Shpetim Luku
Shqipëria ka patur një traditë të zhvilluar në grumbullimin dhe eksportin e bimëve mjekësore gjatë kohës së ekonomisë së planifikuar. Ndryshimi i sistemit ekonomik bëri që edhe ky sektor ti besohej iniciativës së lirë të njerëzve. Sot janë disa kompani, të cilat kanë këtë lloj specializimi, të gjitha janë përfërsisht në nivele të njëjta aktiviteti. Një prej kompanivë të rëndësishme të sektorit është edhe “Albanian Herb” sh a. Gjatë vitit 2020, eksportet e kësaj kompanie kapën shifrën e 6.1 milionë dollarëve, një tregues ky që e prezanton atë, ndër kompanitë më aktive të vitit të kaluar. Akoma më i rëndësishëm është trendi i veprimtarisë së “Albania Herb”, sepse krahasuar me një vit më parë rritja është mbi 20 për qind. Kurse krahasuar me vitin 2018 rritja është rreth 70 për qind më shumë. Kuptohet pra që kemi të bëjmë tashmë me një kompani, e cila ka një aktivitet që po njeh vetëm rritje, ndryshe nga shumë kompani të tjera, të cilat kanë luhatje nga viti në vit.
E themeluar në vitin 2006, për “Albanian Herb” këto 15 vite kanë qenë periudhë zhvillimi dhe e forcimit të reputacionit në treg si një kompani e përgjegjshme, serioze, një kompani që ka bërë investimet e duhura dhe që ka krijuar marrëdhënie korrekte partnerët e saj. Është e qartë pra që kemi të bëjmë me një histori suksesi, por vetë “Albanian Herb” është edhe gjurma e suksesit të Kujtim Zeres, si një nga themeluesit e saj. Kur ai vendosi së bashku me kompaninë turke, Kutas, të themelojë këtë kompani, biznesmenë të tjerë kishin vite në treg. Madje shumë prej tyre të suportuar e të këshilluar prej Kujtim Zeres. Pasi përvoja e tij e madhe në një ish ndërmarrje të tregtisë së jashtme,ku ishte marrë kryesisht me bimët mjekësore i kishin dhënë Zeres kredencialet e një njeriu të zotë e me eksperiencë në këtë sektor. Megjithatë, erdhi një moment, kur ai e ndjeu që puna më e mirë që mund të bënte ishte ngritja e një kompanie, me të cilën ai të ishte i lidhur pazgjithshmërisht. Duke vërtetuar kështu tezën se për biznes nuk është asnjëherë vonë. Duke treguar në këtë mënyrë, se për të qenë konkurues i denjë e serioz në treg, duhet të jesh së pari njeri i tillë. Kujtim Zere është sot 72 vjecar, por vazhdon të punojë pa ndërprerje në 7 ditë të javës. Vazhdon të kujdeset për kompaninë, tashmë të tij 100 për qind, me të njëjtën energji, sikurse edhe në momentet e para kur e krijoi atë e kur kishte ankthin e madh të shtrimit të rrugës së suksesit. Vazhdon të ketë partneritet me “letra të hapura” me njërën prej familjeve më të fuqishme të Izmirit, ku ka edhe tregun më të madh të produkteve të tij. Sepse, ndryshe nga kompanitë e tjetar të sektorit të bimëve mjekësore, “Albanian Herb” në pjesën dërrmuese të saj e ka të destinuar produktin e saj për në tregun turk.
Sherebela, rigoni dhe trumza janë tre nga produktet bazë të kompanisë “Albanian Herb”, pavarësisht se gama është më e gjërë se kaq. Kurse kohët e fundit, ajo i ka dhënë vëmëndje më të madhe edhe duhanit, duke i rritur sasitë e eksportuara. A e ndjen veten të realizuar e të suksesshëm realisht në këtë biznes, Kujtim Zeere? Pa asnjë dyshim që po. Deri në vitin 1998 ishte një nëpunës i devotshëm publik që përpiqej të mbronte interesat e tij. Dhe nëse nuk do të kishte patur besimin e madh në aftësitë e tij, në eksperiencën e krijuar, një njohjen e mirë të kësaj pune që bën, fare mirë mund të ishte një i tradhëtuar e i zhgënjyer, sikurse kanë rezultuar shumë të tillë. Që nuk janë përshtatur dot me rrethanat e reja. Që nuk kanë mundur të ndërtojnë një jetë të re dinjitoze të kushtet e një sistemi të ri ekonomik. Mirëpo Kujtimi arriti që në mënyrë graduale të ndërtojë një mënyrë të re pune e jete. Ndërtoi një ëndërr: të kishte një punë të tijën, një kompani të tijën. U fokusua tek ky qëllim dhe ja ku është sot “Albania Herb”. Një realitet i rëndësishëm në sektorin e grumbullimit të bimëve mjekësore. Një kompani që së shpejti do të ketë ambientet e saj të punës e të përpunimit, me mbi 3000 metra katror. Një kompani me mbi 60 të punësuar, por cka është më e rëndësishme, një kompani me impact të madh social, në saj të marrëdhënieve të kontraktimit që ajo ka me rreth 1000 fermerë, kryesisht në zonën e Belshit. “Nuk mund të ketë shtet të zhvilluar, pa bujqësi të zhvilluar”-i pëlqen të përsërisë vazhdimisht Kujtim Zeres. Një teori antitezë kjo me atë të kohës së socializmit shqiptar kur thuhej “nuk mund të ketë shtet të zhvilluar pa industrializim”. Kjo duket edhe njësia kryesore matëse e lumturisë së tij për suksesin e arritur. Jo paratë personale, por rritja e ndikimit pozitiv në ekonominë e të tjerëve. Në ekonominë e Shqipërisë.