Risia e EHW-së, produkte pa konservantë

Pas një periudhe të gjatë pune me montimin e linjës së re, testimin dhe prodhimin, EHW ka hedhur në treg një risi të rëndësishme: produkte të përpunuara mishi pa konservantë, si salçiçe, kremviçe dhe proshuta.

Ky hap nuk lidhet me synime të menjëhershme për zgjerim tregu – sepse EHW, vit pas viti, ka treguar rritje të qëndrueshme dhe performanca të përmirësuara. Përkundrazi, investimi është bërë kryesisht për t’u dhënë alternativë konsumatorëve që e pëlqejnë këtë kategori produktesh, por janë të rezervuar për shkak të pranisë së konservantëve.

Edhe pse përdorimi i konservantëve është i rregulluar me norma ndërkombëtare të cilat EHW i zbaton me rigorozitet, një pjesë e konsumatorëve i shohin ato si një “gogol”. Për t’iu përgjigjur kësaj kërkese specifike, kompania vendosi të sjellë produkte tërësisht pa konservantë.

Kjo qasje konfirmon edhe një herë se kompanitë serioze janë kujdestare të shëndetit të konsumatorit. Reputacioni i ndërtuar prej vitesh është garancia më e fortë që EHW vepron gjithmonë mbi bazën e kritereve profesionale dhe shkencore.

Nëse grupi i konsumatorëve që kanë shmangur deri tani produktet e përpunuara për shkak të konservantëve rezulton i madh, atëherë EHW do të ketë bërë një lëvizje të goditur, duke i thyer barrierat dhe duke zgjeruar audiencën e saj. Nëse ky grup rezulton i vogël, atëherë investimi mund të konsiderohet më tepër një përpjekje për të plotësuar një dëshirë të konsumatorëve, sesa një nevojë tregu.