Arben Petto, “mjeshtri” i teleferikëve

 

 

Shpëtim Luku

 

Arben Petto është një biznesmen i njohur shqiptar, ndonëse jo i përmasave shumë  të mëdha. Është marrë dhe merret prej kohësh me prodhim asfalti, me shtrim rrugësh të reja e me riparime rrugësh, me distribucion pijesh freskuese etj. Por ajo që përbën krenarinë e vërtetë të tij si biznesmen, vepra që e bën të ndjehet më i realizuar në fushën e biznesit e që i ka dhënë një identitet të qartë si biznesmen  është ndërtimi i teleferikut të Dajtit. Jo më tepër pse ndërtoi një rrugë ajrore komode për të shkuar vetëm për 14 minuta në Parkun Kombëtar të Dajtit. Jo  më tepër pse i shtoi Tiranës një atraksion  turistikë, sikurse është ky teleferik. Por sepse, duke e ndërtuar atë, inxhinieri Arben Petto stimuloi vëmëndjen e të gjithëve drejt një mënyre alternative transporti, një mënyrë transporti kjo që duhet të jetë egzistente kudo ku ka mundësi dhe ku llogaritë e nxjerrin atë efektive. Dhe inxhinier Petto punon me fokus të përqëndruar në këtë drejtim. Duke marrë edhe përfaqësinë e një prej  kompanive më të mëdha në botë për prodhimin e impianteve, DEPOLMAYR ai është i vendosur në ndërtimin e teleferikëve të tjerë, aty ku ata i kërkon koha. Aty ku llogaritë e bëjnë atë një sipërmarrje të logjikshme. Aty ku ata shërbejnë më së shumti e zgjidhin problematika transporti. Dhe një prej tyre, i cili e ka marrë lejen përkatëse, por që u bllokua nga fatkeqësia që zaptoi botën dhe Shqipërinë, pandemia e Covid 19, është teleferiku Kala e Krujës- Sari Salltik. Një projekt ky pak më shumë se 1000 metra gjatësi, me një kosto 3.5-4 milionë euro, por  shumë i justifikueshëm dhe i leverdisshëm, nisur nga  numri i madh i turistëve që vizitojnë Krujën, muzetë e saj, pazarin e vjetër të qytetit etj. Numri i  turistëve me bazë vjetore që e frekuentojnë Krujën i ka kaluar me kohë 100 mijë vetët, sipas statistikave të autoriteteve zyrtare.  Gjithcka është gati dhe i takon institucioneve përkatëse të shtetit shqiptar, qeverisë dhe Ministrisë së Turizmit, që nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit të angazhohen nëpërmjet financimit për jetësimin e këtij projekti. Duke qenë se vizioni i inxhinier Pettos shkon edhe më tej në favor të përdorimit të teleferikëve edhe në transportit qytetës në  një qytet me trafik kaotik si Tirana ne iu drejtuam atij për sqarimin e kësaj qasjeje të tij.

Zoti Petto, pse jeni kaq shumë i dedikuar pas teleferikëve? Pse mendoni se ato mund të jenë mjet transporti edhe në një qytet si Tirana? 

Ndërtimi i një teleferiku për transport brenda Tiranës do t’ia lehtësonte dukshëm jetën qytetit tonë të strapacuar prej shumë vitesh nga shtrirja e sipërfaqes dhe dyndjet demografike, nga bumi i ndërtimeve dhe trafiku në kufijtë e çmendurisë. Këtë herë fjala është për një mundësi të re të transportit qytetës, e cila mendohet të zgjidhë nevojat e përditshme të lëvizjes së komunitetit, në kushte optimale komoditeti dhe në kohë sa më të shkurtër.

Përdorimi i teleferikut (sistem kabllor me teleferik) brenda një qyteti me shtrirje të gjerë dhe zona me zhvillim të ndryshëm ekonomiko-social si Tirana, përbën risi alternative në transportin qytetës, pasi shmang pritjet e gjata, rëndimin e trafikut, ndotjen mjedisore, ndotjen akustike dhe shpërdorimin e kohës, duke shtuar njëkohësisht edhe mundësitë e shijimit panoramik të qytetit.

Bazuar në përvojën e bashkëpunimit me autoritetet (lokale dhe qendrore) si edhe në personelin teknik, të specializuar për çdo specifikë të këtij investimi, për kompaninë, që unë menaxhoj, realizimi i këtij projekti nuk paraqet risi dhe nuk fsheh më pikëpyetje. Realizimi i projektit të Teleferikut të Dajtit dëshmoi jo vetëm sukses në përdorimin e metodave bashkëkohore të montimit të kullave të tij me helikopter, por edhe rrezikshmëri – zero gjatë shfrytëzimit të tij. Efekti i sistemeve të teleferikëve kabllorë është i dukshëm. Ai bën të mundur, që nga pikat më të largëta dhe problematike të grumbullimit aktual të trafikut, të arrihet qendra e Tiranës për 8-12 minuta. Mënyrat e vjeljes së të ardhurave janë të njëjta me ato të metodave të tjera të transportit, si: biletë për udhëtim, biletë mujore ose abone. Në një fazë të dytë duhet përcaktuar, se cilat do të jenë rrugët ajrore, që do të përshkojnë qytetin e Tiranës dhe cili do të jetë hapi i parë nga do të fillohet implementimi i projektit, i cili po të marrë përkrahjen e opinionit dhe të autoriteteve mund të vërë në rrugë të mbarë zgjidhjen e një problem tejet emergjent, siç është transporti publik në kryeqytet.

Cilët janë përfituesit nga shërbimi të teleferikëve kabllorë

Grupi më i madh i përfituesve janë punëtorët dhe nëpunësit, të cilët shmangin mjetet me humbje kohe dhe përqendrim të madh njerëzish, pasi në kabinat e teleferikut hyn një numër i kufizuar personash, i cili kompensohet nga shpeshtësia (takt një minutësh) e kabinave që qarkullojnë pa ndërprerje. Nevojës për transport i shtohet edhe kurioziteti për ta parë qytetin nga një këndvështrim tjetër – një aspekt joshës ky i përdorimit të teleferikut, i cili pritet të zgjojë dhe interesin e agjencive turistike, që mund/do të duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Së fundi, ndërtimi i teleferikëve është pjesë e inxhinierisë elitare, që lidhet direkt me vendim-marrjet politike për zhvillimin e zonave ku implementohen sistemet kabllore. Ndryshe nga sistemet e tjera të transportit, teleferiku, si element i transportit qytetës, s’ka vetëm efekt ekonomiko-social, por edhe ndikim në politika. Reagimin politik të qytetarëve e ndikon jo së fundi edhe impakti estetik i sistemit, i prekshëm edhe prej vizitorëve dhe turistëve të huaj.

Cdo tju thonit skeptikëve të kësaj ideje, që sigurisht mund të mos jenë të pakët? 

Çdo ide e re, sado novatore të ketë qenë, s’i ka shpëtuar dot përpalljes me cinizmin në çastin e parë të paraqitjes së saj. Mosbesimi dhe nënqeshjet ironike, ndërkallur në pyetje të përgjithshme a të pakuptimta personash të veshur me pushtet, kanë tentuar jo rrallë t’i vënë ideatorët në vështirësi. Edhe Teleferiku i Dajtit u duk fillimisht një aplikim thjesht imagjinar dhe i pamundur për t’u realizuar, pasi përpjekjeve, që vërtet nuk kishin munguar, u kishte munguar besimi. Ne e patëm besimin me shumicë. Dhe besimi na mbajti… Nga vënia e gurit të parë deri te testimi i udhëtimit të parë, në fund të të cilit koha e realizimit të një vepre të tillë elitare u duk “papritur” e shkurtër. Tanimë, kur skepticizmin e dikurshëm e ka tretur ndërkohë jo vetëm besimi ynë, por edhe suksesi i projektit të Teleferikut të Dajtit, ka ardhur mbase koha t’u rikthehemi edhe njëherë sistemeve kabllorë të teleferikëve, të njohur botërisht për epërsinë e tyre në transport.

Suksesi i një sipërmarrjeje të tillë sigurisht që nuk i zgjidh të gjitha problemet e transportit qytetës. Pavarësisht se si njohës i tyre, unë besoj në perspektivën e gjerë të implementimin sistemeve të teleferikëve kabllore, nuk mendoj megjithatë, se ky sistem transporti u bjerr sadopak vlera alternativave të tjera të transportit qytetës e ndërqytetës. Aspak! Sistemi i transportit me teleferik nuk zëvendëson llojet e tjera të transportit qytetas dhe ndërqytetas, qofshin këto me autobus, taksi, metro,etj., por ofron një alternativë shtesë transporti komod dhe të shpejtë, në formën e plotësimit më të mirë të nevojave të qytetarëve për mjete publike transporti. Të shpresojmë, se në emër dhe në interes të të gjithëve, jo thjesht dhe vetëm ideja, por edhe projekti konkret për implementimin e tij në Tiranë, do t’i shpëtojë mbase përballjes me cinizmin, mosbesimin dhe nënqeshjet ironike. Nëse kjo ndodh, sërish do të vazhdojë të na mbajë besimi dhe të na buzëqeshë suksesi… . Si dikur dhe sot në Dajt!

Recent Posts

Rikthimi i gjigandit mediatik
Shpëtim Luku Tregojnë se dikur, dikush po i raportonte Dritan Hoxhës, themeluesit të “TOP Channel”, disa lëvizje në funksion të konkurencës të një televizioni tjetër privat. Tani i T...
May 5, 2024 Read More
Makinat e reja pa certifikatë konformiteti shtohe
Makinat e reja pa certifikatëkonformiteti shtohen ne treg Përballë koncesionarit zyrtar, pozicionohet një shitës ambulant, shpesh herë me një ‘kasolle’ ku ka vetëm një tavolinë, një ...
March 30, 2024 Read More
SHPËTIM LUKU/ Leksioni i një eksportuesi
Qëkurse euro është zhvlerësuar karshi lekut, duke u stabilizuar në raportin ku 1 euro këmbehet me 100 deri 105 lekë, nuk kanë reshtur ankesat dhe kërkesat e eksportuesve shqiptarë. E kanë b...
February 1, 2024 Read More
Të jetosh përtej mundësive të tua!
Të jetosh përtej mundësive të tua! Vite më parë, kur u ndërtua kompleksi turistik "Laguna", në Malin e Robit, shitjet e apartamenteve apo ambienteve të tjera në të u bënë në kohë rek...
January 29, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/Pse janë kaq të korruptueshëm doga
Shpëtim Luku Xiao Min ishte një biznesmen kinez, i cili merrej me biznesin e tregtimit të veshjeve tekstile në Shqipërideri para vitit 2010, përpara se të transferohej në Maqedoninë e Veri...
January 16, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkat
SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkatet e biznesit Ditët, muaj dhe vitet kalojnë dhe problematika më të cilën haset biznesi shqiptar sa I takon fuqisë punëtore së vjen dhe bëh...
January 9, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/ Ish-kulaku që u bë biznesmeni më
Mebiznesmenin korcar Luan Lartie kishim lënë të takoheshim tek një kompleks pallatesh në hyrje të Korcës, aty ku dikur ka qenë fabrika e trikotazhit. Është një kompleks, nga më të bukurit...
November 30, 2023 Read More