Kur shteti të humb edhe vitet e punës si zv.Ministër!

L.M  është një qytetar dhe ekonomist i njohur tiranas, i cili një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka shpenzuar si zyrtar korrekt e i ndershëm në institucione të ndryshme shtetërore. Për të arritur deri në detyrën e zv. Ministrit për disa vite. Mirëpo, ndërsa koha e shpenzuar në këtë post të lartë qeveritar duhet të ishte krenari e ligjshme për të, si maja e karrierës së  tij  si zyrtar publik, në të vërtetë ajo periudhë e bën të ndihet keq atë. Duket si paradoksale, por është e vërtetë. Sepse periudha kohore e të qënit zv. Ministër është ndërkohë një periudhë pune e humbur. Që nuk gjendet në dokumenta. Kur i është dashur të dalë në pension për arsye të mbushjes së moshës, mos gjetja në regjistrat përkatës të viteve të punës në Ministrinë kur ai ishte numri 2 i saj bënë që atij këto vite ti humbnin. Shtoji kësaj edhe disa humbje të tjera të kësaj natyre nga veprimtaria e tij nëpër kompani private mediatike ku ka punuar në detyra drejtues dhe rezultati ishte një pension i ulët. 

U ndalëm tek ky rast pasi ai është shumë domethënës që ilustron më së miri se si ka funksionuar shteti dhe shoqëria shqiptare përgjatë gjithë këtyre 30 viteve të tranzicionit. Kur vitet e punës i kanë humbur prej shtetit edhe një ish zyrtari të lartë të saj, imagjino sa pa efektivitet e sa në anarki ka funksionuar shteti shqiptar. Personazhi që iu referuam është njëri nga viktimat e shumta të një bombë sociale që është përgatitur ndër vite në mënyrë graduale e sistematike e që tashmë ka nisur shpërthimin e saj.  Mënyra se si u “ndërtua” kjo bombë sociale ishte vjedhja e  kontributeve shoqërore të punonjësve, të cilët detyroheshin të punonin të pasiguruar, ndërkohë që shteti shqiptar, institucionet e korruptuara të tij, lejonin punëdhënësit shqiptare të aplikonin në masë punën e zezë. Vjedhja e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve përbënte një burim të rëndësishëm pasurimi për pronarë kompanish dhe përhapja në masë e saj u shoqërua me uljen e numrit të kontribuesve, të raportit kontribues- përfitues. Duke shkuar deri në raporti 1.1:1. Pra për një përfitues kishte ë 1.1 kontribues.

Dy ishin rezultatet negative. E para, që pensionistët e kohës kur puna e zezë lulëzonte kanë marrë pensione qesharake si  rrjedhojë e defiçiteve të mëdha të krijuar në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Dhe e dyta, përgatitja e një ushtrie pensionistësh të së ardhmes, të cilët, pse nuk do përfitonin pension fare, ose ai pension do të ishte  qesharak. Dhe ja ku vitet kaluan dhe shifrat tregojnë se tashmë ka ardhur koha për t’u ballafaquar me atë çfarë është gatuar në të kaluarën. Sot, ata që dalin në pension e kanë shumë të vështirë të plotësojnë numrin e viteve për të përfituar pension të plotë. Statistikat tregojnë se një pensionist që del sot nga 37 vite punë, plotëson mesatarisht 27 vite. Po kështu, edhe subvencionimi i buxhetit të sigurimeve shoqërore nga shteti ka ardhur dukeu zvogëluar, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të shëndoshjes së financave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, por sepse pensioni me të cilin dalin sot njerëzit është i ulët, pikërisht prej mosplotësimit të viteve. Një pensionist i vitit 2023 ka marrë një pagesë pensioni prej rret 15 mijë lekësh që është edhe më e ulët se mesatarja e pensioneve. Nga ana tjetër, afro 50 për qind e pensioneve të vitit 2023 janë pensione të pjesshme, cka tregon pra se ky kontigjent pensionistësh nuk ka mundur të plotësojë kushtet ligjore për të përfituar pension të plotë. I bindur që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu, kryeministri Edi Rama ka bërë apele të forta dhe ka paralajmëruar masa të ashpra për të gjithë ato kompani e ata biznesmenë që nuk paguajnë sigurimet shoqërore të punonjësve për rrogat reale të tyre. Madje ka premtuar se këto raste do të trajtohen njësoj sikurse ndodhi me qytetarët që nuk paguanin energjinë elektrike. Fokusimi në këtë problematikë e me këtë ton është i drejtë. Por sërish mbetet aktuale pyetja se pse duhej të pritej deri në vitin 2025, që energjitë e shtetit shqiptar të përqëndrohen në reduktimin dhe çrrënjosjen e një prej krimeve më të shëmtuara të realizuara gjatë këtyre viteve: vjedhjen e punonjësve prej pronarëve të kompanive dhe krijimin e kontigjenteve të tëra njerëzish të mjerë në moshën kur njeriu ska më fuqi e mundësi për korigjim e reflektim.

Ish-emigranti biznesmen që eksporton gjysmën e prodhimit në Europë

Shumica e biznesmenëve që kanë sot pozita të forta dhe dominuese në biznesin shqiptar janë bërë të tillë nëpërmjet një rrugëtimi që ka nisur në fillim të viteve 90-të. Pra, atëhere kur nisi ndryshimi i sistemit ekonomik dhe Shqipëria përqafoi sistemin që bazohej pikërisht tek ushtrimi i iniciativës së lirë private. Dhe ku shumëkush u turr të ngulë flamurin e aktivitetit të tij në truallin e lirë, në truallin e pazenë të biznesit shqiptar. Por ama, historitë më interesante dhe më të bukura të biznesit janë shkruar vite më pas. Atëhere kur edhe biznesi ishte i strukturuar dhe i konsiliduar, edhe ekonomia ishte më e formalizuar. Ashtu sikurse ka bërë Hekuran Brahimaj me kompaninë e tij, EMANTE. Pasi futi në xhep diplomën e bio-kimistit nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ai e zgjidhi dilemën në kërkim të fatit e progresit të tij, në favor të emigracionit. Dhe shpenzoi jo pak, por plot 12 vite në emigrim. Por nuk i konsumoi këto vite në mënyrë rutinë. Nuk e përjetoi këtë periudhë të rëndësishme kohore duke u ndjerë i vetëkënaqur e i vetërealizuar pse ai arrinte të përmbushte nevojat bazike të jetës për vete e familjen e tij. I pajisur me dëshirën e madhe për ndryshime të mëdha në statusin e tij, i “armatosur” edhe me vullnetin që duhet për të bërë të mundur misione të tilla, e gjithë eksperienca e tij si emigrant në Greqi shërbeu edhe si përvojë për tu orientuar e piketuar se cfarë aktiviteti mund të ndërtonte ai. Dhe paralel me këtë realizoi një mori vëzhgimesh e studimesh për të konkluduar nëse ia vlente të merrej me atë që kishte identifikuar si aktivitetin e ardhshëm të tij apo jo. Dhe kur argumentat i dhanë përgjigje pohuese kësaj dileme, nuk vonoi, por ndërtoi në vitin 2006 një pikë tregtimi të materialeve të ndërtimit, paneleve sanduic, profileve metalike dhe plastike dhe përpunimit të llamarinës. në Vorë të Tiranës. Sigurisht që suksesi nuk mungoi, pasi nisma që ndërmori nuk ishte spontane apo e tipit “kokë a pil”, por ishte një nismë e mirëstudiuar. Brenda një dekade avantazhet e shumta konkuruese bën dallimin e EMANTE-s nga kompanitë e tjera. Mirëpo Hekuran Brahimaj e dinte që të korrësh një sukses nuk është më e vështirë se sa të vazhdosh të korrësh në vazhdimësi sukses. Ai e kishte shumë të qartë se suksesi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë dhe për ta bërë të mundur këtë duhej që tek EMANTE të mbizotëronte inovacioni dhe risitë, cka do të bënin të mundur që ajo të qëndronte një hap përpara konkurentëve. Dhe kështu, në vitin 2018 lindi fabrika e prodhimit të paneleve sanduic dhe e aksesorëve të tij. Në këtë mënyrë, Hekuran Brahimaj i bën një ndryshim tejet të rëndësishëm biznesit të tij, kur kalon nga importues dhe tregtues i produkteve, në prodhues dhe tregtues i tyre. Është një metamorfozë e rëndësishme, që i siguron kompanisë një perspektivë akoma më të mirë, e më të qëndrueshme. Nëpërmjet një kompanie moderne, të automatizuar, që funksionon me vetëm 4 punonjës, me kapacitete shumë të mëdha prodhimi, EMANTE ka arritur që jo vetëm të përmbushë nevojat e tregut vendas me produkte cilësore, por njëkohësisht, të destinojë e të shesë 50 për qind të prodhimit të saj në eksport. Dhe është pikërisht ky tregues, eksporti pra, projektet e ndryshme të realizuara nëpër vende të ndryshme të botës, ai që i jep Hekuran Brahimajt, një  një kënaqësi të ligjshme. Sepse, “në tregjet ndërkombëtare nuk cahet dot me njohje e me konjuktura, por me cilësi e korrektesë”, thotë ai.

Së fundmi EMANTE, duke ndjekur edhe trendet e investimeve, i ka shtuar portofolit të saj të produkteve dhe shërbimeve edhe realizimin e bazamenteve të parqeve fotovoltaikë. Natyrish, me cilësinë maksimale, por edhe të harmonizuar me cmimet e arsyeshme, krahasuar me produktet e kësaj natyre të ardhura nga importi.

Kur njihesh me histori të tilla impresionuese suksesi, ku një person braktis statusin e emigrantit dhe kthehet në atdhe e ndërton një biznes, më pas transformohet nga tregtra në prodhues, e më vonë nga importues në eksportues, sigurisht që është e pashmansshme pyetja që ka të bëjë me celësin e këtij suksesi.

“Çelësi i suksesit tonë? Dëshira për inovacion dhe për të qenë gjithmonë një hap përpara trendeve të industrisë. Teksa vijojmë të investojmë në teknologjinë më të fundit që ne të kryesojmë në industri dhe duke ofruar vazhdimisht produkte dhe shërbime të cilësisë së lartë, ne kemi fituar reputacionin e partnerit serioz dhe të besueshëm për klientët tanë. Fryma e ekipit dhe përkushtimi ynë për të garantuar cilësi kanë qenë thelbësore në rritjen dhe zgjerimin tonë përtej territorit shqiptar. Ne jemi gjithmonë të hapur ndaj mundësive dhe partneriteteve të reja dhe mirëpresim bashkëpunimin me klientët dhe partnerët tanë. Qëllimi ynë është të punojmë së bashku për të ofruar zgjidhjet më të mira të mundshme që përmbushin nevojat dhe kërkesat tuaja. Marrëdhëniet me klientët dhe partnerët tanë janë tepër të rëndësishme për ne dhe jemi të gatshëm të shkojmë edhe më tej për të vendosur marrëdhënie afatgjata”- shpejgon Hekurani.

 Emante Manufacturing, është kompani leader në fushën e prodhimit të paneleve sanduiç. Qëllimi i saj kryesor është arritja e standardeve më të larta të përsosmërisë. Të specializuar në prodhimin e paneleve sanduiç nëpërmjet teknologjisë së fundit, ajo synon të sjellë produkte të besueshme që përmbushin më së miri kërkesat e investitorëve modernë dhe ekspertëve të industrisë. Vite të tëra i ka kushtuar hulumtimit dhe inkorporimit të teknologjisë së fjalës së fundit, kryesisht në ndërtimin e godinave publike dhe private. Emante kërkon të përqafojë teknika të suksesshme dhe efikase në mënyrë që më tej të ketë rezultat në punën e saj origjinale

 Objektivi kryesor i saj është të ofrojë sisteme ndërtimi inovative, të një cilësie të lartë, me kosto të leverdisshme, të mos dëmtojnë mjedisin dhe me konsum të ulët të energjisë elektrike. Kapaciteti prodhues i kompanisë për ndërtimin e kontenierëve, kryesisht për përdorim industrial dhe komercial, është i konsoliduar dhe i garantuar, duke ofruar produkte të cilësisë së lartë e me kosto të ulët ku përparësi ka përmbushja e kërkesave të klientit. Në vitin 2015, kompania bëri investime të mëdha për zgjerimin e veprimtarisë dhe përmirësimin e teknologjisë.

 Emante ka një fuqi punëtore prej 135 punonjësish, 39 me kohë të plotë dhe 96 me kohë të pjesshme. Stafi kryesor me kohë të plotë është përgjegjës për veprimtarinë bazë të kompanisë, ndërsa stafi ynë me kohë të pjesshme mbulon role specifike, si punë të përkohshme ose sezonale. Të kesh një përzierje të personelit me kohë të pjesshme dhe atij me kohë të plotë i mundëson kompanisë t’i përgjigjet në mënyrë efikase ndryshimeve në kërkesë.

Zotëria i turizmit!

Fatos Cerenishti njihet tashmë nga të gjithë si pionieri i turizmit shqiptar. Por fillimet e tij në biznes i ka në sektorin e ndërtimit. Pra në atë sektor që ka qenë dhe vazhdon të mbetet bujar sa i takon fitimeve që siguron si sektor. Kështu që është e lehtë të përfytyrohet se po qe se Fatos Cerenishti do të vazhdonte aktivitetin e tij në ndërtim, pse jo, sot ai mund të klasifikohej tek ndërtuesit e mëdhenj të Shqipërisë. Por një ditë të bukur, shumë vite më parë, ai vendosi ti dedikohej turizmit, duke vlerësuar pikërisht ato avantazhe që ka Shqipëria, dhe që e bënin në atë kohë vendin tonë një vend të prapambetur, por me potencial e perspektivë turistike. Pra Fatos Cerenishti la një degë biznesi fitimprurëse, sikurse ishte ndërtimi, për ti hyrë një tjetër biznesi, i cili kishte të dobët aktualitetin në atë kohë, por ama, perspektivën e kishte të shkëlqyer. Dhe kjo është ajo që dallon njerëzit vizionarë. Ata shikojnë larg, ata shikojnë atë që nuk mundet ta shikojnë njerëzit e zakonshëm. Vizionarët e dijnë se do të shpërblehen një ditë për saktësinë e parashikimeve të tyre. Vërtet që Fatos Cerenishti mund të kishte disa para më shumë, nëse do të vazhdonte të ishte një ndërtues, midis mijëra ndërtuesve, por kënaqësinë që ka përjetuar duke qenë protagonist i turizmit shqiptar, nuk do ia jepte kurrë ndërtimi. Sepse, edhe kur vendosi ti përkushtohet turizmit, nuk ishin parësorë kërkesat për fitime të mëdha. Pra nuk e filloi eksplorimin e këtij sektori, me idenë së do të bënte pasuri më të madhe se sa me ndërtimin. Për këtë ishte i ndërgjegjshëm. Protagonizmi i tij në turizëm filloi si ambicie, si “kokëfortësi” dhe sfidë e një personi që kur shikon resorte të bukura jashtë, e kap dëshira dhe guximi për të ndjekur të njëjtën rrugë.

Njësoj, sikurse kanë vepruar edhe ata kolegët e tij, pronarë të resorteve jashtë vendit.  Por duke qenë ndër të parët biznesmenë që guxuan të investojnë në turizëm, Fatos Cerenishtit iu desh të përballej edhe me vështirësi, që vinin nga infrastruktura e dobët e për të cilën është përgjegjëse shteti, me skepticizmin e të huajve për cdo gjë që lidhet me Shqipërinë, me mungesën e personelit të përshtatshëm që është i aftë për të ofruar shërbim cilësor e që e duan aq shumë të huajt.

Parësorë pra në të gjithë veprimtarinë e tij ka qenë dhënia e një kontributi për zhvillimin e vendit, për zhvillimin e një sektori, për të cilin Shqipëria ka të gjitha avantazhet  dhe bukuritë natyrore. Të tjerat, ato që varen nga njeriu, nga politika, bëhen me kalimin e kohës, mjafton të egzistojë dëshira e mira. Me ngritjen e FAFA Premium Resort, e më vonë të Grand Blue Fafa Resort, me përshtatjen edhe të godinave të tjera në funksion të turizmit, Fatos Cerenishti e ka bërë të tijën. Ka ndërtuar dy komplekse gjigande, pas asnjë dallim, për mënyrën si funksonojnë nga resorte të tjera jshtë Shqipërisë e ku shkojnë jo pak Shqiptarë.

Grand Blue Fafa Resort ndodhet pikërisht përballë Rivierës Shqiptare, në plazhin e bukur të gjatë të Golemit, Durrës. Vetëm 35 minuta nga Aeroporti i Tiranës ‘Nënë Tereza’ dhe më pak se 20 minuta nga Porti i Durrësit.
Grand Blue Fafa Resort është një hotel i ri mbresëlënës me një arkitekturë mahnitëse të ndërtuar në një plazh të mrekullueshëm të Golemit, ideal për ata që kërkojnë të kenë pushimet e tyre të qeta dhe që mbeten gjatë në kujtesë.
Resorti ofron përvojat më të mira të mikpritjes për familjet dhe çiftet duke siguruar një larmi të gjerë shërbimesh dhe lehtësirash si për të pushuar ashtu edhe për nevojat e biznesit.

Ndërsa Fafa Premium përfshin  98 dhoma standarte, 12 dhoma familjare dhe 49 kostume. Të gjitha dhomay kanë ballkone me pamje nga deti dhe janë të pajisura me kondicioner, minibar, kasafortë, TV LCD dhe tharëse flokësh. Fafa Premium Resort ka dy restorante( restoranti kryesor All Inclusive ku kuzhina shqiptare dhe ajo nderkombëtare europiane kombinohen së bashku dhe restorant la Carte., bar pishinë, bar plazhi, dy pishina të hapura për të rritur dhe fëmijë, plazh me rërë të pajisur me cadra dhe shezlongë, sallë konferencash, miniklub për fëmijë, kënd lojërash, ËiFi falas dhe parkim.

Tashmë të dy resortet e tij kanë arritur të kenë aktivitete të konsoliduara, por që vijnë edhe në rritje nga njëri vit në tjetrin. Kështu, të dyja FAFA-t, pra “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Resort” kanë regjistruar gjatë vitit 2023 një aktivitet në kuotën e 20 milionë eurove. Është një aktivitet në nivele impresionuese dhe që tregon se hotelet e këtyre resorteve po mbushen në të gjithë kapacitetin e tyre dhe në një sezon turistik që zgjatet deri në fund të muajit shtator.

Tani që resortet e Fafa-s, “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Premium” kanë krijuar fizionominë e tyre, burimet e tyre të furnizimit me turistë të huaj, kanë arritur një nivel të lartë shërbimi, mundësuar nga mbi 300 punonjësit e tyre, përpara Fatos Cerenishtit është shfaqur një preokupim tjetër. I vetëdijshëm se një kompleks i mirë dhe i bukur stonon kur është i rrethuar nga ndërtime demode, i bindur se suksesi nuk kërkon vetëm resort të bukur, por edhe zonë të bukur, ai ka filluar nga puna për “korigjimet” e duhura. Dhe nëse këtë kapacitet e shton edhe në të ardhmen, kjo nuk është qëllim në vetëvete i tij për sa më shumë kapacitete hoteliere, por thjesht përpjekje për të përmirësuar sa të jetë e mundur zonat përreth hoteleve të tij. E vërteta është se tashmë edhe hotelet e tjerë në bregdetin e Durrësit dhe të Kavajës janë të standarteve më të larta bashkëkohore, të bukura e me projekte të shkëlqyera, por kjo nuk do të thotë se e kaluara anarkiste nuk ka lënë gjurmë që duhet eleminuar. Dhe ky është qëllimi kryesor i Fatos Cerenishtit dhe investitorëve të tjerë të sektorit turistik.