Shpetim Luku
Për afro 22 vite Sami Gjergji ishte një ndër biznesmenët e shquar të vendit. Me biznese prodhuese, që shkonin në harmoni me prioritetet e vendit, me biznese që kishin impakt real në ekonominë shqiptare. Me biznese që ishin liderë prej vitesh në tregjet përkatëse. Me biznese rentabël. Qoftë “Floryhen” e qoftë “Primalat” ishin “kocka” të forta në sektorët ku vepronin. E para për mbi 20 vite, kurse “Primalat”-i për aq kohë sa e pati egzistencën e tij. Derisa erdhi një periudhë e vështirë kur të dyja këto kompani falimentuan. Por nuk ishte falimentim klasik, nga ato që ndodhin për arsye objektive. Nga ato falimentime që bëhen të pashmangshëm dhe rrjedhojë logjike kur nuk ke treg, kur shpenzimet janë më të larta se të ardhurat. Falimentimi i të dyja kompanive u ndikua më së shumti nga faktorë subjektivë, por që nuk kemi ndërmend ti analizojmë në këtë shkrim. Ajo që duam të themi është se me falimentimin e dy kompanive Sami Gjergji u fshi nga historia e biznesit shqiptar si një biznesmen i suksesshëm si me magji. Po qe se kërkon në google emri i Sami Gjergjit del në media online vetëm për një padi që njëra nga bankat e nivelit të dytë i ka bërë biznesmenit për një ndërrim destinacioni të një kredie prej 1.1 milionë euro. “Ish deputeti i PD-së në gjyq për mashtrim”- është titulli më i shpeshtë i këtij lajmi në gazeta e portale të ndryshme në vitin 2012. Pra kushdo që nuk e njeh historinë e tij, rrugëtimin e tij në biznes, kapërcimin në politikë, arsyet e mbylljes së kompanive të tij ka në dorë të krijojë opinionin rreth tij vetëm nëpërmjet këtyre lajmeve e kronikave.
“Kur po kthehesha në atë kohë në shtëpi më merr gruaja e shqetësuar në telefon dhe më pyet se ku isha”-tregon ai.
“I thashë që jam në makinë dhe për 10 minuta mbërrij”. Mirëpo ajo ishte shqetësuar së tepërmi sepse shikonte lajmet në titra në një televizion ku ishte shfaqur një lajm aspak i vërtetë sikur ish-deputeti Sami Gjergji ishte arrestuar ndaj dhe më kishte telefonuar- sqaron ai.
E vërteta është se në sajë të padisë së bankës gjyqi u zhvillua në tre shkallë dhe biznesmeni del i pafajshëm në të tre shkallët e gjyqësorit. Mirëpo ky fakt nuk reflektohet në të njëjtat media që vrapuan të jepnin lajmin negativ. Pra, kur menduan se ishte i “fajshëm” e masakruan, kur doli realisht i pafajshëm e harruan dhe nuk e njoftuan faktin e pafajsisë. Mirëpo cdo njeri në përgjithësi e sidomos biznesmenët në vecanti e kanë tepër të cmuar reputacionin individual. Sepse ai është kartvizita më e mirë për të bërë biznes. Në rastin konkret Sami Gjergjit ia cënuan reputacionin atëhere kur menduan se ai ishte fajtor për dicka që nuk ishte i tillë. Dhe kur më pas, askush nuk mori përsipër të sqarojë zhvillimet e mëvonshme, vendimet e gjykatave në të tre shkallët, që konkludonin se biznesmeni ishte i pafajshmëm.
Sami Gjergji është një nga rastet e shumta që vërteton prirjen e mediave shqiptare për të rendur pas lajmeve negative, dukuri kjo që buron nga psikologjia sipas të cilës “lajmi i keq shet”. Por duke harruar kostot e e mëdha e të padrejta që krijon ky turravrap për ata që bëhen objekt i tyre. Kur zhvillimet e mëvonshme shkojnë në sens të kundërt me atë që kanë dhënë fillimisht, atëhere reflektimi i këtyre zhvillimeve në media duket si përgënjështrim që ata i bëjnë vetes.