Maltin Korkuti


Drejtor i Përgjithshëm i “Credins Bank”

Xhiro e biznesit 2022: 100 milionë EURO

Ndryshimi në % 22/21: +8

Numri i punonjësve: 1038

Zyrat qëndrore: Tiranë

Ecuria e bankës Credins përgjatë 2022 ka qenë mjaft pozitive në shumë tregues financiar. Si një bankë që vazhdon të këtë pozita solide në treg dhe si banka e dytë më e madhe në total asetesh dhe depozitash, banka Credins është përballur me sukses me sfidat ekonomike lokale dhe ato globale.
Tregu bankar shqiptar, edhe pse në vitin 2022 ka qenë sfidues për industrinë bankare, ka vijuar të rritet me (5% në total asete dhe 7% në kredidhënie). Market share ishte 15.9% në total asete dhe 16.86% në total llogaritë e klientëve duke mbajtur në këtë mënyrë ritmin e rritjes së tregut.

Më shumë informacion mund të gjeni tek libri “Biznesi Shqiptar, Më të mirët 2023”


Luan Muça


Founder & CEO DELTA GROUP

Emri i kompanisë: Delta Group

Xhiro e biznesit 2022: 153 milionë EUR

Numri i punonjësve: 1450

Zyrat qëndrore: Tiranë

Kur Luan Muca futi pllakat e para në një dyqan të vogël në Elbasan, ai e dinte se po hidhte hapat e para të një udhëtimi të gjatë. Jo të një udhëtimi rreth e qark botës, nga ai, që shumë njerëz e kanë si qëllim në vetëvete për të parë vende të ndryshme, për të njohur kultura të ndryshme. Por një udhëtim në botën e bukur, por edhe të vështirë të biznesit. E dinte që ky udhëtim do zgjaste në kohë, e dinte që do kishte sfida, pengesa e vështirësi, të cilat do të duhej ti kalonte. Por sado largpamës të ketë qenë Luan Muca, sado i qartë të ketë qenë për atë cfarë do të bënte, sado të kristalizuar të kishte objektivat dhe strategjinë e veprimit, vështirë të besohet se ai kishte kalkuluar se pas 25-26 vitesh do të arrinte këtë stad ku ka arritur faktikisht. Pasi realiteti që ka krijuar e tejkalon edhe endrrën më të cmendur që të lejonte Shqipëria e viteve 1996-1997. Delta Group ndodhet sot në piedestalin më të lartë të biznesit shqiptar, duke qenë një nga grupet më të fuqishme. Dhe ky nuk është një përfundim i egzagjeruar dhe euforik, por ajo cfarë tregojnë edhe shifrat.

Më shumë informacion mund të gjeni tek libri “Biznesi Shqiptar, Më të mirët 2023”


Vasil Naçi


President & CEO i AGNA Group (AGNA sh.a, ALFA sh.a, ALBARTEX, AGNA Kosovë, International Alfa Contruction etj)

Emri i kompanisë: AGNA Group

Xhiro e biznesit 2022: 300 milion EUR

Ndryshimi në % 22/21: +8

Numri i punonjësve: 1500

Vendndodhja: Tiranë

Diplomuar për Financë në Universitetin Bujqësor të Tiranës (1991) dhe Master në Administrim Biznesi (MBA) në Universitetin e New York-ut në Pragë (2007).
Vasil Naçi është një ndër figurat me ndikim të thellë në shoqërinë shqiptare dhe në botën e biznesit. Me 32 vite përvojë në industri dhe me një pasion të pashoq për suksesin, ai është themeluesi dhe CEO i Agna Group, kompani e cila është sot lider në sektorin e FMCG në Shqipëri. Më shumë se 1,500 persona janë të punësuar prej kompanive pjesë të portofolit të investimeve të tij.
Përveç karrierës së pasur në sipërmarrje, Vasil Naçi është themelues i “Agna Leadership Academy,” një platfor më e cila synon të shpërndajë njohuri dhe mësime në fushën e lidershipit, menaxhimit, komunikimit, dhe shumë fusha të tjera të biznesit.

Më shumë informacion mund të gjeni tek libri “Biznesi Shqiptar, Më të mirët 2023”


Samir Mane


President i “Balfin Group”

Emri i kompanisë: Balfin Group

Xhiro e biznesit 2022: 350 milionë euro

Numri i punonjësve: 4500

Vendndodhja: Tiranë

Nëse do të shtrohet pyetja se cila ishte kompania apo grupi më i suksesshëm në terma absolutë gjatë vitit 2022 në Shqipëri, shumë kujtdo mund ti shkojë mendja tek biznesmeni i mirënjohur Samir Mane. Dhe jo pa shkak. Cdo vit kompanitë e krijuara dhe të menaxhuara nga ai performojnë në mënyrë më shumë se të kënaqshme, por gjatë vitit 2022 ato kanë patur rezultate ekonomiko financuare të tilla, që e bëjnë “Balfin Group”-in absolutisht më të suksesshmin e vitit. Ndonëse jo më të madhin. Megjithëse edhe sa i takon përmasave sasiore “Balfin Group” renditet ndër më të mëdhenjtë e vendit. 6 nga kompanitë e këtij grupi u futën ndër 200 kompanitë më të mëdha të Shqipërisë. Spar Albania rezultoi kompania më e madhe e grupit Balfin për vitin 2002. Me një xhiro prej 9.3 miliardë lekë, ajo siguroi një rritje impresionuese krahasuar me vitin paraardhës. Operoi me 75 markete, nga të cilat, 34 nën menaxhimin e drejtëpërdrejtë, dy hipermarkete dhe 42 markete të tjera me modelin FRANCHISE.

Më shumë informacion mund të gjeni tek libri “Biznesi Shqiptar, Më të mirët 2023”


 

Erdal Demir


Administrator i kompanisë “KURUM INTERNATIONAL”

Xhiro e biznesit 2022: 404 milion EUR

Ndryshimi në % 22/21: +15

Numri i punonjësve: 770

Vendndodhja: Elbasan

Ajo cfarë ndodhi gjatë vitit 2022, ishte e pazakontë. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës shkaktoi një tronditje të madhe cmimesh, sidomos të energjisë, duke i rritur ato e duke i cuar në qiell. Por ndërsa shumë biznese filluan të bëjnë llogaritë në kushtet e një situate të re, duke shqyrtuar e monitoruar realitetin e ri me gjithë problematikën e tij plot ankth e pasiguri, drejtuesit e “Kurum International” ishin shumë më të qetë se të tjerët. Pasi Kurumi duke qenë një konsumator i madh energjie, por nga ana tjetër, duke qenë edhe vetë prodhues energjie, ata e dinin që nuk do të kishin problemet me të cilat duhet të përballeshin të tjerët. Pra ata që iu duhet ta sigurojnë atë nëpërmjet të tretëve. E gjithë dilema e drejtuesve të kompanisë Kurum gjatë vitit 2022 ishte nëse duhet ta përdornin energjinë e tyre për fabrikën e prodhimit të celiqeve në Elbasan apo duhet ta shisnin në treg të lirë, duke reduktuar prodhimit.

Më shumë informacion mund të gjeni tek libri “Biznesi Shqiptar, Më të mirët 2023”


 

Kompania GSA


Xhiro e biznesit 2022: 470 milion EUR

Ndryshimi në % 22/21: +200

Numri i punonjësve: 171

Vendndodhja: Tiranë

Aktiviteti i kompanisë GSA për vitin e kaluar është rritur në mënyrë impresionuese. Nga afro 190 milionë euro që ai ka qenë gjatë vitit 2021, në vitin 2022 shkoi në rreth 470 milionë euro. Natyrisht, ky kapërcim sasior i aktivitetit të kësaj kompani nuk përfaqëson rritje të volumeve të punës së saj në këtë masë. Pasi, si një kompani që në natyrën e aktivitetit të saj ka sigurimin e energjisë elektrike nga tregje ndërkombëtare, ajo do të ishte e ndikuar edhe nga kriza botërore që u shkaktua nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Ky veprim tronditi pikësëpari tregjet ndërkombëtare të energjisë, e mbi të gjitha atë të energjisë elektrike. Cmimet e saj u rritën disa here, por statistikat e performancës tregojnë se edhe pse periudhë krize GSA ka manovruar shumë mirë. Edhe bilanci energjitik i vitit 2022 tregon dhe konfirmon vështirësitë me të cilat është hasur vendi, sa i takon këtij produkti tepër të rëndësishëm. Prodhimi vendas i energjisë elektrike ishte në nivelin e 7 GWh nga 8.963 GWh që ishte një vit më parë ose me 21 për qind rënie. Ndërkohë, importi ishte 3.044 Gëh nga 2.253 GWh që ishte në viti 2021. Pra me
35.1 për qind rritje.

Më shumë informacion mund të gjeni tek libri “Biznesi Shqiptar, Më të mirët 2023”


 

Marin Gjonaj


Emri i kompanisë: Info-Telecom, ENER TRADE, ProMarketing

Xhiro e biznesit 2022: 760 milion EURO (të tre kompanitë)

Numri i punonjësve: 200

Vendndodhja: Tiranë

Gjonaj Group” është një bashkësi kompanish, ku më të rëndësishmet prej tyre janë Info-Telecom, ENER TRADE dhe Promarketing. Natyrisht, Info- Telekomi është ajo që i ka paraprirë krijimit të grupit. Sepse, me sukseset e njëpasnjëshme që nga viti 2009 kur është krijuar e në vazhdim, ajo ka ndihmuar në krijimin e rrthanave të nevojshme, në krijimin e atmosferës së duhur, të rritjes së entuziazmit tek krijuesi i saj, Marin Gjonaj, që ai ti futet edhe sipërmarrjeve të tjera. Sikurse ka ndodhur realisht gjatë këtyre viteve. Vërtet Info- Telecom ka rrokur sukses vit pas viti, por ajo performancë që ka regjistruar gjatë vitit 2022 është kulminantja e saj përgjatë 13 viteve aktivitet. Këtë e konfirmojnë edhe shifrat. Me 46 miliarde lekë xhiro Info-Telecom ishte kompania numur 6 sa i takon madhesise se biznesit, me një rritje prej 10 miliarde lekë krahasuar me vitin paraardhës. I mbarë ka qenë viti 2022 edhe sa i takon përfitueshmërisë së kompanisë. Mbi 1.2 miliardë lekët fitim i siguruar para tatimit, i garantuan kompanisë vendin e 27, ndër 200 kompanitë më të suksesshme shqiptare. Edhe dinamika e rritjes së fitimit nga viti paraardhës është impresionuese sepse janë rreth 460 milionë lekë më shumë fitim.

Më shumë informacion mund të gjeni tek libri “Biznesi Shqiptar, Më të mirët 2023”


 

Shefqet Kastrati


Emri i kompanisë: Kastrati Group

Xhiro e aktivitetit 2022: 1 miliardë euro

Numri i punonjësve: 2500

Vendndodhja: Durrës

Kur në media autovizive shfaqen spote publicitare të kompanive përbërëse të Grupit “Kastrati”, ky element nuk harrohet të vohet në dukje. Pra sidoqoftë emri i kompanisë, çfarëdo produkti apo shërbimi të afrojë ajo, do ta shoqërojë “shënimi” që është “pjesë e “Kastrati Group”. Nuk është diçka e parëndësishme kjo, përkundrazi është dëshmi e vetëdijes për reputacionin që tashmë ka krijuar prej vitesh ky grup biznesi, më i fuqishmi i biznesit shqiptar. Me kompani të shumta që ushtrojnë aktivitete të ndryshme që fillojnë nga tregtimi i karburanteve, sigurimi, ndërtimi, trafiku ajror, menaxhimi dhe mirëmbajtja e rrugës së Kombit, hoteleria, turizmi etj etj. Kur folëm vjet rreth aktivitetit të këtij grupi parashikuam që në një të afërmë shumë të afërt dhe me ritmet e rritjes vjetore të tij, ky grup do ta kalonte kufurin e 1 miliardë euro xhiro vjetore. Dhe ja, treguesit e performancës së tij për vitin 2022 tregon se “Kastrati” Group u bë i pari grupim kompanish që e kaloi stekën e 1 miliardë eurove aktivitet vjetor. Pjesën më të madhe të kontributit në këtë rezultat historic e kanë kompanitë e karburanteve të shumicës dhe pakicës, të cilat regjistruan gjatë vitit 2022 një xhiro prej 93 miliardë lekësh. Natyrisht, një ndikim në këtë rritje ka patur edhe kriza që shkaktoi konflikti i Rusisë me Ukrainën, cka trazoi tregjet botërore të karburanteve, por edhe rritja e volumeve të shitjes nga dy kompanitë kryesore të Kastrati-t në këtë fushë.

Më shumë informacion mund të gjeni tek libri “Biznesi Shqiptar, Më të mirët 2023”


 

SHPETIM LUKU/Katër doktorë milionerë

 

 

 

 

Ata janë 4 doktorë, që ashtu sikundër e gjithë armata e doktorëve  shqiptare kanë mbaruar Fakultetin e endrrave, kanë bërë një specializim dhe kanë ndërtuar një karrierë në sistemin shëndetësor.

Ata janë 4 doktorë që përgjatë disa viteve kanë përjetuar emocione pozitive që kanë buruar  nga ushtrimi i një profesioni të nderuar në shërbim të jetës së njeriut.

Ata janë 4 doktorë, që ashtu sikundër edhe të tjerët, janë përballur edhe me problemet dhe vështirësitë që ka kaluar sistemi shëndetësor shqiptar ndër vite.

Por tashmë ata janë 4 doktorë, që ndryshe nga shumica e doktorëve të tjerë që punojnë në system, janë zyrtarisht milionerë. Sepse në një moment të caktuar kanë guxuar, kanë kërkuar më shumë, kanë ndërtuar një ëndërr dhe kanë punuar për konkretizimin e saj. Ndërsa  dikur, diplomimi në Fakultetin e Mjekësisë ishte një endërr e përmbushur për ta, tani ata kanë  kaluar në një etapë tjetër. Në etapën kur përgjithësisht i kanë lënë menjanë bluzat e bardha të ushtrimit të profesionit në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe janë shndërruar në administrator dhe menaxherë të kompanive që kanë krijuar. Po kush janë këta doktorë, që tashmë menaxhojnë miliona?

Vasil Llajo, pronari i “Intermedica Center” është ndër të parët që iu fut rrugës së biznesit në sistemin shëndetësor. Por jo si qëllim në vetëvete. Thjesht në mënyrë spontane. Pas disa vitesh punë si mjek anestezist, në sistemin shëndetësor shqiptar, mjeku Vasil Llajo u zhvendos në Greqi. Kjo përvojë i mundësoi atij të “hapë sytë” e të shikojë aparatura moderne me të cilat ishte pajisur shëndetësia e vendit fqinj. Pikërisht ky kontakt me teknologjinë e avancuar i stimuloi idenë e futjes së një skaneri në Shqipëri, si nevojë për një diagnostifikim të sigurtë. Dhe ideja iu kthye në bindje dhe qëllim, kur në një vizitë në ambientet e kompanisë së njohur gjermane “Siemens” vuri re që në hartën që tregonte praninë e saj në Europë, Shqipëria ishte i vetmi vend që e kishte llambushkën të fikur. Pra që tregonte që mungesë pranie. Mjeku Vasil Llajo kthehet me mëndjen e ndarë tashmë për të futur skanerin nga Siemens  në Shqipëri. Formulon një plan biznesi dhe me të në dorë i drejtohet bankës së Kursimeve të asaj kohe për të gjetur support financiar. Mirëpo i ashtuquajturi plan biznesi kishte difekte të mëdha, të cilat po qe se do të shqyrtoheshin me skrupulozitet të madh, sigurisht që nuk mund të përkrahej nga ana e bankës. Mirëpo drejtuesi i atëhershëm i saj, Edvin Libohova, i besoi më tepër dëshirës së mirë  së doktorit, por edhe intuitës së tij si bankier dhe e ofroi mbështetjen e bankës. Kështu edhe llampa e Siemens-it në territorin shqiptar u ndez, kurse Intermedica Centër startoi aktivitetin e saj si një klinikë diagnostifikuese e bazuar në teknologjinë e përparuar. Gjatë vitit 2022, kjo kompani regjistroi një performancë të zakonshme, me një xhiro në nivelin e 8.5 milionë eurove, me një fitim para tatimit prej 1.3 milionë euro. Por dy vitet e pandemisë ishin ato që shënuan kulmin e saj. Në vitin 2021 kompania regjistroi mbi 7 milionë euro fitim, dhe dyfishin e xhiros së vitit 2022. Është e qartë pra që mjeku Vasil Llajo është tashmë pronar dhe administrator i një strukture milionere, por sadisfaksionin kryesor e ka kur arrin të investojë, duke futur tek “Intermedica”, pajisjet që janë fjala e fundit e shkencës mjekësore.

Pandemia, një llotari milionere për “Genius Lab” dhe Besnik Cullhaj

Besnik Cullhaj është një mjek laboratori. Por prej pak vitesh  është edhe krijuesi dhe themeluesi i “Genius Lab”. Rezervat që ka cdokush që ndërmerr një iniciativë biznesi ia shuajti të gjitha periudha e Covid-it, pasi gjatë këtyre dy viteve regjistroi fitime të paimagjinueshme. Vetëm gjatë vitit 2021 siguroi një fitim 1.37 miliardë lekë të reja, në kuadrin e një xhiroje aktiviteti prej 2 miliardë lekë. Pra, afro 70 për qind normë fitimi. Pandemia u kthye pra për këtë kompani në një lloj bingoje apo llotarije, pasi ajo ishte një nga kompanitë e pakta që u licensuan për kryerjen e testeve të covid. Kurse gjatë vitit 2022, “Genius Lab” pati një aktivitet të “zakonshëm”, duke siguruar një fitim prej 250 milion lekësh, por që vazhdon tia përforcojë mjekut Besnik Cullhaj statusin e doktorit milioner.

“Brianza Dent” nxjerr dhëmbët

Luan Mavriqi është një mjek dentar, i cili, nga videot publicitare që shfaq në rrjetet sociale vazhdon ta ushtrojë  profesionin e dentistit. Por përvec kësaj ai është edhe një milioner. Një mjek, i cili ka arritur që të tranformojë një klinike dentare në një strukturë gjigande biznesi. Një kompani që realizon një total të ardhurash prej afro 1,3 miliardë lekë në vit, prej të cilit, rreth 490 milionë lekë janë fitim para tatimit. Duket pra se mjeku biznesmen nga Fushë Kruja ia ka dalë mbanë që ta kthejë “Brianza Dent”-in në derën kryesore ku trokasin ata që duan të rregullojnë dhëmbët e tyre. Qoftë nga vendi, e qoftë të huajt që vijnë në Shqiëri për “turizëm dentar”. Duke qenë kështu ndoshta kompania më e suksesshme private  në fushën e shëndetësisë për vitin 2022.

 

Në strehën e SOMBRERO-s

Personazhi tjetër nga sektori i shëndetësisë që është futur në rrugën e menaxhimit dhe fitimit të milionave është Skerdilajd Faria. Pas një përvoje punë si mjek në Institutin e Shëndetit Publik, pas specializimit për mjek anestezist, pas krijimit të një përvoje pune në spitalet e Italisë, pas njohjes së disa specialiteteve që nuk ishin zhvilluar akoma shumë në Shqipëri, sikurse ishte kirurgjia estetike, Doktor Faria krijoi kompaninë Sombrero ose sikurse njihet me akronimin KEIT(Kirurgjia Estetike Italiane Tirana). Viti 2022 ishte edhe viti më i mirë i performancës së kësaj kompanie, teksa bëri një volum aktiviteti në nivelin e 900 milionë lekëve, pra afro 8 milionë euro, duke siguruar një fitim prej 430 milionë lekë. Duke qenë kështu kompania private me efektivitetin më të madh në shërbimin shëndetësor.

Duket pra se shumica e atyre personave që shikohen nëpër rrugët e Tiranës me hundë të fashuar, vendas apo të huaj që vijnë nga vende të ndryshme kanë dalë nga sallat kirurgjikale të Sombrero-s.

Shpetim Luku/Një Sombrero shqiptare

Doktor Skerdi, sikurse e thërrasin të gjithë Skerdilajd Farinë, është një persona interesant dhe shumë komunikues. Na pret në zyrën e tij me ciltërsinë dhe natyrshmërinë e një personi që të bën të ndjehesh sikur ke kohë që njihesh me të. Dy portrete të mëdha, njëra e filozofit gjerman Nice dhe tjetra e biznesmenit të famshëm Steve Jobs  janë gjëja e parë  ku të shkojnë sytë sapo futesh në zyrën e doktorit.

“Janë mentorët e mi”, nis të shpjegojë ai teksa ka parë drejtimin ku është ngulur shikimi im. “Nices ia kam lexuar pothuajse të gjitha librat, kurse biografinë e Jobs-it  e kam lexuar 5 herë”,  vijon doktori, si për të shpjeguar më tej se pse ata janë mentorët e tij. Dëshiroj të vazhdoj eksplorimin e arsyeve se pse i quan dhe i konsideron  ai ata mentor, por kujtohem se shkaku i takimit tonë me të është tjetër. Ai lidhet me ecurinë fantastike të kompanisë Sombrero ose sikurse njihet ndryshe me emrin tregtar KEIT gjatë vitit 2022. Me rreth 9 milionë euro aktivitet, me afro 4 milionë euro fitim dhe me një ritëm rritjeje mbi 100 për qind krahasuar me një vit më parë, Sombrero paraqitet gjatë vitit 2022 ndër kompanitë më të suksesshme që veprojnë në sektorin shëndetësor. Pa asnjë dyshim, viti 2022 ishte viti më i mirë për këtë kompani gjatë jetës së saj 10 vjecare, ishte viti i shpërthimit të saj, ishte viti ku kompania bëri një kapërcim cilësor në aktivitetin e saj, krahasuar me vitet paraardhëse. Klinika e kirurgjisë estetike KEIT është investuar gradualisht ndër vite, por performance e vitit 2022 ka bërë të mundur që në të tashmë të investohet më tej për zgjerime kapaciteti, duke rritur numrin e sallave të operacionit, teknologjinë. Sepse Skerdilajd Faria ka “dobësinë”, që kanë pothuaj të gjithë biznesmenët e suksesshëm, për investimin e të gjitha parave që fiton kompania. Duke krijuar kështu të gjitha premisat për të përmirësuar akoma më tej perspektivën e kompanisë. Është e qartë pra se në rastin e kompanisë Sombrero kemi të bëjmë me një histori të suksesshme biznesi, kapitulli më i bukur i të cilit është shkruar gjatë vitit 2022, por që edhe më të bukur parashikohet të jenë ata që do të shkruhen në vitet e ardhshme. Pasi numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbimet e saj sa vijnë dhe shtohen nga vende të ndryshme të botës. Por edhe kapacitetet e këtij spitali të vetëm ditor në vend janë rritur.

Për cdo biznesmen, ndërtimi i një biznesi efektiv është një arsye krenarie, por janë disa biznese, të cilat përfaqësojnë njëkohësisht edhe kulmin dhe mishërimin e një karriere profesionale. Ose e thënë ndryshe, kur profesioni bazë i tyre është materializuar edhe në një shërbim për publikun nëpërmjet një sipërmarrjeje private atëhere krenaria kthehet dhe përjetohet me të drejtë edhe në trajtë lumturie. Skerdilajd Faria është një shembull i shkëlqyer ilustrues i këtij kontigjenti biznesmenësh. Në vitin 1989, pak para se të fillonin lëvizjet për ndryshimin e sistemit, ai nisi Fakultetin e Mjekësisë, si rrjedhojë e të drejtës për të përzgjedhur, pasi kishte përfunduar me medalje ari gjimnazin.  Gjatë kohës së Fakultetit, krahas kohës që i dedikonte studimit, nuk nguronte të ndërmerrte edhe nisma të vogla biznesi, në përpjekje për të siguruar ndonjë të ardhur shtesë. Duke shitur verë, lule, duke hapur një restorant të thjeshtë, duke shërbyer edhe vetë si guzhinier e kamarier. Më pas, duke shitur edhe lubrifikantë për makina, mqs ato filluan të shtohen. Dhe me këtë sfond nismash e iniciativash u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë, për tu emëruar mjek në Institutin e Shëndetit Publik. Kanë kaluar afro 30 vite, por Skerdilajd Faria e mban mend mirë, sikur të kishte ndodhur dje, atë cfarë i tha Eduard Kakarriqi pas mbarimit të intervistës së punës.

“Këtu bëhesh shkencëtar, por mbetesh i varfër”.  Profesionin e mjekut e donte, por edhe i varfër nuk dëshironte të ishte. Cila ishte zgjidhja ideale në mënyrë që të realizoheshin të dy dëshirat e tij? Thonë dhe është e provuar që edhe fati ka një ndikim shumë të madh në jetën e njeriut. Doktor Faria njohu gjatë punës në ISHP disa mjekë italianë, në kuadër të bashkëpunimit që ata kishin me këtë institucion, pasi në atë kohë në Shqipëri kishte rënë edhe poliomeliti. Dhe e gjeti mundësinë nëpërmjet tyre për të shkuar në Romë për një specializim për higjenën dhe Mjekësinë Preventive. Specializim ky që më vonë u shoqërua me një tjetër në fushën e anestezisë dhe reanimacionit.  Me cilësinë e mjekut anestezist dhe reanimator ai punoi me kirurgë të famshëm ortopedë italianë, madje duke asistuar edhe në operacionet e futbollistëve të njohur italianë si Francesko Toti apo Mateo Ferrari. Pikërisht kjo përvojë pune i krijoi edhe shkëndijën për një sipërmarrje private në Shqipëri. Siguroi gadishmërinë dhe bashkëpunimin e një mjeku ortoped Italian dhe hapi në vendin tonë një klinikë modeste, por që realizoi disa operacione të futbollistëve të rëndësishëm shqiptarë si Odise Roshi, Bekim Balaj, Ilion Lika etj. Por sërish dukej se akoma nuk kishte goditur në shenjë. Akoma nuk kishte dizejnuar përfundimisht Klinikën e madhe që ka sot. Sepse për ta bërë këtë do të duheshin rrethana të tjera rastësore që do ta shtynin përfundimisht drejt kësaj natyre biznese që ka kompania aktualisht.. Do të duhej shoqërimi dhe asistimi i dy mikeshave të tij për të kryer operacione plastike në Romë, qytetin ku tashmë ai ishte zhvendosur përfundimisht për të jetuar e punuar për të kristalizuar më në fund se cfarë drejtimi do ti jepte biznesit të tij. “Pse të mos e zhvilloj kirurgjinë estetike në Shqipëri”, i tha vetes doktori dhe nga e thëna në të bërë nuk vonoi shumë. Në fillim duke i kryer operacionet në një nga spitalet e Tiranës, derisa më në fund u arrit të ndërtohej klinika KEIT në fillim të rrugës “Dritan Hoxha” ku është edhe sot. Përgjatë 10 viteve numri i operacionëve të kryera në klinikë i ka kaluar 15 mijë me pacientë, të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Ecuria e mirë e Sombrero-s, ose në KEIT-it e ka një shpjegim dhe doctor Faria nuk nguron ta evidentojë. “Gjithcka lidhet me dashurinë, ne e duam punën që bëjmë, i duam njerëzit me të cilët punojmë, i duam pacienët tanë” thotë ai. Duke  treguar se rritja dhe përmirësimi i vazhdueshëm i pagave, kryerja e një udhëtimi të përbashkët njëherë në vit apo edhe festimi i ditëlindjeve jubilare për anëtarët e stafit prej 170 vetësh janë disa nga ato veprime që synojnë krijimin dhe mbajtjen e një atmosphere të mirë për ekipin e tij. Sombrero është emri i një kapeleje me bazë të gjërë që përdoret në Spanjë, Meksikë apo USA për të mbrojtur fytyrën apo sytë nga dielli. Duket se  edhe filozofia e  kompanisë shqiptare që ka këtë emër  është të qënit një “sombrero”  për pacientët, punonjësit dhe pronarin e saj.