Të jetosh përtej mundësive të tua!
Vite më parë, kur u ndërtua kompleksi turistik “Laguna”, në Malin e Robit, shitjet e apartamenteve apo ambienteve të tjera në të u bënë në kohë rekord. Për vështirësi shitjesh pra as që bëhej fjalë. Mirëpo, pak kohë pasi ky kompleks përfundoi, pothuajse gjysmës së tyre iu vu tabela “shitet”.
“Çfarë ka ndodhur që shumë nga këto apartamente kanë dalë në shitje”, e pyeta njëherë administratorin e këtij kompleksi.
“Asgjë e jashtëzakonshme për shqiptarët”, më tha ai. Sikurse ndodh rëndom, edhe në këtë kompleks janë ngutur të blejnë edhe persona, të ardhurat e të cilëve nuk janë në nivelet që kërkon blerja e një shtëpie të tillë. Janë futur nëpër kredi dhe tani që ka ardhë koha e shlyerjes së tyre e shikojnë që kanë vështirësi të mëdha, vazhdoi shpjegimin e tij administratori.
Ky interpretim i tij është thjesht një argument ilustrues më shumë i një dukurie që tek shqiptarët dallohet lehtë. I asaj që shumë nga ata dëshirojnë të jetojnë përtej mundësive të tyre. Duke u përpjekur të shijojnë të tashmen, duke i rënë në qafë e duke kompromentuar rëndë të ardhmen. Sepse shumë prej tyre e kanë të vështirë të jetojnë mirë me pak. E kanë të vështirë të pranojnë një banesë me sipërfaqe aq sa sugjerojnë normativat e strehimit, por duke menduar se po bëjnë një investim afatgjatë, duke menduar se “shtëpia është investimi i jetës”, blejnë apartamente me sipërfaqe përtej asaj që ju nevojitet. Duke zgjedhur qendrën sepse e kanë të papranueshëm periferinë.
Kur është puna për makinë, ajo duhet të jetë patjetër i cilindratës së madhe dhe mundësisht Mercedes. Pavarësisht shpenzimeve të mbajtjes së saj. Mirëpo makinës i duhet dhënë vlerë përdorimi, ndaj duhet bërë sa më shumë lëvizje, duke shkuar edhe në kafe apo duke bërë edhe pazarin me të. Ndërkohë që përdorimi i biçikletës apo transportit urban si metoda transporti as që çohen ndërmend.
Kur vjen puna tek telefoni ai duhet të jetë mundësisht iPhone ose Samsung. Ndryshe nuk quhet se ke telefon. Por problemi është se nuk i ke paratë për t’a blerë atë. Zgjidhja është kollaj fare. E blejmë me kredi të siguruar nga institucionet financiare kundrejt interesave që kur bën bilancin del se ke paguar për 3 iphonë. Që unë nuk kam pse të kem iphonë, pasi nuk kam statusin social për një telefon të tillë as që çohet ndërmend.
Po veshjet? Edhe ato s’ka si të jenë ndryshe, veçse firmato. Duke paguar kështu për kultin e markës, edhe pse në treg ka alternativa shumë të mira dhe me çmime të arsyeshme.
Dhe kapaku i këtij “libri” janë pushimet. Edhe ato të realizuara në vende të ndryshme, por me…kredi. me kredinë pushuese që reklamojnë banka të ndryshme, por që në të vërtetë është një kredi që pushimet ti nxjerr nga hundët. Sepse ai që nuk mund të kursejë aq para sa duhen për disa ditë pushime, si është e mundur t’i kursejë ato duke paguar kredinë dhe interesat e saj.
Në kushtet kur të ardhurat janë të limituara, mirë është që edhe shpenzimet të jenë në raport me këto të ardhura. Çdo devijim nga ky rregull thjesht prodhon shqetësime për autorët e kësaj sjelljeje, ndërkohë që ata jetojnë iluzionet e plotësimit të ëndrrave të tyre.