Teksa lëvizte me makinë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Avni Ponarit i zunë sytë ish-Ministrin nga i cili varej institucioni ku ai punonte si Oficer marine. Ishte Ministri që si rezultat i mospëlqimit të një fejtoni, të shkruar nga Ponari e të botuar në gazetën e ushtrisë, u angazhua personalisht që Avni Ponari të largohej nga profesioni që ai e donte aq shumë. Ishte Ministri, që me vendimin e tij, i dha Avni Ponarit ankthin e parë që vjen nga papunësia. Ishte Ministri, i cili me veprimin e tij e ballafaqoi oficerin e ri dhe babain e dy fëmijëve të vegjël me shqetësimin dhe pasigurinë që të jep papunësia. Tashmë me një status të ri, Avni Ponari ndaloi makinën afër ish-eprorit të tij, doli nga makina, i dha dorën dhe e pyeti: a më njeh?
“Sigurisht që të njoh”, iu përgjigj ish-Ministri, me një buzëqeshje në fytyrë, e ndoshta i përgatitur psikologjikisht edhe për ndonjë shfryrje mllefi nga ana e “viktimës” së tij të dikurshme. Por ajo që ndodhi ishte e kundërta e saj që mund të presupozonte ai. Ponari nxori një kartëvizitë nga xhepi dhe ia la në dorë duke e shoqëruar gjestin me fjalët: sa herë të kesh nevojë, për cdo gjë që të kesh nevojë dhe kurdoherë që të kesh nevojë, trokit në derën time pa ngurrimin më të vogël. Po pse kjo ofertë bujare? Cfarë ishte deklarimi i këtij disponimi dashamirës dhe i dobishëm? Shprehje konsiderate dhe vlerësimi i Avni Ponarit për ish eprorin që e shkarkoi nga puna? Sjellje sipas predikimit Kristian për të mos iu përgjigjur tjetrit “sy për sy e dhëmbë për dhëmbë”? Asnjëra nga këto nuk ishte. Hapja e derës, dhënia e lejes për të trokitur kurdoherë aty për cfarëdo lloj nevoje ishte thjesht një veprim në bazë të një konkluzioni filozofik. Ishte një veprim që u bë si rrjedhojë e shikimit pozitiv të gjërave dhe ngjarjeve. Shkarkimi nga puna, edhe pse me preteks qesharak, ishte njëri nga gurët e themelit, me të cilin më pas, Avni Ponari ndërtoi perandorinë “SIGAL”. Sepse pas këtij shkarkimi ai u fut në industrinë e sigurimeve, duke mbuluar kryesisht sigurimet e mjeteve motorike dhe të anijeve në udhëtim. Por kur edhe nga kjo punë pati telashe të tjera me eprorët e tij atëhere kupa u mbush. Nuk mendoi më për punësimin e radhës, gjë që do të sillte problemet e radhës. Por mendoi të mos humbë më kohë, shfrytëzoi ligjin e porsa dalë për liberalizimin e tregut të sigurimeve, aplikoi për të marrë licencën e kompanisë private, të projektuar në kokën e tij mbi bazën e një vizioni pa limite dhe filloi punën për konkretizimin e tij. Gjithë ditëve rrugëve të Shqipërisë, qytet më qytet për të ngritur rrjetin shitjes së policave të sigurimit. Gjithë ditën me përpjekje të stërmundimshme për të krijuar “ushtrinë” e siguruesve të “SIGAL”-it. Në ditë të caktuara ka rastisur të përshkojë edhe 1000 kilometra brenda ditës, duke shkuar në 5 qytete të Shqipërisë nga Veriu në Jug. Dhe bëhet fjalë për një kohë kur rrjeti rrugor ishte i shkatërruar dhe udhëtimi me automjet ishte torturë e vërtetë. Gjithë ditën në punë në funksion të “SIGAL”-it, kësaj “foshnje” që sapo kishte lindur e duhej të rritej, ndërkohë që në darkë kthehej tek fëmijët që i kishin munguar e iu kishte munguar përgjatë ditës. Por sapo niste të qetësohej e të shlodhej disi fizikisht nga dita e gjatë dhe e mundimshme, mendja i rrinte tek “SIGAL” dhe mezi priste të zbardhte dita e re, për të nisur sërish dedikimin ndaj krijesës së tij të biznesit. Momenti kur takoi ish-Ministrin e tij, i përket një kohe, kur “SIGAL” kishte marrë drejtim e rrugë, kishte lënë pas ato konkurentë që ishin në treg dhe kishte fituar rolin e lidershipit në tregun e sigurimeve. Dhe në euforinë e suksesit, Avni Ponari përcaktonte nëpërmjet analizës së tij si një nga kontribuesit e rëndësishëm edhe vendimin për pushimin nga puna.
Që nga ai moment, pra që nga casti kur “SIGAL” siguroi rolin primar në tregun e sigurimeve, e ka ruajtur këtë rol dhe e ka forcuar nga viti në vit.
Duke u rritur, duke u forcuar dhe konsoliduar “Sigal Uniqa Group Austria” ka arritur të ketë një impact të madh në jetët e gjithsecilit që ka ndërtuar marrëdhënie me të. Të sigurohesh do të thotë dinjitet, intergritet për gjithsecilin. Të sigurosh shtëpinë do të thotë se në rast fatkeqësish natyrore mos të rrish me sytë e drejtuar nga institucionet publike në shpresë të mëshirës së tyre, por të zgjidhësh problemin konform kontratës që kë nënshkruar me kompaninë e sigurimeve.
Të sigurohesh për shëndetin do të thotë që nëse të “zë e keqja” të mos rrish në shpresë të apeleve për ndihmë e solidaritet, që me shumë mundësi ka të mos vijë, por ti drejtohesh kompanisë së sigurimit për pagesën e faturave. Dhe dalim pastaj edhe tek një ndër arsyet kryesore pse veprimtaria e “Sigal Uniqa Group Austria” është kaq e suksesshme. Sepse ajo nuk i shmanget detyrimit kryesor që ka një kompani sigurimi e që është pagimi i dëmeve. Vetëm në Shqipëri mbi 22 për qind e totalit të dëmeve Jo-Jetë ose afro 14 milionë euro janë paguar nga “Sigal”. Kurse Sigal Jetë ka rreth 58 për qind të totalit të dëmeve të paguara. Dhe kur ke reputacionin e një kompanie serioze dhe të përgjegjshme, atëhere edhe klientët të besojnë. Ndaj dhe aktiviteti i kompanisë, vetëm në Shqipëri, është rritur rreth 13 për qind krahasuar me vitin paraardhës.
E vërteta është se “SIGAL UNIQA GROUP Austria” ka ofruar gjithmonë mundësi të reja aty ku të tjerët nuk i shohin, ndaj është një hap para në ofrimin e produkteve novatore, të thjeshta, të shpejta dhe pa kosto shtesë. I kushtohet shumë rëndësi rritjes së eficensës nëpërmjet optimizimit të mëtejshëm të modelit të biznesit, duke rritur produktivitetin. Janë thjeshtëzuar dhe automatizuar pjesa më e madhe e proceseve të punë, janë shkëmbyer dhe zbatuar praktikat më të mira të punës, është optimizuar më tej marrja në sigurim dhe vendosja e cmimeve.
Modeli i biznesit është përmirësuar nëpërmjet adoptimit të mënyrave të reja të qasjes ndaj klientëve dhe pasurimit të gamës së produkteve dhe shërbimeve, të cilat ofrojnë vlerë shtesë për klientët. Kompania ka rritur vizibilitetin e brandit dhe tërheqjen ndaj produkteve egzistuese dhe atyre të reja.
Në misionin për të qenë më shumë se sa kompani sigurimi SIGAL ka zgjeruar modelin e biznesit përtej fondit të sigurimeve, duke thelluar fokusin tek menaxhimi i aseteve dhe biznesit të fondeve të pensionit. Si dhe është punuar më tej me promovimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi kujdesin dhe mbrojtjen e rriskut.
Po qe se do të kishim mundësi të monitoronim nga afër Avni Ponarin për një periudhë të caktuar kohe, me siguri do të konstatonim që fjala më e përdorur e tij gjatë ditës është “SIGAL”. Dhe ka të drejtë. Sepse “SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA” është tashmë jo vetëm një realitet i rëndësishëm në tregun financiar shqiptar, por njëkohësisht është edhe një ide e 25 viteve më parë, e transformuar në një gjigand brenda një harku kohor 25 vjecar.
SIGAL është gjurma e suksesit të Avni Ponarit, është kryevepra që e ka përmbushur dhe realizuar plotësisht atë.