Shpëtim Luku
A i keni vënë re tendat e hapura nga kompanitë celulare si risi në kërkim të konsumatorëve të rinj nëpërmjet ofertave joshëse? Me numura falas apo internet, sms e minuta pa fund? A i keni vënë re se si përpiqen që në kushtet e një tregu tejet të mbingopur, përpiqen të joshin konsumatorët egzistues të kalojnë nga një kompani në tjetrën, duke ruajtur numrin egzistues?!
Sigurisht që po, pasi, secilit i ka rënë rasti të përballet me të tilla oferta. Janë lëvizje e manovra tregu të natyrshme e të zakonshme, por që dëshmojnë një realitet: ditë të këqija kanë ardhur për kompanitë e telefonisë celulare. Statistikat që tregojnë performancën ekonomiko -financiare të këtyre kompanive gjatë vitit 2016 e përforcojnë konkluzionin e stimuluar nga vëzhgimi vizual. Një nga treguesit më të rëndësishëm që tregon efektivitetin e një kompanie është fitimi dhe gjatë vitit 2016 ky tregues ishte respektivisht: 400 milionë lekë për Vodafonë Albania, 155 milionë lekë për Telekom Albania dhe 1.17 miliardë lekë për Plus Comunication. Kurse ALBTelekom duket se ka qenë edhe me dobët se sa kaq, sa i takon këtij treguesi. I krahasuar me një vit më parë treguesi i fitimit ka njohur një përkeqësim të ndjeshëm në dy kompanitë kryesore të këtij tregu: Vodafonë Albania dhe Telekom Albania, pasi në vitin 2015, Vodafonë regjistronte një fitim prej 1.5 miliardë lekëve, pra afro tre herë ë gjysëm më shumë se sa vitin pasaardhës. Edhe më e madhe është rënia tek Telekom Albania, pasi fitimi i kësaj kompanie ka rënë rreth 6 herë në vitin 2016, krahasuar me një vit më parë. Një realitet intrigues sa i takon fitimit paraqet Plus Comunication, e cila e ka përmirësuar këtë tregues mbi 1.5 herë. Por duket se me teper se sa permiresim performance, ky tregues rezulton i tille nga disa masa, sikurse eshte clirimi i kompanise nga barra kreditore, te cilen e kane marre persiper aksioneret e kompanise ne menyre private.
Interneti dhe aplikacionet e ndryshme nëpër smartphonë, masivizimi i përdorimit të tyre duket se ka dhënë ndikimin e tyre negative edhe sa i takon volumit të aktivitetit të kompanive të telekomunikacioneve në Shqipëri. Sepse edhe sa i perket këtij treguesi, tre kompani kanë renie dhe vetëm njëra ka rritje. Konkretisht, Vodafonë Albania ka regjistruar një aktivitet prej 17.4 miliardë lekë gjatë vitit 2016, ndërkohë që një vit më parë aktiviteti i saj ishte 20 miliardë lekë. Telekom Albania ka regjistruar në vitin e fundit një aktivitet prej 11.4 miliardë lekë, ndërkohë që në 2015 aktiviteti i saj ishte 17.8 miliardë lekë. Po kështu Albtelekon ka regjistruar një aktivitet prej 9.3 miliardë lekë, ndërkohë që në vitin paraardhës ky tregues ishte në nivelin e 14.6 miliardë lekëve. Plus Comunication vazhdon të thellojë intrigën dhe misterin pasi, gjatë vitit 2016, regjistroi një xhiro biznesi prej 6.5 miliardë lekësh, ndërkohë që në 2015, aktiviteti i saj ishte 2.7 miliardë lekë.
Nga kjo panorama shifrash del konkluzioni se tregu i telekomunikacioneve tashmë është tërësisht i liberalizuar, me të gjitha përfitimet e mundshme të qytetarëve prej këtij liberalizimi. Koha kur kompanitë fitonin shuma marramendëse duket e largët.