Qarku i Kukësit është më i varfëri në Shqipëri. Dhe kjo nuk është cështje perceptimi. Pasi pasuritë e shumta natyrore që ndodhen në këtë qark si mineralet, pyjet, hidrocentrali, liqeni, Alpet apo edhe pozicioni kufitar i tij me Kosovën nuk favorizojnë pra perceptimin e vërfërisë, por nxisin iluzionin e kundërt. E megjithatë janë tregues të tjerë ato që i japin qarkut verior statusin e padëshiruar. Mbi 5000 familje trajtohen me ndihmë ekonomike vetëm në Bashkinë e Kukësit. Rreth 50 për qind e forcave të afta për punë janë pa punë. Tek të rinjtë kjo përqindje rritet duke shkuar në 60 për qind. Të ardhurat mesatare të një familjeje në qarkun e Kukësit janë pak më shumë se gjysma e mesatares në rang vendi. Numri i bizneseve për 1000 banorë është 42, pra një numër shumë i ulët. Emigracioni nga ana tjetër është i lartë. Këto e tregues të tjerë si këto i japin Kukësit “trofeun” e qarkut më të varfër. Por nga ana tjetër, si për paradoks, prej këtij qarku janë edhe disa nga biznesmenët më të mëdhenj në rang vendi.
Nga Kukësi është Shefqet Kastrati, grupi i të cilit e ka kaluar aktivitetin e 1 miliard eurove xhiro. Interesat e biznesit të këtij grupi janë shumë të gjëra. Ato përfshijnë tregtimin e karburanteve, ndërtimin, tregjet financiare, hotelerinë, menaxhimin e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit dhe Kukësit etj etj.
Nga Kukësi është Kadri Morina, një ndër biznesmenët e rëndësishëm në tregun financiar. Me dy kompani sigurimi dhe një bankë në zotërim.
Nga Kukësi është Shyqyri Duraku, i cili, në ditët e tij më të mira si biznesmen ishte ndër biznesmenët kryesorë të Shqipërisë me aktivitet në sektorin e karburanteve, sektorin hotelier, spitale private etj.
Nga Kukësi është Hajri Elezaj, pronari u kompanisë së prodhimit të ujit “Lajthiza”, kompanisë lider në tregun përkatës.
Nga Kukësi janë edhe Dervish Domi, pronar i fabrikës së miellit Atlas e Astrit Dobrushi, një biznesmen që merrt me minerale.
Po nga Kukësi është edhe Shani Peposhi, pronari i kompanisë farmaceutike “Trimed”. Edhe pse tashmë i tërhequr prej biznesit, sërish, kompania që ka krijuar e që menaxhohet tashmë nga fëmijët e tij është kompani e rëndësishme e tregut farmaceutik. Nga Kukësi janë edhe vëllezërit Billa, të cilët kanë krijuar prej vitesh kompaninë me të njëjtin emër dhe që pozicionohet fuqishëm në tregun e shitjes së pajisjeve hidrosanitare.
Nga Kukësi janë vëllezërit Basri e Hysen Rruka. I pari i njohur për tregtinë e elektroshtëpiakeve dikur, me fillimin e sistemit kapitalist në Shqipëri e më pas, si përfqësues për Shqipërinë i Mercedes Benzit. Vazhdoi për një periudhë të gjatë deri në momentin që e quajti të arsyeshme ta shistebiznesit e tij tek Grupi Kastrati. Edhe Hysen Rruka është i njohur për disa përfaqësi të huaja si Siemennsi etj.
Nga Kukësi ishte edhe i ndjeri Arjan Musa, i cili kishte kompaninë e tregtimit të makinave “Noshi” e që tregtonte markën Opel.
Po nga Kukësi është deputeti biznesmen Flamur Hoxha, një nga pionierët e biznesit fason në Shqipëri. E meqë po flasim për qarkun, i cili përfshin Kukësin, Tropojën dhe Hasin nuk mund të lemë pa listuar edhe dy biznesmenët e mirënjohur tropojanë, Avni Ponari dhe Ram Geci, të cilët forcojnë ndjeshëm formacionin e biznesmenëve të mëdhenj me origjinë nga qarku. Janë edhe disa të tjerë, por kaq mjafton për të evidentuar paradoksin. Dhe pyetja e natyrshme është se si është krijuar ky paradoks?
Së pari, këta biznesmenë që përmendëm, por edhe të tjerë janë bërë të tillë, pra i janë futur biznesit dhe janë rritur ndër vite duke dalë jashtë kornizave locale dhe duke thyer kufijtë rajonalë. Pjesa më e madhe e tyre u transferua në Tiranë që në momentet e para të ndërrimit të sistemit, ngritën një aktivitet e mirëmenaxhuan dhe arritën aty ku janë sot. Por është po ky factor, pra zhvillimi I aktivitetit të tyre në Tiranë apo Durrës arsyeja edhe se pse kapitali i investuar në mnyrë sistematike prej tyre ndër vite nuk ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë për zhvillimin e zonës së tyre të origjinës. Nëse secili nga biznesmenët e mëdhenj të Kukësit do të kishte një aktivitet me qendër në Kukës situata do të ishte më ndryshe. Sa për ilustrim, i vetmi që ka një aktivitet të mirëfilltë biznesi në atë zonë është Hajri Elezaj. Kompania e tij, “Lajthiza Invest” ka një impakt të rëndësishëm social për zonën, por ndërkohë, ai aty po konkretizon edhe investime të tjera, të cila edhe tani, por sidomos kur të përfundojnë do ta rrisin impaktin e kompanisë në zonë. Edhe Avni Ponari nuk i ka shpëtuar “detyrimit” për të investuar në zonën e vendlindjes, teksa ka ngritur në Valbonë resortin me të njëjtin emër.
Megjithatë është e kuptueshme që pasuria e disa individëve nuk përkthehet automatikisht në mirëqenie për gjithë popullsinë, sepse mungesa e investimeve publike, infrastruktura e dobët dhe papunësia mbeten sfida të mëdha në rajon. Kjo ndihmon që Kukësi si qark të jetë ende në nivele të larta varfërie, pavarësisht milionerëve që ka nxjerrë.