Etleva Laro, një “gjermane” në biznesin e kepuceve

 

 

Shpetim Luku

Etleva Laron e kam takuar për herë të parë diku nga viti 2008 apo 2009, në kuadrin e përgatitjes së një shkrimi rreth grave të angazhuara në biznes. Atëhere ajo ishte administratore e kompanisë “Hyundai Auto Albania” dhe për një vajze të re, administrimi dhe menaxhimi i një kompanie të tregtimit të automjeteve të reja apo servisimit të tyre, sigurisht që ishte padyshim një histori e bukur. Më pas, ajo kaloi nëpër disa punë te tjera të nivelit të lartë të menaxhimit në kompani të mirënjohura si Coca Cola, Procter&Gamble për pjesën e marketingut të cigareve të markës LM, në kompaninë slovene të shërbimit të internetit Primo Comunications etj. Ndërkohë Cv-ja profesionale e saj është e pasuruar edhe me disa poste të larta në disa kompani kosovare. Sigurisht, kur një vajzë të re, e  mirë arsimuar, pajiset edhe me kaq eksperienca menaxhimi, atëhere është cështje kohe që ajo të bëjë kapërcimin cilësor, duke u kthyer nga një administratore apo menaxhere që punon për të tjerët, në një sipërmarrëse që punon për veten e saj. Dhe ajo ditë erdhi diku nga viti 2015, vit, ku Etleva Laro vendosi ti dedikohet rrugës së biznesit, duke themeluar kompaninë EFA Solution. Qëllimi i kësaj kompanie ishte menaxhimi i porosive nga kompani të ndryshme ndërkombëtare të prodhimit të këpucëve dhe adresimi i tyre nëpër kompani lokale shqiptare. Dy vite aktivitet me këtë fizionomi, pra siguro e delego porosi, ekspozuan një difekt. Atë që nga njëra anë, porositësit, pra kompanitë gjermane ishin kërkues te rrepte karshi cilësisë e korrektesës në afate, e nga ana tjetër, limitet e kompanive shqiptare për tiu përgjigjur sic duhet atyre. Ky ishte edhe momenti kyc, kur Etleva Laro mori vendimin për tu bërë edhe vetë një sipërmarrëse në sektorin e industrisë së këpucëve. Vetëbesimi, predispozicioni dhe qartësia rreth asaj se cfarë dhe si e kërkonin bashkëpunimin klientët gjermanë i vuri vulën përfundimtare iniciativës së saj. Etleva Laro vendosi ta marrë vetë përsipër këtë sfidë.  Këtë përgjegjësi. Këtë bashkëpunim të drejtëpërdrejtë. Kundrejt afro 3 milionë euro investim, ngriti kompaninë e prodhimit të këpucëve ProDyn,  për të mundësuar konkretizimin e këtyre porosive, ashtu si e kërkonin partnerët e saj. Puna nisi me një klient të rëndësishëm gjerman, sikurse është kompania Josef Seibel, ndërsa aktualisht klientët gjermanë janë 5 kompani. ProDyn ka një kapacitet prodhimi deri në 2 milionë palë këpucë dhe kjo i jep asaj statusin e njërës prej kompanive më të mëdha prodhuese në vend, por edhe mundësinë e realizimit e lëvrimit në afat të porosive.  Në ambientet e ProDyn prodhohen  lloje të ndryshme këpucësh sic janë këpucët e punuar me dorë, këpucë Strobel, këpucë Ago dhe produktet e saj shiten në të gjithë Europën dhe Amerikën e Veriut.

Futja e Etleva Laros në industrinë shqiptare të prodhimit të këpucëve nuk është thjesht një zhvillim sasior i këtij tregu. Lindja dhe funksionimi i ProDyn-it nuk është shtim i tregut edhe me një operator tjetër, krahas atyre që egizstonin. Pasi kjo kompani ka lindur dhe funksionon për të realizuar një mision të caktuar, duke synuar që të bëhet një lider në industrinë përkatëse nëpërmjet qasjeve të thjeshta, zgjidhjeve të shpejta dhe duke ofruar shërbime precize e produkte cilësore për klientët, kënaqësinë e konsumatorit, rritjen e të ardhurave të kompanisë dhe përfitimet e punonjësve.

 

ProDyn nuk përfaqëson një kompani të re të prodhimit të këpucëve, lindjen e së cilës e stimuloi dhe e joshi krahu i lirë i punës. Përkundrazi, ProDyn ka një qasje tërësisht të re e të ndryshme nga mjaft kompani të tjera të këtij tregu. Bërja e jetës më shumë të qetë është një nga qëllimet primare të kompanisë. Duke u mbështetur tek vlerat, si mirësia, besnikëria, drejtësia, sinqeriteti, saktësia apo respekti, kjo kompani synon të jetë e ndryshme nga konkurentët e saj, por duke realizuar qëllimet dhe objektivat që ka përpara vetes.

ProDyn ka vetëm dy vite të plota aktivitet në Shqipëri, kurse Etleva Laro dicka më shumë si sipërmarrëse. Sigurisht, duke qenë biznese të reja, ato nuk kanë shënuar shifra impresionuese fitimi. Por ajo që është më e rëndësishme dhe që përbën edhe vlerën e vërtetë të Etleva Laros si sipërmarrëse është fakti se ajo i shtoi biznesit shqiptar një subjekt biznesi me një impakt shumë të madh social. Mjafton të kujtojmë se të dyja kompanitë e saj arrijnë të punësojnë rreth 1000 vetë. Tek ky tregues, tek ky kontribut social, tek filozofia ndryshe e funksionimit të kompanisë ProDyn, filozofi kjo e bazuar në vlerat njerëzore, pikërisht këtu shfaqet edhe madhështia e Laros në fushën e biznesit. Biznesi shqiptar duket i kalcifikuar, sa i takon aktorëve kryesorë të tij. Mirëpo dalja në skene e personazheve si Etleva Garo tregon se për të bërë biznes nuk është asnjëherë vonë. Suksesi i deritanishëm i saj vërteton ndërkohë edhe tezën tjetër se njerëz të zotë që të jenë keq, ka pak shanse të ketë në një sistem ekonomik që bazohet në inisiativën e lirë.

Dhe nuk bëhet fjalë për një sukses të lehtë, një sukses të arritur në saj të aftësisë për të shfrytëzuar ndonjë konjukturë të përshtatshme. Pasi, industria e këpucëve, ka problemet e saj, ky më kryesoret janë mosdisbursimi në kohë i TVSH dhe kursi i këmbimit. Mirëpo domosdoshmëria për të qenë korrekt e për të ndërtuar realitete afatgjata bashkëpunimi ka bërë që boshllëqet e krijuara nga mungesa e korrektësisë së shtetit, Etleva Laro ti përmbyllë nëpërmjet burimeve të tjera alternative. Kryesorja për të është të jetë “gjermane” në biznes.

 

Sa përgjegjës është biznesi shqiptar për emigrimin?

 

Shpëtim Luku

Refreni më i shpeshtë që degjoj në takimet e mia me biznesmenë të ndryshëm është ankesa e tyre për mungesë të fuqisë punëtore, e sidomos të punëtorëve të kualifikuar. Dhe shumica e tyre përcaktojnë si “diagnozë” kryesore të këtij deficit punonjësish, emigrimin e popullsisë me ritme frenetike. Konstatimi është i drejtë. Ethet e emigrimit kanë përfshirë një spektër të gjërë të shoqërisë shqiptare, jo vetëm ata që kanë ctë hanë, sikurse thotë pareshtur një pjesë e politikanëve të vendit, por edhe të asaj pjese të popullsisë, që në kushtet e e të qënit një vend i hapur, kërkon e pretendon më tepër se sa “buka e gojës”. Vetë  kontradikta për të cilën ankohen më së shumti biznesmenë të ndryshëm të vendit, midis ofertës së tyre për punë dhe mungesës e kontigjentit të njerëzve, e konfirmon faktin që ata që dëshirojnë të largohen nga vendi janë të status të larmishëm shoqëror. Mirëpo, teksa ballafaqohesh me një ankesë të tillë të përsëritur shpesh prej biznesit, natyrshëm lind pyetja: po vetë bizesi shqiptar, sa përgjegjesë është për përmasat shqetësuese që ka marrë fenomeni i emigrimit? Sigurisht, një diskutim i tillë ka qenë i pranishëm me biznesmenë të ndryshëm të mirënjohur të vendit dhe shumica e tyre e pranojnë që biznesi shqiptar ka edhe ai peshën e tij të fajit në këtë “arratisje shqiptarësh” prej vendit të tyre. Ne raport me punëmarrësit, biznesi shqiptar si punëdhënës e ka konkretizuar mekatin e tij në dy aspekte. E para, deri para pak vitesh dominonte puna e zezë. Pra mjaft punonjës punonin ose 100 për qind në të zezë, ose pjesërisht, dmth me paga minimale të deklaruara. Kjo mënyrë të vepruari për vite e vite me radhë, tendenca për të rritur fitimet edhe nëpërmjet gllabërimit të atyre pagesave që në fakt duheshin paguar për punonjësit në adresë të sigurimeve shoqërore, ka krijuar sot një “bombe sociale” , e cila pritet të shpërthejë në një të ardhme të afërt. Aktuaisht ka me mijëra e mijëra persona, të cilët duke punuar prej hallit në të zezë, nuk arrijnë të përmbushin kushtin e kontributit të viteve të punës, ndërkohë, që ky kusht vjen duke u zgjatur. Me pak fjalë, duke rendur pas fitimeve si qëllim në vetëvete, duke futur në xhep edhe atë që nuk iu takojnë, biznesi shqiptar, nëpërmjet biznesmenëve problematikë të tij dhe zyrtarëve publikë të korruptuar, ka prodhuar një kategori fatkeqësh, të cilët sot shikojnë ndoshta si mundësi të kapjes së kohës së humbur(sa cmund të kapet) emigrimin jashtë vendit.

Kurse aspekti i dytë, ai që dëshmon për një kalim të biznesit shqiptar  tashmë në një fazë të re, por me qëllimin e vjetër, fitimin sa më shumë të jetë e mundur është puna e paguar keq. Ky nuk është thjesht perceptim, por një realitet, i cili konfirmohet nga një statistikë e thjeshtë që është paga mesatare. Në vitin 2018, paga mesatare e sektorit publik ishte 63 mijë lekë, kurse në sektorin privat paga mesatare ishte 47 mijë lekë. Ka ndodhur pra një metamorfozë fare e padëshiruar për vendin. Ndërsa në fillimet e sistemit të ri ekonomik tendenca ishte të lije punën e keqpaguar të shtetit, për ta kaluar në privat, tashmë sektori public rezulton në tërësi më joshës se sa private. Padyshim, që në larminë e biznesit shqiptar ka mjaft kompani të konsoliduara, që kanë një vetëdije të madhe për rëndësinë e punonjesve të tyre si një asset i vyer, ka kompani fryt i investimeve të huaja, të cilat respektojnë të drejtat e punonjësve deri në detaje, por kjo nuk e eleminon dot “fotografinë” jo të mirë që ka biznesi shqiptar në tërësi në rapor me marrëdhëniet me punonjësit, me përgjegjësinë sociale të tij.

Ne panoramën e biznesit shqiptar ka kompani tejet të konsoliduara që arrijnë të kenë një fitim prej 5-6 milionë euro në vit, ndërkohë që në gjirin e tij ka punonjës të diplomuar, të cilët paguhen me 30 mijë lekë të reja në muaj. Cfarë kuptimi ka kjo mënyrë të vepruari? Sigurisht, që për ta egziston justifkimi dhe arsyetimi e akordimit të këtyre pagave të ulta, mirëpo kjo të heq automatikisht të drejtën të ankohesh më pas se pse nuk gjen fuqi punëtore, atëhere kur duhet. Kjo të kthen në protagonist të krijimit të kontigjenteve të njerëzve të palumtur, të pakënaqur, të cilët rrijnë e meditojnë dhe shohin si zgjidhje emigrimin. Në fund të fundit, ai konkluzioni fatalist që përmenden shpesh poshtë e lart si “sbehet ky vend” apo “e vetmja rrugë që ka ngelur është ikja” ka për kontribues edhe biznesin shqiptar. Një nga biznesmenët e mirënjohur të vendit e pranoi se e vetmja rrugë për reduktimin e kontradiktës mes kërkesës për punonjës dhe gjetjes së tyre është rritja e pagave. Dhe ky hap duhet ndërmarrë sa më parë të jetë e mundur, në raport me efektivitetin e kompanive.

Ilir Xhani, kur suksesi ne Shqiperi “parafabrikohet” ne Itali

 

Shpetim Luku

Cdo njeri e ka të pashmangshme që në një periudhë të caktuar kohe, të kthejë kokën pas për të shikuar dhe analizuar rrugën që ka përshkuar. Në varësi të rezultatit e konkluzionit lindin edhe ndjesitë përkatëse. Dy vëllezërit biznesmenë, Ilir dhe Muharrem Xhani, ortakë dhe bashkëdrejtues të kompanisë së prodhimeve parafabrikat I.XH.E.M sigurisht që nuk mund të bëjnë përjashtim nga kjo “ligjësi”. Por ata duhet të ndjehen të realizuar e të kënaqur për të paktën dy vendime të rëndësishme që kanë marrë në jetën e tyre. Janë nga ato vendime që kanë një impakt të madh, janë nga ato vendime që kanë trajtën e një investimi në jetën e njeriut. I pari lidhet me vitin 1991, vit kur Ilir Xhani vendosi të lerë Durrësin, për tu zhvendosur në Itali, kurse i vëllai do ti bashkohej disa vite më vonë. Zhvendosja në një vend të ri , ballafaqimi me një kulturë të re, me një sistem të ri ekonomik e me rregulla  të reja i dha mundësinë Ilir Xhanit që të marrë “leksionet” e duhura në jetë për mënyrën si duhet kërkuar suksesi, si duhet projektuar e realizuar ai. Sepse i riu ambicioz nuk mund të pajtohej thjesht me jetën rutinore të një emigranti, por kërkonte të ndërtonte perspektiva të reja. Dhe atë ndryshim të rëndësishëm, atë metamorfozë të dëshiruar nga shumëkush, por  të arritshme nga pakkush, ai e bëri realitet. U transformua nga punëtor në impreditor në industrinë e prodhimeve të elementëve parafabrikat të vlefshme për ndërtimin e kapanoneve industrialë në Itali. Dhe jo një biznesmen dosido, por në një biznesmen, që thuajse cdo vit listohej tek më të mirët e rajonit ku jetonte e ushtronte aktivitet. Një biznesmen i njohur e i respektuar i zonës. Një biznesmen i vlerësuar e i admiruar si një person korrekt, serioz dhe i suksesshëm. Me “rutinën” e suksesit vëllezërit Xhani vazhduan deri nga viti 2008, vit kur ekonomia italiane filloi të japë sinjalet e para se jo gjithcka shkon apo do të shkojë mire në të ardhmen. Ishte pra koha e meditimit dhe analizës rreth situatës dhe nevojës për marrjen e një vendimi tjetër të rëndësishëm. Mirëpo këtë herë edhe më të vështirë sepse tashmë alternativat nuk ishin dy, por tre. Mund të vazhdohej të rrihej në Itali e të përballeshin me problemet, që sikurse e tregoi më pas koha, do të ishin të shumta. Mund të transferoheshin si sipërmarrës në Rumani, kundrejt një granti prej 3 milion eurosh që vëllezërve Xhani iu akordohej si sipërmarrës të suksesshëm në Itali, me kusht që këtë grant ta investonin pra në Rumani ose Bullgari si dy vendet më të prapambetura të BE-së. Por pse jo, mund të ktheheshin e të kontribuonin për vendin e tyre. Përfundimisht të dy vëllezërit preferuan të kthehen në Shqipëri në vitin 2008, por tashmë të “armatosur” me ide, me eksperiencë profesionale, me eksperiencë biznesi, me besim në vetëvete, me qartësi mendimi. Dhe nuk vonuan dhe themeluan dy kompani: kompaninë e prodhimit të elementëve parafabrikat IXHEM dhe IXHEM Projekt. Ngritën një fabrikë model, kundrejt një investimi të rëndësishëm prej mbi 5 milione eurosh, e pajisën me teknologjinë bashkëkohore italiane dhe filluan ti ofrojnë tregut shqiptar një gamë të gjërë produktesh shumë serioze e cilësore. Shumëkujt mund ti ketë bërë përshtypje një tendencë e qartë për të përdorur sisteme pafabrikat në objekte prodhimi e shërbimi, në qendra tregtare, në objekte magazinimi apo edhe objekte banimi e mure rrethues.  Janë ndërtime shumë estetike, por njëkohësisht edhe me shumë avantazhe karshi ndërtimit në forma të tjera. Janë të leverdisshme në kosto, projekti përfundon në një kohë të shkurtër, nuk ka impakt negative mjedisor, lejon riparime etj. Dhe merita kryesore, pse këto ndërtime kaq cilësore për përhapen në mënyrë massive, duke krijuar tashmë trend, i përket kompanisë IXHEM. Kësaj kompanie, e cila edhe pse është themeluar në vitin 2008, praktikisht punë ka filluar disa vite më vonë, duke marrë statusin e liderit të këtij tregu. Sepse IXHEM nuk bën vetëm zbatim projektesh, por edhe harton ato, në varësi të kërkesës së klientit. Janë mbi 100 mijë metra katror objekte të ndërtuar me sistemet parafabrikat të IXHEM-it, përgjatë viteve që ajo ka ushtruar aktivitetin e saj, ku disa prej tyre mund të përmendim: objektet e tregtimit dhe servisit të makinave të Volvos, Mektrin, Renault Truck, Fital, Endi sh.p.k, IMI Farma, Medicamenta, Salillari etj. Veprimtaria e IXHEM ka ardhur gjithnjë në rritje dhe këtë e tregojnë më së miri edhe dy statistikat bazë që evidentojnë performancën e saj gjatë vitit 2018. Gjatë këtij viti, kompania regjistroi një volum aktiviteti në masën e 1.125 milionë lekë dhe një fitim para tatimit prej 308 milionë lekë. Krahasuar me një vit më parë, kur kompania regjistroi një xhiro prej rreth 450 milion lekë,  rritja është impresionuese. Është një ritëm rritjeje që nuk e ka ndoshta asnjë kompani tjetër me natyrë prodhuese sikurse është IXHEM. Po kështu, i përmirësuar mjaft është edhe fitimi.

Po bëhen disa vite që vëllezërit durrsakë Xhani kontribuojnë nëpërmjet biznesit të tyre edhe në zhvillimin e përgjithshëm. Ndonëse janë vite ku janë përballur edhe me vështirësi përgjatë ushtrimit të aktivitetit, asnjëherë nuk janë ndjerë të dyzuar mbi saktësinë e vendimit që morën për tu kthyer ne vëndin e tyre. Por  vlerësojnë me realizëm të tashmen, shohin me optimizëm të ardhmen, identifikojnë perspektiva të reja, gjithnjë e më të mira për kompanitë e tyre. Dhe koha do të vazhdojë tu japë të drejtë, pasi njerëzit e zotë, korrektë e komunikues të mirë, janë të “dënuar” të shoqërohen nga suksesi në vazhdimësi.