imirë ilustrues është ai i Agron Shehaj, ish deputet i PD-së, tashmë kryetar i Partisë “Mundësia”. Përpara se të hynte në politikë, kompania e tij ishte lidere e tregut ku operonte, ndërsa më pas ajo rrëshqiti shumë vende poshtë në hierarkinë e sektorit. Sami Gjergji, ish deputet i PD-së dhe një nga biznesmenët kryesorë të sektorit të prodhimit të vezëve njohu një dishezë të vërtetë në momentitn kur hyri në politikë. Rakip Suli, ish deputet i PS-së përpara se të hynte në politikë kishte një kompani të fortë në punimet e gipsit. Por pas kapërcimit të tij në politikë emri i Aurora”-s është zhdukur nga qarkullimi. H.G, edhe ky një ish biznesmen i njohur bëri një “stash” 4 vjecar në Kuvendin e Shqipërisë, por humbi përmasat e dikurshme të tij si biznesmen.
Ka pastaj një kategori tjetër deputetësh, të cilëve iu është dashur të paguajnë një harac të madh nga sulmet publike të opozitës si përfitues të parave publike. Pavarësisht se shumat për të cilat akuzohen janë më shumë se qesharake për një biznesmen. Koco Kokëdhimës, sa për ilustrim, iu desh të lërë mandatin e deputetit, vetëm sepse kompania e tij e internetit “Abissnet” kishte lidhur një kontratë modeste shërbimi me një institucion publik. Deputetit tjetër milioner, Vullnet Sinajt i duhet të durojë etiketimet më të rënda për një akuzë sikur kompania e tij BIG Market ka përfituar padrejtësisht një shumë…. qindramijë lekëshe!
Tkurrja e aktivitetit, kostot morale që kanë paguar e paguajnë deputetët nga akuzat e kundërshtarëve të tyre janë arsye që normalisht duhet të dekurajojnë biznesmenët për tiu përgjigjur pozitivisht ftesës së partive politike për te qënë në lista. E megjithatë shumë prej tyre pranojnë, duke na lënë pa përgjigje logjike dhe racionale rreth arsyes se pse pranojnë.
Nga ana tjetër, nuk përjashtohet që disa biznesmenë të sjellin përvoja të dobishme për vendimmarrjen në ekonomi dhe menaxhimin e burimeve, por do të ishte më e shëndetshme për demokracinë që kalimi i tyre në politikë të shoqërohej me masa të forta kontrolli për të parandaluar abuzimet dhe konfliktet e interesit. Nëse do të bëjmë një retrospektivë për të sjellë një shembull të mirë të deputetit aktiv të ardhur nga bota e biznesit, njëri prej tyre është Pilo Kerri. I cili mori atributet e një deputeti të mirëfilltë që e “shijonte” postin nëpërmjet iniciativave ligjore, diskutimeve, debateve etj. Por edhe nëpërmjet një mënyre të tillë veprimi ai e vecoi veten nga kategoria e deputetëve të dështuar, edhe biznesi i tij pagoi koston përkatëse duke u tkurrur përsa kohë zgjati statusi i tij si deputet.