Sigurimet, investim, jo “gjobë”

Landin kisha shumë kohë pa e takuar. Aq kohë, sa ajo ishte e mjaftueshme që secili prej nesh të shikonte tek njëri tjetri gjurmët e kohës që kishte kaluar pa kontakt visual. Megjithatë Landi kishte mbetur po ai djalë simpatik, i qeshur dhe me humor. Vecse mbipesha e tij dallohej me lehtësi të madhe. Ia vura në dukje këtë dhe ai e pranoi që nëpërmjet ndryshimeve graduale, tani ishte vënë përpara faktit të kryer dhe që ajo ia kishte prishur cilësinë e jetës.

“Duhet ti vesh objektiv vetes të humbësh kilogramë, megjithëse Leo Buscaglio ka shkruar se nuk është e thënë diku se të gjithë duhet të jenë 80 kg”, i thashë me humor. Pas pak javësh e takova sërish, dhe një “firo” disa kilogramëshe vihej re lehtë.

“Më duket se i qënke futur punës për realizimin e objektivit”, i thashë duke qeshur.

“Është dobësim nga halli”, më tha ai  dhe vazhdoi më tej duke më dhënë sqarime për të mos më lënë të vuaja me hipoteza të ndryshme.

“Shkova në Austri për të bërë një vizitë mjekësore dhe aty më thanë se duhet të kryeja patjetër një operacion. E bëra operacionin dhe tani më kanë vënë objektivin për të humbur një sasi të madhe të peshës”. Ndonëse e dija që nuk ishte keq nga ana financiare, pasi ai është biznesmen, nuk ndejta pa e bërë atë pyetjen kureshtare në të tilla raste që lidhet me koston e operacionit.

“Operacioni në Vienë kushtoi, por pata fat sepse një pjesë të mirë të tij ma pagoi siguracioni”. I intriguar nga fakti që ndodhesha përpara një fakti që përconte një mesazh të fortë, këmbëngula më tej për historinë e siguracionit të jetës dhe shëndetit që ai dispononte. Dhe shpjegimet e tij e bënin historinë fantastike.

“Kisha marrë një kredi në një bankë për biznesin dhe banka më “detyroi” të bëj sigurim jete dhe shëndeti. Ishte pikërisht ky sigurim që më zgjidhi punë dhe nuk më “vrau” nga financat pasi më përballoi një pjesë të madhe të faturës”, tha Landi.

Historia e tij është një shembull i qartë se si sigurimi i shëndetit dhe jetës mund të mos duket i nevojshëm në momentin e nënshkrimit, por të bëhet jetik kur ndodh një situatë e papritur. Fillimisht, sigurimi ishte një kërkesë e bankës për kredinë, pra një detyrim, por më pas u shndërrua në një mjet shpëtimi që i kurseu atij një barrë financiare të madhe.

Kjo përvojë i ndryshoi atij perspektivën, duke e bërë ta shohë sigurimin jo si një kosto, por si një investim për sigurinë e tij dhe të familjes. Është një shembull i mirë se si një përvojë personale e fortë mund të ndryshojë qasjen ndaj planifikimit financiar dhe mbrojtjes ndaj rreziqeve. Shumë njerëz e shohin sigurimin si një shpenzim të kotë deri në momentin që vërtet kanë nevojë për të.

Ajo që e bën edhe më interesante këtë histori është që Landi nuk e la me kaq, marrëdhënien me sigurimet, por e bëri zakon. Sepse, nëse në rastin e marrjes së kredisë ai ishte siguruar me “detyrim”, cka fare kollaj mund të përkthehej si “gjobë” ndaj tij, herë të tjera ai filloi të sigurohej me dëshirë dhe me bindjen e plotë se sigurimi ishte veprimi më i mirë që mund të bënte. Që në të dy rastet sjell përfitim.  Në rastin e parë kur nuk përdoret do të thotë se arsyet mungojnë, pra personi i siguruar ka marrë lajmin pozitiv që ka kaluar edhe një vit me shëndet të mirë. Kurse në rrethana kur ndodh ajo për të cilën je siguruar, pra problemi shëndetësor, një siguracion kthehet në një thesar të vërtetë. Duke të hequr detyrimin për të gjetur paratë që kërkohen për raste të tilla qoftë duke marrë kredi apo borxhe apo edhe duke shpenzuar një sasi të madhe parash, të cilat fare mirë mund të përdoreshin në drejtime të tjera.

 Por kjo kërkon një ndryshim të mendësisë dhe një qasje më të ndërgjegjshme ndaj menaxhimit të rreziqeve. Historia që treguam mund të shërbejë si mësim edhe për të tjerë që nuk e marrin seriozisht sigurimin derisa përballen me një situatë të vështirë.

Kampioni i tekstilit

Qëkurse euro nisi zhvlerësimin karshi monedhës shqiptare, eksportuesit në përgjithësi, por sidomos, industria e prodhimit të këpucëve dhe ajo e tekstilit morën rrokopujën. Përfitimi i të ardhurave në euro dhe kryerja e pjesës më të madhe të shpenzimeve në lekë, e bënë zhleftësimin e euros në një faktor kryesor me të cilin argumentohen vështirësitë e sektorit. Por ama, jo i vetmi. Pasi këtij faktori i bashkangjiten edhe të tjerë, sikurse janë konkurenca e fortë nga jashtë, rritja e kostos së fuqisë punëtore nga njëri vit në tjetrin apo edhe dinamika e tregjeve ndërkombëtare. Fatkeqësisht, biznesmenët e këtij sektori në analizat e tyre për situatën e krijuar tregohen të përciptë, duke e reduktuar shkakun e krizës vetëm tek kursi i këmbimit. Të cekët e të përciptë tregohen edhe në rrugëzgjidhjet që japin për të kaluar vështirësitë, kur i bëjnë thirrje shtetit për ndihmë. Është e vërtetë se ulja e barrës tatimore apo subvencionet për rritjen e kapaciteteve prodhuese mund të jenë një lloj ndihme që mund ti ndihmojë biznesmenët e sektorit të prodhimit me porosi për të përshtatur aktivitetin e tyre në rrethana të reja. Por përpara kësaj ata duhet të aplikonin forma të tjera përshtatjeje sic mund të ishte diversifikimi i tregjeve, rinegocimi i kontratave apo shtimi i vlerës së shtuar në produkt. Dhe për të mos mbetur thjesht në teori, të cilën disa mund ta pranojnë e disa mund ta kundërshtojnë po i referohemi një shembulli konkret, i cili tregon se sa vlerë ka kuptimi i tendencave, si mund të përshtatesh me vështirësitë e krijuara, duke mundur që minimalisht të ruhet niveli ku ke arritur dhe maksimalisht të rritesh edhe më tej. Për Julian Bërxullin, pronarin dhe administratorin e kompanisë AMBRA kemi shkruar edhe herë të tjera. Kështu që ana interesante tek historia e tij nuk qëndron tek sqarimi i pyetjes se kush është ai. Por se cfarë dinamike ka përjetuar kompania e tij. Si ka mundur AMBRA të përballojë situatat e vështira, si ia ka dalë ajo të përshtatet në situatën e re të krijuar. Por përpara kësaj duhet të tregojmë se cila është gjendja e kompanisë aktualisht. AMBRA, së bashku me dy simotrat e saj, M Fashion dhe SL përgjatë vitit 2024 realizuan një aktivitet në kuotën e 11.5 milionë eurove. Rritja është e madhe, krahasuar me vitin paraardhës, kur xhiro ishte 7.5 milionë euro. Për rritjen e aktivitetit, qoftë nga ana sasiore e qoftë nga rentabiliteti, Julian Bërxulli ka ndjekur strategjinë e rritjes së bashkëpunimit me kompani të ndryshme. Duke gërshetuar ata me të cilët ka një historik bashkëpunimi me kompani të mirënjohura luksit si Burberry, Sain Laurent e së fundmi Dolce Gabana. Kjo mënyrë pune i ka mundësuar kompanisë jo vetëm numra më të mëdhenj sasiorë, por pjesë më të madhe financiare që mbeten në kompani.

Një rritje të madhe ka shënuar fuqia punëtore. Nga 500 punonjës që punonin në kompaninë AMBRA, tani numri i punonjësve ka shkuar në 950. Një numër i tillë të punësuarish është i përafruar me atë që siguronin edhe kombinatet e dikurshme të tekstilit. Sikurse tregojnë numrat, aktiviteti i kompanive të Julian Bërxullit, jo vetëm që nuk janë të ndikuara nga vështirësitë e sektorit, në kuptimin e rënies së aktivitetit, por përkundrazi, ato janë përmirësuar dhe zhvilluar më tej. Kurt ë tjerë tkurren, AMBRA rritet, kur të tjerët shkurtojnë fuqi punëtore, Juliani shton, Kurt ë tjerët pushtohen nga pesimizmi, Julian Berxulli shton investimet.  

Numrat flasin pra për një menaxhim të suksesshëm dhe strategji zgjerimi. Sepse Juliani është treguar vizionar. Nuk është përfshirë në korin e atyre që ankohen e ankohen sepse kjo konjukturë e pafavorshme e krijuar në sektorin e tyre i gjeti të papërgatitur. Por ka vepruar me fleksibilitet, ka vepruar shpejt dhe me strategji të qarta, gjë që i ka krijuar shanse jo vetëm mbijetese, por edhe rritjeje. Nuk është ndalur në investime. Nëse vjet thamë që ai i shtoi kompanisë së tij një ambient tjetër për shtim kapaciteti, po ashtu ka investuar rreth 750 mijë euro në ngritjen e një tjetër ambienti pune në ShënaVlash për kompaninë M Fashion si dhe një për kompaninë SL. Nga ana tjetër, më në fund ai realizoi ëndrrën e hershme të tij për të prodhuar veshje të ndryshme me cikël të mbyllur, një aktivitet ky që i përmbledh të gjitha: sigurim lëndësh të para, modelim, prodhim dhe shitje produkti.

Ky inovacion, pra, kalimi nga prodhimi me porosi në krijimin dhe shitjen e produkteve të tij tregon një vizion afatgjatë dhe aftësi për të krijuar vlerë të shtuar.

Ajo është gjithashtu edhe një mënyrë funksionimi e vecantë sepse, ndërsa shumë kompani të tekstilit në Shqipëri, dhe jo vetëm, operojnë si nënkontraktorë, Julian Bërxulli ka zgjedhur të krijojë një identitet të ri në treg. Duke dëshmuar kështu se është i aftë për vendimmarrje të guximshme, të ndërmarra edhe atëhere kur shumica nuk e gjykojnë si kohën e duhur. Duke shkruar një histori suksesi me kompanitë e tij, ai ka ndërtuar ndërkohë edhe një model frymëzues për sipërmarrës të tjerë, duke treguar kështu se suksesi është i mundur edhe në një sektor sfidues.

Suksesi nuk sigurohet vetëm me pallate e kulla

Prej 3 ditësh ka hapur dyert spitali i ri veterinar i Tiranës. Vetëm tani mund të themi që katërputroshët, por edhe kafshë të tjera kanë në dispozicionin e tyre një spital modern, të pajisur mirë dhe me ambiente të bollshme. Spitali ofron pajisje dhe teknologji të përparuar, duke mundësuar diagnostikim dhe trajtim më efektiv të sëmundjeve dhe lëndimeve tek kafshët.

Me hapësira të dedikuara për procedura specifike, kafshët marrin kujdesin e duhur në një mjedis të sigurt dhe të përshtatshëm për nevojat e tyre.

Ndërkohë që kushtet e përmirësuara në këtë spital modern reduktojnë stresin dhe rrisin rehatinë e kafshëve gjatë trajtimeve dhe qëndrimit të tyre.

Duke qenë se ai është  ndërtuar ngjitur me ndërtesën e vjetër,(e cila pretendon të kthehet në supermarket) madhështia dhe bukuria e spitalit të ri theksohet edhe më tepër. Kjo godinë e bukur që i shërben shëndetit të kafshëve tregon se suksesi nuk është i lidhur domosdoshmërisht vetëm me pallatin apo me kullën, që aq shumë po shpeshtohen në Kryeqytet. Mund të rrokësh suksesin edhe në këtë mënyrë. Pra, duke ndërtuar një njësi shërbimi, duke ofruar shërbim të specializuar mjekësor për kafshët shoqëruese, që njerëzit i duan aq shumë. Siç ka vepruar Marvin Brahja me kolegët e tij veterinerë.

I njohur si “Spitali Veterinar i Ballkanit” ky investim pritet ta pozicionojë Tiranën si një qendër rajonale për kujdesin veterinar.