SHPETIM LUKU/ Siguruesit, Bonus jo, Malus po!

 

Në fillim të këtij muaji hyri në fuqi ligji për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Ligji përmban disa risi të rëndësishme, mes të cilave edhe mundësinë e përdorimit të sistemit bonus-malus nga shoqëritë e sigurimit. Por nuk ka karakter detyrues për këto kompani, të cilat nëse do të dëshironin mund ta zbatonin sistemin bonus-malus edhe përpara këtij ligji. Pavarësisht se specialistët e fushës e ngrejnë në qiell këtë zhvillim, duket se në kushtet ku ndodhet tregu i sigurimeve në Shqipëri mungon vullneti prej kompanive për ta zbatuar atë. Ndonëse ajo është një pritshmëri e konsumatorit, pse jo, edhe një premtim i kompanive të sigurimit, të cilët jo pak herë i janë referuar këtij sistemi si një ndryshim i madh që do ndodhë.

Pavarësisht se disa mund ta konsiderojnë paragjykim  këtë që po them, janë disa arsye mbi të cilat mbështetet parashikimi im. Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vite që është “ngrirë”. Së pari sa i takon numrit të kompanive që operojnë në treg. Zyrtarisht janë 8 kompani që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor, por duke llogaritur që Eurosig dhe Insig kanë të njëjtin pronar, e po kështu edhe SIGMA dhe Interalbania janë pronë e Vienna Insurance Group, duket se numri real i kompanive është vetëm 6. Në një kohë që në Kosovë, që është një treg, pak më i vogël se Shqipëria, tregu i sigurimeve ka 15 kompani.

Së dyti, kompanitë shqiptarë e kanë likujduar mes vetes konkurëncën përsa i takon sigurimit të detyrueshëm, që është edhe krijuesi kryesor i buxhetit të kompanive siguruese. Prej disa vitesh kompanitë kanë caktuar dhe janë pajtuar me një hierarki të caktuar sa i takon këtij lloj sigurimi. Kjo hierarki është caktuar me qëllim që të eleminohet dukuria negative e shitjes së policave të sigurimit me cmime qesharake, sikundër ndodhte përpara  se të bëhej “marrëveshja”. Një policë sigurimi e asaj kohe arriti të shitej në cmime që nuk përballonin dot as shpenzimet operative të kompanive. Për pagim dëmesh as që bëhej fjalë, ndaj disa kompani ekspozoheshin qartë nëpërmjet këtij treguesi si subjekte që thjesht shisnin letra dhe aspak premtim dëmshpërblimi, sikurse është funksioni themelor i një kompanie sigurimi.

Duke përcaktuar në mënyrë konsensuale një tarifë police të sigurimit të detyrueshëm-18 mijë lekë- si dhe duke u pajtuar gjithsecila kompani me atë pjesë të tregut kur u bë ky përcaktim, situata duket se ka ndryshuar disi për mirë, por jo ashtu sikurse duhet. Dhe arsyeja se pse sërish tregu i sigurimeve nuk është ashtu sikurse duhet lidhet sërish me nivelin se ku ndodhet polica e sigurimit. “Shqiptarët me cmime të policave të sigurimit si në Afrikë duan dëmshpërblime si në Europë”-thotë Avni Ponari, drejtuesi i kompanisë SIGAL UNICA Group Austria dhe një prej personazheve më aktiv nga bota e sigurimeve. Vetë SIGAL, ka pak vite që e zbaton një lloj sistemi bonus-malus, duke i bashkangjitur policës së sigurimit të mjetit motorik edhe një policë sigurimi minikasko. Dhe që vetëm për 6-mujorin e parë të vitit 2021 i ka kushtuar kësaj kompanie rreth 400 milionë lekë nga dëmshpërblimet e përfituara nga ky lloj sigurimi.

Shkaku kryesor është pra niveli aktual i tarifës së policës së sigurimit motorrik, e pas tij edhe rehatia ku kanë rënë prej vitesh kompanitë e sigurimit.

E pse duhet të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm, sikurse është sistemi Bonus-Malus, ndërkohë që Kosova psh e zbaton atë?!

E pse duhet ti hyjnë andrallave disa prej kompanive të sigurimit, të cilat raportin mes sigurimeve të detyrueshme dhe atyre vullnetare e kanë dukshëm në favor të të parit, ndërkohë që duket se janë në rregull me llogaritë aktuale?

E pse duhet të riskojnë disa kompani sigurimi, kur pjesa më e madhe e buxhetit të tregut të sigurimeve krijohet nga sigurimet e detyrueshme?! Nga 8.1 miliardë lekë që ishte tregu deri në fund të muajit qershor, 5.6 miliardë lekë janë krijuar nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorike.

E mira më e madhe e tyre do të ishte sikur sistemin Bonus-Malus ta zbatonin në formën Bonus jo, Malus po.

Recent Posts

Kina, dominuesja e tregut të makinave të reja
Me prodhimin masiv të makinave elektike, tregu botëror i makinave të reja është ristrukturuar në disa aspekte. Së pari, sa vjen e rritet pesha specifike qe zenë makinat elektrike karshi totali...
December 11, 2024 Read More
Për verë Gaja nuk kursehen, siguracioni iu dhimb
SHPETIM LUKU Avni Ponari irritohet së tepërmi teksa i kujton ndonjë rast kur dikujt i është djegur fabrika tërësisht apo pjesërisht dhe ajo rezulton e pasiguruar. Dhe irritimi i tij nuk ka ...
December 9, 2024 Read More
Astrit Isa dhe Luan Larti, një binom i shkëlqyer
Edhe pse me njëfarë rënie krahasuar me një vit më parë, sërish, 52 milionë euro aktivitet, realizuar nga kompania Larti, gjatë vitit 2023, mjaftuan që dy pronarët e saj, Astrit Isa dhe Luan...
December 9, 2024 Read More
Projekti i vecantë i një biznesmeni të mirënjo
As edhe një minutë nuk u menduan zyrtarët bashkiakë të Librazhdit, kur atyre iu vendos përpara në tavolinë projekt-vendimi që bibliotekës së qytetit ti vihej emri “Sami Leka”. Propozimi...
December 5, 2024 Read More
“Ermal Beqiri: Njerëzit Janë Zemra e Çdo Prod
Aktualisht, bizneset shqiptare po përballen me mungesën e fuqisë punëtore si një nga sfidat kryesore. Për arsye të ndryshme ku hyjnë emigrimi masiv, mungesa e kualifikimit, kërkesat e gjenera...
December 4, 2024 Read More
“Artinel 95”, partneritet me të mirë
Po qe se do të bëhet ndonjë klasifikim mbi bazën e treguesit të jetëgjatësisë në biznes, Ariana Berberi do të jetë padyshim në vendet e para të renditjes. Me aktivitet privat  të nisur ...
November 21, 2024 Read More
Proletari i kapitalizmit shqiptar
Po qe se puna të obligon për të bërë vizita periodike në kompaninë “Albsteel” gjëja që do të të bjerë më lehtë në sy është se kompania asnjëherë nuk është ashtu sikurse e le n...
November 11, 2024 Read More
Nesti Tarusha, një person “FIX” për
Karakteristika kryesore e biznesit shqiptar përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë zhvendosja e tij nga qytetet e tjera të Shqipërisë në zonën Tiranë Durrës. Dhe jo pa qëllim. Kjo zonë ë...
November 8, 2024 Read More