Kur pasioni të shpërblen me sukses dhe miliona

Si e shndërroi Marin Gjonaj pasionin e tij në profesion dhe si arriti ish-studenti i Neë-York-ut të ndërtojë Brenda 10 viteve nga mbarimi i studimeve, një grup me disa kompani në përbërje?!

Shpetim Luku

Rektori i dikurshëm i Universitetit të Neë York-ut në Tiranë, Gramoz Pashko duhet të jetë habitur shumë, kur, ndërsa kërkonte një zëvëndësues për shefin e IT-së së larguar, mjaft prej propozimeve  për pasardhësin e tij konvergonin në një student me emrin: Marin Gjonaj. I shtyrë edhe nga kureshtja e pranoi propozimin e atyre që CV-në e Marinit e thjeshtëzonin me shprehjen “është njësh në teknologji”. Mirëpo, nëse ai ishte vërtetë “njësh” apo kështu iu dukej shokëve të tij ngaqë kishtë berë diferencë të madhe me ta në këtë drejtim kjo mbetej për tu parë. Megjithatë Pashko thonë që u habit akoma më shumë kur e pranoi propozimin dhe përpara tij u paraqit një djalosh 19 vjecar. Që për më tepër ishte edhe student i vitit të parë në Universitetin e Neë York-ut për shkenca kompjuterike. Rektori i atëhershëm vendosi të përfillë sugjerimet dhe propozimet e të tjerëve dhe e emëroi Marin Gjonaj shef të IT-së së universitetit që drejtonte. Dhe për disa vite, Marin Gjonaj vazhdoi me statusin e dyfishtë. Nga njëra anë studionte dhe thellonte njohuritë e tij, kurse nga ana tjetër, kujdesej për IT-në e shkollës duke shfrytëzuar talentin dhe pasionin e tij.Gjate vitit te katert dhe te fundit te universitetit, e peshkoi një tjetër biznesmen i njohur, Artan Dulaku, i cili në atë kohë po ishte në fillimet e projektit TRING. “Dy vitet që punova atje ishin mjaft të vlefshme për mua, pasi mora mësime të vlefshme rreth administrimit dhe menaxhimit qe prej themelimit te nje kompanie nderkohe qe jepja dhe leksione si lektor i jashtem prane Universitetit te Neë York-ut ne Tirane- tregon Marini.

Por i bindur dhe i sigurt në zotësitë e tij, ai kishte të fiksuar një qëllim. Do të punonte vetëm për veten e tij e jo për të tjerët. Aftësitë e tij do ti konkretizonte në trajtën e sipërmarrjes së tij dhe jo duke i vënë ato në shfrytëzim për interesa të të tjerëve. Dhe në vitin 2009, atëhere kur ishte vetëm 23 vjec, trokiti me një ide biznesi në kokë në derën e një biznesmeni të stazhionuar, atë të Marsel Skëndos. Jo më kot iu drejtua për bashkëpunim Marsel Skëndos, pasi ky biznesmen në atë kohë kishte kontakte dhe impact në disa kompani që do të ishin edhe baza e veprimtarisë së biznesit që ishte projektuar në kokën e Marinit. Kështu pra  në vitin 2009, INFO-Telecomi u themelua nga sipërmarrësit Marin Gjonaj dhe e bija e Marselit, Anisa Skëndaj. Vlen per tu theksuar qe prej vitit 2011 Marini e transformoj INFO-Telecom-in ne nje biznes nderkombetar komplet te pavarur nga mjedisi shqiptar ku 99% e te ardhurave dhe shpenzimeve ishin te perqendruar ne partnere nderkombetare. INFO-Telecom-i do ta vazhdonte rrugëtimin me këtë fizionomi bashkëpunimi deri në muajin prill të vitit 2018, muaj ku Marin Gjonaj blen përfundimisht aksionet e vajzes Marselit për tu bërë kështu pronar i vetëm i Gjonaj Group në të cilin bëjnë pjesë 6 kompani. Konkretisht, INFO-Telecom, Digicom, Promarketing, iReplace, Macom dhe Mactal Corp.

Tre kompanitë e para janë tashmë  të mirënjohura në realitetin e biznesit shqiptar, kurse tre të tjerat janë ide e nisma të reja biznesi të sipërmarrësit 33 vjecar. IReplace përfaqëson një rrjet prej 200 dyqanesh në të gjithë botën, franchise për shitje dhe riparime e aksesor celularësh. Macom është një kompani e krijuar për qëllime menaxhimi real estate dhe projekte hotelerie kurse Mactal Corp është një kompani e regjistruar në Miami dhe bën të njëjtën punë  si Infoteleom, por në USA, Amerikën Latine dhe Azi. Sidoqoftë, ecuria e këtyre kompanive të reja mbetet të verifikohet në të ardhmen, por ajo që i jep Marin Gjonajt staturën e një biznesmeni, ndër më intelegjentët në vend, janë tre kompanitë kryesore të grupit të tij. Pra, Info Telecomi, Promarketingu dhe Digicomi. Gjatë vitit 2017 madje mund të themi se InfoTelecomi regjistroi edhe vitin më të mirë të tij në historinë e suksesshme 10 vjecare. Ndoshta jo shumë sa i takon xhiros së realizuar sepse me tepër se sa 200 milionë euro xhiro e regjistruar gjatë vitit 2017 është realizuar në ndonjërin nga vitet paraardhëse. Por persa i takon fitimit po. Sepse InfoTelecomi 2.9 milionë euro fitim nuk i ka siguruar në asnjë vit të tij të mëparshëm.

InfoTelecom ka si natyrë aktiviteti terminimin dhe origjinimin e kapaciteteve data dhe thirrjeve telefonike me shumice, jo vetëm për tregun shqiptar, por duke iu drejtuar kryesisht tregut ndërkombëtar, ku teknologjia kishte krijuar mundësinë për lulëzimin e mijëra kompanive në të gjithë botën të zhvillonin aktivitetin e shitblerjes së thirrjeve ndërkombëtare me shumicë.

Eksperienca e menaxhimit, ajo teknike dhe komerciale e një përvoje disa vjecare në menaxhimin e interkoneksioneve ndërkombëtare, ishte sigurisht një avantazh konkurues që Marin Gjonaj shfrytëzoi për ti dhënë hov idesë së ndërtimit të një operatori ndërkombëtar carrier. Aktiviteti i Carrierit, është një biznes i vështirë, një biznes i komplikuar, një biznes me risk të lartë. Sepse është një biznes që kërkon një mobilizim të madh e të përqëndruar fondesh, kundrejt një fitimi jo të madh.Është një lloj biznesi që nuk mund të realizohet nëse ti nuk e ndjen veten të fortë e të aftë për ta bërë këtë biznes. Është një biznes, nëpërmjet të cilit, drejtuesve e menaxhuesve të tij iu duhet të masin forcat në tregje ndërkombëtare. Aty duhet të verifikojnë se cfarë aftësish konkuruese kanë, sa të zotë janë për ti siguruar perspektive kompanisë.  Dhe nje nga investimet e kryera nga INFO-Telecom se fundmi, lidhet pikerisht me krijimin e oportuniteteve per te rritur perspektivën e kompanisë.  Kompania ka zgjeruar prezencën e vetë ndërkombëtare, duke hapur shoqëri  bija në Rumani, Kosovë dhe së fundmi SHBA, duke siguruar kështu forcimin e ekipit të menaxherëve komerciale, me mbi 20 vite përvojë në tregun e telekomunikacioneve, të cilët udhëhiqen nga Marin Gjonaj.  Kjo i ka mundësuar INFO-Telecom dhe rritjen e ndërsjelltë të volumit të biznesit me partneret nderkombetare, duke kaluar nga tregtimi i destinacionit të Shqipërisë, e me pas të Italisë në vitin 2010, në një aktivitet që realizon mbi 99% të të ardhurave nga tregtimi i 150 e me shumë destinacioneve ndërkombëtare direkte që sot INFO-Telecom, ofron per 350 partnerët ndërkombëtare me të cilet është e interkonektuar.  Ndër partneret e INFO-Telecom bëjnë pjesë të gjithë operatorët mobil të Europës perendimore dhe një pjesë e mirë e Afrikës dhe Lindjes se Mesme.   Kjo kompani, sot ka ndërtuar prezencën teknike me hapësira të dedikuara në Data Center në Itali, Hollandë, Gjermani dhe Afrikë, në të cilat ndërlidhen me operatorët ndërkombetarë.

INFO-Telecomin e ndoqi kompania e call centerave Promarketing, e cila është një prej kompanive më të mëdha të këtij lloji me pronësi 100 për qind shqiptare, pronar i vetem Marin Gjonaj.

Promarketing ka tashmë gjithsej 6 seli operative në të gjithë Shqiperinë, në të cilën janë të punësuar 1,200 punonjës.  Një nga risitë e Promarketing është krijimi i dy selive operative në rajonin e Kalabrisë dhe Kampanias të Italisë, duke e kthyer kështu në një shembull pozitiv për rikthimin e investimeve  në shtetin e origjinës së këtij biznesi.  Edhe në këtë biznes, sipërmarrësi Marin Gjonaj, ka vënë në shfrytëzim eksperiencën e akumuluar me kompanitë ndërkombëtare të telekomunikacioneve, duke e kthyer Promarketing në një nga partneret kryesore për nënkontraktimin e shërbimeve të operacioneve dhe shitjeve të kompanive më të mëdha celulare në Itali.

Mirëpo a mund të kuptohet një i apasionuar pas shkencave kompjuterike pa një ISP? Sigurisht që jo. Ndaj dhe lindi edhe Digicomi, një kompani tashmë e stabilizuar në treg me rreth 10 mijë klientë, me rritje nga njëri vit në tjetrin, e që prej vitit 2017 ka filluar të dalë me fitim. Digicomi është kompania e parë që mbështetet në teknologjine me fibra optike per tregun e gjere familjar dhe mikrobiznes ku  shërbimet për pajtimtaret arrijnë shpejtesine deri në 1 Giga-bit me kapacitete pa limit për një linjë familjare, përfshijnë Internet, Telefoni dhe  IPTV.

Ndërkohë që Marin Gjonaj gjatë kësaj periudhe  ka patur kohën e mjaftueshme të vërtetojë se mund të fitojë sfida të tilla si “të notuarit” në “ujërat ndërkombëtare” të biznesit, do të mbetet për të zbuluar në vitet që vijnë se cilat do të jenë zhvillimet që do të vijnë gjatë perballjes me sfidën më të madhe, atë të të bërit biznes në Shqipëri, për Sipërmarrësin e Digicom.

Emri i kompanisë:  Gjonaj Group(INFO-Telecom, Profesional Marketing Albania, Digicom, IReplace, Macom, Mactal Corp)

Xhiro e Grupit 2017: 210 milionë euro

Numri i punonjësve: 1500

Vendndodhja: Tiranë, me dege ne Elbasan, Berat, Bukuresht, Prishtine, Miami, Kalabria, Kampania

Një vit krah sipërmarrjes shqiptare

Sonila Qato

Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Kur u njoha me botimin e këtij libri, ndjeva një lehtësim mbi shqetësimin e kahershëm se modelet e suksesit të sipërmarrjes shqiptare nuk zinin vendin e duhur në median e shkruar apo atë pamore. Prania e shtuar e këtyre modeleve në media do të shërbente jo veç për të motivuar sa më shumë këta sipërmarrës të sukseshëm por mbi të gjitha për të frymëzuar të rinjtë shqiptarë për të provuar aftësitë e tyre në botën e madhe të biznesit.

Gjatë këtij viti të parë  të veprimtarisë së zyrës së Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes kemi arritur të ndërtojmë një partneritet me sipërmarrjen nga i cili ka vjelë përfitime jo vetëm biznesi, pasi për herë të parë ka patur një derë të posaçme ku të trokasë për cdo problematikë, por dhe Qeveria vetë ka gjetur gjithashtu një partner të qëndrueshëm i cili duke kontribuar me besim e ka ndihmuar atë në hartimin dhe implementimin e politikave më të mira me qëllim rritjen e kapacitetit prodhues dhe nxitjen e punësimit në vend.

Puna jonë gjatë këtij viti ka simbolizuar shembullin më të mirë të punës së përbashkët, solidaritetit dhe vullnetit të të gjithë faktorëve për ta shndërruar Shqipërinë në atdheun që duam t’i lëmë pas fëmijëve tanë. Nëpërmjet misionit të ndërmarrë në zvogëlimin e hendekut ekzistues midis sipërmarrjes dhe administratës publike, kemi njohur dhe prekur plot sipërmarrje në Shqipëri, shumë prej të cilave gjenden të renditura në këtë përmbledhje, duke i bërë pjesë të një dialogu të vijuar dhe duke ndikuar kesisoj çdo ditë e më shumë në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për të bërë biznes.

Gjatë këtij viti, së bashku kemi trajtuar çdo muaj me qindra problematika të përcjella nga bizneset në mbarë vendin, duke advokuar dhe ngritur zërin në Qeveri për çdo shqetësim apo propozim të drejtë që keni paraqitur dhe dikskutuar me ne. Megjithatë puna jonë veç sa ka nisur. Me ristrukturimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar janarin e shkuar, në një organizëm më të mirëstrukturuar nëpërmjet ngritjes së bordeve sektoriale dhe sekretariatit teknik, komuniteti i biznesit do të jetë edhe më i përfaqësuar në entet vendimmarrëse në mënyrë më të drejtëpërdrejtë. Duke institucionalizuar kësisoj dialogun mes Qeverise dhe sipërmarrjes, me qëllimin e përbashkët që politikat qeverisëse te jenë sa më pranë nevojës së sipërmarrjes për zhvillim dhe rritje.

Afërmendsh se cilido vend e ka të pamundur të shënojë rritje ekonomike, pa një shtet të fortë i cili të partnerizojë me sipërmarrësin duke ofurar të mira publike kyçe bazuar në zbatueshmërinë e ligjit dhe përshtatshmërinë e legjislacionit në funksion të inovacionit dhe zhvillimit të teknologjisë.

Shqipëria tashmë ndodhet në një moment themelor për të ardhmen e saj ekonomike. Angazhimet e ndërmarra në kuadrin e Strategjisë së Evropës Juglindore 2020 dhe Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, ndjekur nga aksioni kundër informalitetit, shoqëruar me reformim cilësor të lehtësimit të procedurave administrative bazuar në deburokratizim dhe luftë kundër korrupsionit në administratë publike, janë tregues i qartë i vullnetit të kësaj Qeverie për ta shndërruar Shqipërinë në një vend me zhvillim të qëndrueshëm dhe ekonomi të shëndoshë.

Viti 2018 ka qenë një vit i rëndësishëm për sipërmarrjen shqiptare, duke shënuar çeljen e 10 mijë biznese të reja dhe shtimin me 38 mijë të punësuar të rinj, vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit. Ndërsa rritja ekonomike për vitin 2018 parashikohet të jetë pozitive, për ne mbetet më i rëndësishëm se kurrë më parë theksimi dhe thellimi i mëtejshëm i reformave të nisura nga Qeveria në favor të deburokratizimit, zvogëlimit të ekonomisë gri, si dhe implementimi me sukses i reformës së pronës.

Personalisht do të jem pranë cdo sipërmarrje që operon në vend, në një komunikim të vazhdueshëm e të drejtpërdrejtë, për të përballuar së bashku sfidën e madhe të shndërrimit të Shqipërisë në vëndin ku çdo sipërmarrës të punojë i qetë dhe të investojë kapitale të qëndrueshme. Pa u dashur të zgjatem, dëshiroj të falenderoj botuesit e këtij numri të XV të “BIZNESI SHQIPTAR: MË TË MIRËT E VITIT” për shërbimet që ofrojnë në funksion të biznesit dhe informimit rreth tregjeve dhe zhvillimeve ekonomike, si dhe gjej rastin nëpërmjet kësaj hyrje të falenderojmë të gjithë komunitetin e biznesit në Shqipëri, për kontributin e vyer dhe mbështetjen e ofruar gjatë këtij viti të suksesshëm.

OTP Bank, 15 vjet më vonë në Shqipëri

 

Societe Generale Albania tashmë e ka të përcaktuar fatin e saj, teksa është shitur tek banka hungareze OTP.  Për sistemin bankar shqiptar hyrja e OTP-së është një lajm i mirë, pasi bëhet fjalë për një nga bankat më të mëdha të Europës Qëndrore dhe Lindore me një gamë të gjërë shërbimesh për individë privatë e deri tek klientët e korporatave. Shërbimet e grupit OTP variojnë nga banking, sigurimet, pasuritë e paluajtëshme, factoring, leasing, fonde investimesh e pensionesh etj. Ky grup është i përhapur në 9 vende si Hungaria, Sllovakia, Bullgaria, Serbia, Rumania, Kroacia, Ukraina, Mali i Zi dhe Rusia.

Për tregun shqiptar OTP Bank ka patur interes që në vitin 2003, kur doli në privatizim Banka e Kursimeve dhe ku konkurentë për blerjen e saj ishte Raiffeisen Bank dhe banka hungareze. Atëhere një grup gazetarësh shqiptare u ftuan ne Budapest për të vizituar e parë nga afruar realitetin e një prej kandidat blerësve të bankës kryesore në Shqipëri, ndërkohë që një grup tjetër gazetarësh ishin ftuar nga Raiffeisen Bank në Austri. E vërteta është se OTP Bank ishte dhe është një top bank dhe futja e saj në sistemin bankar shqiptar do të rrisë konkurueshmërinë dhe do të përmirësojë funksionet e tij.

 

 

Një vit i mirë, për më të mirët

 

 

Të nderuar lexues!

Kaloi edhe një vit dhe ja ku u takuam sërish, ashtu sikurse kemi bërë për 15 vite me radhë, nëpërmjet Botimit Kombëtar: “Biznesi Shqiptar: Më të Mirët 2018”. Cdo vit që kalon është përforcim i traditës së Botimit, është konsolidim i mëtejshëm i rrugës së nisur në vitin tashmë të largët, 2004, ku mori jetë ky projekt. Ndihemi krenar për faktin sepse kemi ndërtuar një model, një mënyrë arsyetimi e një mënyrë këndvështrimi se si duhet shikuar e gjykuar sipërmarrja shqiptare, si duhet të frymëzohemi nga ajo, nga historitë e saj të suksesit, nga roli që ka ajo si promotore e ekonomisë së vendit. Kur e kemi nisur këtë rrugë kemi qenë thuajse të vetëm në këtë mision dhe na vjen mirë që tashmë optika jonë sa vjen dhe masivizohet. Cka tregon se ne e kemi realizuar një qëllim, mes shumë të tillëve, që patëm venë që në fillimet e këtij botimi, për t’iu “imponuar” pjesës tjetër të medias shqiptare, në mënyrë që historitë e suksesit të biznesit te jenë gjithnjë e më të pranishme në të.

Botimi i ri që sjellim për ju respekton të njëjtin standart, sikurse edhe vitet e shkuara. Por risitë qëndrojnë në faktin që në të ka shumë hyrje të reja, e po ashtu, edhe tek personazhet që kanë qenë në botimet paraardhëse, por janë present edhe në botimin e sivjetëm, risitë sigurohen nga dinamika e aktivitetit të tyre, krahasuar me një vit më parë.

Të 200 kompanitë më të mëdha të vendit kanë mundur të sigurojnë një total xhiroje prej pak më shumë se 7 miliardë euro, ndërkohë që një vit më parë, totali i xhiros ishte rreth 6 miliardë euro. Nga 200 kompanitë më të mëdha të vendit, vetëm 41 prej tyre njohën një ulje aktiviteti, krahasuar me vitin paaradhës, kurse të tjerat, njohen rritje të tij.

Kurse 200 kompanitë me fitimin më të madh arriten të sigurojnë një fitim total prej afro 735 milionë euro, nga rreth 620 milionë euro që ishte ky tregues një vit më parë.

Të 120 kompanitë shqiptare më aktive në eksport kanë siguruar një total prej 726 milionë euro në eksport, ndërkohë që numri i punonjësve në total për 200 kompanitë më të mëdha punësuese është rreth 92800 vetë..

Nëse do të evidentonin ndonjë problematikë të biznesit shqiptar, ajo qëndron tek struktura e saj, pasi si cdo vit, 200 më të mëdhenjtë, 200 me fitimin më të madh dominohen nga subjekte që për nga natyra e aktivitetit nuk është se kanë ndonjë rëndësi të madhe për ekonominë e vendit. Ndonëse në vetëvete ato kanë rrokur sukses. E kemi fjalen për shumë kompani lojërash fati, shumë kompani të tregtimit të karburanteve etj. Ndërkohë që kompanitë prodhuese që arrijnë të rreshtohen tek më të mëdhenjtë dhe më efektivët janë në minorancë.

Edhe në këtë botim, sikurse në të tjerët paraardhës te tij, janë përfshirë disa tregues të biznesit për vendet e rajonit, si Maqedonia, Sllovenia, Serbia, Kroacia, Bosne Hercegovina etj, për të krijuar një ide se si paraqitet 200-shja shqiptare në krahasim me to. Pra, si paraqitet biznesi shqiptar, sa i takon madhësisë së tij, fitimit, dhe punësimit, në raport me atë të vendeve të rajonit. Një ide e tillë bëhet e mundur nëpërmjet “lundrimit” në faqet e librit, krahasimeve etj.

Sigurisht, që mirë do të ishte që të kishim të dhëna të tilla edhe nga Kosova, por në saj të një ligji absurd, që i konsideron këto të dhëna si privaci e biznesit është thuajse e pamundur sigurimi i një transparence të tillë.

Sidoqoftë, gjykojmë se botimi që vjen sërish pranë jush është një botim i plotë, një botim që vjen në përmirësim të vazhdueshëm, aq sa mund të pohojmë pa frikë se gjithmonë, cdo botim i ri, ka qenë më i mirë se sa i vitit paraardhës.

Duke shprehur falenderimin më të përzemërt për bashkëpunimin me institucionet përkatëse të shtetit, shpresojmë që ky botim do të realizojë pritshmëritë tuaja.

Shpëtim Luku

Drejtor

Qendra Shqiptare për Gazetari Investiguese