Shpetim Luku
Pas një periudhe 2-3 mujore, fabrika e tullave KID –ALB do të ketë një “fqinje” të re. Si rezultat i inciativës së biznesmenit, tashmë të mirënjohur, Asllan Baraj,ka nisur puna për ngritjen e fabrikës së tullave dekorative. Është një investim që e kalon shifrën e 5-6 milionë eurove, por që gjykohet si një investim tejet i goditur, duke parë fazën e re ku ka hyrë sektori i ndërtimit. Gjithkush e ka të qartë sot se ndërtuesit shqiptarë i kanë një borxh të madh Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë, duke ngritur godina banimi e biznesi shkel e shko, pa asnjë projekt mbresëlënës, pa përdorim të produkteve cilësore, me fasada të tilla, kur godina “vjetërohej” që vitin e parë apo të dytë pas dorëzimi etj. Për rrjedhojë, sot kemi ndërtime të shumta, të cilat për nga funksionaliteti e paraqitja janë edhe më poshte se sa ndërtimet e dikurshme të para 90-ës, por me fasada të rikonstruktuara. Arkitekti i mirënjohur, Maks Velo, në një orvatje të para disa viteve për të paraqitur një album me 10 ndërtimet më të bukura në Tiranë pati shumë të vështirë të zgjidhte. Jo se ishin shumë e nuk dinte kë të seleksiononte, por ishin aq pak, sa mezi bëheshin 10!!!
Vetëm kohet e fundit situata ka ndryshuar. Ndërtimet tashmë kanë projekte të bukura, që presupozojnë përdorimin e materialeve cilësore në fasada e brendësi. Janë ndërtime që sjellin kontribut në përmirësimin e pamjes së kryeqytetit e të qyteteve të tjera në përgjithësi. Të gjitha ndërtimet bëhen me fasada ku përdoren në mase materialet dekorative, por që 100 për qind e kerkesave plotesohet nga importi. Ky është edhe momenti i duhur, i identifikuar nga biznesmeni Asllan Baraj, për të ndërhyrë në treg, duke ngritur një fabrikë që do të vihet në funksion të kësaj morie ndërtimesh cilësore. Pas 2 apo 3 muajve, secili ndërtues që ka nevojë për produkte të tilla nuk ka pse të marrë rrugët për ti siguruar ato në Spanjë, Itali apo vende të tjera, por mjafton të shkojë deri në Maminas e të kontraktojë. Sepse produktet do të jenë aq cilësore sa nuk do kenë asnjë dallim nga produktet e përdorura deri më tani, oferta e produkteve do të jetë e larmishme, teksa do të ofrohet një gamë mbi 30 të tilla, por edhe cmimi parashikohet të jetë më i leverdisshëm se sa ai i importit. Si cdo investim i ri, i realizuar në fushën e prodhimit, edhe fabrika e re është konceptuar me një kapacitet të tillë që të punojë edhe për eksport. Thjesht, sepse ajo do të jetë tani për tani, (ne te ardhmen nuk i dihet) një fabrikë unike për rajonin, e për rrjedhojë edhe furnizuesi kryesor i tyre. Në fund të fundit, nuk ka shumë nevojë për imagjinatë, do të ndodhë ajo që ka ndodhur edhe me tullën masive.
Në fillim, megjithëse funksiononin disa fabrika tullash, të trashëguara nga koha e sistemit të kaluar, sërish, kërkesa kryesore konsumatore plotësohej nga importi për efekte kostove të larta të prodhimit këtu. Investimet e reja të kryera në industrinë e qeramikës e nxorrën thuajse tërësisht jashë loje produktin e importit. Aktualisht, industria vendase e qeramikës plotëson të gjithë nevjat e vendit, por që do të ishte e pamjaftueshme për të siguruar vazhdimësinë e saj. Ndaj, disa nga fabrikat kryesore të tullave, kanë siguruar një prezencë të fuqishme në eksport, ne vendet e rajonit. KID ALB është shembulli më i mirë, pasi gjatë vitit 2018, e pati raportin treg i brendshëm-eksport 50:50.
Rrugën që ndoqi KID ALB gjatë këtyre 10 viteve, suksesin që gatoi ajo gjatë kësaj periudhe, efektivitetin që manifestoi ajo vit pas viti, duke arritur të tejkaloi edhe pritshmëritë e planit të biznesit synon edhe “motra” e saj. Fundja, përderisa është fryt i idesë dhe inciativës së arkitektit të suksesit të KID ALB-it, Asllan Baraj, nuk ka pse të mos mbizotërojë optimizmi për fat të ngjashëm.