“Hienat”

“Hienat bankare” është libri i një gazetari investiguese amerikan, i cili trajton abuzimet e mëdha në sektorin bankar dhe financiar. Teksa kryente intervistat e shumta me punonjës të këtij sektori për vjeljen e informacionit të duhur, njëra nga pyetjet standarte që gazetari Greg Palast i bënte çdo të intervistuari ishte ajo se me cilën kafshë mund të krahasohen menaxherët e bankave. Mori  përgjigje të ndryshme, por në kokë iu fiksua përgjigja e dikujt që i krahasoi ata me hienat. Iu duk kuptimplotë ndaj  e  titulloi librin “hienat bankare”.

Edhe Shqipëria ka patur dhe ka hienat e saj. Për të kuptuar se kush kanë qenë hienat e saj mjafton një retrospektivë rreth skandaleve më të mëdha. Cili është skandali në i madh financiar pas vitit 1990? Ose cila është skema më e madhe mashtruese, nëpërmjet së cilës janë përfituar shuma kolosale financiare?
Kjo është një pyetje e vështirë sepse përgjatë 30 viteve mënyrat e vjedhjes kanë qenë të shumta dhe të larmishme. Ndaj, secili mund të japë versionin e tij në bazë të perceptimit  informacionit që ka dhe analizës që bën. Kështu, një kategori njerëzish mund të mbajnë për të tillë skemat piramidale në periudhën 1995-1997. Dhe nuk është se e kanë gabim. Sepse “VEFA”, Gjallica” “Shehaj”, “Kamberi”, “Cenaj” e të tjerë arritën që duke premtuar norma fitimi 30-100 për qind në muaj, të tërhiqnin në skemë pjesën më të madhe të popullsisë, së bashku edhe me emigrantë të shumtë.  Dhe sipas vlerësimeve të ndryshme janë rreth 1-1.2 miliardë dollarë të përvetësuara dhe të tjetërsuara, duke regjistruar kështu një nga skemat mashtruese më të personalizuara. Sepse, pikërisht pse ishin të tilla ndodhën edhe revoltat e vitit 97, si reagim i të vjedhjeve, ndaj atyre që ju kishin krijuar mundësitë e duhura vjedhësve. Skemat piramidale janë dëshmi e qartë se çfarë ndodh në kushtet kur mungon kontrolli dhe mbikëqyrja financiare si dhe kur korrupsioni  është në nivelin më të lartë të tij.
Por pyetjes së mësipërme një kategori tjetër njerëzish mund t’i përgjigjet duke paraqitur si skemën më të madhe të vjedhjeve kontrabandën dhe evazionin fiskal. Edhe këta kanë të drejtë në përzgjedhjen e tyre . Sepse të dyja këto janë dukuri që i kanë zhvatur buxhetit të shtetit, pra publikut qindra milionë dollarë çdo vit. Sidomos kontrabanda e karburanteve, e cigareve, kafesë apo pijeve alkolike ka qenë në nivele aq të larta sa kanë fry llogaritë e individëve me para, të cilat normalisht ishin të publikut. Por edhe evazioni fiskal ka qenë një gërryes sistematik i buxhetit të shtetit. Mosdeklarimi i aktivitetit në përmasat reale të tij me qëllim përfitimin e tatim fitimit që duhej paguar, TVSH-së apo sigurimeve shoqërore të punonjësve ka qenë mënyra se si prej “xhepave”  të buxhetit avullonin shuma kolosale parash.

Disa të tjerë mund të drejtojnë gishtin për të vecuar si skemën më të madhe të vjedhjes prokurimet publike. Nuk është se e kanë gabim. Sepse pothuaj gjysma e fondeve të prokuruara për investime   janë përvetësuar duke i dhënë publikut rrugë, spitale, shkolla e ndërtesa jocilësore e me difekte të mëdha.
Por edhe grabitja e bankave prej trekëndëshit biznesmen-vlerësues pasurie- staf i bankave bën pjesë tek skemat “brilante” të vjedhjes. Duke gjetur një pronë të caktuar për t’a vendosur për kolateral, “topi” pastaj i kalonte vlerësuesit, i cili, kundrejt fitimit të tij duhej të 4 apo 5-fishonte artificialisht vlerën e pronës. Në mënyrë që biznesmeni të përfitonte një kredi në masën 4 apo 5 herë më të madhe se sa ajo që mbulonte prona e tij. Letrat i shkonin në “rregull” stafit të bankave me në krye drejtuesin e saj, që nga ana e tyre kishin detyrë të mbyllnin sytë e aprovonin kredinë. Në dhjetor 2014, raporti i kredive me probleme ishte 22.8% e portofolit total të kredisë prej 600 miliardë lekë. Kjo dukuri është një shembull tipik i mashtrimit financiar nëpërmjet fryrjes artificiale të kolateralit dhe keqpërdorimit të kredive bankare. Në thelb, kjo ishte një skemë e organizuar midis biznesmenëve, vlerësuesve të pasurive dhe vetë bankave, që rezultoi me humbje masive për sistemin bankar dhe, në fund të fundit, për ekonominë dhe qytetarët.

Sigurisht që bankat e rregulluan situatën e sistemit duke ristrukturuar kreditë, duke shitur një pjesë të kredive të këqija tek kompanitë e administrimit të borxheve, duke fshirë nga bilancet kreditë pa shpresë kthimi, me marrjen e kolateraleve apo edhe nëpërmjet përmirësimeve ligjore.

Sot sektori bankar është në lulëzim megjithatë vjedhja që i është bërë nëpërmjet kredive të këqia apo fryrjes së kolateraleve mbetet një njollë e zezë në historinë e tij. Me pak shanse për të ndodhur sërish.