Nga Shpetim Luku
“Si po e mbyll vitin”, e pyeta një biznesmen të rëndësishëm të sektorit të hidrokarbureve, President i njërës prej kompanive kryesore të këtij tregu.
“Si mos më keq”, u përgjigj dhe kur i kërkova arsyet e kësaj pakënaqësie u përgjigj shkurt: Na ka dëmtuar shumë Bordi i Transparencës. Kur unë ngulmova për argumentim ai rreshtoi disa nga shpenzimet, të cilat bordi nuk i njeh. Në këto shpenzime futen kosto e parasë, firot ligjore, amortizimi, qeraja e pikave të ndryshme, pasi 42 për qind e pikave janë me qeramarrje. Kjo do të thotë se shpenzimet që kapin vlerën 3-7 lekë për litër minimumi nuk njihen nga Bordi dhe ato kanë tkurrur ndjeshëm rentabilitetin e kompanive.
“Ne kujtuam se kjo puna e Bordit do të vazhdonte një muaj, ndërkohë që ai po i kalon 8 muajt, çka na ka gërryer aktivitetin”, thotë biznesmeni protagonist i hidrokarbureve. Kuptohet qartë se jo vetëm ky, por edhe shumë biznesmenë të tjerë si ky, nga tregu i hidrokarbureve janë të pakënaqur me çfarë ju ka ofruar viti 2022. Me çfarë ju është dashur të përballen nën monitorimin e Bordit të Transparencës. Por më e forta është se me Bordin janë të pakënaqur edhe qytetarët. Të cilët, ankesën që kanë për çmimin e lartë të naftës e benzinës e adresojnë gabimisht si spekulim apo abuzim të biznesit përkatës. Në fund të fundit qytetarët janë të justifikuar, pasi ata nuk arrijnë dhe nuk kanë se si të kuptojnë mënyrën se si formohet çmimi përfundimtar i karburantit që del nga pompat e pikave të ndryshme. Por ama, politikanët dhe disa që quhen e vetë quhen analistë duhet të dijnë se konkluzionet e tyre për “abuzime” të tregut të karburanteve nën bekimin e Bordit të Transparencës nuk përkojnë me realitetin. Në këtë kuptim, çmimi i padijes që ata paguajnë, apo më keq akoma, çmimi i spekulimet që bëjnë me të ashtuquajturin spekulim të tregut nga ana e biznesmenëve përkatës është tejet i lartë. E sigurtë është që konsumatori shqiptar e ka marrë litrin e naftës apo benzinës vërtet me një çmim të lartë, ndër më të lartët në rajon e më tej, por ama jo me atë çmim që do t’i takonte t’a merrte sikur të njiheshin të gjitha shpenzimet e kompanive. Ankesa e biznesit na stimulon kureshtjen për të parë se si ka rezultuar norma e fitimit të tyre, të bindur se ajo ka pësuar rënie për të gjitha kompanitë e fushës, krahasuar me një vit më parë. Në të kundërt me perceptimin që ka shumica sikur ata “kanë bërë namin”.