Qëkurse euro nisi zhvlerësimin karshi monedhës shqiptare, eksportuesit në përgjithësi, por sidomos, industria e prodhimit të këpucëve dhe ajo e tekstilit morën rrokopujën. Përfitimi i të ardhurave në euro dhe kryerja e pjesës më të madhe të shpenzimeve në lekë, e bënë zhleftësimin e euros në një faktor kryesor me të cilin argumentohen vështirësitë e sektorit. Por ama, jo i vetmi. Pasi këtij faktori i bashkangjiten edhe të tjerë, sikurse janë konkurenca e fortë nga jashtë, rritja e kostos së fuqisë punëtore nga njëri vit në tjetrin apo edhe dinamika e tregjeve ndërkombëtare. Fatkeqësisht, biznesmenët e këtij sektori në analizat e tyre për situatën e krijuar tregohen të përciptë, duke e reduktuar shkakun e krizës vetëm tek kursi i këmbimit. Të cekët e të përciptë tregohen edhe në rrugëzgjidhjet që japin për të kaluar vështirësitë, kur i bëjnë thirrje shtetit për ndihmë. Është e vërtetë se ulja e barrës tatimore apo subvencionet për rritjen e kapaciteteve prodhuese mund të jenë një lloj ndihme që mund ti ndihmojë biznesmenët e sektorit të prodhimit me porosi për të përshtatur aktivitetin e tyre në rrethana të reja. Por përpara kësaj ata duhet të aplikonin forma të tjera përshtatjeje sic mund të ishte diversifikimi i tregjeve, rinegocimi i kontratave apo shtimi i vlerës së shtuar në produkt. Dhe për të mos mbetur thjesht në teori, të cilën disa mund ta pranojnë e disa mund ta kundërshtojnë po i referohemi një shembulli konkret, i cili tregon se sa vlerë ka kuptimi i tendencave, si mund të përshtatesh me vështirësitë e krijuara, duke mundur që minimalisht të ruhet niveli ku ke arritur dhe maksimalisht të rritesh edhe më tej. Për Julian Bërxullin, pronarin dhe administratorin e kompanisë AMBRA kemi shkruar edhe herë të tjera. Kështu që ana interesante tek historia e tij nuk qëndron tek sqarimi i pyetjes se kush është ai. Por se cfarë dinamike ka përjetuar kompania e tij. Si ka mundur AMBRA të përballojë situatat e vështira, si ia ka dalë ajo të përshtatet në situatën e re të krijuar. Por përpara kësaj duhet të tregojmë se cila është gjendja e kompanisë aktualisht. AMBRA, së bashku me dy simotrat e saj, M Fashion dhe SL përgjatë vitit 2024 realizuan një aktivitet në kuotën e 11.5 milionë eurove. Rritja është e madhe, krahasuar me vitin paraardhës, kur xhiro ishte 7.5 milionë euro. Për rritjen e aktivitetit, qoftë nga ana sasiore e qoftë nga rentabiliteti, Julian Bërxulli ka ndjekur strategjinë e rritjes së bashkëpunimit me kompani të ndryshme. Duke gërshetuar ata me të cilët ka një historik bashkëpunimi me kompani të mirënjohura luksit si Burberry, Sain Laurent e së fundmi Dolce Gabana. Kjo mënyrë pune i ka mundësuar kompanisë jo vetëm numra më të mëdhenj sasiorë, por pjesë më të madhe financiare që mbeten në kompani.
Një rritje të madhe ka shënuar fuqia punëtore. Nga 500 punonjës që punonin në kompaninë AMBRA, tani numri i punonjësve ka shkuar në 950. Një numër i tillë të punësuarish është i përafruar me atë që siguronin edhe kombinatet e dikurshme të tekstilit. Sikurse tregojnë numrat, aktiviteti i kompanive të Julian Bërxullit, jo vetëm që nuk janë të ndikuara nga vështirësitë e sektorit, në kuptimin e rënies së aktivitetit, por përkundrazi, ato janë përmirësuar dhe zhvilluar më tej. Kurt ë tjerë tkurren, AMBRA rritet, kur të tjerët shkurtojnë fuqi punëtore, Juliani shton, Kurt ë tjerët pushtohen nga pesimizmi, Julian Berxulli shton investimet.
Numrat flasin pra për një menaxhim të suksesshëm dhe strategji zgjerimi. Sepse Juliani është treguar vizionar. Nuk është përfshirë në korin e atyre që ankohen e ankohen sepse kjo konjukturë e pafavorshme e krijuar në sektorin e tyre i gjeti të papërgatitur. Por ka vepruar me fleksibilitet, ka vepruar shpejt dhe me strategji të qarta, gjë që i ka krijuar shanse jo vetëm mbijetese, por edhe rritjeje. Nuk është ndalur në investime. Nëse vjet thamë që ai i shtoi kompanisë së tij një ambient tjetër për shtim kapaciteti, po ashtu ka investuar rreth 750 mijë euro në ngritjen e një tjetër ambienti pune në ShënaVlash për kompaninë M Fashion si dhe një për kompaninë SL. Nga ana tjetër, më në fund ai realizoi ëndrrën e hershme të tij për të prodhuar veshje të ndryshme me cikël të mbyllur, një aktivitet ky që i përmbledh të gjitha: sigurim lëndësh të para, modelim, prodhim dhe shitje produkti.
Ky inovacion, pra, kalimi nga prodhimi me porosi në krijimin dhe shitjen e produkteve të tij tregon një vizion afatgjatë dhe aftësi për të krijuar vlerë të shtuar.
Ajo është gjithashtu edhe një mënyrë funksionimi e vecantë sepse, ndërsa shumë kompani të tekstilit në Shqipëri, dhe jo vetëm, operojnë si nënkontraktorë, Julian Bërxulli ka zgjedhur të krijojë një identitet të ri në treg. Duke dëshmuar kështu se është i aftë për vendimmarrje të guximshme, të ndërmarra edhe atëhere kur shumica nuk e gjykojnë si kohën e duhur. Duke shkruar një histori suksesi me kompanitë e tij, ai ka ndërtuar ndërkohë edhe një model frymëzues për sipërmarrës të tjerë, duke treguar kështu se suksesi është i mundur edhe në një sektor sfidues.