Suksesi nuk sigurohet vetëm me pallate e kulla

Prej 3 ditësh ka hapur dyert spitali i ri veterinar i Tiranës. Vetëm tani mund të themi që katërputroshët, por edhe kafshë të tjera kanë në dispozicionin e tyre një spital modern, të pajisur mirë dhe me ambiente të bollshme. Spitali ofron pajisje dhe teknologji të përparuar, duke mundësuar diagnostikim dhe trajtim më efektiv të sëmundjeve dhe lëndimeve tek kafshët.

Me hapësira të dedikuara për procedura specifike, kafshët marrin kujdesin e duhur në një mjedis të sigurt dhe të përshtatshëm për nevojat e tyre.

Ndërkohë që kushtet e përmirësuara në këtë spital modern reduktojnë stresin dhe rrisin rehatinë e kafshëve gjatë trajtimeve dhe qëndrimit të tyre.

Duke qenë se ai është  ndërtuar ngjitur me ndërtesën e vjetër,(e cila pretendon të kthehet në supermarket) madhështia dhe bukuria e spitalit të ri theksohet edhe më tepër. Kjo godinë e bukur që i shërben shëndetit të kafshëve tregon se suksesi nuk është i lidhur domosdoshmërisht vetëm me pallatin apo me kullën, që aq shumë po shpeshtohen në Kryeqytet. Mund të rrokësh suksesin edhe në këtë mënyrë. Pra, duke ndërtuar një njësi shërbimi, duke ofruar shërbim të specializuar mjekësor për kafshët shoqëruese, që njerëzit i duan aq shumë. Siç ka vepruar Marvin Brahja me kolegët e tij veterinerë.

I njohur si “Spitali Veterinar i Ballkanit” ky investim pritet ta pozicionojë Tiranën si një qendër rajonale për kujdesin veterinar.

Të bojkotojmë ata që paguajnë taksa në favor të atyre që s’paguajnë?!

Sikurse mund ti ketë rënë në sy cdokujt, së fundmi është ndërmarrë një iniciativë e cila synon bojkotin e blerjeve nëpër supermarkete një ditë të muajit shkurt. Qëllimi sipas organizatorëve është protesta në këtë mënyrë ndaj cmimeve të larta me të cilat hasen konsumatorët nëpër supermarkete. Sigurisht që konsumatorët kanë arsye legjitime për tu ankuar për cmimet e larta e po ashtu kanë edhe të drejtën për të reaguar. Mirëpo ankesat e tyre karshi cmimeve janë në unison edhe me ankesat e operatorëve të tregut për të mbajtur cmimet në nivele që për konsumatorin do të ishin të pranueshme. Kjo do të thotë që adresimi i shkakut pse cmimet e produkteve të ndryshme janë të larta është i gabuar. Ato nuk janë të tilla sepse konkurenca në retail nuk funksionon. Përkundrazi, funksionon shumë mirë, aq sa bëhet fjalë për mbipopullim të sektorit me operatorë.

 Ato nuk janë të larta prej grykësisë së pronarëve të kompanive për të fituar sa më shumë sepse këtë ia lejon struktura e tregut që nuk garanton konkurencë. Sikurse e kemi shpejguar edhe një një shkrim tjetër me këtë temë, tregu i supermarketeve përfshin rreth 800 operatorë. Kurse kompani të mëdha  që menaxhojnë zinxhirë supermarketesh janë të paktën 8-9. Edhe bilancet e veprimtarisë së këtyre kompanive të mëdha dëshmojnë për aktivitete me rentabilitet të ulët, cka tregon se cmimet e larta nëpër supermarkete nuk janë pasojë e rritjes së marxheve të fitimit, por janë rrjedhojë e disa faktorëve të tjerë.

Së pari, sikurse e kemi shpjeguar edhe herë të tjera, cmimet e mjaft produkteve në Shqipëri janë të larta, më të larta se sa e disa vendeve të rajoni, pikërisht sepse vendi ynë aplikon TVSh për ushqimet në masën 20 për qind. Ndërkohë që vende të tilla si Italia, Kosova, Maqedonia, Serbia etj, aplikojnë TVSH për mjaft produkte ushqimore bazë nga 6-10 për qind.

Së dyti është kostoja e lartë e importit. Shqipëria importon shumicën e produkteve ushqimore dhe cmimet ndikohen nga kursi i këmbimit, tarifat doganore, cmimet ndërkombëtare etj.

Së treti është mungesa e ekonomisë së shkallës. Shqipëria është një treg i vogël, cka bën që zinxhirët e supermarketeve të mos përfitojnë nga blerjet me shumicë në të njëjtën shkallë si gjigandët ndërkombëtare.

Së katërti, biznesi i realizuar nga supermarketet dhe zinxhirët e e supermarketeve është tërësisht i formalizuar. Cka do të thotë që këta biznese i paguajnë tërësisht taksat, të cilat, sigurisht që shkarkohen në cmimin përfundimtar të produktit. Ndryshe nga marketet, minimarketet dhe dyqanet e tjera të lagjeve që nuk dijnë cfarë është fatura.  Në këtë kuptim, rrjetet e supermarketeve ushtrojnë aktivitetin e tyre në kushtet kur pikërisht korrektesa fiskale dhe ligjore iu kthehet në dizavantazh konkurues.

Nga ana tjetër, kompanitë që tregtojnë nëpërmjet supermarketeve apo zinxhirit të supermarketeve kanë edhe kostot operacionale sikurse janë qiratë e objekteve, kostoja e transportit, kostoja e fuqisë punëtore etj. Dhe cmimet janë ato që janë. Pa patur fare hapësirë për të manovruar e për ti ulur disi ato. Sepse edhe kaq sa janë ato nuk iu garantojnë kompanive operuese ndonjë rentabilitet që mund të habisë ndokënd. SPAR që është një nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve me mbi 120 milionë euro qarkullim vjetor funksionon me një normë vjetore rentabiliteti prej 3-4 për qind. Edhe rrjetet e tjera si “Extra Market”, “Eco Market”, “Xhangolli”, “Big Market” etj po në këto nivele janë ose edhe më keq se kaq. Ndaj, e vetmja hapësirë që mund të krijohet për ulje cmimesh, e më pas edhe të protestohet po qe se nuk reflektohet nga pronarët, është ulja e TVSH në ato nivele që e kanë edhe vendet e tjera të rajonit.

Edhe në Perëndim ndërmerren nisma të tilla për bojkot të supermarketeve. Mirëpo filozofia e protestës është për të sensibilizuar konsumatorët për të shkuar e për të blerë direkt tek prodhuesi. Pra për të bojkotuar “hallkat e tepërta” të zinxhirit gjigand nga prodhuesi deri të tregtuesi fundor, që është supermarketi.  Ose nëse do të shpreheshim me humor, për të vepruar sipas filozofisë popullore “e lirë kripa në det, por e ha qeraja udhës”. Pikërisht eleminimin e këtyre  “qerave të udhës” synojnë të sensibilizojnë nisma të tilla. Bëhet fjalë pra për një nismë të arsyeshme teorikisht, pavarësisht se është tërësisht e pamundur për tu realizuar praktikisht. Kurse në realitetin shqiptar “bojkot supermarketeve” është një iniciativë, e imituar, por edhe e deformuar në thelbin e saj, pasi konsideron si shkak të cmimeve të larta, pangopësinë e pronarëve të supermarketeve dhe zinxhirëve të supermarketeve. Gjë që është plotësisht e pavërtetë. Por kjo është edhe garancia e madhe pse nisma të tilla janë të destinuara të dështojnë me sukses.

“Hienat”

“Hienat bankare” është libri i një gazetari investiguese amerikan, i cili trajton abuzimet e mëdha në sektorin bankar dhe financiar. Teksa kryente intervistat e shumta me punonjës të këtij sektori për vjeljen e informacionit të duhur, njëra nga pyetjet standarte që gazetari Greg Palast i bënte çdo të intervistuari ishte ajo se me cilën kafshë mund të krahasohen menaxherët e bankave. Mori  përgjigje të ndryshme, por në kokë iu fiksua përgjigja e dikujt që i krahasoi ata me hienat. Iu duk kuptimplotë ndaj  e  titulloi librin “hienat bankare”.

Edhe Shqipëria ka patur dhe ka hienat e saj. Për të kuptuar se kush kanë qenë hienat e saj mjafton një retrospektivë rreth skandaleve më të mëdha. Cili është skandali në i madh financiar pas vitit 1990? Ose cila është skema më e madhe mashtruese, nëpërmjet së cilës janë përfituar shuma kolosale financiare?
Kjo është një pyetje e vështirë sepse përgjatë 30 viteve mënyrat e vjedhjes kanë qenë të shumta dhe të larmishme. Ndaj, secili mund të japë versionin e tij në bazë të perceptimit  informacionit që ka dhe analizës që bën. Kështu, një kategori njerëzish mund të mbajnë për të tillë skemat piramidale në periudhën 1995-1997. Dhe nuk është se e kanë gabim. Sepse “VEFA”, Gjallica” “Shehaj”, “Kamberi”, “Cenaj” e të tjerë arritën që duke premtuar norma fitimi 30-100 për qind në muaj, të tërhiqnin në skemë pjesën më të madhe të popullsisë, së bashku edhe me emigrantë të shumtë.  Dhe sipas vlerësimeve të ndryshme janë rreth 1-1.2 miliardë dollarë të përvetësuara dhe të tjetërsuara, duke regjistruar kështu një nga skemat mashtruese më të personalizuara. Sepse, pikërisht pse ishin të tilla ndodhën edhe revoltat e vitit 97, si reagim i të vjedhjeve, ndaj atyre që ju kishin krijuar mundësitë e duhura vjedhësve. Skemat piramidale janë dëshmi e qartë se çfarë ndodh në kushtet kur mungon kontrolli dhe mbikëqyrja financiare si dhe kur korrupsioni  është në nivelin më të lartë të tij.
Por pyetjes së mësipërme një kategori tjetër njerëzish mund t’i përgjigjet duke paraqitur si skemën më të madhe të vjedhjeve kontrabandën dhe evazionin fiskal. Edhe këta kanë të drejtë në përzgjedhjen e tyre . Sepse të dyja këto janë dukuri që i kanë zhvatur buxhetit të shtetit, pra publikut qindra milionë dollarë çdo vit. Sidomos kontrabanda e karburanteve, e cigareve, kafesë apo pijeve alkolike ka qenë në nivele aq të larta sa kanë fry llogaritë e individëve me para, të cilat normalisht ishin të publikut. Por edhe evazioni fiskal ka qenë një gërryes sistematik i buxhetit të shtetit. Mosdeklarimi i aktivitetit në përmasat reale të tij me qëllim përfitimin e tatim fitimit që duhej paguar, TVSH-së apo sigurimeve shoqërore të punonjësve ka qenë mënyra se si prej “xhepave”  të buxhetit avullonin shuma kolosale parash.

Disa të tjerë mund të drejtojnë gishtin për të vecuar si skemën më të madhe të vjedhjes prokurimet publike. Nuk është se e kanë gabim. Sepse pothuaj gjysma e fondeve të prokuruara për investime   janë përvetësuar duke i dhënë publikut rrugë, spitale, shkolla e ndërtesa jocilësore e me difekte të mëdha.
Por edhe grabitja e bankave prej trekëndëshit biznesmen-vlerësues pasurie- staf i bankave bën pjesë tek skemat “brilante” të vjedhjes. Duke gjetur një pronë të caktuar për t’a vendosur për kolateral, “topi” pastaj i kalonte vlerësuesit, i cili, kundrejt fitimit të tij duhej të 4 apo 5-fishonte artificialisht vlerën e pronës. Në mënyrë që biznesmeni të përfitonte një kredi në masën 4 apo 5 herë më të madhe se sa ajo që mbulonte prona e tij. Letrat i shkonin në “rregull” stafit të bankave me në krye drejtuesin e saj, që nga ana e tyre kishin detyrë të mbyllnin sytë e aprovonin kredinë. Në dhjetor 2014, raporti i kredive me probleme ishte 22.8% e portofolit total të kredisë prej 600 miliardë lekë. Kjo dukuri është një shembull tipik i mashtrimit financiar nëpërmjet fryrjes artificiale të kolateralit dhe keqpërdorimit të kredive bankare. Në thelb, kjo ishte një skemë e organizuar midis biznesmenëve, vlerësuesve të pasurive dhe vetë bankave, që rezultoi me humbje masive për sistemin bankar dhe, në fund të fundit, për ekonominë dhe qytetarët.

Sigurisht që bankat e rregulluan situatën e sistemit duke ristrukturuar kreditë, duke shitur një pjesë të kredive të këqija tek kompanitë e administrimit të borxheve, duke fshirë nga bilancet kreditë pa shpresë kthimi, me marrjen e kolateraleve apo edhe nëpërmjet përmirësimeve ligjore.

Sot sektori bankar është në lulëzim megjithatë vjedhja që i është bërë nëpërmjet kredive të këqia apo fryrjes së kolateraleve mbetet një njollë e zezë në historinë e tij. Me pak shanse për të ndodhur sërish.

Pse asnjë profesor shqiptar i ekonomisë nuk është milioner?

Vasil Naci është një prej biznesmenëve më të njohur e më të suksesshëm shqiptar. AGNA Group, Pronar dhe President i të cilit ai është ka aktivitete në disa sektorë të biznesit shqiptar. Mirëpo prej disa vitesh, Vasil Naci ka fituar edhe statusin e lektorit, duke formuluar, duke predikuar e duke ofruar rrugën se si mund të arrihet suksesi në biznes. Sigurisht që një sipërmarrje e tillë, sikurse është aktiviteti “Rruga drejt suksesit” përfaqëson ndërkohë mënyrën se si Vasil Naci ka menduar të bëhet edhe më shumë i dobishëm për të tjerët, duke përcuar tek ta atë cka ai ka mësuar dhe ka jetësuar. AGNA Group me një aktivitet vjetor rreth 350 milionë euro është  kartvizita e duhur për ta bërë Vasil Nacin lektor të mirë. Nga ana tjetër, vetë Vasil Naci është një student i përhershëm dhe i përulur teksa merr pjesë përgjatë cdo viti në trajnime të ndryshme ndërkombëtare, ku lektorë e trajnerë janë guru të biznesit ndërkombëtar. Pra, Vasil Naci ka c’të tregojë, ka c’të sugjerojë, ka c’të rekomandojë, ka c’të ofrojë, ka c’të mësojë. Statusi i lektorit për rrugën që duhet përshkuar për të siguruar sukses përfaqëson përpjekjen e tij për tu përmirësuar vazhdimisht, për tu perfeksionuar e për tu realizuar edhe më shumë. Sepse, sikurse ka thënë vetë dikur, “historinë me paratë unë e kam mbyllur që në vitin 1992”. Atë vit kur filloi biznesin, kur nisi këtë rrugë që e ka cuar sot në krijimin e një grupi biznesi, ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri.

Që një biznesmen kthehet në lektor kjo është kuptimplotë. Por mua më ka intriguar shumë e kundërta këtij fakti. Pra, ajo se si ka mundësi që asnjë nga profesorët shqiptarë të ekonomisë nuk ka mundur të ngrejë një biznes të tijin, për të konkretizuar të gjitha ato njohuri që ata kanë e që i transmetojnë tek studentët në trajtë leksionesh?! Personalisht kam medituar shpesh rreth arsyeve që kanë cuar në këtë realitet, ku në biznesin shqiptar nuk ka asnjë aktivitet të madh, të krijuar nga profesorët e ekonomisë. Dhe kam gjetur disa arsye justifikuese apo më saktë shpjeguese nëpërmjet “monologut” tim. Një nga arsyet lidhet me fokusimin tek teoria dhe jo tek praktika. Profesorët e ekonomisë shpesh specializohen në analizë teorike dhe kërkime akademike, por këto nuk përkthehen gjithmonë në aftësi praktike për të bërë para. Një arsye tjetër mund të jetë përzgjedhja nga ana e profesorëve e një karriere ku dominon pasioni për mësimdhënien dhe kërkimin shkencor dhe jo domosdoshmërisht dëshira për të bërë para.

Nga ana tjetër, shumica e profesorëve mund të preferojnë një pagë fikse, e cila është e pakrahasueshme me fitimet potenciale të sipërmarrësve të suksesshëm.

Por teorikisht mund të ketë edhe një sërë shkaqesh e arsyesh të tjera. Për shembull, profesorëve të ekonomisë nuk iu pëlqen marrja e riskut përsipër, ndaj ata i qëndrojnë rrugës së sigurt dhe të qëndrueshme të të ardhurave. E kundërta ndodh me sipërmarrësit, sikurse e kemi shpjeguar edhe në mjaft profile biznesi që kemi trajtuar në kuadër të botimit kombëtar “Biznesi Shqiptar: Më të Mirët”. Por mund të jenë edhe mungesa e kapitalit fillestar apo fokusimi. Sepse mjaft prej tyre investojnë kohën dhe energjinë në kërkime dhe publikime, por këto nuk I ndihmojnë në zhvillimin e aftësive për të krijuar pasuri të madhe.

E megjithatë, kushdo qoftë arsyeja, fakti është se asnjë nga profesorët shqiptarë të ekonomisë nuk ka mundur të konkretizojë “leksionin” numër 1 të biznesit: identifikimin e një produkti apo shërbimi për të cilin ata të kalkulojnë se ka blerës apo përdorues flet shumë. Por nuk janë vetëm profesorët shqiptarë me këtë “difekt”. Pyetja në titull të këtij shkrimi ka vlerë thuajse për të gjithë profesorët e ekonomisë në botë. Dhe për të kuptuar edhe më mirë arsyet, përvec atyre që rreshtuam teorikisht më lart, po iu ofrojmë një shkrim shumë interesant, botuar nga Telegraf rreth kësaj teme afro 4 vite më parë.

https://telegrafi.com/pse-profesoret-e-ekonomise-nuk-jane-miliardere/

Paradoksi i Kukësit, qarku më i varfër, por me biznesmenët më të mëdhenj

Qarku i Kukësit është më i varfëri në Shqipëri. Dhe kjo nuk është cështje perceptimi. Pasi pasuritë e shumta natyrore që ndodhen në këtë qark si mineralet, pyjet, hidrocentrali, liqeni, Alpet apo edhe pozicioni kufitar i tij me Kosovën nuk favorizojnë pra perceptimin e vërfërisë, por nxisin iluzionin e kundërt. E megjithatë janë tregues të tjerë ato që i japin qarkut verior statusin e padëshiruar. Mbi 5000 familje trajtohen me ndihmë ekonomike vetëm në Bashkinë e Kukësit. Rreth 50 për qind e forcave të afta për punë janë pa punë. Tek të rinjtë kjo përqindje rritet duke shkuar në 60 për qind. Të ardhurat mesatare të një familjeje në qarkun e Kukësit janë pak më shumë se gjysma e mesatares në rang vendi. Numri i bizneseve për 1000 banorë është 42, pra një numër shumë i ulët. Emigracioni nga ana tjetër është i lartë. Këto e tregues të tjerë si këto i japin Kukësit “trofeun” e qarkut  më të varfër. Por  nga ana tjetër, si për paradoks, prej këtij qarku janë edhe disa nga biznesmenët më të mëdhenj në rang vendi.

Nga Kukësi është Shefqet Kastrati, grupi i të cilit e ka kaluar aktivitetin e 1 miliard eurove xhiro. Interesat e biznesit të këtij grupi janë shumë të gjëra. Ato përfshijnë tregtimin e karburanteve, ndërtimin, tregjet financiare, hotelerinë, menaxhimin e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit dhe Kukësit etj etj.

Nga Kukësi është Kadri Morina, një ndër biznesmenët e rëndësishëm në tregun financiar. Me dy kompani sigurimi dhe një bankë në zotërim.

Nga Kukësi është Shyqyri Duraku, i cili, në ditët e tij më të mira si biznesmen ishte ndër biznesmenët kryesorë të Shqipërisë me aktivitet në sektorin e karburanteve, sektorin hotelier, spitale private etj.

Nga Kukësi është Hajri Elezaj, pronari u kompanisë së prodhimit të ujit “Lajthiza”, kompanisë lider në tregun përkatës.

Nga Kukësi janë edhe Dervish Domi, pronar i fabrikës së miellit Atlas e Astrit Dobrushi, një biznesmen që merrt me minerale.

Po nga Kukësi është edhe Shani Peposhi, pronari i kompanisë farmaceutike “Trimed”. Edhe pse tashmë i tërhequr prej biznesit, sërish, kompania që ka krijuar e që menaxhohet tashmë nga fëmijët e tij është kompani e rëndësishme e tregut farmaceutik. Nga Kukësi janë edhe vëllezërit Billa, të cilët kanë krijuar prej vitesh kompaninë me të njëjtin emër dhe që pozicionohet fuqishëm në tregun e shitjes së pajisjeve hidrosanitare.

Nga Kukësi janë vëllezërit Basri e Hysen Rruka. I pari i njohur për tregtinë e elektroshtëpiakeve dikur, me fillimin e sistemit kapitalist në Shqipëri e më pas, si përfqësues për Shqipërinë i Mercedes Benzit. Vazhdoi për një periudhë të gjatë deri në momentin që e quajti të arsyeshme ta shistebiznesit e tij tek Grupi Kastrati. Edhe Hysen Rruka është i njohur për disa përfaqësi të huaja si Siemennsi etj.

Nga Kukësi ishte edhe i ndjeri Arjan Musa, i cili kishte kompaninë e tregtimit të makinave “Noshi” e që tregtonte markën Opel.

Po nga Kukësi është deputeti biznesmen Flamur Hoxha, një nga pionierët e biznesit fason në Shqipëri. E meqë po flasim për qarkun, i cili përfshin Kukësin, Tropojën dhe Hasin nuk mund të lemë pa listuar edhe dy biznesmenët e mirënjohur tropojanë, Avni Ponari dhe Ram Geci, të cilët forcojnë ndjeshëm formacionin e biznesmenëve të mëdhenj me origjinë nga qarku. Janë edhe disa të tjerë, por kaq mjafton për të evidentuar paradoksin. Dhe pyetja e natyrshme është se si është krijuar ky paradoks?

Së pari, këta biznesmenë që përmendëm, por edhe të tjerë janë bërë të tillë, pra i janë futur biznesit dhe janë rritur ndër vite duke dalë jashtë kornizave locale dhe duke thyer kufijtë rajonalë. Pjesa më e madhe e tyre u transferua në Tiranë që në momentet e para të ndërrimit të sistemit, ngritën një aktivitet e mirëmenaxhuan dhe arritën aty ku janë sot. Por është po ky factor, pra zhvillimi I aktivitetit të tyre në Tiranë apo Durrës arsyeja edhe se pse kapitali i investuar në mnyrë sistematike prej tyre ndër vite nuk ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë për zhvillimin e zonës së tyre të origjinës.  Nëse secili nga biznesmenët e mëdhenj të Kukësit do të kishte një aktivitet me qendër në Kukës situata do të ishte më ndryshe. Sa për ilustrim, i vetmi që ka një aktivitet të mirëfilltë biznesi në atë zonë është Hajri Elezaj. Kompania e tij, “Lajthiza Invest” ka një impakt të rëndësishëm social për zonën, por ndërkohë, ai aty po konkretizon edhe investime të tjera, të cila edhe tani, por sidomos kur të përfundojnë do ta rrisin impaktin e kompanisë në zonë. Edhe Avni Ponari nuk i ka shpëtuar “detyrimit” për të investuar në zonën e vendlindjes, teksa ka ngritur në Valbonë resortin me të njëjtin emër.

Megjithatë është e kuptueshme që pasuria e disa individëve nuk përkthehet automatikisht në mirëqenie për gjithë popullsinë, sepse mungesa e investimeve publike, infrastruktura e dobët dhe papunësia mbeten sfida të mëdha në rajon. Kjo ndihmon që Kukësi si qark të jetë ende në nivele të larta varfërie, pavarësisht milionerëve që ka nxjerrë.

Deputetë të dështuar, biznesmenë të parakaluar!

Edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme ku do të votohet për 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. E sigurtë është që në adresë të biznesmenëve të ndryshëm do të shkojnë ftesa nga partitë politike për të garuar nën siglën e tyre. Fundja, kështu ka ndodhur në të kaluarën e kështu pritet të ndodhë edhe në zgjedhjet që po vijnë. Sepse në Kuvendin e Shqipërisë kanë hyrë e kanë dalë me cilësinë e deputetit një aradhë e tërë biznesmenësh. Procesi i rekrutimit të biznesmenëve në politikë filloi me biznesmenin e njohur shijakas, Agron Duka. Duke qenë ndër të parët biznesmenë të suksesshëm në zonën e Shijakut e të Durrësit, por mbi të gjitha, duke qenë se aktivitetet e tij kishin një impakt të rëndësishëm social në atë kohë, nisur nga numri i të punësuarve apo marrëdhëniet e interesit që ato krijonin, ai u përzgjodh nga Fatos Nano për të garuar për PS-në. Ishte koha e sistemit elektoral mazhoritar, ku individët me reputacion ktheheshin në kandidatë të fortë për deputetë. Dhe fakti është se Agron Duka fitoi në atë periudhë mandatin e deputetit në një zonë aq të vështirë ku sic thuhej “edhe nëse kandidat i PD do të ishte një gomar real, ai do të votohej”. Fatos Nano e vazhdoi procesin kapërcimit të biznesmenëve në politikë duke përfshirë më pas biznesmenin shumë të njohur në atë kohë, Shyqyri Duraku. Edhe ky eksperiment rezultoi me sukses për ish-kryeministrin pasi biznesmeni kuksian e fitoi mandatin e tij në qytetin verior. Më pas futja e biznesmenëve në Kuvendin e Shqipërisë u kthye në një dukuri të zakonshme. Aq e zakonshme sa po të rrijmë e të numurojmë ata që kanë hyrë e kanë dalë, do të na duhet të shpenzojmë pak kohë. Sigurisht, kapërcimi nga biznesi në politikë ka disa dimensione që mund të jenë problematike, sidomos në kontekstin shqiptar. Ndërthurja e politikës dhe biznesit sjell përfitime të dyanshme, por po ashtu mund të krijojë konflikte të interesit, veçanërisht në mjedise ku mekanizmat e kontrollit janë të dobët. Ky kalim mund të jetë problematik për disa arsye kryesore:

Së pari prej konfliktit të interesit që krijohet. Biznesmenët shpesh kanë interesa të lidhura ngushtë me vendimet politike dhe kalimi në politikë rrit rrezikun që ata të përdorin pushtetin për të përfituar personalisht ose për të mbrojtur interesat e kompanive të tyre.

Së dyti, prej konkurrencës jo e barabartë: Nëse një politikan ka edhe interesa biznesi, mund të përdorë pozicionin për të favorizuar kompaninë e vet, duke krijuar një terren të pabarabartë për bizneset e tjera dhe duke dëmtuar ekonominë e tregut të lirë.

Së treti, prej korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike: Kapërcimi nga biznesi në politikë mund të shtojë rrezikun e korrupsionit, meqë individë me lidhje të forta në treg kanë më shumë motivim dhe mundësi për të përfituar nga fondet publike ose për të manipuluar procedurat e tenderimit.

Së katërti prej përkeqësimit të besimit publik: Kur biznesmenët përdorin politikën si një mjet për të avancuar interesat e tyre, publiku mund të humbasë besimin te qeveria dhe në procesin demokratik. Kjo, në afat të gjatë, e dëmton shumë stabilitetin politik dhe social.

Por realiteti shqiptar,  duket se nuk sugjeron raste të tilla flagrante ku ata biznesmenë që kanë “braktisur” biznesin për politikën të kenë krijuar konflikt të pastër interesi apo që të ketë kthyer në avantazh të biznesit të tyre të qënit në politikë. E kundërta është e vërtetë. Pjesa më e madhe e biznesmenëve-politikanë kanë paguar një kosto të madhe për bizneset e tyre, teksa ata kanë humbur pozitën që kanë patur në treg përpara kalimit në politikë. Shembulli më imirë ilustrues është ai i Agron Shehaj, ish deputet i PD-së, tashmë kryetar i Partisë “Mundësia”. Përpara se të hynte në politikë, kompania e tij ishte lidere e tregut ku operonte, ndërsa më pas ajo rrëshqiti shumë vende poshtë në hierarkinë e sektorit.  Sami Gjergji, ish deputet i PD-së dhe një nga biznesmenët kryesorë të sektorit të prodhimit të vezëve njohu një dishezë të vërtetë në momentitn kur hyri në politikë. Rakip Suli, ish deputet i PS-së përpara se të hynte në politikë kishte një kompani të fortë në punimet e gipsit. Por pas kapërcimit të tij në politikë emri i Aurora”-s është zhdukur nga qarkullimi. H.G, edhe ky një ish biznesmen i njohur bëri një “stash” 4 vjecar në Kuvendin e Shqipërisë, por humbi përmasat e dikurshme të tij si biznesmen.

Ka pastaj një kategori tjetër deputetësh, të cilëve iu është dashur të paguajnë një harac të madh nga sulmet publike të opozitës si përfitues të parave publike. Pavarësisht se shumat për të cilat akuzohen janë më shumë se qesharake për një biznesmen. Koco Kokëdhimës, sa për ilustrim, iu desh të lërë mandatin e deputetit, vetëm sepse kompania e tij e internetit “Abissnet” kishte lidhur një kontratë modeste shërbimi me një institucion publik. Deputetit tjetër milioner, Vullnet Sinajt  i duhet të durojë etiketimet më të rënda për një akuzë sikur kompania e tij BIG Market ka përfituar padrejtësisht një shumë…. qindramijë lekëshe!

Tkurrja e aktivitetit, kostot morale që kanë paguar e paguajnë deputetët nga akuzat e kundërshtarëve të tyre janë arsye që normalisht duhet të dekurajojnë biznesmenët për tiu përgjigjur pozitivisht ftesës së partive politike për te qënë në lista. E megjithatë shumë prej tyre pranojnë, duke na lënë pa përgjigje logjike dhe racionale rreth arsyes se pse pranojnë.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet që disa biznesmenë të sjellin përvoja të dobishme për vendimmarrjen në ekonomi dhe menaxhimin e burimeve, por do të ishte më e shëndetshme për demokracinë që kalimi i tyre në politikë të shoqërohej me masa të forta kontrolli për të parandaluar abuzimet dhe konfliktet e interesit. Nëse do të bëjmë një retrospektivë për të sjellë një shembull të mirë të deputetit  aktiv të ardhur nga bota e biznesit, njëri prej tyre është Pilo Kerri. I cili mori atributet e një deputeti të mirëfilltë që e “shijonte” postin nëpërmjet iniciativave ligjore, diskutimeve, debateve etj. Por edhe nëpërmjet një mënyre të tillë veprimi ai e vecoi veten nga kategoria e deputetëve të dështuar, edhe biznesi i tij pagoi koston përkatëse duke u tkurrur përsa kohë zgjati statusi i tij si deputet.

Cfarë makine të zgjedh e të blej?

Të blesh një makinë nuk është një vendim i lehtë. Përkundrazi është tejet i vështirë sepse pyetjet që e shoqërojnë këtë process e që iu duhet dhënë përgjigje janë të shumta. Cfarë makine të blej: të re apo të përdorur? Me karburant apo elektrike? Nëse vendos të blej makinë me karburant, të preferoj makinë me motor nafte apo benzine? Po sipas vendit dhe kompanive të prodhimit, të preferoj makinë gjermane, Italiane, franceze, apo makina japoneze, koreane ose kineze? Por këtyre pyetjeve iu jepet përgjigje, pasi më parë kandidat blerësi i makinës iu ka dhënë përgjigje disa pyetjeve të tjera. Të cilat janë pyetje shumë ndihmuese për të gjetur variantin më të mirë dhe për ta bërë vendimin për blerjen e një makinë veprim që nuk shoqërohet më pas me pakënaqësi e pishmane.

Duke qenë se zgjedhja e një makine varet nga nevojat dhe preferencat e individit përgjigja karshi pyetjeve që do të vijojnë ndihmon shumë në sqarimin e situatës.

Së pari, individi duhet ti përgjigjet pyetjes se për cfarë qëllimi  e do makinën. Nëse e do për udhëtime të përditshme në qytet atëhere duhet të preferojë makina të vogla dhe ekonomike. Ka sa sa të duash modele të tillë por sa për shembull ilustrues po përmendim Toyota Yaris, Hyundani i20, Volkswagen Polo etj.

Nëse makina duhet për udhëtime të gjata dhe komode ka lloje të tjera makinash-Sedane. Cdo shtëpi automobilistike ka modelin e vet në këtë kategori.

Po qe se makina duhet për terrene të vështira(off-road) atëhere këtë punë ta zgjidhin makinat SUV.

Nëse makina duhet për përdorim familjar të përshtatshme për këtë qëllim janë Minivans ose SUV.

Një pyetje e rëndësishme të cilin kandidat blerësi duhet tia bëj vetes është edhe ajo që ka lidhje llojin e makinës sa i takon energjisë që ajo përdor. Pra duhet të blejë një makinë me karburant apo makinë elektrike? Këto të fundit jo vetëm që kanë përhapje të shpejtë, por në vende si Norvegjia janë shumicë absolute ku në dhjetë makina të reja që shiten 9 janë elektrike. Dhe akoma më shumë do të vijojnë të përhapen, duke arritur që në një periudhë kohe të zëvëndësojnë tërësisht makinat me djegje të brendshme. Por nëse vendos të blesh makinë elektrike vërtet ke marrë një vendim të mirë sa i takon anës ekologjike dhe ekonomike, por nuk ke llogaritur problemet aktuale që shfaqen në realitetin shqiptar sa i takon infrastrukturës së karikimit.

Nëse zgjedh makinë me benzinë, këto makina kanë një kosto fillestare më të ulët dhe mirëmbajtje më të thjeshtë.

Alternativa e zgjedhjes së makinave me naftë shoqërohet me përfitimet se këto makina janë të përshtatshme për distanca të gjata dhe karakterizohen nga kursimi i karburantit.

Një nga pikëpyetjet e madha që ka një kandidat blerës i një makine është marka e saj. Makinat gjermane karakterizohen nga cilësia dhe luksi(Mercedes-Benz, BMË, Audi). Makinat japoneze si Toyota, Honda, Mazda, karakterizohen nga besueshmëria dhe kostot e ulëta të mirëmbajtjes.

Makinat koreane si Hyundai apo KIA janë të pajisura në mënyrë moderne dhe janë me cmime konkuruese.

Pasi iu ke dhënë përgjigje këtyre lloj pyetjeve cështja e zgjedhjes varet nga buxheti në dispozicion të blerjes së makinës. Sepse jo rrallë, shqiptarët e kanë mëse të zakonshme ti ngatërrojnë gjërat. Tjetër gjë duan e iu pëlqen, por pa patur buxhetin përkatës. Madje, buxheti është limitues dhe kushtëzues në marrjen e një vendimi të mirë. Me një buxhet nën 15 mijë euro mund të marrësh ose një makinë të përdorur në gjendje të mirë ose një model makine të vogël, por të re.

Nëse buxheti është më i madh dhe mund të arrijë deri në 30 mijë euro, atëhere ky buxhet konsiderohet i mjaftueshëm për të bërë tëndin një automjet të ri, të pajisur mirë dhe me performancë të lartë.

Ndërsa, po qe se në dispozicion të blerjes së një makine është një buxhet që i kalon të 30 mijë eurot, atëhere mund të sigurohet një automjet luksoz ose një makinë elektrike e teknologjisë së fundit.

Si konkluzion mund të thuhet se blerja e një makine nuk është një vendim që merret sipas variantit “kokë a pil”, por një vendim që duhet peshuar mirë nga ana logjike.

Drama e kursimtarëve

Egziston një rregull i pashkruar sipas të cilit kurrë nuk duhet shpenzuar aq sa fiton, por më pak. Sigurisht, këtij rregulli nuk mund ti nënshtrohen persona apo familje që bëjnë pjesë tek kategoria e të vërfërve, pasi të ardhurat e tyre,nuk mjaftojnë as për të plotësuar nevojat bazike të tyre. Por për persona e familje të tjera që nuk kategorizohen tek të varfërit kursimi është thuajse detyrim. Në emër të ndërtimit të një standarti jete realist, të qëndrueshëm dhe afagjatë. Po sa duhet kursyer? Nuk ka ndonjë manual apo “urdhëresë” të posacme për këtë qëllim, por zakonisht thuhet se buxheti familjar , sipas një modeli të zakonshëm duhet shpërndarë sipas formulës 50/30/20. Pra 50 për qind përfaqëson nevojat bazike për strehim, ushqim, transport. 30 për qind përfaqëson shpenzimet që duhen për transport, kurse 20 për qind sasinë që duhet kursyer ose të nevojshme për të shlyer borxhe që mund të jenë marrë. Dhe nuk është se shqiptarët nuk kursejnë sepse depozitat qoftë në lekë e qoftë në valutë vetëm janë rritur. Mirëpo, ndërsa logjika e menaxhimit të jetës i bën ata të kursejnë, të administrojnë të ardhurat e tyre në mënyrë racionale, problemi është se paratë e kursyera e të depozituara nëpër banka atyre iu janë kthyer në stress. Në dramë.  Në pamundësi reagimi. Zhvillimet ekonomike të vendit ku zhvleftësimi i euros në raport me lekun iu zhvleftësoi shqiptarëve edhe depozitat, inflacioni i brendshëm dhe ai i importuar ulën edhe vlerën reale të depozitave. Pasi interesat që paguajnë bankat për depozitat është i papërfillshëm. Kështu, në muajin dhjetor indeksi i cmimeve të konsumit arriti në nivelin e 117 për qind krahasuar me muajin dhjetor 2020. Cka do të thotë se edhe depozitat kanë humbur thuajse 12-17 për qind vlerën e tyre krahasuar me 4 vite më parë. Por nuk ndikon vetëm kaq dhe vetëm në këtë aspect. Edhe po qe se një depozitues ka bërë ndonjë investim në formën e blerjes së letrave me vlerë, sërish inflacioni zvogëlon fitimet e tyre reale që vijnë prej këtij investimi. Por drama kthehet në fakeqësi, kur, sikurse thamë edhe pak më lart nuk ke mundësi reagimi. Pra, edhe pse je i bindur që duhet të lëvizësh, që duhet të bësh dicka për të mbrojtur kursimet e tua, shikon që mundësitë reale për të reaguar e manovruar janë thuajse zero.

Po cilat janë format klasike të një reagimi për të mbrojtur kursimet e tij depozituesi nga inflacioni?

Mënyra më e zakonshme është investimi në aksione. Mirëpo kjo mënyrë investimi është teorike dhe thjesht jo mundësi konkrete në Shqipëri. Ekonomia shqiptare, edhe pse ka zyrtarisht mbi 32 vite që thuhet se është sistem kapitalist, nuk ka akoma bursë ku të listohen kompani të ndryshme për shitje-blerje aksionesh. Shumica e kompanive shqiptare madje janë me një  pronar individ.

Një formë tjetër e ruajtjes së kursimeve nga inflacioni është  blerja e bonove të indeksuara me inflacionin. Por edhe kjo është një metodë teorike, e cila nuk zbatohet në Shqipëri. Bonot e borxhit qeveritar shqiptar janë me interesa fiks dhe se si shkon më tej ecuria e inflacionit është cështje risku për blerësin e këtij borxhi. Aq më tepër që borxhi qeveritar është edhe një nga fushat e investimit të vetë bankave. Të cilat janë të privilegjuara, pasi nga njëra anë nuk paguajnë interesa për depozituesit, nga ana tjetër fitimin e siguruar e kanë neto sepse inflacioni bie mbi supet e depozituesit.

Alternativa e tretë e mbrojtjes së depozitave prej kursmeve është blerja e pasurive të paluajtshme. Këto pasuri e ruajnë mirë vlerën gjatë periudhave inflacioniste, por edhe gjatë kohërave normale. Mirëpo edhe kjo mënyrë mbrojtjeje sërish është e pazbatueshme për kursimtarin dhe depozituesin e zakonshëm. E para se nuk mund të blihen një pasuri e patundshme me kursime klasike të 20 për qind të buxhetit mujor familjar. Dhe e dyta, për arsye të realitetit shqiptar. Tregu i pasurive të paluajtshme ka njohur kërcime të mëdha cmimesh për efekt faktorësh specifikë, të cilët e kanë bërë një shtëpi apo një dyqan modest një ëndërr të parealizueshme për qytetarin e ndershëm. Dhe kështu prishet e gjithë skema racionale e të jetuarit me llogari, me planifikime e kursime.

.

Keqkuptimi i madh me cmimet e supermarketeve!

Perceptimi se cmimet e produkteve të ndryshme në supermarketet e Shqipërisë janë më të larta se sa në vende si Italia, Kosova, Maqedonia apo Serbia ka një përhapje jo të pakët tek konsumatorët shqiptarë.. Ai është bërë i mundur, së pari në saj të “studimeve” krahasuese që kanë bërë persona të ndryshëm, duke iu referuar cmimeve të një kategorie produktesh në supermarketet përkatëse të vendeve që krahasohen dhe së dyti, edhe nga eksperiencat konkrete që kanë persona të ndryshëm, të cilëve iu është dhënë mundësia të bëjnë blerje produktesh në vendet që përmendëm më lart. Dhe nuk është se nuk ka bazë pretendimi se shumë produkte që tregtohen nëpër supermarketet shqiptare- kryesisht ata që vijnë nga importi-tregtohen me cmime disi më të larta se sa nëpër supermarketet italiane, kosovare apo maqedonase. Pyetja që ka kuptim në këtë rast është ajo që tenton të nxjerrë shkakun e një realiteti të tillë. Pra, a janë cmimet më të larta sepse vetë tregu i retailit është i organizuar në një mënyrë të tillë që nuk garanton konkurencë, ndaj i “ngop” pronarët e rrjeteve zinxhir të supermarketeve dhe hipermarketeve me fitime të mëdha? Sigurisht që jo. Sepse në tregun përkatës bëjnë pjesë dhjetra kompani të mëdha e të vogla, të njohura e më pak të njohura, shumë të përhapura e më pak të përhapura, të cilët e zhvillojnë luftën e tyre në treg në kushtet e një konkurence të fortë. Biznesmenët nuk ndahen në njerëz të mirë apo të këqinj. Ata veprojnë sipas hapësirave që iu mundëson tregu. Janë të paktën 7 kompani të mëdha e rreth 30-40 të tjera më të vogla. Dhe sikurse kemi thënë edhe në një shkrim tjetër rreth kësaj teme, norma e fitimit që siguron kjo mënyrë funksionimi për aktorët e saj, varion nga 1-5 për qind që është një normë fitimi shumë modeste. Edhe historia e biznesit në këtë sektor nuk është inkurajuese. Mercator, rrjeti më i mirë i supermarketeve në Ballkan e mbylli aktivitetin në Shqipëri me humbje.

I madhi Carrefour e mbylli gjithashtu aktivitetin në Shqipëri, duke lenë pas 17 milionë euro borxhe. Del Haise, një nga ekselencat në Europë e mbylli me humbje dhe iku.

Conad, më i madhi në Itali punoi me humbje vjetore 2-2.5 milionë euro nga viti 2006 deri në vitin 2014. Dhe nuk është e tepër të kujtohet edhe fakti tjetër që ky treg është i formalizuar 100 për qind, formalizim ky që konkretizohet që nga dokumentimi i sasive të mallrave që hyjnë në doganë e deri tek shitja me pakicë në supermarket,  që bëhet me faturat përkatëse. Problemi është se me cmimet e produkteve të ndryshme, të shitura në rrjetet e supermarketeve është i njëjti keqkuptim si ai me karburantet. Shumë vetë nisen e bëjnë krahasime përkatëse me cmimet e karburanteve në Shqipëri dhe vende të tjera dhe e adresojnë shkakun gabim. Nëse cmimi i karburanteve në tregun shqiptar është aq sa është, kjo vjen si rrjedhojë e taksave që i ngarkohen karburantit dhe që i kthen kompanitë tregtuese të tij mbledhëse e taksave të qeverisë. Edhe në rastin e produkteve të ndryshme nëpër supermarkete, ajo që e bën diferencën kryesisht, është TVSH-ja, që në rastin e Shqipërisë është 20 për qind. Kurse vende të tjera e kanë shumë më poshtë.  Italia psh, një nga vendet nga ku importohen një sasi e madhe produktesh, për artikujt bazë ka një tatim 4-6 për qind, ndërsa për një kategori tjetër ushqimesh, 10 për qind.

Kosova, për ushqimet bazë norma e TVSH-së është 8 për qind. Në Maqedoninë e Veriut ushqimet bazë tatohen me një normë shumë të ulët, 5 për qind. Kurse Serbia e ka tatimin e ushqimeve bazë 10 për qind. Në të tilla kushte, me diferenca të mëdha në tatimet e ushqimeve bazë është e natyrshme që edhe cmimi fundor i tyre të jetë më i lartë në tregun shqiptar se sa  në ato të vendeve të tjera. Është gjithashtu e lehtë të merret me mend se përafrimi i cmimeve  dhe ulja e kostove për konsumatorët nuk është as cështje vullneti dhe as detyrë e biznesmenëve të këtij sektori. Pasi edhe kështu sic po funksionojnë, ata nuk është se po korrin ndonjë fitim kushedi se cfarë. Tregu e garanton konkurencën me kaq operatorë që janë në treg. Mjafton ti referohemi asaj tabloje që paraqesin në këtë konkurencë Spar dhe Conad si dy nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve. Në 1458 artikuj të krahasuar tek 944 artikuj cmimet janë të njëjta, në 271 prej tyre Conad ka cmime më të ulëta se sa Spar, kurse në 243 artikuj të tjerë, Conad ka cmime më të larta se sa Spar. Ndaj, ka vetëm një rrugë se si mund të ulen cmimet me të cilat përballen konsumatorët në supermarkete: ulja e tvsh-së, aplikimi i politikave tatimore për këtë sektor, të njëjta sikurse ajo që zbatojnë vendet që iu referuam më sipër. Nuk është e vështirë të kuptohen të vërteta kaq të thjeshta, përvec rasteve ku mbizotëron dashakeqësia. Ose interesi.

Si të mendojmë për një pension të rehatshëm?

Një kryetar i një shoqate pensionistësh ishte njëherë i ftuar në një auditor të rinjsh. “Sikur të ishe edhe një herë i ri, cfarë do bëje më mirë”, e pyeti moderatori i bisedës, duke tentuar kështu të krijojë mundësinë e një mesazhi për ata që ndiqnin bisedën. I ftuari, pasi u mendua pak sekonda u përgjigj: “sikur të isha edhe një herë i ri, do mendoja më shumë për pleqëri”.

Në fakt, pjesa më e madhe e atyre që sot kanë statusin e pensionistit bëjnë një jetë më shumë se të varfër. Pensionet që ata marrin nuk arrijnë të përmbushin nevojat më bazike të tyre. Mirëpo kur themi që për pleqëri duhet menduar sa më herët, mundësisht që në rininë e hershme, nuk e kemi fjalën vetëm për të mbetur në dorë të pensionit shtetëror. I cili, sado të dalë do të jetë në atë masë, që nuk do të garantojë një jetë me standart, nëse gjatë kohës active je mësuar të bësh jetë me standart. Të kujdesesh për një pension të rehatshëm do të thotë të mos e jetosh  kohën aktive sipas lajtmotivit “një jetë kemi, ndaj të bëjmë qejf”, por të konsiderosh jetën e pensionistit si një fazë reale të ciklit jetësor, e cila ka edhe ajo kostot e saj, sfidat e saj. Pra, për të planifikuar një pension të rehatshëm e për të mos patur telashet që kanë pensionistët e shumtë të sotëm, duhet patur parasysh se edhe pensionisti ka nevoja për ushqim, shëndetësi, strehim, transport, argëtim. Por ka edhe kosto të papritura që sic janë trajtimet mjekësore apo kujdesi afatgjatë. Pensionistët e sotëm shqiptarë kanë mundur të përballojnë disa nga këto shpenzime me ndihmën e fëmijëve që kanë jashtë sepse po të ishte për pensionin e tyre ata nuk kishin asnjë mundësi për to. Për të siguruar një standart mujor prej 1000 eurosh, për shembull, për një periudhë jetese si pensionist prej 20 vitesh, duke përfshirë edhe inflacionin, duhet një fond total tek afro 300 mijë euro. Por në rastin më të mirë pensioni shtetëror arrin të sigurojë një fond total prej afro 100 mijë euro për periudhën 20 vjecare për të cilën po bëjmë kalkulimet. Pikërisht diferenca mes asaj që nevojitet dhe asaj që të mundëson pensioni shtetëror përfaqëson edhe hendekun dhe sfidën për të mbushur me largpamësi në vitet e kohës në aktivitet. Kjo mund të mbushet po qe se ke menduar për të kursyer. Pra kur ke bërë një jetë me shpenzime të planifikuara, duke ndërtuar një standart jete realist për një kohë të gjatë. Kur ke përdorur fondet e pensioneve privatë, i cili të ka mundësuar të heqësh dicka menjanë në mënyrë sistematike, për të ta kthyer atëhere kur ke më shumë nevojë për të.

 Kur je treguar i zgjuar gjatë jetës aktive dhe ke arritur të blesh ndonjë pronë të patundshme, për likujdimin e së cilës vërtet ke vuajtur në rini, por që të ndihmon aq shumë në kohën e pensionit nëpërmjet qerasë që ajo të sjell.

Kur ke akumuluar disa kursime në bankë, por nuk i ke lënë ato të fjetura, por  ke  blerë obligacione të shumta apo letra të tjera me vlerë, pasi fitimet që vijnë nga interesat e tyre mund të rezultojnë shumë të dobishme në një moshë më të madhe.

Apo akoma më mirë, kur ke mundur të bësh ndonjë investim duke blerë aksione diku, të cilat më pas, të shpërblejnë me dividend që ta rregullojnë humorin e pensionistit.

Por ka edhe hapa të tjerë plan veprimi në funksion të një pensioni të rehatshëm. Duke qenë një moshë ku problemet shëndetësore shpeshtohen, atëhere marrja e një sigurimi shëndetësor krijon mundësinë e mbulimit të kostove pa qenë nevoja për të shpenzuar paratë e kursyera me aq mundim. Sepse ato para që janë grumbulluar në formë kursimi nuk duhen tërhequr duke i mbaruar sa më parë, por si rregull apo sic thonë manualet e ndryshme, mund të tërhiqet deri në 4 për qind e sasisë cdo vit.

Dhe së fundmi, duke qenë pra një moshë me probleme shëndetësore e fizike, është e nevojshme aplikimi i një mënyre jetese për ti reduktuar sa më shumë këto sfida. Duke investuar pra në cilësinë e jetës nëpërmjet hobit dhe udhëtimeve, duke u kujdesur për shëndetin fizik dhe mendor, duke ndërtuar një rrjet social të fortë për të shmangur izolimin dhe vetminë etj. Sepse, sic thotë David A. Sinclair jeta e gjatë në kufijtë 90-100 vjec  sot është dicka e zakonshme, por sfida qëndron në të jetuarit në mënyrë të shëndetshme deri në fund. Pra, sa më herët të nisin kursimet dhe investimet, aq më komode do jetë edhe jeta si pensionist.